Biblioteka
Mësimi 29: Mateu 25:14–46


Mësimi 29

Mateu 25:14–46

Hyrje

Kur Jezu Krishti i mësoi dishepujt e Tij për Ardhjen e Tij të Dytë ndërsa ishte në Malin e Ullinjve, Ai tregoi shëmbëlltyrën e talentave. Ai gjithashtu shpjegoi se Ai do të ndajë të drejtët nga të ligjtë kur të vijë përsëri.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 25:14–30

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij shëmbëlltyrën e talentave

Përpara orës mësimore, vendosni pesë monedha në një anë të dhomës dhe dy monedha në anën tjetër. Vendosni tetë monedha të tjera në xhepin tuaj.

Për ta filluar mësimin, ftojini tre studentë të vijnë para klasës për t’ju ndihmuar të luani me role një shëmbëlltyrë që Jezu Krishti ua mësoi dishepujve të Tij si pjesë e udhëzimit të Tij për Ardhjen e Tij të Dytë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:14–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mori secili shërbëtor dhe çfarë bëri ai me të.

  • Çfarë i dha zotëria secilit prej shërbëtorëve të tij? (Shpjegoni që talentat në këtë shëmbëlltyrë ishin shuma parash. Nxirrini tetë monedhat nga xhepi juaj dhe jepini pesë një studenti, dy studentit tjetër dhe një studentit të tretë.)

  • Çfarë bëri secili shërbëtor me paratë që i ishin dhënë?

Ftojeni studentin me pesë monedha t’i marrë pesë monedhat e tjera nga njëra anë e dhomës. Kërkojini studentit me dy monedha t’i marrë dy monedhat e tjera nga ana tjetër e dhomës. Ftojeni studentin me një monedhë ta fshehë ose të bëjë sikur e gropos monedhën.

Kërkojuni studentëve që t’jua kthejnë monedhat juve dhe të ulen. Shkruajini elementet vijuese të shëmbëlltyrës në tabelë (pa interpretimet në kllapa):

Zotëria i shërbëtorëve (Zoti Jezu Krisht)

Shërbëtorët (Dishepujt e Zotit)

Talentat (Dhuratat dhe aftësitë që Zoti ua jep dishepujve të Tij)

  • Çfarë mund të përfaqësojnë elementet e shëmbëlltyrës? (Shpjegoni që disa prej dhuratave dhe aftësive që kemi në vdekshmëri u morën dhe u zhvilluan në jetën tonë para lindjes. Ne mund të zgjedhim të vazhdojmë t’i zhvillojmë ato dhurata dhe të tjera dhurata në vdekshmëri.)

  • Sipas Mateut 25:15, përse zotëria i dha secilit shërbëtor një sasi të ndryshme parash? (Pasi studentët të përgjigjen, vini në dukje se fraza “sipas zotësisë së tij” tregon se Perëndia i jep secilit prej nesh dhuratat dhe aftësitë për të cilat kemi nevojë sipas rrethanave tona.)

Lexojini me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përsiatin ato:

  • Cili shërbëtor ndieni se është më i ngjashëm me ju: atij që iu dhanë pesë talenta, dy talenta apo një talent? Përse?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:19–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zotëria i tha shërbëtorit që kishte marrë pesë talenta.

  • Çfarë i tha zotëria shërbëtorit të parë?

Shpjegoni që të bërit sundimtar “mbi shumë gjëra” dhe të “hyr[it] në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21) i referohen përmbushjes së potencialit tonë hyjnor dhe marrjes së jetës së përjetshme me Atin Qiellor.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e shërbëtorit të parë? (Sa vijon është një parim që mund ta përcaktojnë studentët: Nëse i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti, atëherë ne mund ta përmbushim potencialin tonë hyjnor dhe marrim jetën e përjetshme.)

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si ne mund t’i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti?

Vini në dukje se shërbëtori i dytë mund të ishte ankuar kur pa se shërbëtori i parë kishte marrë pesë talenta dhe ai kishte marrë vetëm dy. Përkundrazi, ai i përdori me besnikëri talentat që i ishin dhënë atij.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zotëria i tha shërbëtorit që kishte marrë dy talenta.

  • Çfarë i tha zotëria shërbëtorit që kishte marrë dy talenta?

  • Ndonëse zotëria i kishte dhënë dy shërbëtorëve të parë sasi të ndryshme parash, si mendoni, përse ata morën të njëjtën përgjigje nga zotëria i tyre?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e njeriut të cilit iu dhanë dy talenta? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti do të na bekojë nëse i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që Ai na ka dhënë neve, pavarësisht nga ajo se sa kemi apo se çfarë mund të jenë ato. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Kërkojini klasës të përsiati nëse ata kanë ndier ndonjëherë që dikush tjetër kishte dhurata e aftësi më të shumta ose më të mira sesa kishin ata. Drejtojuni parimit që sapo shkruat në tabelë.

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e këtij parimi kur ndiejmë se dikush tjetër ka marrë më shumë dhurata ose dhurata më të mira nga sa kemi ne?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Kuentin L. Kuk

“Rritja në talentet tona vetjake është njësia më e mirë matëse e përparimit personal. … Të krahasuarit e bekimeve është pothuaj e sigurt që do ta largojë gëzimin. Ne nuk mund të jemi në të njëjtën kohë mirënjohës dhe ziliqarë. Nëse dëshirojmë vërtet ta kemi Shpirtin e Zotit dhe të përjetojmë gëzim e lumturi, ne duhet të gëzohemi në bekimet tona dhe të jemi mirënjohës” (“Rejoice!” Ensign, nëntor 1996, f. 29, 30).

  • Si mund t’i zbulojmë dhuratat dhe aftësisë që na ka dhënë Zoti?

Jepini secilit student një fletë letër dhe kërkojuni atyre të shkruajnë emrin e vet në krye. Ftojini t’ia kalojnë letrat e tyre studentit që është ulur pranë tyre. Kërkojuni studentëve të shkruajnë një dhuratë ose aftësi që shohin te personi emri i të cilit është te letra. Udhëzojini ata që të vazhdojnë t’i kalojnë letrat e tyre nëpër klasë dhe të shkruajnë dhurata e aftësi që kanë vënë re.

Pas disa minutash, kërkojuni studentëve t’ia kthejnë letrat pronarëve të tyre të parë. Jepuni studentëve kohë të lexojnë për dhuratat dhe aftësitë që të tjerët shohin tek ata. Pastaj kërkojuni atyre që të shkruajnë te letrat e tyre një përgjigje për pyetjen vijuese:

  • Cila është një mënyrë se si mund ta përdorni një prej dhuratave tuaja për ta çuar më tej punën e Zotit?

Vini në dukje që shëmbëlltyra e talentave përfshin paralajmërime për dhuratat dhe aftësitë që na janë dhënë. Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 25:24–30. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si zotëria iu përgjigj shërbëtorit që e fshehu talentin. Pasi të lexohet vargu 27, shpjegoni se interes do të thotë përqindje (të ardhura të fituara nga investimi apo dhënia borxh e parave).

  • Përse e fshehu talentin e tij shërbëtori i fundit? Si iu përgjigj zotëria zgjedhjes së këtij shërbëtori?

  • Ndonëse shërbëtori nuk kishte humbur asnjë nga paratë e zotërisë së tij, çfarë qe e gabuar te veprimet e shërbëtorit?

  • Si mendoni se do t’i ishte përgjigjur zotëria shërbëtorit nëse ai do të kishte kthyer dy talenta?

  • Çfarë i ndodhi talentit që zotëria i dha shërbëtorit? (Iu mor atij dhe iu dha një tjetri.)

Ftojeni një student ta lexojë thënien vijuese nga Plaku Stërling W. Still, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për arsyen përse i humbasim dhuratat dhe aftësitë nëse nuk i përdorim ato për të mirë.

Pamja
Plaku Stërling W. Sill

“Humbja [e shërbëtorit të tretë] nuk qe ngaqë ai bëri ndonjë gjë të gabuar, por përkundrazi ngaqë frika e tij e kishte penguar [për] të bërë ndonjë farë gjëje. Sidoqoftë, ky është procesi me anë të të cilit shumica e bekimeve tona humbasin. …

… Kur një person dështon t’i përdori muskujt e krahut të tij ai e humbet forcën e tij. … Kur ne nuk i zhvillojmë aftësitë tona, ne i humbasin aftësitë tona. Kur njerëzit në epokat e kaluara nuk e kanë nderuar Priftërinë, ajo u është hequr atyre. … As talentet shpirtërore, mendore, as ato fizike nuk zhvillohen kur ato fshihen në tokë” (The Law of the Harvest [1963], f. 375).

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga shërbëtori që e fshehu talentin? (Ndonëse studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetat vijuese: Frika mund të na pengojë t’i përdorim dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti. Nëse nuk i zhvillojmë dhe përdorim dhuratat tona shpirtërore për mirë, atëherë ne do t’i humbasim ato.)

  • Në çfarë mënyrash mund të na pengojë frika nga të bërit mirë me dhuratat dhe aftësitë tona?

Ftojini studentët të dëshmojnë për parimet që kanë diskutuar. Nxitini t’i përdorin dhuratat dhe aftësitë e tyre për të çuar përpara punën e Zotit.

Mateu 25:31–46

Shpëtimtari profetizon për ndarjen e të ligjve nga të drejtët në Ardhjen e Tij të Dytë

Pamja
Ardhja e Dytë

Paraqitni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2008], nr. 66; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:31–33. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të bëjë Zoti me njerëzit në tokë pas Ardhjes së Tij të Dytë.

  • Çfarë do të bëjë Zoti me njerëzit në tokë pas Ardhjes së Tij të Dytë?

  • Çfarë kafshësh përdori Zoti për të përfaqësuar të ligjtë? Po të drejtët?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni gjysmën e dysheve ta lexojnë me zë të lartë së bashku Mateun 25:34–40, duke kërkuar mënyrën se si Zoti do ta përcaktojë nëse një person është “dele” (Mateu 25:32–33). Ftojini dyshet e tjera ta lexojnë me zë të lartë së bashku Mateun 25:41–46, duke kërkuar mënyrën se si Zoti do të përcaktojë nëse një person është “[cjap]” (Mateu 25:32–33).

Pas një kohe të mjaftueshme, caktojeni secilën dyshe të punojë me një dyshe që lexoi një fragment të ndryshëm. Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që lexuan dhe të diskutojnë për pyetjet vijuese në grupet e tyre:

  • Si e bën Zoti dallimin mes atyre që e duan Atë (deleve) dhe atyre që nuk e duan (cjepve)?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje?

Ftojeni dikë nga secili grup të shkruajë në tabelë parimin që përcaktoi grupi i tyre. Studentët duhet të përcaktojnë parime të ngjashme me sa vijon: Kur i duam dhe u shërbejmë të tjerëve, ne tregojmë dashurinë tonë për Zotin. Kur i shpërfillim nevojat e të tjerëve, ne shpërfillim Zotin.

Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë këto parime, bëni pyetje të ngjashme me sa vijon:

  • Si mund ta trajtojë lloji i personit që qëndron në të djathtë të Zotit motrën e vet të vogël që po kërkon ndihmë me detyrat e saj të shtëpisë?

  • Si mund ta trajtojë një person që qëndron në të majtë të Zotit një shok shkolle të cilit i bien librat e tij apo të saj në korridor?

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e këtyre parimeve që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me të tjerët?

Ftojini studentët të përsiatin për mënyrën se si i kanë trajtuar të tjerët në 24 orët e fundit. Ftojini ata të marrin parasysh nëse do të zgjidhnin të vepronin ndryshe në qoftë se do të ishin në një situatë të ngjashme në të ardhmen. Nxitini studentët të mendojnë për mënyra se si mund t’i duan e t’u shërbejnë të tjerëve më shpesh dhe ftojini që të veprojnë në përputhje me planin e tyre. Ju mund të doni të ndiqni ecurinë e studentëve herën tjetër kur të takoheni dhe t’i ftoni të raportojnë disa prej përvojave të tyre pozitive.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 25:15. “I dha … secilit sipas zotësisë së tij”

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, foli për dhuratat e ndryshme që na janë dhënë:

“Zoti u mirëbeson të gjithë shërbëtorëve të Tij, përfshirë çdo mbajtësi priftërie, talente shpirtërore. … Ndonëse nuk jemi të gjithë të njëllojtë në përvojë, zotësi dhe forcë, ne kemi mundësi të ndryshme për t’i vënë në punë këto dhurata shpirtërore, dhe ne të gjithë do të jemi përgjegjës për përdorimin e dhuratave dhe mundësive që na janë dhënë” (“I Believe I Can, I Knew I Could”, Ensign, nëntor 2002, f. 50).