Biblioteka
Mësimi 53: Lluka 15


Mësimi 53

Lluka 15

Hyrje

Farisenjtë dhe skribët u ankuan për shoqërimin e Shpëtimtarit me tagrambledhësit dhe mëkatarët. Shpëtimtari iu përgjigj duke dhënë shëmbëlltyrat e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 15:1–10

Jezusi jep shëmbëlltyrën e deles së humbur dhe të dhrahmisë së humbur

Fillojeni orën mësimore duke i pyetur studentët nëse kanë humbur ndonjëherë ndonjë gjë që ishte e çmuar për ta.

  • Çfarë ishit i gatshëm të bënit për ta gjetur atë? Përse?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që një person ka “humbur” shpirtërisht? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se kjo mund t’u drejtohet atyre që nuk e kanë marrë ende ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, apo nuk janë duke jetuar aktualisht sipas mësimeve të ungjillit.)

Ftojeni klasën të mendojë për dikë që ata e njohin, i cili mund të ketë humbur shpirtërisht. Kërkojuni atyre të përsiatin se si ndihen rreth këtij personi.

Shpjegoni se Lluka 15 përmban mësimet e Shpëtimtarit rreth atyre që kanë humbur shpirtërisht. Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat te Lluka 15, lidhur me mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që kanë humbur shpirtërisht dhe përgjegjësitë që ne kemi ndaj tyre.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 15:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush iu afrua Jezusit dhe për çfarë u ankuan farisenjtë e skribët.

  • Kush iu afrua Shpëtimtarit? Përse po ankoheshin farisenjtë dhe skribët?

  • Çfarë tregoi kjo ankesë për farisenjtë dhe skribët?

Shpjegoni se Shpëtimtari iu përgjigj duke dhënë tre shëmbëlltyra: një të deles së humbur, një të dhrahmisë së humbur dhe një të djalit plangprishës. Këto shëmbëlltyra kishin për qëllim që të jepnin shpresë për mëkatarin si edhe të dënonin hipokrizinë dhe vetëkënaqësinë e skribëve dhe të farisenjve. Nxitini studentët t’i kushtojnë vëmendje arsyes përse humbi subjekti i çdo shëmbëlltyre dhe se si u gjet ai.

Kopjoni në dërrasë tabelën vijuese ose jepuani studentëve si një fletushkë. Grupojini studentët në dyshe dhe caktojeni një student të studiojë Llukën 15:3–7 dhe studentin tjetër të studiojë Llukën 15:8–10. Ftojini studentët të lexojnë shëmbëlltyrat e caktuara atyre, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet në kolonën e majtë. (Shëmbëlltyra e tretë do të trajtohet më vonë në mësim.)

Pamja
fletushkë, Shëmbëlltyra e Deles, e Dhrahmisë dhe e Djalit të Humbur

Shëmbëlltyra e Deles, e Dhrahmisë dhe e Djalit të Humbur

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 53

Lluka 15:3–7

Lluka 15:8–10

Lluka 15:11–32

Çfarë humbi?

Përse humbi?

Si u gjet?

Cilat fjalë ose fraza përshkruajnë reagimin për gjetjen e tij/saj?

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të shpjegojnë shëmbëlltyrat e caktuara atyre dhe t’u raportojnë partnerëve përgjigjet e tyre për pyetjet në tabelë. Pasi të dy studentët në secilin grup të kenë mbaruar, ftojini disa studentë që të vijnë në dërrasë dhe ta plotësojnë tabelën me përgjigjet e tyre, ose (nëse nuk e vizatuat tabelën në dërrasë) t’i tregojnë klasës përgjigjet e tyre.

  • Cili është ndryshimi midis mënyrës se si humbi delja dhe dhrahmia? (Delja humbi jo për faj të vet, ndërsa dhrahmia humbi për shkak të shpërfilljes ose të pakujdesisë së zotëruesit të saj [shih David O. McKay, në Conference Report, prill 1945, f. 120–122].)

  • Sipas vargut 7 dhe 10, çfarë përfaqësojnë dhrahmia dhe delja e gjetur? (Ato përfaqësojnë një mëkatar që është penduar dhe është kthyer te Perëndia.)

  • Cila është përgjegjësia jonë ndaj atyre që kanë humbur, pavarësisht nga mënyra se si humbën?

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Kur ne i ndihmojmë të tjerët që të ndiejnë dëshirë për t’u penduar …

  • Bazuar në përgjigjet e atyre që e gjetën atë që kishte humbur, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne i ndihmojmë të tjerët që të ndiejnë dëshirë për t’u penduar, ne ndiejmë lumturi dhe qiejt gëzohen. Plotësoni parimin e shkruar në tabelë. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të marrin parasysh ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Llukës 15:1–10.)

  • Si e keni ndihmuar ju apo dikush që ju njihni një person i cili kishte humbur shpirtërisht, të ndiente dëshirën për t’u penduar apo afruar me Atin Qiellor? Kur ju ka ndihmuar dikush? (Kujtojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo vetjake.)

Lluka 15:11–32

Jezusi jep shëmbëlltyrën e djalit plangprishës

Ftojeni klasën të marrë në shqyrtim skenarin vijues: Një e re ka bërë mëkate të rënda, dhe ka reshtur së luturi dhe së shkuari në kishë. Ajo ndien një dëshirë që të fillojë të lutet dhe t’i jetojë standardet e Zotit, por shqetësohet se Ai nuk do ta dojë atë sërish.

Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse ata njohin dikë që mund të jetë ndier si individi në skenar. Shpjegoni se shëmbëlltyra e tretë te Lluka 15 është historia e një djali plangprishës (që nënkupton një njeri që është dorëlëshuar dhe shkapërderdhës i pamend), e vëllait të tij të madh dhe e atit të tyre. Ftojini studentët, që ndërsa e studiojnë këtë shëmbëlltyrë, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë individët të cilët mund të ndiejnë se kanë humbur pa kurrfarë shprese.

Merrni parasysh që t’i ndani studentët në grupe me nga tre veta. Jepini çdo grupi një kopje të fletushkës vijuese. Ftojini ata që të lexojnë me zë të lartë në grupet e tyre Llukën 15:11–32. Caktojeni një student që ta shqyrtojë shëmbëlltyrën nga këndvështrimi i djalit plangprishës, studentin e dytë që ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i atit dhe studentin e tretë që ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i vëllait të madh.

Pasi studentët të kenë mbaruar së lexuari, kërkojuni atyre që në grupet e tyre të diskutojnë pyetjet në fletushkë.

Në vend që t’u kërkoni studentëve të lexojnë dhe diskutojnë shëmbëlltyrën, ju mund të shfaqni videon “The Prodigal Son” [“Djali Plangprishës”] (05:35) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit]. Jepini secilit student një kopje të fletushkës vijuese dhe u kërkoni studentëve që ndërsa shohin videon të kërkojnë përgjigjet për pyetjet. Kjo video gjendet në LDS.org.

Pamja
fletushkë, Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës

Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 53

Djali Plangprishës

  • Çfarë ju ndihmoi të vinit në vete apo ta pranonit situatën e tmerrshme ku ndodheshit?

  • Si e prisnit babain tuaj të reagonte ndaj kthimit tuaj në shtëpi?

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier ndërkohë që babai juaj ju trajtoi ashtu siç ai veproi?

Ati

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier ndërkohë që djali juaj më i vogël kishte ikur?

  • Përse do ta mirëprisnit në shtëpi djalin tuaj plangprishës sipas mënyrës që vepruat?

  • Kur djali juaj i madh ju mbajti mëri për mënyrën se si e trajtuat vëllanë e tij më të vogël, si e ndihmuat që t’i kuptonte veprimet tuaja?

Vëllai i Madh

  • Çfarë mund të keni menduar dhe ndier ndërkohë që vëllai juaj më i vogël kishte ikur?

  • Përse ishte e vështirë të gëzoheshit për kthimin e vëllait tuaj?

  • Çfarë bekimesh keni marrë për shkak se ishit besnik ndaj atit tuaj?

Pyetini studentët se si do ta plotësonin kolonën e tretë (Lluka 15:11–32) të tabelës në dërrasë ose në fletushkën e parë. Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë ose ftojini ata që t’i shkruajnë përgjigjet në fletushkat e tyre.

  • Përse humbi djali plangprishës? (Në dallim nga delja dhe dhrahmia, djali plangprishës humbi për shkak të vetë rebelimit të tij.)

  • Kur kuptojmë se ati në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson Atin Qiellor, çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si iu përgjigjet Ati Qiellor atyre që kthehen tek Ai duke u penduar? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse kthehemi tek Ati Qiellor duke u penduar dhe duke e kërkuar faljen e Tij, Ai do të gëzohet dhe do të na mirëpresë sërish me krahë të hapura. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mund t’i ndihmojë ky parim ata që ndihen të humbur shpirtërisht?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Imazhi i dhembshur i babait plot ankth e besnik të këtij djali, që vrapon për ta takuar atë dhe e mbulon me të puthura, është një nga skenat më prekëse dhe më mallëngjyese në gjithë shkrimin e shenjtë. Ai i tregon çdo fëmije të Perëndisë, i pabindur apo jo, se sa shumë Perëndia do që ne të kthehemi në krahët e Tij mbrojtës” (“The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 62).

Kujtojuni studentëve vëllanë e madh në shëmbëlltyrë.

  • Si mendoni ju, përse vëllai i madh qe i zemëruar?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Holland dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për ide lidhur me arsyen përse vëllai i madh qe i zemëruar:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ky djalë nuk është kaq i zemëruar me faktin se vëllai tjetër ka ardhur në shtëpi, sa është i zemëruar me faktin që prindërit e tij janë kaq të lumtur për këtë. Duke u ndier i pavlerësuar dhe ndoshta më shumë se i vetëmëshiruar, ky bir i bindur – dhe ai është mrekullisht i bindur – harron për një çast se atij kurrë nuk i është dashur të njihet me ndyrësinë ose dëshpërimin, frikën ose vetëurrejtjen. Ai harron për një çast se çdo viç i fermës është tashmë i tij dhe kështu janë të gjitha veshjet në gardërobë dhe çdo unazë në sirtar. Ai harron për një çast se besnikëria e tij ka qenë dhe gjithmonë do të shpërblehet. …

… Ai ende duhet të zhvillojë dhembshurinë dhe mëshirën, shtrirjen dashamirëse të vizionit për të parë se ky nuk është një kthim konkurrues. Ky është vëllai i tij. …

Sigurisht, ky vëlla i vogël kishte qenë një i burgosur – një i burgosur i mëkatit, marrëzisë dhe i një stalle derrash. Por edhe vëllai i madh është i burgosur në disa mënyra. Ai duhet, por ende, nuk ka qenë në gjendje të dalë nga burgu i vetes së tij. Ai përndiqet nga përbindëshi ziliqar i xhelozisë” (“The Other Prodigal”, f. 63).

  • Sipas Plakut Holland, përse qe i zemëruar vëllai i madh?

  • Çfarë duhet të sjellim ndër mend ne kur e shohim Perëndinë të jetë i mëshirshëm dhe i bekon ata që pendohen dhe kthehen tek Ai?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth të bërit më shumë si Ati ynë në Qiell? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell kur reagojmë me dhembshuri e gëzim kur të tjerët pendohen.)

Rishikoni parimet që studentët mësuan nga shëmbëlltyra te Lluka 15. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë mënyrën se si mund t’i kishin përdorur këto parime për t’iu përgjigjur farisenjve dhe skribëve, të cilët u ankuan kur Jezusi hëngri me mëkatarët.

I kujtoni studentët për personin që ata menduan në fillim të orës së mësimit, i cili mund të ketë humbur shpirtërisht. Nxitini ata që plot lutje të marrin në shqyrtim mënyrën se si mund të jenë në gjendje ta ndihmojnë atë person të pendohet dhe afrohet me Atin Qiellor. Ftojini studentët t’i shkruajnë përgjigjet e pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Cila është një mënyrë se si ju do ta zbatoni atë që keni mësuar sot?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 15. “Shëmbëlltyrat për Humbjen”

Shëmbëlltyrat e shënuara te Lluka 15 ishin përgjigjja e Shpëtimtarit ndaj farisenjve dhe skribëve, pasi ata e kishin dënuar Atë që hante dhe pinte me mëkatarët. E parë nga ky kontekst, këto shëmbëlltyra përmbajnë jo vetëm fjalë shprese për mëkatarin e penduar, por edhe një qortim të fortë kundër vetëkënaqësisë. Ky qortim mund të duket në shpalljen e Shpëtimtarit se ka më shumë gëzim në qiell për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për 99 persona të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen. Referenca e Shpëtimtarit “të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:7) nuk sugjeron që farisenjtë dhe skribët nuk kishin nevojë të pendoheshin. Përkundrazi, ai ishte një pasqyrim me vend i egoizmit krenar të farisenjve dhe skribëve, dhe i dështimit të tyre për ta pranuar nevojën që kishin për t’u penduar. Një dënim tjetër i qëndrimeve të tilla mund të shihet në veprimet e vëllait të madh, në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Ashtu si farisenjtë dhe skribët që u ankuan kur Jezusi i pranoi mëkatarët, vëllai i madh në shëmbëlltyrë reagon me kundërshti të vetëkënaqur në vend që të ketë dhembshuri kur babai i tij e mirëpret sërish vëllanë e pabindur.

Lluka 15:1–32. Delja, dhrahmia dhe djali plangprishës humbën në mënyra të ndryshme

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei foli për arsyet pse disa njerëz humbasin:

“Dëshiroj t’i referohem kushteve që ndikuan në humbjen [e deles, të dhramisë dhe të djalit plangprishës]. …

Unë ju pyes sonte, si humbi ajo dele? Ajo nuk ishte rebele. Nëse bëni krahasimin, qengji po e kërkonte jetesën e vet në një mënyrë përsosmërisht të arsyeshme, por qoftë nga marrëzia, ndoshta nga pavetëdija, ai ndoqi ndjelljen e fushës, shpresën për bar më të mirë gjersa doli jashtë tufës dhe humbi.

Po kështu, kemi nga ata në Kishë, të rinj dhe të reja, që enden larg tufës në mënyra përsosmërisht të përligjura. Ata kërkojnë sukses, sukses në biznes, sukses në profesionet e tyre dhe shpejt atyre u humbet interesi për Kishën dhe përfundimisht shkëputen nga tufa; ata e kanë humbur idenë e asaj që është sukses i vërtetë, ndoshta nga marrëzia, ndoshta nga pavetëdija, në disa raste, ndoshta me dashje. Ata janë të verbër ndaj asaj që përbën sukses të vërtetë. …

Në [rastin e dhrahmisë së humbur], gjëja e humbur nuk ishte vetë përgjegjëse. Ai, të cilit i ishte besuar ajo monedhë, nga pakujdesia apo shpërfillja, e humbi ose i ra. Ka një ndryshim, dhe kjo është një e treta, që unë mendoj se gjen zbatim ndër ne sonte. Detyra jonë nuk është vetëm për monedhat, por për shpirtrat e gjallë të fëmijëve, të të rinjve dhe të të rriturve. Ata përbëjnë detyrat tona. Disa prej tyre mund të jenë duke u endur sonte, për shkak të shpërfilljes së mësuesve të lagjes. …

“[Lidhur me djalin plangprishës:] Ky është një rast vullneti, kjo është një zgjedhje, një zgjedhje e bërë me vetëdije. Ky është, në njëfarë mënyre, rebelim kundër autoritetit. Dhe çfarë bëri ai? Ai i harxhoi paratë e tij në një jetesë të harbuar, e shpërdoroi pjesën e tij me gra të përdala. Kjo është mënyra se si ata humbasin.

Të rinjtë që fillojnë t’i kënaqin orekset dhe pasionet e tyre janë në të tatëpjetën drejt braktisjes, me po aq siguri siç dielli lind nga lindja. Unë nuk e kufizoj atë te rinia; çdo burrë apo grua që fillon në këtë udhë mospërmbajtjeje, jete të shthurur, do ta veçojë veten e tij apo të saj nga tufa po aq pashmangësisht si errësira që pason ditën” (në Conference Report, prill 1945, f. 120, 121–122, 123).

Lluka 15:1–32. Shëmbëlltyra e deles së humbur, e dhrahmisë së humbur dhe e djalit plangprishës

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi:

“Të tre shëmbëlltyrat … [shkrihen] në një, në portretizimin e gëzimit që gëlon në qiell për rifitimin e një shpirti të numëruar diku midis të humburve, qoftë ai shpirt që mishërohet më mirë nga një dele që endet larg, një monedhë që ka humbur nga sytë prej pakujdesisë së kujdestarit, apo nga një bir, i cili do të ndahej me paramendim nga shtëpia dhe qielli. Nuk ka arsye për konkluzionin se një mëkatari të penduar duhet t’i jepet përparësi ndaj një shpirti të drejtë që i ka bërë ballë mëkatit. … Sado shkelje e papranueshme që të jetë mëkati, mëkatari është ende i çmuar në sytë e Atit, për shkak të mundësisë së pendimit të tij dhe të kthimit në drejtësi. Humbja e shpirtit është një humbje shumë e vërtetë dhe shumë e madhe për Perëndinë. Ai vuan dhe brengoset për këtë, sepse vullneti i Tij është që asnjë të mos humbasë” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 461).

Lluka 15:3–7 Delja e humbur

“Profeti Jozef Smith (1805–1844) tha se një interpretim i shëmbëlltyrës është se, ‘njëqind dele përfaqësojnë njëqind saducenj dhe farisenj’ dhe meqënëse ata nuk i pranuan dhe nuk i ndoqën mësimet e Shpëtimtarit, Ai do të shkonte jashtë vathës për të kërkuar ‘disa individë, apo një tagrambledhës të varfër, të cilin farisenjtë dhe saducenjtë e përçmonin’. Kur Ai i gjente ‘delet që kishin humbur’, të cilat do të pendoheshin dhe do ta pranonin Atë, ato do të kishin ‘gëzim në qiell’ (në History of the Church, 5:262). Ky interpretim na ndihmon të kuptojmë se fjalët e Shpëtimtarit ishin një qortim për t’i ndihmuar farisenjtë dhe skribët që ta pranonin nevojën e tyre për t’u penduar, sepse Zoti i urdhëron ‘të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen’ (DeB 133:16; shih edhe Romakëve 3:23; 1 Gjoni 1:8; DeB 18:9, 42)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 168–169).

Lluka 15:11–32. “Djali plangprishës”

Duke iu referuar shëmbëlltyrës së djalit plangprishës, Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi:

“Unë ju kërkoj juve ta lexoni atë histori. Çdo prind duhet ta lexojë atë herë pas here. Ajo është mjaftueshëm e gjerë për të përfshirë çdo vatër familjare dhe akoma më e gjerë për të përfshirë gjithë njerëzimin, sepse a nuk jemi të gjithë ne bij dhe bija plangprishëse që kanë nevojë të pendohen dhe të marrin mëshirën falëse të Atit tonë Qiellor, dhe pastaj ta ndjekim shembullin e Tij?” (“Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5).

Presidenti Hinkli ka thënë gjithashtu:

“Disa nga ne … klithin në dhembje dhe vuajtje, dhe vetmi e frikë. Është detyra jonë fisnike dhe solemne që t’i zgjatim dorën dhe t’i ndihmojmë, t’i lartësojmë, t’i ushqejmë nëse janë të uritur, të kujdesemi për shpirtin e tyre nëse janë të etur për të vërtetën dhe drejtësinë. …

… Ka nga ata që dikur ishin të ngrohtë në besim, por besimi i të cilëve është ftohur. Shumë prej tyre dëshirojnë të kthehen, por nuk dinë saktësisht se si ta bëjnë këtë. Ata kanë nevojë për duar miqësore që zgjaten drejt tyre. Me pak përpjekje, shumë prej tyre mund të sillen sërish për t’u ushqyer me bollëk në tryezën e Zotit.

Vëllezërit dhe motrat e mia, do të shpresoja, do të lutesha, që secili prej nesh … do të zgjidhte t’i kërkonte ata që kanë nevojë për ndihmë, që janë në rrethana të dëshpëruara e të vështira dhe do t’i ngrinte ata lart me shpirtin e dashurisë në përqafimin e Kishës, ku duar të forta e zemra të dashura do t’i ngrohin ata, do t’i ngushëllojnë ata, do t’i mbështetin ata dhe do t’i vendosin në udhën e jetës së lumtur e frytdhënëse” (“Reach with a Rescuing Hand”, Ensign, nëntor 1996, f. 86).