Biblioteka
Mësimi 100: Romakëve 4–7


Mësimi 100

Romakëve 4–7

Hyrje

Pali shpjegoi mënyrën se si Abrahami qe shfajësuar nëpërmjet hirit. Më pas Pali përshkroi bekimet që u vijnë atyre që janë të shfajësuar dhe dha mësim se pagëzimi simbolizon të bëhesh i vdekur për mëkatin dhe i gjallë në Krishtin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Romakëve 4–5

Pali shpjegoi mënyrën se si u shfajësua Abrahami nëpërmjet hirit

Kopjojini figurën dhe frazat në tabelë.

Pamja
vizatim, një burrë duke u zvarritur në shkretëtirë

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur po vdesin nga etja në shkretëtirë dhe se ka një shishe me ujë në majë të një kodre aty pranë.

  • Cila nga gjërat e mëposhtme do t’ju shpëtojë: a) bindja juaj se uji mund t’ju shpëtojë, b) përpjekja juaj për të arritur tek uji dhe për ta pirë atë, apo c) vetë uji? (Mos thoni nëse përgjigjet e studentëve janë të sakta.)

Shpjegoni se ky skenar mund të na ndihmojë t’i kuptojmë mësimet e Palit te Romakëve 4–7, për sa i takon mënyrës se si lidhen besimi, veprat dhe hiri me doktrinën e shfajësimit. (Kujtojuni studentëve se mësimet e Palit lidhur me shfajësimin u paraqitën te Romakëve 1–3.)

  • Sipas mësimeve të Palit te Romakëve 1–3, çfarë do të thotë të shfajësohesh? (Të falesh nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm ose i drejtë.)

Jepni kontekstin e Romakëve 4, duke shpjeguar se disa nga shenjtorët judeas në Romë theksuan së tepërmi rëndësinë e vetë përpjekjeve të tyre dhe të ligjit të Moisiut për t’u shfajësuar.

  • Si mund të kenë njerëzit sot një keqkuptim të ngjashëm për shfajësimin?

  • Cili variant i shkruar në tabelë mund të përfaqësojë idenë se ne mund të shpëtohemi me anë të veprave tona? (Shkruani (Veprat) pranë variantit B.)

Shpjegoni se Pali u përpoq ta korrigjonte keqkuptimin që ekzistonte në kohën e tij duke u kujtuar judenjve patriarkun e lashtë, Abrahamin, të cilin shumë judenj e shihnin si të shfajësuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Romakëve 4:2–5 (te shtojca në variantin shdm të Biblës në anglisht). Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar arsyen përse Abrahami u gjykua si i drejtë.

  • Me anë të kujt nuk u shfajësua Abrahami? (“Ligji[t] … [të] veprave.”)

  • Sipas mësimeve të Palit të shënuara te Romakëve 1–3, përse ne nuk mund të shfajësohemi me anë të ligjit të veprave? (Pali dha mësim se “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” [Romakëve 3:23]. Të jesh i shfajësuar me anë të ligjit të veprave do të kërkonte nga ne që të mos mëkatonim asnjëherë.)

Shpjegoni që siç shënohet te Romakëve 4:6–8, Pali citoi mbretin David për të ilustruar më tej se vetëm veprat tona nuk [mjaftojnë] për të na shfajësuar apo për të na bërë të pafajshëm.

Për të përmbledhur Romakëve 4:9–15, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Për të zhvlerësuar idenë se vetëm ata që ishin të rrethprerë dhe që po e zbatonin ligjin e Moisiut mund t’i merrnin bekimet e të qenit besnik, Pali dha mësim se Abrahami i kishte marrë bekimet e besnikërisë së tij përpara se të rrethpritej dhe se rrethprerja ishte një shenjë e besnikërisë së tij. Abrahami vazhdoi të ishte besnik pasi bëri besëlidhje me Perëndinë dhe u rrethpre. Në këtë mënyrë, Abrahami u bë ati i të gjithë besnikëve, pavarësisht nëse ishin të parrethprerë (johebrenj) apo të rrethprerë (judenj).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Romakëve 4:16 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], dhe vëreni klasën ta ndjekë e të kërkojë një shpjegim më të plotë të mënyrës se si shfajësohemi ne.

  • Si shfajësohemi ne? (Studentët duhet të përcaktojnë një doktrinë të ngjashme me atë që vijon: Ne shfajësohemi me anë të besimit dhe veprave nëpërmjet hirit.)

Kujtojuni studentëve se hiri i referohet bekimeve, mëshirës, ndihmës dhe forcës që është në dispozicion për ne, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Cili nga variantet e shkruara në tabelë mund të përfaqësojë Shlyerjen dhe hirin e Jezu Krishtit? Cili variant mund të përfaqësojë besimin tonë në Të? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani (Shlyerja dhe hiri i Jezu Krishtit) pranë variantit C dhe (Besimi) pranë variantit A.)

  • Nëse ne do të ishim në këtë situatë, a do të mund të shpëtoheshim me anë të bindjeve dhe përpjekjeve tona nëse nuk do të kishte ujë atje? (Jo.) Në ç’mënyrë është uji në këtë skenar si Shlyerja dhe hiri i Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpëtimi nuk mund të blihet me monedhën e bindjes; ai blihet nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë [shih Veprat e Apostujve 20:28]. …

Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109, 110).

Vini në dukje se ndërsa skenari i portretizuar në tabelë na ndihmon që të kuptojmë se si besimi, veprat dhe hiri na ndihmojnë që të shfajësohemi, ai nuk ilustron të gjitha mënyrat se si ne mund ta marrim hirin e Shpëtimtarit. Jezu Krishti jo vetëm që siguron ujin jetëshpëtues që përfaqëson hirin e Tij, i cili na shfajëson dhe na pastron nga mëkati; Ai gjithashtu na aftëson që të kemi besimin dhe forcën që na nevojiten për ta marrë ujin ose për t’iu qasur hirit të Tij. Ne mund të bekohemi me anë të këtij hiri përpara, gjatë dhe pasi ushtrojmë besim tek Ai dhe bëjmë vepra të mira.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Fuqia e Shlyerjes e bën pendimin të mundur dhe … na forcon që të kuptojmë, bëjmë dhe të bëhemi të mirë në mënyra që mund të mos i dallonim kurrë apo mund të mos i përmbushnim kurrë me aftësinë tonë të kufizuar njerëzore” (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 47).

  • Si mund të na ndihmojë hiri i Shpëtimtarit për të ushtruar besim tek Ai dhe për të bërë vepra të mira?

  • Cilat janë disa nga veprat që ne mund t’i bëjmë, për të treguar besimin tonë në Krisht dhe për t’u shfajësuar nëpërmjet hirit të Tij? (Të pendohemi e t’i bindemi urdhërimeve dhe të marrim ordinancat e ungjillit.)

Ftojini studentët të ndahen në grupe me nga dy ose tre veta dhe t’i shpjegojnë njëri-tjetrit mënyrën se si na ndihmojnë besimi dhe veprat e drejta që ta marrim hirin e Shpëtimtarit në mënyrë që të shfajësohemi. (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se besimi në Zotin Jezu Krisht dhe në fuqinë e Tij për të na shpëtuar do të na nxisë që t’i marrim ordinancat e nevojshme dhe t’i bindemi urdhërimeve të Perëndisë, të cilat na lejojnë të shfajësohemi nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit.)

Përmblidheni Romakëve 5, duke shpjeguar se Pali dha mësim për paqen që u vjen atyre që i qasen hirit të Krishtit me anë të besimit (shih vargjet 1–2). Ai shpjegoi më tej se hiri që është në dispozicionin për ne për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, është më se i mjaftueshëm për t’i mposhtur pasojat e Rënies.

Romakëve 6–7

Pali jep mësim se si të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim jetën e përjetshme

Pyetini studentët se si do të reagonin në skenarin vijues:

Shoku juaj po planifikon që përfundimisht të shërbejë në një mision, por aktualisht po bën zgjedhje që janë në kundërshtim me standardet e Zotit. Kur ju shprehni shqetësimin tuaj rreth sjelljes së shokut tuaj, ai thotë: “Nuk është ndonjë problem i madh. Për shkak të Shlyerjes, unë mund të pendohem gjithmonë përpara se të shkoj në mision”.

Shpjegoni se disa njerëz i thyejnë me dashje urdhërimet e Perëndisë, duke planifikuar që të pendohen më vonë, kështu si përpara se të shkojnë në tempull apo të shërbejnë në një mision. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Romakëve 6, të kërkojnë arsyen përse ky lloj qëndrimi paraqet një keqkuptim të madh të doktrinës së hirit.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni çdo dyshe që të lexojnë së bashku me zë të lartë Romakëve 6:1–6, 11–12 dhe të diskutojnë mbi mënyrën se si mësimet e Palit mund ta korrigjojnë mënyrën e të menduarit të shokut të tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjen:

  • Si reagoi Pali ndaj idesë së gabuar se hiri i Shpëtimtarit do të na çlirojë automatikisht nga mëkatet tona?

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh i “vdekur për mëkatin” (vargu 2) dhe të jesh “i varros[ur] me të me anë të pagëzimit në vdekje” (vargu 4)?

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë simbolizon pagëzimi me anë të zhytjes? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Pagëzimi me anë të zhytjes mund të simbolizojë vdekjen tonë për mëkatin dhe risinë e jetës shpirtërore.)

Shpjegoni se jeta e re shpirtërore që ne fillojmë kur pagëzohemi përfshin marrjen e heqjes së mëkateve tona dhe zotimin për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.

Për t’i përgatitur studentët që të gjejnë parimet shtesë te Romakëve 6, tregoni disa monedha.

  • Kush e paguan pagën e një punëtori? Përse një punëdhënës nuk e paguan pagën e një punëtori të dikujt tjetër?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Romakëve 6:13, duke kërkuar dy “punëdhënësit” ose zotërinjtë, tek të cilët dikush mund të jepet dhe t’u shërbejë. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se [fjala] jepni në këtë varg do të thotë t’ia ofrosh ose t’ia japësh veten dikujt.) Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Vizatojeni tabelën vijuese në dërrasë:

Paga[t] e mëkatit

Paga[t] e Perëndisë

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Romakëve 6:14–23. Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë fjalën “paga[t]” (vargu 23), ose pasojat e mëkatit dhe gjysmën tjetër të kërkojë pagat e Perëndisë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë në dërrasë për të shkruar në tabelë atë që gjetën. (Nën kolonën “Paga[t] e mëkatit” studentët duhet të shkruajnë Vdekje [shih vargjet 16, 21, 23], dhe nën kolonën “Paga[t] e Perëndisë” ata duhet të shkruajnë Drejtësi [shih vargun 16], Shenjtërim [shih vargjet 19, 22], Jetë e përhershme [shih vargun 22], dhe Jetë e përjetshme [shih vargun 23].) Shpjegoni se vdekja si pagë e mëkatit i referohet “ndarje[s] nga Perëndia dhe ndikimi[t] [të] Tij” dhe do të thotë të “vdesësh për gjërat që çojnë drejt drejtësisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vdekje, Shpirtërore”, scriptures.lds.org).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë prej Romakëve 6:16 rreth pasojave që vijnë kur i jepemi mëkatit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i jepemi mëkatit, atëherë ne do të bëhemi shërbëtorë të mëkatit.)

  • Në ç’mënyrë kur i jepemi mëkatit ne bëhemi shërbëtor i atij mëkati?

Ftojini studentët të përsiatin për rastet kur dorëzimi i dikujt ndaj mëkatit, çoi drejt humbjes së lirisë.

Referojuni listës nën “Paga[t] e Perëndisë”.

  • Cilat janë përfitimet kur i shërbejmë drejtësisë më shumë sesa mëkatit?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Palit rreth mënyrës se si të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim dhuratën e jetës së përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse i jepemi Perëndisë, ne mund të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim dhuratën e jetës së përjetshme.)

  • Në çfarë mënyrash mund t’i jepemi Perëndisë?

  • Në çfarë mënyrash e keni përjetuar lirinë prej mëkatit duke iu dhënë Perëndisë?

Dëshmoni për rëndësinë që ka kur ne i jepemi Perëndisë. Ftojini studentët që të shkruajnë një synim lidhur me mënyrën se si t’i jepen më shumë Perëndisë.

Përmblidheni Romakëve 7, duke shpjeguar se Pali përdori metaforën e martesës për të dhënë mësim se anëtarët e Kishës ishin liruar nga ligji i Moisiut dhe ishin bashkuar me Krishtin. Ai shkroi edhe për luftën midis “mishi[t]” (vargu 18) apo orekseve fizike, dhe “njeriut të brendshëm” (vargu 22) ose [anës] shpirtërore.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që u dhanë sot në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Romakëve 4:16. Hiri

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, sqaroi mënyrën se si e marrim ne hirin e Shpëtimtarit:

“Profeti Nefi i solli një ndihmesë të rëndësishme kuptueshmërisë sonë për hirin e Perëndisë kur shpalli: ‘Ne punojmë me zell që … të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krishtin dhe të pajtohen me Perëndinë; pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ [2 Nefi 25:23; theksimi i shtuar].

Megjithatë, pyes veten nëse ngandonjëherë ne e keqinterpretojmë frazën ‘pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’. Duhet të kuptojmë se fjala ‘pas’ nuk është e barabartë me togfjalëshin ‘për shkak të’.

Ne nuk shpëtohemi “për shkak të” gjithçkaje që ne mund të bëjmë. A e ka bërë ndonjëri prej nesh gjithçka që ne mund të bëjmë? A pret Perëndia derisa ne ta kemi bërë çdo përpjekje, përpara se Ai të ndërhyjë në jetën tonë me hirin e Tij shpëtues? …

Jam i sigurt që Nefi e dinte se hiri i Shpëtimtarit na lejon dhe aftëson ta mposhtim mëkatin [shih 2 Nefi 4:19–35; Alma 34:31]. Kjo është arsyeja përse Nefi punoi me kaq zell për t’i bindur fëmijët dhe vëllezërit e tij që ‘të beso[nin] në Krisht[in] dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë’ [2 Nefi 25:23]” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 110).

Plaku Brus C. Hejfën, i Të Shtatëdhjetëve shpjegoi mënyrën se si na ndihmon hiri që të rritemi shpirtërisht:

“Rritje do të thotë dhembje që shtohen. Do të thotë gjithashtu të mësojmë nga gabimet tona nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm të bërë të mundur nga hiri i Shpëtimtarit, të cilin Ai e jep si gjatë edhe ‘pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ [2 Nefi 25:23; theksimi i shtuar]” (“The Atonement: All for All”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 97).

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim:

“Për ndonjë arsye, ne mendojmë se Shlyerja e Krishtit gjen zbatim vetëm në fund të jetës së vdekshme për t’u shëlbuar nga Rënia, nga vdekja shpirtërore. Ajo është shumë më tepër se kaq. Ajo është një fuqi përherë e pranishme, të cilën ne duhet ta përdorim në jetën e përditshme” (“The Touch of the Master’s Hand”, Ensign, maj 2001, f. 23).

Romakëve 5:6–8. Përdorime të ndryshme të fjalës hir

Romakëve 5:6–8 e trajton hirin si diçka që ne e marrim nga Perëndia pavarësisht nga veprimet tona. Për shembull, nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit, i gjithë njerëzimi do të shëlbehet pa kushte nga pasojat e Rënies. Fragmente të tjera të shkrimit të shenjtë e përshkruajnë hirin si diçka që ne e marrim nga Perëndia si pasojë e asaj që ne bëjmë. Për shembull, veprimet tona mund të bëjnë që ne të rritemi nga hiri në hir (shih Gjoni 1:16; Galatasve 5:4; 2 Pjetër 3:18; DeB 93:12–13, 19–20). Përveç kësaj, nëpërmjet hirit ne marrim falje për mëkatet tona “me kushtin e pendimit” (DeB 18:12). Megjithatë, “ai që nuk ushtron besim deri në pendim, qëndron i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë” (Alma 34:16).