Biblioteka
Mësimi 139: Hebrenjve 12–13


Mësimi 139

Hebrenjve 12–13

Hyrje

Pali i këshilloi anëtarët judeas të Kishës që të rendnin në udhën e dishepullimit duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit. Ai gjithashtu shpjegoi bekimet e marrjes së qortimit të Zotit. Pali i porositi shenjtorët që të bënin vullnetin e Perëndisë, që ata të mund të bëheshin të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Shënim: Mësimi 140 siguron një mundësi që dy studentë të japin mësim. Përzgjidhni dy studentë që më parë dhe jepuni kopje të pjesëve të caktuara të mësimit 140 që ata të mund të përgatiten. Nxitini ata që ta studiojnë materialin e mësimit plot lutje dhe të kërkojnë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë gjatë përgatitjes dhe mësimdhënies së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hebrenjve 12

Pali i këshillon shenjtorët që të rendin në udhën e jetës me besim e durim

Pamja
vizatim, vrapues

Bëni në tabelë një vizatim të thjeshtë të një vrapuesi. Kërkojini klasës të përshkruajë vështirësitë që mund të hasë një vrapues kur ai ose ajo vrapon në një garë me distancë të gjatë. (Ju mund të pyesni nëse ndonjë student në klasë ka vrapuar në gara me distanca të gjata dhe pastaj pyeteni një student që ka bërë gara të atilla se çfarë vështirësish ka përjetuar ai ose ajo kur ka vrapuar në një garë me distancë të gjatë.)

  • Çfarë mund ta shtyjë një vrapues që të vazhdojë të vrapojë edhe kur ai ose ajo has lodhje apo vështirësi të tjera?

  • Në çfarë mënyrash është jeta si një dishepull i Jezu Krishtit e ngjashme me një garë rezistence?

  • Çfarë vështirësish mund të hasim ne si dishepuj të Jezu Krishtit?

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth vështirësive që hasin (ose kanë hasur) si pasues të Jezu Krishtit. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Hebrenjve 12, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të vazhdojnë ta ndjekin Jezu Krishtin edhe kur bëhet e vështirë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 12:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve se duhej të bënin për të rendur në mënyrë të suksesshme në udhën e dishepullimit.

  • Çfarë u tha Pali shenjtorëve se duhej të bënin për të rendur në mënyrë të suksesshme në udhën e dishepullimit?

Ftojeni një student të dalë përpara klasës dhe jepini atij ose asaj të mbajë një çantë shpine. Mbusheni çantën e shpinës me gurë, pastaj kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si do të ndikonte te një vrapues mbajtja e një çante shpine të mbushur me gurë.

  • Në çfarë mënyrash janë mëkatet tona si një çantë shpine e mbushur me gurë?

Kërkojini studentit që ta heqë çantën e shpinës dhe ftojeni atë të ulet.

  • Çfarë do të thotë të rendësh në udhën e dishepullimit me durim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 12:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve të bënin, që do t’i ndihmonte ata për t’i lënë mënjanë mëkatet e tyre dhe për ta përballuar kundërshtimin me durim. Shpjegoni se fjala kundërshtimvargun 3 i referohet kontradiktës (shih vargun 3, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Bazuar në atë që Pali u mësoi shenjtorëve, çfarë mund të na ndihmojë për t’i lënë mënjanë mëkatet tona dhe për ta përballuar kundërshtimin me durim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur shohim te shembulli i Jezu Krishtit, ne mund të gjejmë forcë për t’i lënë mënjanë mëkatet tona dhe për ta përballuar kundërshtimin me durim.)

  • Sipas vargut 2, çfarë bëri Jezu Krishti që Pali u tha shenjtorëve ta shihnin si një shembull?

Pamja
Kryqëzimi

Paraqitni figurën Kryqëzimi (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 57; shih edhe LDS.org), dhe shpjegoni që Pali u tha shenjtorëve se Jezu Krishti qe i gatshëm të vuante vdekjen në kryq dhe të duronte fyerjet e botës, ngaqë e dinte gëzimin që do të merrte nëse do të qëndronte besnik ndaj Atit Qiellor.

  • Si mendoni se mund të na ndihmojë të parit te shembulli i Jezu Krishtit kur përballemi me vuajtje dhe pengesa?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për sfidat e tyre të tanishme dhe për mënyrën se si të parit te shembulli i Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë në ato sfida.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrën se si mund të na ndihmojë shembulli i Jezu Krishtit që t’i lëmë mënjanë mëkatet tona dhe të vazhdojmë me durim.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Që Shlyerja e Tij të ishte e pafundme dhe e përjetshme, Ai duhej të ndiente se si ishte të vdisje jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, të ndiente se si ishte të të largohej Shpirti hyjnor, duke e lënë njeriun të ndihej i vetëm tërësisht, dëshpërimisht, shpresëhumbur.

Por Jezusi duroi. Ai vazhdoi. Mirësia e Tij e lejoi besimin të ngadhënjente, madje edhe në një gjendje agonie të plotë. Mirëbesimi me anë të të cilit Ai jetonte i tha Atij se pavarësisht nga ndjenjat e Tij, ajo dhembshuri hyjnore nuk mungon kurrë, se Perëndia është gjithnjë besnik, se Ai kurrë nuk do të na braktisë apo lërë në baltë” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 88).

Nxitini studentët të caktojnë një orar çdo ditë, ndoshta si pjesë e studimit të tyre të shkrimeve të shenjta, që të shohin te shembulli i Jezu Krishtit në mënyrë që të mund të gjejnë forcë për t’i lënë mënjanë mëkatet e tyre dhe për ta përballuar kundërshtimin me durim.

Për t’i përgatitur studentët të përcaktojnë një parim tjetër që Pali dha mësim te Hebrenjve 12, ftojini ata të mendojnë për një rast kur dikush i korrigjoi ata. Kërkojuni atyre të sjellin ndër mend mënyrën se si reaguan ndaj atij korrigjimi.

  • Përse mund të jetë e vështirë të pranosh korrigjim nga dikush?

  • Cilat janë disa nga arsyet që ju mendoni se përse njerëzit mund të përpiqen të na korrigjojnë, veçanërisht kur ata njerëz e dinë se ne mund të mos e pëlqejmë korrigjimin e tyre?

Shpjegoni se kur ne rendim në udhën e dishepullimit, ne mund të presim të qortohemi apo korrigjohemi. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 12:6–9. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar se kush do të na korrigjojë dhe përse. Në këtë kontekst, fjala kopilavargun 8 nënkupton ata që lindnin jashtë martesës, të cilët nuk konsideroheshin trashëgimtarë të ligjshëm.

  • Kush do të na korrigjojë ne ndërsa rendim në udhën e dishepullimit?

  • Sipas Palit, përse Ati Qiellor na qorton apo korrigjon?

  • Në ç’mënyra është qortimi i Atit Qiellor një tregues i dashurisë së Tij për fëmijët e Tij?

Ftojini studentët të gjejnë 30 sekonda për të shkruar në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa nga mënyrat se si mund të na korrigjojë Ati Qiellor. Kërkojuni disa studentëve që t’i raportojnë klasës atë që shkruan. Sigurohuni që studentët të kuptojnë se megjithëse qortimi mund të vijë në shumë mënyra, jo çdo provë apo vuajtje që ne përjetojmë vjen nga Perëndia.

  • vargun 9, çfarë tha Pali se duhet të bëjmë kur Ati Qiellor na korrigjon dhe qorton?

  • Çfarë do të thotë t’i “nënshtrohemi” apo gjunjëzohemi Atit Qiellor? (Të jemi të përulur, të mësueshëm dhe të gatshëm për të bërë ndryshime në jetën tonë që të përputhen me vullnetin e Tij.)

Shkruajeni në tabelë frazën e paplotë vijuese: Nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor, ne do të …

Shpjegoni se në vargun 10, Pali e pranoi se etërit tanë tokësorë ndonjëherë mund të na qortojnë në mënyrë të papërsosur, por qortimi i Atit Qiellor është i përsosur dhe ka për qëllim të mirën tonë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 12:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se do të ndodhë nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor. Shpjegoni se fraza “pjesëtarë të shenjtërisë së tij” në vargun 10 i referohet të bërit më shumë si Perëndia.

  • Si e përshkruajnë fjalët e Palit në vargun 11, mënyrën se si mund të ndihemi fillimisht kur qortohemi?

  • Sipas vargjeve 10–11, çfarë do të ndodhë nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë si vijon: Nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor, ne do të bëhemi më shumë si Ai dhe do të kemi paqen që vjen nga drejtësia.)

Merreni parasysh të tregoni një përvojë kur ju iu nënshtruat qortimit të Atit Qiellor dhe u ndiet të bekuar ngaqë e bëtë këtë. (Sigurohuni që të mos tregoni asgjë që është tepër e shenjtë apo vetjake). Ftojini studentët të përsiatin për një rast kur ata ndien se u qortuan nga Ati Qiellor. Kërkojuni atyre të sjellin ndër mend mënyrën se si reaguan ndaj atij korrigjimi. Nxitini studentët të vendosin tani që t’i nënshtrohen qortimit të Atit Qiellor që mund të marrin në të ardhmen.

Përmblidheni Hebrenjve 12:12–29, duke shpjeguar se Pali i nxiti shenjtorët që t’i forconin anëtarët e tjerë të Kishës në besim. Ai i porositi ata që ta shmangnin mëkatin, në mënyrë që të mos i pengonin bekimet e Perëndisë ashtu siç bëri Esau dhe ashtu siç bënë bijtë e Izraelit në malin Sinai. Pali shpjegoi se shenjtorët të cilët qëndrojnë besnikë dhe i shërbejnë Perëndisë do të marrin një lavdi të pakrahasueshme dhe një vend në mbretërinë e Tij.

Hebrenjve 13

Pali u jep këshilla të ndryshme shenjtorëve

Shpjegoni se Pali e përfundoi letrën e tij drejtuar shenjtorëve hebrenj duke u dhënë këshilla mbi çështje të ndryshme. Ndajini studentët në grupe të vogla me nga dy ose tre veta. Ftojini ata të lexojnë së bashku Hebrenjve 13:1–9, 17, duke kërkuar këshillën që u dha Pali shenjtorëve. Udhëzojini studentët që t’i diskutojnë pyetjet vijuese në grupet e tyre kur të kenë mbaruar së lexuari. Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë.

  • Si mendoni ju, cila është këshilla më e nevojshme në kohën tonë? Përse?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të raportojnë se si i janë përgjigjur pyetjeve. Ftojini studentët të marrin parasysh se cilat pjesë të këshillave të Palit mund t’i zbatojnë më mirë në vetë jetën e tyre.

Përmblidheni Hebrenjve 13:10–12, duke shpjeguar që Pali dha mësim se në kohën e Dhiatës së Vjetër, kafshët e flijuara si oferta për mëkatin digjeshin jashtë kampit të Izraelit. Në mënyrë të ngjashme, Jezu Krishti u flijua jashtë qytetit të Jeruzalemit. Shpjegoni që pasi Jezu Krishti e kreu Shlyerjen, flijimet e kafshëve nuk kërkoheshin më (shih 3 Nefi 9:18–20).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 13:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë flijimi, tha Pali, duhet të ofrojnë shenjtorët në vend të kafshëve. Merreni parasysh t’i nxitni studentët që ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë flijimesh, tha Pali, duhet të bëjmë ne?

  • Si mendoni ju, përse flijime të tilla do t’i pëlqejnë Perëndisë?

Përmblidheni Hebrenjve 13:17–25, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët që t’i bindeshin udhëheqësve të tyre shpirtërorë dhe të luteshin për ta. Pali u lut që Perëndia do t’u jepte shenjtorëve çdo gjë të nevojshme, në mënyrë që ata ta përmbushnin vullnetin e Tij.

Ju mund të doni të përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët përcaktuan te Hebrenjve 12–13.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Hebrenjve 12:9

Ndihmojini studentët të mësojnë përmendsh Hebrenjve 12:9, duke i ftuar ata që të shkruajnë në një fletë letre germën e parë të çdo fjale në varg. Përsëriteni shkrimin e shenjtë disa herë me studentët tuaj, derisa ata të mund ta thonë vargun përmendsh duke përdorur germën e parë të çdo fjale.

  • Çfarë doktrine mund të mësojmë nga ky varg rreth marrëdhënies sonë me Atin tonë Qiellor? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ati Qiellor është ati i shpirtit tonë.)

  • Përse është e rëndësishme të besojmë se ne jemi fëmijë të Perëndisë?

Dëshmoni se ne jemi fëmijë të drejtpërdrejtë të Perëndisë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Hebrenjve 12:6–11. Qortimi i Zotit

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sa vijon rreth qortimit të Zotit:

“Korrigjimi është jetik nëse do ta përshtatim jetën tonë ‘[me] një njeri [të] përsosur, [që është] në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit’ (Efesianëve 4:13). Pali tha për korrigjimin ose ndëshkimin hyjnor: ‘Sepse Perëndia ndreq atë që do’ (Hebrenjve 12:6). Edhe pse shpesh është e vështirë të durojmë, vërtet, ne duhet të gëzohemi që Perëndia gjykon se ia vlen koha dhe mundimi që të na korrigjojë” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 98).

Hebrenjve 12:9. “Ati [i] shpirtrave”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se shpirti i çdo personi është një fëmijë i Atit Qiellor:

“Ti je një fëmijë i Perëndisë. Ai është ati i shpirtit tënd. Nga ana shpirtërore ti je me një prejardhje fisnike, pasardhës i Mbretit të Qiellit. Ngulite atë të vërtetë në mendjen tënde dhe mbahu tek ajo. Pavarësisht nga brezat e shumtë në prejardhjen tënde në vdekshmëri, pavarësisht se cilën racë apo popull përfaqëson, gjenealogjia e shpirtit tënd mund të shkruhet në një rresht të vetëm. Ti je një fëmijë i Perëndisë!” (“To Young Women and Men”, Ensign, maj 1989, f. 54).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e të kuptuarit se ne jemi fëmijë të Perëndisë:

“Merreni parasysh fuqinë e idesë që jepet mësim në këngën tonë të dashur ‘Fëmi’ i Per’ndis’ Jam’ (Himne, nr. 196). … Këtu është përgjigjja për një nga pyetjet e mëdha të jetës: ‘Kush jam unë?’ Unë jam një fëmijë i Perëndisë me prejardhje shpirtërore nga prindër qiellorë. Ajo prejardhje përcakton potencialin tonë të përjetshëm. Ajo ide e fuqishme është një antidepresiv i fortë. Ajo mund ta forcojë secilin prej nesh që të bëjë zgjedhje të drejta dhe të kërkojë më të mirën që është brenda nesh. Futeni në mendjen e një të riu idenë e fuqishme se ai apo ajo është një fëmijë i Perëndisë dhe ju i keni dhënë respekt për veten dhe shtysë për të vepruar kundër problemeve të jetës” (“Powerful Ideas”, Ensign, nëntor 1995, f. 25).

Hebrenjve 12:23. “Kish[a e] të parëlindurve”

“Mësimi i Palit se shenjtorët e shëlbuar i bashkohen ‘kishës [s]ë të parëlindurve’ (Hebrenjve 12:23) është i vetmi rast në Bibël [ku përmendet] kjo frazë. Në zbulesat e ditëve të mëvonshme, Profeti Jozef Smith mësoi se Kisha e të Parëlindurit i referohet Kishës qiellore të Krishtit, e cila përbëhet nga shenjtorë besnikë, të ekzaltuar në mbretërinë çelestiale (shih DeB 76:54; 88:4–5). ‘Jezusi ishte i parëlinduri i fëmijëve shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, i Vetëmlinduri i Atit në mish dhe i pari që do të ngrihej së vdekuri në ringjallje (Kolosianëve 1:13–18). Shenjtorët besnikë bëhen anëtarë të Kishës së të Parëlindurit në përjetësi (DeB 93:21–22)’ (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Parëlindur (I)”, scriptures.lds.org)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 489). Këta shenjtorë janë “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17) dhe përfundimisht trashëgojnë “gjithçka që Ati … ka” (DeB 84:38).