Biblioteka
Mësimi 146: 2 Pjetër 1


Mësimi 146

2 Pjetër 1

Hyrje

Pjetri i nxiti shenjtorët që të përpiqeshin të bëheshin si Jezu Krishti. Pjetri i siguroi ata se kjo rritje shpirtërore mund t’i ndihmonte për ta “përforc[uar] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10). Pjetri foli edhe për përvojën e tij në malin e Shpërfytyrimit dhe theksoi se shkrimi i shenjtë është i frymëzuar nga Perëndia.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Pjetër 1:1–11

Pjetri jep mësim mbi mënyrën se si të marrim nga natyra hyjnore e Jezu Krishtit

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni thënien vijuese në tabelë (“The Will Within”, Ensign, maj 1987, f. 68):

“Detyra jonë është të bëhemi vetja jonë më e mirë” (Presidenti Tomas S. Monson).

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të lexojnë thënien në tabelë dhe t’i diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre:

  • Si mendoni ju, çfarë nënkuptoi Presidenti Monson kur tha të bëhemi “vetja jonë më e mirë”?

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të bëhemi vetja jonë më e mirë?

  • Çfarë mund të na pengojë nga të bërit vetja jonë më e mirë?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Pjetrin 1, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë të dinë se si mund të bëhen vetja e tyre më e mirë.

Përmblidheni 2 Pjetrin 1:1–2, duke shpjeguar se Pjetri u shkroi anëtarëve të Kishës që e kishin fituar besimin në Jezu Krisht.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pjetri për t’i ndihmuar shenjtorët të qëndronin të vërtetë ndaj dëshmisë së tyre për Shpëtimtarin.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë u mësoi Pjetri shenjtorëve?

  • Çfarë do të thotë të jemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore”? (vargu 4).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Pjetrin 1:5–7, duke kërkuar cilësitë e Jezu Krishtit që Pjetri i ftoi shenjtorët të zhvillonin. Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë cilësitë që gjejnë. Merreni parasysh që t’i ftoni studentët të gjejnë në një fjalor përkufizimet e ndonjërës prej këtyre cilësive që ata duan ta kuptojnë më mirë.

Ftojini studentët të mendojnë rreth shembujve kur Shpëtimtari shfaqi njërën prej këtyre cilësive hyjnore. Kërkojuni disa studentëve që t’i tregojnë klasës mendimet e tyre.

Shkruajeni në tabelë parimin e paplotë vijues: Kur zhvillojmë cilësi hyjnore brenda vetes sonë, ne mund …

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:8–9. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimin që mund të marrim ne kur zhvillojmë cilësitë hyjnore të Shpëtimtarit.

  • Çfarë bekimi mund të marrim ne kur zhvillojmë cilësi hyjnore? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të thotë si vijon: Kur zhvillojmë cilësi hyjnore brenda vetes sonë, ne mund të arrijmë ta njohim Jezu Krishtin.)

  • Si mendoni ju, përse zhvillimi i cilësive hyjnore na ndihmon që të arrijmë ta njohim Jezu Krishtin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një bekim tjetër që mund t’u vijë atyre të cilët janë të zellshëm në zhvillimin e cilësive hyjnore.

  • Çfarë bekimi mund t’u vijë atyre që janë të zellshëm në zhvillimin e cilësive hyjnore të Jezu Krishtit? (Shpjegoni se fraza “ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj” [vargu 10], do të thotë të merrni në këtë jetë sigurinë e Perëndisë se ju do të merrni jetën e përjetshme. Pjetri iu referua kësaj edhe si të “vërtet[osh] fjalën profetike” [2 Pjetër 1:19. Shih edhe DeB 131:5].)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth arsyes përse ne duhet të jemi të zellshëm në zhvillimin e potencialit tonë hyjnor? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi të zellshëm për ta zhvilluar potencialin tonë hyjnor ndërsa jemi në këtë jetë, [atëherë] ne mund të marrim sigurinë e Perëndisë për jetën e përjetshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj se zhvillimi i cilësive hyjnore na ndihmon që të arrijmë ta njohim Jezu Krishtin dhe na përgatit për të marrë jetën e përjetshme.

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta njërën prej cilësive hyjnore që ata duan ta zhvillojnë më shumë. Kërkojuni atyre që të shkruajnë një veprim të caktuar që ata mund të ndërmarrin për ta zhvilluar atë cilësi.

2 Pjetër 1:12–21

Pjetri shpreh dëshminë e tij për Jezu Krishtin dhe jep mësim mbi shkrimin e shenjtë

Merreni parasysh ta shkruani në tabelë moshën e disa prej Apostujve më të moshuar të tanishëm. Lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Njerëz të tjerë thonë se jemi shumë të moshuar. Epo, është e vërtetë se nëntë prej Apostujve janë mbi moshën 80-vjeçare! Unë jam 85 vjeç” (“Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 4 maj 2014], broadcasts.lds.org).

  • Si mendoni ju, përse disa njerëz janë kritikues lidhur me moshën e disa prej profetëve dhe apostujve?

  • Si do t’i përgjigjeshit kritikës se profetët dhe apostujt e sotëm janë tepër të moshuar për të qenë të efektshëm?

Ftojini studentët që teksa vazhdojnë ta studiojnë 2 Pjetrin 1, të kërkojnë një të vërtetë rreth profetëve dhe apostujve që është më e rëndësishme sesa mosha e tyre.

Shpjegoni se te 2 Pjetri 1:12–19, Pjetri shprehu dëshminë e tij okulare për Jezu Krishtin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:20–21 dhe pasi studenti të ketë mbaruar së lexuari, vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i 2 Pjetrit 1:20 thotë: “Duke ditur së pari këtë, që asnjë profeci e Shkrimit nuk është dhënë nga ndonjë vullnet i veçantë i njeriut”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri dha mësim rreth rolit të “njerëz[ve] [të] shenjtë të Perëndisë”, që në këtë rast nënkupton profetët.

  • Çfarë dha mësim Pjetri rreth rolit të profetëve? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Profetët e marrin shkrimin e shenjtë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Për ta ndihmuar klasën të kuptojë se çfarë është shkrimi i shenjtë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“[Shkrimet e shenjta janë] fjalë, si të shkruara edhe të folura, nga njerëz të shenjtë të Perëndisë kur nxiten nga Fryma e Shenjtë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shkrime të Shenjta”, scriptures.lds.org; shih edhe DeB 68:2–4). Disa shkrime të shenjta janë kanonizuar. Një kanun është “një mbledhje e njohur, autoritare librash të shenjtë. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, librat kanonikë quhen vepra standarde dhe përmbledhin Dhiatën e Vjetër dhe të Re, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kanun,” scriptures.lds.org).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për dëshminë e tij se profetët vazhdojnë të marrin shkrime të shenjta sot.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“[Profetët janë] kanali me anë të të cilit Perëndia u ka folur fëmijëve të Tij nëpërmjet shkrimeve të shenjta në kohët e shkuara. Dhe është kjo linjë nëpërmjet së cilës Ai aktualisht flet, nëpërmjet mësimeve e këshillave të profetëve dhe apostujve të gjallë dhe udhëheqësve të tjerë të frymëzuar” (“Dy Linja Komunikimi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 84).

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që Perëndia përdor këtë model për të krijuar shkrime të shenjta për fëmijët e Tij?

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit e këtij modeli ju jep siguri më të madhe te fjala e folur dhe e shkruar si e profetëve të lashtë edhe atyre bashkëkohorë?

Lexojini pyetjet vijuese me zë të lartë dhe ftojini studentët që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Cilat fragmente të shkrimit të shenjtë, qoftë nga profetët e lashtë apo nga profetët e sotëm, kanë ndikuar në jetën tuaj? Si jeni bekuar nëpërmjet atyre shkrimeve të shenjta?

Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre. Edhe ju mund të tregoni një shembull të mënyrës se si jeni bekuar nëpërmjet shkrimit të shenjtë.

Referojuni thënies së mëparshme nga Plaku Ouks dhe ftojini studentët që t’u dëshmojnë të tjerëve, ashtu siç i drejton Shpirti, për realitetin e profetëve dhe të shkrimit të shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Pjetër 1:10. “Përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “ta përforcosh thirrjen dhe zgjedhjen tënde do të thotë të vulosesh për jetën e përjetshme; do të thotë të kesh sigurinë e pakushtëzuar të ekzaltimit në qiellin më të lartë të botës çelestiale … përpara ditës kur besnikët në të vërtetë do të hyjnë në praninë hyjnore për t’u ulur me Krishtin në fronin e tij” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:330–331).

Plaku Mek-Konki dha gjithashtu mësim sa vijon:

“Çdokush në Kishë, i cili është në shtegun e ngushtë e të ngushtuar, i cili po përpiqet dhe po lufton e dëshiron të bëjë atë që është e drejtë, edhe pse është larg të qenit i përsosur në këtë jetë; nëse largohet nga kjo jetë ndërkohë që është në [shtegun] e ngushtë e të ngushtuar, ai do të vazhdojë drejt shpërblimit të përjetshëm në mbretërinë e Atit të tij.

… Nëse jeni në atë shteg dhe po shkoni përpara, dhe ju vdisni, ju nuk do të dilni kurrë nga shtegu. … Ajo që duhet të bëni është të qëndroni besnikë në Kishë dhe të jetoni ashtu siç jetojnë njerëzit e drejtë dhe të ndershëm në Kishë – duke i zbatuar urdhërimet, duke e paguar të dhjetën tuaj, duke shërbyer në organizatat e Kishës, duke e dashur Zotin, duke qëndruar në shtegun e ngushtë e të ngushtuar. Nëse jeni në atë shteg kur të vijë vdekja – sepse kjo jetë është koha dhe dita e caktuar, kjo është gjendja e provës – ju nuk do të largoheni kurrë prej tij, dhe në fakt, thirrja dhe zgjedhja juaj janë përforcuar. Tani, ky nuk është përkufizimi i atij termi, por rezultati përfundimtar do të jetë njësoj” (“The Probationary Test of Mortality”, takim shpirtëror i Institutit të Fesë në Solt-Lejk, 10 janar 1982, f. 12–13).

2 Pjetër 1:19. “Më të vërtetuar fjalën profetike”

Zbulesa bashkëkohore pohon dhe qartëson kuptimin e frazës “më të vërtetuar fjalën profetike” (2 Pjetër 1:19). Doktrina e Besëlidhje 131:5 thotë: “Fjala më e sigurt e profecisë [/më të vërtetuar fjalën profetike] do të thotë që një njeri e di se ai vuloset për jetë të përjetshme, me anë të zbulesës dhe të shpirtit të profecisë, nëpërmjet fuqisë së Priftërisë së Shenjtë”.

Femrat besnike si dhe anëtarët meshkuj të Kishës mund të marrin bekimin që ta përforcojnë thirrjen dhe zgjedhjen e tyre, apo që të marrin fjalën më të sigurt të profecisë.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ata anëtarë të Kishës që ia përkushtojnë veten tërësisht drejtësisë, duke jetuar me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë, e përforcojnë thirrjen dhe zgjedhjen e tyre. Si rrjedhim, ata e marrin fjalën më të sigurt të profecisë, që do të thotë se Zoti e vulos ekzaltimin e tyre mbi ta ndërkohë që ata ende janë në këtë jetë. Pjetri përmblodhi rrjedhën e drejtësisë, të cilin shenjtorët duhet ta ndjekin për ta përforcuar thirrjen dhe zgjedhjen e tyre dhe më pas (duke iu drejtuar përvojës së tij në malin e Shpërfytyrimit me Jakobin e Gjonin) tha se ata të tre e kishin marrë fjalën më të sigurt të profecisë. (2 Pjetër 1.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 109).

Profeti Jozef Smith dha mësim:

“Pasi një njeri ka besim te Krishti, pendohet për mëkatet e tij, dhe pagëzohet për heqjen e mëkateve të tij dhe e merr Frymën e Shenjtë, (me anë të vënies së duarve), që është Ngushëlluesi i parë, atëherë le të vazhdojë ai ta përulë vetveten përpara Perëndisë, duke pasur uri dhe etje për drejtësi e duke jetuar me çdo fjalë të Perëndisë dhe Zoti shpejt do t’i thotë atij: ‘Bir, ti do të ekzaltohesh’. Kur Zoti e ka sprovuar atë tërësisht dhe gjen se njeriu është i vendosur që t’i shërbejë Atij në të gjitha rreziqet, atëherë njeriu do ta përforcojë thirrjen dhe zgjedhjen e tij, atëherë do të jetë privilegji i tij ta marrë Ngushëlluesin tjetër. …

Kush është ky Ngushëllues tjetër? Nuk është as më shumë e as më pak se sa Vetë Zoti Jezu Krisht; … kur ndonjë njeri e merr këtë Ngushëllues të fundit, personazhi i Jezu Krishtit do ta vizitojë ose do t’i shfaqet atij” (në History of the Church, 3:380–381).

2 Pjetër 1:20–21. “Njerëzit e shenjtë të Perëndisë”

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi lidhur me përparësitë e të paturit udhëheqës të pjekur e me përvojë në këshillat kryesues të Kishës:

“Ka diçka rreth urtësisë vetjake dhe të bashkuar të Vëllezërve, e cila duhet t’ju japë njëfarë ngushëllimi. Ne kemi përjetuar gjithçka, përfshirë pasojat e ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme publike, zhgënjimet, tragjeditë e vdekjet në vetë familjet tona. Ne nuk jemi të palidhur me jetën tuaj.

Më lejoni t’ju vë në dukje se asnjë prej Të Dymbëdhjetëve nuk është një lule vjollcë e ndrojtur. Ne, secili, kemi personalitete të fuqishme. Prandaj, kur jemi të njëzëshëm në një vendim, ju mund të jini të sigurt se jemi këshilluar së bashku dhe kemi arritur në atë vendim pas shumë lutjesh dhe diskutimi të matur. …

Ne jemi të rinj në zemër dhe Zoti na bekon ta çojmë përpara punën e Tij në mënyra të mrekullueshme” (“Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 4 maj 2014], broadcast.lds.org).