Biblioteka
Hyrje tek Ungjilli Sipas Markut


Hyrje tek Ungjilli Sipas Markut

Përse të studiohet ky libër?

Libri i Markut e tregon shërbesën, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit me një rrëfim të shpejtë, i cili shpesh përqendrohet te veprat e fuqishme të Shpëtimtarit. Kryesorja midis këtyre është Shlyerja, të cilën Marku e theksoi si thelbësore në misionin e Jezusit si Mesia i shumëpremtuar. Duke studiuar rrëfimin dhe dëshminë e Markut për mënyrën se si Shpëtimtari e përmbushi misionin e Tij shlyes, studentët mund të bëhen më të kthyer në besim te ungjilli dhe të gjejnë guxim për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Kush e shkroi këtë libër?

Marku (i quajtur edhe Gjon Mark) është autori i këtij libri. Megjithëse Marku nuk ishte midis dishepujve fillestarë të Jezu Krishtit, më vonë ai u kthye në besim dhe u bë një ndihmës i Apostullit Pjetër, dhe ai mund ta ketë shkruar Ungjillin e tij bazuar në atë që mësoi nga Pjetri (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Marku”).

Marku dhe nëna e tij, Maria, jetonin në Jeruzalem; shtëpia e tyre ishte një vend mbledhjeje për disa nga të krishterët e hershëm (shih Veprat e Apostujve 12:12). Marku u largua nga Jeruzalemi për të ndihmuar Barnabën dhe Saulin (Palin) në udhëtimin e tyre të parë misionar (shih Veprat e Apostujve 12:25; 13:4–6, 42–48). Pali më vonë shkroi se Marku ishte me të në Romë (shih Kolosianëve 4:10; Filemonit 1:24) dhe e lavdëroi Markun si një shok që ishte “[i] dobishëm për shërbesë” (2 Timoteut 4:11). Pjetri iu referua atij si “Marku, biri im” (1 Pjetër 5:13), duke treguar afërsinë e marrëdhënies së tyre.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ne nuk e dimë me saktësi se kur u shkrua Ungjilli i Markut. Marku ka gjasa ta ketë shkruar Ungjillin në Romë midis viteve 64 ps.K. dhe 70 ps.K., ndoshta pak pasi Apostulli Pjetër u martirizua në vitin 64 ps.K .

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Ungjilli i Markut përmban hollësi – të tilla si citime të përkthyera aramaike, shprehje latine dhe shpjegime të zakoneve judease – që duket se i drejtohen një publiku të përbërë kryesisht nga romakë dhe njerëz të kombeve të tjera johebrease, si edhe nga ata që ishin kthyer në fenë e krishterë, me shumë gjasa në Romë dhe kudo në perandorinë romake. Shumë njerëz besojnë se Marku mund të ketë qenë me Pjetrin në Romë gjatë një periudhe që dallohet nga sprova të forta të besimit për shumë anëtarë të Kishës, në vendet anembanë perandorisë romake.

Një e treta e Ungjillit të Markut ritregon me hollësi mësimet dhe përvojat e Shpëtimtarit gjatë javës së fundit të jetës së Tij. Marku dëshmoi se vuajtja e Birit të Perëndisë triumfoi përfundimisht mbi të ligën, mëkatin dhe vdekjen. Kjo dëshmi donte të thoshte se pasuesit e Shpëtimtarit nuk duhej të frikësoheshin kur ata hasnin përndjekje, sprova apo edhe vdekje, ata po ndiqnin Mësuesin e tyre. Ata mund të duronin me besim, duke e ditur se Zoti do t’i ndihmonte dhe se të gjitha premtimet e Tij në fund do të përmbusheshin.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ungjilli i Markut fillon befas dhe në mënyrë dramatike dhe ruan një ritëm të shpejtë, duke i ritreguar ngjarjet me një vijueshmëri të shpejtë. Marku shpesh përdorte fjalët menjëherë dhe përnjëherë, duke dhënë përshtypjen e një ritmi dhe veprimi të shpejtë.

Edhe pse mbi 90 përqind e materialit të Markut gjendet edhe te Mateu e Lluka, rrëfimi i Markut shpesh përfshin hollësi të tjera që na ndihmojnë ta vlerësojmë më plotësisht dhembshurinë e Shpëtimtarit dhe reagimet e njerëzve përreth Tij (krahasoni Markun 9:14–27 me Mateun 17:14–18). Për shembull, Marku tregoi mikpritjen e gjerë entuziaste që mori Shpëtimtari nga ata që ishin në Galile dhe gjetkë herët në shërbesën e Tij (shih Marku 1:32–33, 45; 2:2; 3:7–9; 4:1). Marku gjithashtu tregoi me kujdes reagimet negative të skribëve dhe farisenjve, kundërshtimi i të cilëve u rrit me shpejtësi nga të paturit e mendimeve mosbesuese (shih Marku 2:6–7) deri te komploti për ta shkatërruar Jezusin (shih Marku 3:6).

Midis temave të rëndësishme te [ungjilli i] Markut, janë pyetjet se kush ishte Jezusi dhe kush e kuptoi identitetin e Tij, si edhe rolin e dishepullit, si një njeri që duhet ta “marrë kryqin e vet dhe t[a] … ndjekë [Jezusin]” (Marku 8:34). Përveç kësaj, Marku është i vetmi Ungjill që tregon shëmbëlltyrën e farës që rritet vetvetiu (shih Marku 4:26–27), shërimin e një njeriu të shurdhër në rajonin e Dekapolisit (shih Marku 7:31–37) dhe shërimin gradual të një burri të verbër në Betsaida (shih Marku 8:22–26).

Përmbledhje

Marku 1–4 Jezusi pagëzohet nga Gjon Pagëzori dhe fillon të predikojë, të thërrasë dishepuj dhe të bëjë mrekulli. Ndërsa kundërshtimi ndaj Tij rritet, Ai jep mësim në shëmbëlltyra.

Marku 5–7 Shpëtimtari vazhdon të bëjë shumë mrekulli, duke treguar dhembshurinë e Tij për të tjerët. Pasi Gjon Pagëzori vritet, Jezusi ushqen më shumë se pesë mijë njerëz dhe ecën mbi ujë. Jezusi jep mësim kundër traditave të rreme.

Marku 8–10 Jezu Krishti vazhdon të bëjë mrekulli. Pjetri dëshmon se Jezusi është Krishti. Shpëtimtari profetizon tri herë për vuajtjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Tij, por dishepujt e Tij ende nuk e kuptojnë plotësisht atë që Ai do të thotë. Ai u jep mësim atyre rreth përulësisë dhe shërbimit të kërkuar prej dishepujve të Tij.

Marku 11–16 Gjatë javës së fundit të jetës së Tij, Shpëtimtari hyn në Jeruzalem, i mëson dishepujt e Tij, vuan në Gjetseman dhe kryqëzohet. Jezu Krishti ringjallet.