Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 18:1–22:26 (Njësia 5)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 18:1–22:26 (Njësia 5)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Mateun 18:1–22:26 (njësia 5), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 18–20)

Nga shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirshëm, studentët mësuan që nëse duam që Perëndia të na falë, atëherë ne duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët. Ata gjithashtu mësuan për shenjtërinë e martesës.

Dita 2 (Mateu 21:1–16)

Teksa studentët studiuan për hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit në Jerusalem, ata mësuan që kur ne e pranojmë Jezu Krishtin dhe flasim publikisht për Të, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të zhvillojnë një dëshirë për të ditur më shumë për Të. Nga pastrimi i tempullit prej Shpëtimtarit, studentët mësuan se shtëpia e Zotit është një vend i shenjtë dhe Ai dëshiron që ne ta trajtojmë atë me nderim. Ata gjithashtu mësuan që kur e frekuentojmë tempullin, Zoti mund të na shërojë.

Dita 3 (Mateu 21:17–22:14)

Studentët studiuan për atë se si Shpëtimtari mallkoi një pemë fiku dhe pastaj përdori shëmbëlltyra të ndryshme kur dha mësim në tempull. Ata mësuan që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë, ne duhet t’i bindemi Atit tonë Qiellor dhe të pendohemi për mëkatet tona në vend që vetëm të themi apo të shtiremi se po i bindemi Atij. Një e vërtetë tjetër që studentët mësuan ishte që si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne jemi përgjegjës të japim fryte drejtësie.

Dita 4 (Mateu 22:15–46)

Studentët mësuan se Jezusi e vijoi udhëzimin e Tij në tempull dhe i mësoi njerëzit se Zoti pret nga ne që të jemi qytetarë të mirë dhe t’u bindemi ligjeve të vendit. Shpëtimtari dha mësim se ata që nuk janë vulosur me anë të autoritetit të priftërisë me bashkëshortët/et e tyre në vdekshmëri ose nëpërmjet ordinancave mëkëmbëse në tempuj nuk do të jenë të martuar në botën që do të vijë. Studentët gjithashtu mësuan se nëse e duam me të vërtetë Perëndinë dhe e duam fqinjin si veten, atëherë ne do të përpiqemi t’i mbajmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë rëndësinë e bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë. Ata gjithashtu mund të mësojnë rëndësinë e të gëzuarit kur të tjerët janë bekuar nga Perëndia.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 19:28–20:16

Jezusi jep mësim për jetën e përjetshme dhe jep shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht

Ftojeni një student të dalë përpara klasës. I thoni studentit se nëse ai apo ajo mund të bëjë 10 pompa, ai ose ajo do të marrë një shpërblim të vogël (të tillë si dhjetë copa të vogla ëmbëlsire). Pasi studenti të bëjë 10 pompa, jepini atij apo asaj shpërblimin dhe pastaj kërkoni një vullnetar tjetër. Kërkojini studentit të dytë që të bëjë një pompë dhe pastaj pyeteni klasën se çfarë shpërblimi mendojnë ata se duhet të marrë ky student dhe përse. Ftojini dy studentët të kthehen në vendet e tyre. Vëreni në dijeni klasën se më vonë gjatë mësimit, studenti i dytë do të marrë një shpërblim në bazë të asaj që klasa mëson në shkrimet e shenjta.

Shpjegoni se kur Jezusi po jepte mësim në bregun e Judesë, Pjetri pyeti se çfarë do të merrnin dishepujt për shkak se kishin hequr dorë nga pasuritë e tyre tokësore për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 19:28–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit.

  • Sipas vargut 29, çfarë do të trashëgojë kushdo që braktis gjithçka për të ndjekur Shpëtimtarin?

Shpjegoni se Shpëtimtari atëherë u mësoi dishepujve të Tij një shëmbëlltyrë për t’i ndihmuar të kuptonin dëshirën e Atit Qiellor për t’i dhënë të gjithë fëmijëve të Tij mundësinë për të marrë jetën e përjetshme. Në këtë shëmbëlltyrë, një njeri pajton me mëditje punëtorë në kohë të ndryshme gjatë ditës për të punuar në vreshtin e tij. Ju mund të doni të shpjegoni se një ditë normale pune në kohët e Dhiatës së Re do të ishte nga ora 6:00 e mëngjesit deri në 6:00 të pasdites, me kohëzgjatje pak të ndryshuara në stinë të ndryshme të vitit.

Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë ose jepuani atë studentëve si fletushkë:

Punëtorët (Koha e Fillimit)

Paga sipas Ujdisë

Orët që Punuan

Shuma e Paguar

E Mëngjesit Herët (6:00)

E orës së 3-të (9:00)

E orës së 6-të (12:00)

E orës së 9-të (15:00)

E orës së 11-të (17:00)

Ftojini studentët të punojnë në grupe të vogla. Vërini ata ta lexojnë Mateun 20:1–7 në grupet e tyre të vogla, duke kërkuar se për sa kohë punoi secili grup i punëtorëve dhe paga për të cilën ranë dakord. (Shpjegoni se “një denar” i referohet parasë, që ishte një monedhë romake pak a shumë e barabartë me rrogën e një punëtori për një ditë.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të vijnë në dërrasë dhe të plotësojnë dy kolonat e para të tabelës (ose ftojini që t’i plotësojnë ato në kopjet që u keni dhënë).

  • Kush mendoni se duhet të paguhet më shumë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:8–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pagesën që mori secili grup i punëtorëve.

  • Çfarë pagese mori secili grup i punëtorëve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani 1 denar në secilën nga kutitë në kolonën e emërtuar “Shuma e Paguar”.)

  • Nëse do të ishit mes punëtorëve që punuan gjithë ditën, çfarë ndjenjash ose mendimesh mund të kishit pasur kur të merrnit të njëjtin shpërblim si ata që punuan vetëm për një orë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:11–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që i thanë ata që punuan gjithë ditën zotit të vreshtit dhe atë që ai u tha atyre.

  • Cila ishte ankesa e atyre që punuan gjithë ditën?

  • Çfarë tha zoti i vreshtit si përgjigje?

  • Si kishte qenë zoti i vreshtit i drejtë (ose i ndershëm) me ata që kishin punuar gjithë ditën?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një të vërtetë nga kjo shëmbëlltyrë, shpjegoni që rroga prej një denari mund të përfaqësojë jetën e përhershme ose të përjetshme, siç përmendet te Mateu 19:29. Shkruajeni në dërrasë thënien vijuese të paplotë: Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që …

  • Nëse shpërblimi në këtë shëmbëlltyrë përfaqëson jetën e përjetshme, çfarë mund të përfaqësojë puna? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por sigurohuni të theksoni se puna në këtë shëmbëlltyrë mund të përfaqësojë bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë. Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni të vërtetën në dërrasë si vijon: Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që zgjedhin të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta me Të.)

Vini në dukje që kjo e vërtetë na ndihmon të kuptojmë mëshirën e Atit Qiellor për individët që nuk i bëjnë apo i mbajnë besëlidhjet herët në jetë dhe për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë atë derisa pasi vdesin (shih DeB 137:7–8).

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne të dimë që Perëndia u jep jetë të përjetshme të gjithë njerëzve që zgjedhin të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje të shenjta me Të, pavarësisht nga koha kur mund të ndodhë ajo?

Kujtojuni studentëve studentin e dytë që bëri vetëm një pompë dhe pyesni:

  • Çfarë shpërblimi mendoni se duhet të marrë ky student për bërjen e një pompe? (Jepini studentit të njëjtin shpërblim që i dhatë studentit që bëri 10 pompa.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 20:15–16. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë se si iu përgjigj zoti i vreshtit atyre që u ankuan për mirësinë e tij kundrejt punëtorëve të tjerë.

  • Çfarë mendoni që donte të thoshte zoti i vreshtit kur pyeti: “Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?” (vargu 15).

Shpjegoni se Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e parafrazoi këtë pyetje si vijon: “Përse duhet të jeni [ju] xhelozë për shkak se unë zgjedh të jem i mirë?” (“Punëtorët në Vresht”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 31).

  • Çfarë do të thotë te vargu 16 që “shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”? (Të jesh i thirrur do të thotë të jesh i ftuar për të marrë pjesë në punën e Atit Qiellor. Të jesh i zgjedhur do të thotë të marrësh bekimet e Tij – përfshirë bekimin e jetës së përjetshme. Shih edhe DeB 121:34–40.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 16? (Studentët mund të përcaktojnë një numër parimesh, përfshirë sa vijon: Nëse zgjedhim të jemi xhelozë për bekimet e Atit Qiellor për të tjerët, atëherë ne mund të humbasim bekimet që Ai dëshiron të na japë neve.)

Lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe ftojini studentët të përsiatin për mënyrën se si ata mund të tundohen për të qenë xhelozë për bekimet që Ati Qiellor u jep të tjerëve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Do të ketë kohë në jetën tonë kur dikush tjetër merr një bekim të papritur ose merr ndonjë vlerësim të veçantë. A mund të lutem bashkë me ju që të mos pezmatohemi – dhe sigurisht të mos ndihemi ziliqarë – kur bekime të mira i vijnë një personi tjetër? Ne nuk do të na zvogëlohet kur dikujt tjetri i shtohet. Ne nuk jemi në një garë kundër njëri-tjetrit, që të shohim se cili është më i pasuri, ose më i talentuari, ose më i bukuri apo madje më i bekuari. Gara në të cilën jemi me të vërtetë është ajo kundër mëkatit. …

… Lakmimi, varja e buzëve apo të kërkosh t’i bësh të tjerët më pak të lumtur nuk rrit pozitën tënde dhe as të poshtërosh dikë nuk e përmirëson imazhin tënd. Kështu që, jini të mirë dhe jini mirënjohës që Perëndia është i mirë. Është një mënyrë e gëzuar për të jetuar” (“Punëtorët në Vresht”, f. 31, 32).

Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët përcaktuan ndërsa studiuan shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht.

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë. Jepuni studentëve kohë ta plotësojnë thënien në fletoret tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: Në bazë të asaj që kam mësuar nga kjo shëmbëlltyrë, unë do të …

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini t’i tregojnë klasës atë që shkruan disa studentë që ndihen rehat për ta bërë atë.

Njësia Tjetër (Mateu 23:1–26:30)

Për t’i ndihmuar studentët të përgatiten për njësinë tjetër, ftojini të marrin parasysh mënyrën se si mund ta përgatitin më mirë veten për Ardhjen e Dytë të Zotit. Çfarë të vërtetash po na mësoheshin kur Jezu Krishti dha shëmbëlltyrat e dhjetë virgjëreshave, talentave dhe deleve e cjepve? Çfarë ordinance filloi Shpëtimtari për të zëvendësuar Pashkën? Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje në studimin e tyre gjatë javës tjetër.