Biblioteka
Hyrje te Letra e Parë e Palit drejtuar Thesalonikasve


Hyrje te Letra e Parë e Palit drejtuar Thesalonikasve

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Parë drejtuar thesalonikasve besohet se është letra më e hershme ekzistuese e Palit dhe mund të jetë libri më i vjetër në Dhiatën e Re. Mësimet e Palit në këtë letër kryesisht përqendrohen tek Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit, përfshirë edhe vështirësitë që do të hasin pasuesit e Jezu Krishtit përpara kthimit të Tij (shih 1 Thesalonikasve 3:3), Ringjallja e të krishterëve në Ardhjen e Dytë (shih 1 Thesalonikasve 4:13–14) dhe koha e Ardhjes së Dytë të Krishtit (shih 1 Thesalonikasve 5:1–2). Nëpërmjet studimit të tyre të këtij libri, studentët do të mësojnë rreth Ardhjes së Dytë dhe do të marrin kurajë për t’i qëndruar besnikë Zotit.

Kush e shkroi këtë libër?

Pali shkroi 1 Thesalonikasve (shih 1 Thesalonikasve 1:1; shih edhe 2:18).

Kur dhe ku u shkrua ai?

“Pali u shkroi letra thesalonikasve nga Korinti gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar”, rreth viteve 50–51 ps.K. (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Pali ua shkroi 1 Thesalonikasve anëtarëve të Kishës në Thesaloniki. Thesaloniki ishte qyteti më i populluar dhe më i begatë në mbretërinë e lashtë greke të Maqedonisë për shkak të dy veçorive të rëndësishme: qyteti ishte i ndërtuar në portin më të mirë natyror, në detin Egje dhe ndodhej në vijën më të madhe rrugore që lidhte Romën me Azinë.

Gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit, Shpirti e drejtoi Palin dhe shokët e tij [të misionit] – Silën, Timoteun dhe Llukën – që të udhëtonin përmes detit Egje për në Maqedoni (shih Veprat e Apostujve 16:6–12). Kjo nisi predikimin e ungjillit në Europë. Pasi predikuan në Filipi (shih Veprat e Apostujve 16:12–40), Pali dhe Sila udhëtuan drejt Thesalonikit.

Pali bëri punë misionare me Silën në Thesaloniki, por u dëbuan nga qyteti prej udhëheqësve judeas (shih Veprat e Apostujve 17:1–9). Më vonë, Timoteu i raportoi Palit se shenjtorët thesalonikas kishin qëndruar besnikë pavarësisht përndjekjeve dhe se ndikimi i tyre i drejtë po përhapej (shih Veprat e Apostujve 18:5; 1 Thesalonikasve 1:7–8; 3:6–8).

Thesalonikasit e kthyer në besim ishin disa prej europianëve të parë që e përqafuan ungjillin dhe, si rrjedhojë ata u përballën me përndjekjet. Ata gjithashtu kishin shumë pyetje rreth Ardhjes së Dytë. Si rrjedhim, në letrën e tij drejtuar thesalonikasve, Pali u shkroi fjalë kurajëdhënëse e force dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Një nga temat kryesore të Palit në Letrën e tij të Parë drejtuar Thesalonikasve është Ardhja e Dytë. Ai u përqendrua te pjesëmarrja e të drejtëve në ngjarjet e Ardhjes së Dytë, veçanërisht e shenjtorëve që kishin vdekur më parë (shih 1 Thesalonikasve 2:19; 3:13; 4:13–17; 5:1–10). Sikundër prej shumë letrave të tjera të Palit, 1 Thesalonikasve nuk përmban ndonjë qortim të madh, por përkundrazi, u ofron lavdërime dhe përgëzime shenjtorëve thesalonikas.

Përmbledhje

1 Thesalonikasve 1–3 Pali shpreh falënderim të madh për shenjtorët në Thesaloniki. Ai u kujton lexuesve të tij shërbesën e tij mirëdashëse midis tyre dhe shpreh gëzim për besnikërinë e tyre. Ai u jep kurajë shenjtorëve që ta rritin dashurinë kundrejt njëri-tjetrit dhe kundrejt të gjithë njerëzve.

1 Thesalonikasve 4–5 Pali u thotë shenjtorëve të jenë të shenjtë dhe ta shenjtërojnë veten. Ai shpjegon se kur Zoti të vijë sërish, shenjtorët që kanë qenë besnikë ndaj dëshmisë së tyre për Krishtin, si ata që kanë vdekur dhe si ata që janë ende gjallë, do të ngrihen dhe do ta takojnë Zotin. Apostulli u kujton anëtarëve të Kishës që të përgatiten dhe të rrinë zgjuar ditën e ardhjes së Krishtit.