Biblioteka
Mësimi 120: Efesianëve 1


Mësimi 120

Efesianëve 1

Hyrje

Pali u shkroi një letër shenjtorëve në Efes lidhur me parashugurimin e tyre për ta pranuar ungjillin. Ai shkroi për periudhën e fundit ungjillore, ose periudhën ungjillore në të cilën jetojmë tani. Pali dha mësim se ne mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet zbulesës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Efesianëve 1:1–8

Pali u mëson shenjtorëve se ata ishin parashuguruar për ta pranuar ungjillin

Ftojini studentët të marrin parasysh një rast kur ranë dakord të merrnin një përgjegjësi të rëndësishme dhe u qe premtuar se do të shpërbleheshin po ta përmbushnin këtë detyrë.

  • Kur detyra u bë sfiduese, si u mbështetët te njohuria se ratë dakord për këtë detyrë dhe që dikush mirëbesoi tek ju se do ta përmbushnit atë?

  • Si u bekuat ose u shpërblyet ngaqë e përmbushët përgjegjësinë tuaj?

Shpjegoni se në letrën e tij të shënuar tek Efesianëve 1–6, Apostulli Pal iu drejtua shenjtorëve që ishin në Efes dhe zonat përreth. Qëllimi i tij ishte t’i forconte ata që ishin tashmë anëtarë të Kishës dhe t’i ndihmonte të kthyerit e rinj në besim të rriteshin në njohurinë e tyre shpirtërore dhe të qëndronin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë Efesianëve 1:3–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që Pali u mësoi shenjtorëve për t’i ndihmuar të qëndronin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

  • Çfarë të vërtetash u mësoi Pali shenjtorëve për t’i ndihmuar ata të qëndronin besnikë? (Teksa studentët përgjigjen, ju mund të doni t’i ftoni ata që të shpjegojnë se si të kuptuarit e të vërtetave që përmendin, mund t’i kishin ndihmuar shenjtorët të qëndronin besnikë.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë në vargun 4 se Perëndia i ka zgjedhur disa “përpara se të themelohej bota”?

Shpjegoni se kjo frazë bashkë me fjalën paracaktuar dhe frazën “birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit” në vargun 5, i referohet atyre që ishin zgjedhur ose paracaktuar në ekzistencën para lindjes për ta pranuar ungjillin. Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Fëmijët e Perëndisë ishin parashuguruar për t’i marrë bekimet e ungjillit. Marrja e këtyre bekimeve është e kushtëzuar nga besnikëria jonë në këtë jetë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një prej tyre të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“Në botën e shpirtrave para lindjes, Perëndia emëroi shpirtra të caktuar, me qëllim që të përmbushnin misione të veçanta gjatë jetës së tyre të vdekshme. Kjo quhet parashugurim.

Parashugurimi nuk është garanci që individët do të marrin thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Mundësi të tilla vijnë në këtë jetë si rezultat i ushtrimit të drejtë të lirisë së zgjedhjes, pikërisht ashtu siç erdhi parashugurimi si një rezultat i drejtësisë në ekzistencën para lindjes. …

Doktrina e parashugurimit zbatohet tek të gjithë anëtarët e Kishës, jo vetëm tek Shpëtimtari dhe profetët e Tij. Përpara krijimit të tokës, grave besnike iu dhanë përgjegjësi të caktuara dhe burrat besnikë u parashuguruan në detyra të caktuara priftërie. Edhe pse nuk e kujtoni atë kohë, sigurisht që ju pranuat të plotësoni detyra të rëndësishme në shërbim të Atit tuaj. Kur jepni prova që jeni i denjë, do t’ju jepen mundësi për të përmbushur funksionet që morët atëherë” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 113–114).

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit se ne ishim të parashuguruar për ta pranuar ungjillin dhe bekimet e tij të shumta, na ndihmon të qëndrojmë besnikë ndaj besëlidhjeve tona?

Efesianëve 1:9–12

Pali flet për periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave

Pamja
vizatim, lumenj që derdhen në liqen

Vizatoni një figurë të thjeshtë të disa lumenjve të ndryshëm që derdhen në pellgje të mëdha uji. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur çdo lumë përfaqëson një periudhë ungjillore.

  • Çfarë është një periudhë ungjillore?

Ju mund të doni të rishikoni përkufizimin e periudhës ungjillore duke ftuar një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta:

“Një kohë e ungjillit është një periudhë kohore në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë, i cili mban çelësat e priftërisë së shenjtë [dhe që ka një detyrë hyjnore për t’ua shpërndarë ungjillin banorëve të tokës. Kur kjo ndodh], ungjilli zbulohet sërishmi, kështu që njerëzit e asaj kohe nuk duhet të varen parimisht nga periudhat e kaluara për diturinë e planit të shpëtimit. [Ka pasur shumë periudha ungjillore që prej fillimit. Bibla sugjeron së paku një periudhë ungjillore të identifikuar me Adamin, një tjetër me Enokun, një tjetër me Noeun e kështu me radhë me Abrahamin, Moisiun dhe Jezusin me Apostujt e Tij në meridianin e kohës]” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”, f. 146).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 1:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilës periudhë ungjillore iu referua Pali. Shpjegoni se fraza “misterin e vullnetit të tij” në vargun 9 i referohet planeve dhe qëllimeve të Perëndisë.

Vini në pah se periudha ungjillore e plotësisë së kohërave është periudha ungjillore në të cilën jetojmë tani.

  • Si mund të ngjasojë periudha ungjillore e plotësisë së kohërave me një pellg uji në të cilin derdhen lumenj?

  • Nga ajo që profetizoi Pali, çfarë do të ndodhë gjatë periudhës ungjillore të plotësisë së kohërave? (Shpjegoni se kur Pali shkroi se “në Krishtin, të gjitha gjërat”, si qiellore ashtu edhe tokësore, duhet të sillen “në një krye të vetëm” [vargu 10], ai iu referua rivendosjes dhe sjelljes së bashku të të gjitha çelësave, fuqive dhe premtimeve që Perëndia ua ka zbuluar fëmijëve të Tij që kur filloi bota, si dhe njohuri të tjera që nuk janë zbuluar asnjëherë më parë [shih DeB 128:18]. Shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë: Gjatë periudhës ungjillore të plotësisë së kohërave, të gjitha gjërat nga periudhat e mëparshme ungjillore do të rivendosen.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku B. H. Roberts, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku B. H. Roberts

“Kjo është periudha ungjillore e plotësisë së kohërave dhe ne shohim se po vërshojmë drejt saj, ashtu si rrymat e fuqishme sulen drejt oqeanit, të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore, na bashkojnë me to, e ato bashkohen me ne; dhe ne shohim se Perëndia ka pasur parasysh vetëm një qëllim të madh që nga fillimi dhe se Ai ka qenë shpëtimi për fëmijët e Tij. Dhe tani ka ardhur dita e fundit, periudha e fundit ungjillore, kur e vërteta dhe drita e drejtësia duhet ta përmbytin tokën” (në Conference Report, tetor 1904, f. 73).

Ftojini studentët të vijnë në tabelë dhe t’i titullojnë vizatimet e lumenjve me të vërteta, shkrime të shenjta, besëlidhje dhe fuqi nga periudhat e mëparshme ungjillore, që janë rivendosur ose janë sjellë në periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave. (Titujt mund të përfshijnë fuqinë vulosëse, ordinancat shpëtuese, Librin e Mormonit, e kështu me radhë; studentët mund të vizatojnë lumenj shtesë sipas nevojës.)

  • Si është një bekim për ju të jetuarit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave?

  • Sipas thënies së Plaku Robert, çfarë duhet të ndodhë gjatë kësaj periudhe ungjillore? (E vërteta, drita dhe drejtësia duhet ta përmbytin tokën.)

  • Çfarë burimesh në periudhën tonë ungjillore na mundësojnë ta përmbytim tokën me të vërtetën dhe dritën e ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ajo që është përmbushur deri më tani në këtë periudhë ungjillore, duke kumtuar mesazhet e ungjillit nëpërmjet kanaleve të mediave shoqërore, është një fillim i mbarë – por veçse një rrëke e vogël. Tani ju shtroj ftesën për ta ndihmuar këtë rrëke të kthehet në një përmbytje. … Unë ju këshilloj ta mbuloni tokën me mesazhe të mbushura me drejtësi dhe të vërtetë – mesazhe që janë të sakta, lartësuese dhe për t’u lavdëruar – dhe me plot kuptimin e fjalës ta mbuloni tokën sikurse një përmbytje” (“To Sweep the Earth as with a Flood” [takim shpirtëror i Javës Arsimore në Kompleksin e Universitetit “Brigam Jang”, 19 gusht 2014], LDS.org).

Ftojini studentët të tregojnë se çfarë po bëjnë ata për të ndihmuar ta përmbytin tokën me mesazhe të mbushura me drejtësi e të vërtetë.

Përmblidheni Efesianëve 1:11–12 duke shpjeguar se Pali dha mësim se nëpërmjet Jezu Krishtit shenjtorët kishin marrë një “trashëgimi” (vargu 11) në mbretërinë e Perëndisë.

Efesianëve 1:13–23

Pali jep mësim për Shpirtin e Shenjtë të Premtimit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 1:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një bekim që kishin marrë shenjtorët për shkak të besnikërisë së tyre dhe mirëbesimit dhe besimit të tyre në Jezu Krisht.

  • Sipas vargut 13, çfarë bekimi kishin marrë shenjtorët? (Ata u “vulosë[n] me Frymën e Shenjtë të premtimit”.)

Shpjegoni se të jesh “vulos[ur] [me anë të] Frymë[s së] Shenjtë të premtimit”, do të thotë që Fryma e Shenjtë i “dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, f. 185, scriptures.lds.org). Shpirti është “kapari i trashëgimisë tonë” (vargu 14). Kjo do të thotë se prania e Frymës së Shenjtë në jetën tonë është një shenjë, kujtues dhe tregues nga Perëndia se nëse ne vazhdojmë të jemi besnikë, ne do të marrim jetë të përjetshme.

Përmblidheni Efesianëve 1:15–16, duke shpjeguar se Pali u tha shenjtorëve se ai e falënderonte vazhdimisht Perëndinë për besnikërinë e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Efesianëve 1:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë për të cilën Pali iu lut Perëndisë që t’u jepte shenjtorëve.

  • Për çfarë iu lut Pali Perëndisë që t’u jepte shenjtorëve?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Në mund të arrijmë ta njohim Atin Qiellor nëpërmjet shpirtit të zbulesës.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë shpirtin e zbulesës, ftojeni një prej tyre të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar. Kërkojuni studentëve të mbajnë vesh se çfarë është shpirti i zbulesës.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Zbulesa është kumtim që u vjen nga Perëndia fëmijëve të Tij mbi tokë dhe një nga bekimet e mëdha që lidhen me dhuratën dhe shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith na mësoi: ‘Fryma e Shenjtë është një zbulues’ dhe ‘asnjë njeri nuk mund të marrë Frymën e Shenjtë pa marrë zbulesa’ (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136).

Shpirti i zbulesës i mundësohet çdo njeriu që merr nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë ordinancat shpëtuese të pagëzimit me zhytje për faljen e mëkateve dhe të vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe i cili vepron me besim për të përmbushur urdhrin e priftёrisë ‘Merr Frymën e Shenjtë’” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 87).

  • Çfarë është shpirti i zbulesës?

  • Si mund të na ndihmojë zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë që të arrijmë ta njohim Atin Qiellor?

Juve mund t’ju duhet t’i ftoni studentët të tregojnë se si zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë i ndihmoi ata të arrinin ta njihnin më mirë Atin Qiellor. Merrni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj. Nxitini studentët të përpiqen të jenë të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë, me qëllim që të vazhdojnë ta njohin më mirë Atin Qiellor.

Përmblidheni Efesianëve 1:19–23, duke shpjeguar se Pali vazhdoi të jepte mësim për trashëgiminë e premtuar shenjtorëve dhe vendin e Jezu Krishtit si kreu i Kishës së Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Efesianëve 1:13. “Frymën e Shenjtë të premtimit”

Shpirti i Shenjtë i Premtimit është një emër tjetër për Frymën e Shenjtë. Ajo është përdorur në referencë me fuqinë vulosëse e miratuese të Frymës së Shenjtë (shih DeB 76:53; 132:7).

“Shpirti i Shenjtë i Premtimit … pohon si të pranueshme nga Perëndia veprimet, ordinancat dhe besëlidhjet e drejta të njerëzve. Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur.

Ata që vulosen nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, marrin gjithçka që Ati ka [shih Efesianëve 1:13–14; DeB 76:51–60]. Të gjitha besëlidhjet dhe kryerjet duhet të vulosen nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit, për të pasur vlerë pas kësaj jete [shih DeB 132:7, 18–19, 26]” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, f. 185, scriptures.lds.org).

Kur Pali shkroi që shenjtorët ishin “vulos[ur] me Frymën e Shenjtë të premtimit” (Efesianëve 1:13), ai po i referohej premtimit të jetës së përjetshme dhënë shenjtorëve besnikë në vdekshmëri. Kur njerëzit vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, Fryma e Shenjtë i cilëson ata si trashëgimtarë qiellorë, ndonëse janë të vdekshëm. Kjo doktrinë nganjëherë i referohet dikujt që e merr thirrjen dhe zgjidhet (shih 2 Pjetër 1:4–19; DeB 131:5–6; DeB 132:6–7; Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:493–495; History of the Church, 3:379–380).

Në [përqasje] me referencën e Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, Presidenti Jozef Filding Smith shpalli:

Shpirti i Shenjtë i Premtimit është Fryma e Shenjtë që i vë vulën e miratimit çdo ordinance: pagëzimit, konfirmimit, shugurimit, martesës. Premtimi është që bekimet do të merren nëpërmjet besnikërisë.

Nëse një njeri e dhunon një besëlidhje, qoftë atë të pagëzimit, shugurimit, martesës apo diçka tjetër, Shpirti e tërheq vulën e miratimit dhe bekimet nuk do të merren.

Çdo ordinancë vuloset me një premtim të një shpërblimi të bazuar te besnikëria. Fryma e Shenjtë e tërheq vulën e miratimit atje ku besëlidhjet thyhen [shih DeB 76:52–53; 132:7]” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:45).

Efesianëve 1:13–14. “Kapari i trashëgimisë tonë”

Fraza “kapari i trashëgimisë tonë” tek Efesianëve 1:14 tregon se kur shenjtorët besnikë vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ata do të marrin një siguri vetjake se do ta trashëgojnë mbretërinë qiellore. Fjala kapar këtu do të thotë “një shenjë e asaj që do të vijë” (Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11-të. [2003], “earnest”). “Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të çmuara të Atit tonë Qiellor. … Kjo dhuratë është një shije paraprake e gëzimit të përjetshëm dhe një premtim i jetës së përjetshme” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2006], f. 65).