Biblioteka
Mësimi 3: Roli i Nxënësit


Mësimi 3

Roli i Nxënësit

Hyrje

Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe nxënësi kanë secili një rol të rëndësishëm në të mësuarin e ungjillit. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë secilin prej këtyre roleve, në mënyrë që të mund të jenë të suksesshëm në përpjekjet e tyre për të mësuar. Juve mund t’ju duhet t’i shqyrtoni në mënyrë të rregullt parimet e dhëna në këtë mësim për t’u kujtuar studentëve përgjegjësinë e tyre për të mësuar ungjillin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Rolet e Frymës së Shenjtë, të mësuesit dhe të nxënësit në të mësuarin e ungjillit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë skenarin e mëposhtëm:

Një e re është e frymëzuar dhe e ngritur moralisht ndërsa ndjek seminarin. Ajo e ndien ndikimin e Frymës së Shenjtë atje dhe është mirënjohëse për gjërat që mëson. Një e re tjetër është në të njëjtën klasë seminari. Megjithatë, ajo shpesh mërzitet dhe ndien se nuk merr shumë prej orës mësimore.

  • Cilat janë disa arsye të mundshme përse këto dy të reja kanë përvoja kaq të ndryshme ndërsa ndjekin të njëjtën klasë seminari? (Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë sa vijojnë: e reja e parë mund të marrë pjesë më aktivisht në mësim; e reja e parë mund të ketë pasur më shumë përvoja të mëparshme të të mësuarit shpirtëror mbi të cilat mund të ndërtohet të nxënit e saj të tanishëm; dhe e reja e dytë mund të hutohet nga shqetësime të tjera.)

Ftojini studentët të kërkojnë doktrina e parime në mësimin e sotëm, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të përmbushnin rolin e tyre në seminar dhe të forcojnë dëshminë e tyre për ungjillin e Jezu Krishtit.

Shpjegoni se tre individë kanë role thelbësore në të mësuarin e ungjillit në një mjedis si seminari: Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe studenti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 14:26 dhe një tjetër student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:13. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar disa nga rolet e Frymës së Shenjtë.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth roleve të Frymës së Shenjtë? (Studentët mund të japin një mori përgjigjesh, por sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Fryma e Shenjtë të mëson të vërtetën.)

  • Si mund ta dimë kur Fryma e Shenjtë është duke na mësuar të vërtetën? (Ju mund të doni t’i drejtoni studentët te Doktrina e Besëlidhjet 8:2–3.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–14. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rolin e një mësuesi të ungjillit. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se këto vargje iu dhanë shenjtorëve të parë të Kishës të cilët ishin shuguruar për ta dhënë mësim ungjillin.

  • Cili është roli i një mësuesi të ungjillit? (Shih edhe DeB 42:14.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 33:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bën Fryma e Shenjtë për ne kur e vërteta jepet mësim nëpërmjet fuqisë së Tij.

  • Sipas këtij vargu, çfarë bën Fryma e Shenjtë për ne?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ta ftojnë Frymën e Shenjtë që ta mbartë të vërtetën në zemrat tona, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si të kërkojmë të mësojmë.

  • Si duhet të kërkojmë të mësojmë? (Me anë të studimit dhe me anë të besimit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë atë që mund të na ndodhë kur kërkojmë të mësojmë me anë të besimit:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Një mësues mund të shpjegojë, të tregojë konkretisht, të bindë e të dëshmojë dhe të veprojë kështu me fuqi shpirtërore dhe efektshmëri të madhe. Megjithatë, përfundimisht përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërton brenda në zemër vetëm nëse marrësi i lejon ato të hyjnë. Të mësuarit me anë të besimit e hap shtegun për zemër” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61).

  • Nga kjo thënie, çfarë parimi mund të mësojmë ne rreth asaj që mund të ndodhë kur kërkojmë të mësojmë me anë të besimit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse kërkojmë të mësojmë me anë të besimit, atëherë ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na mësuar dhe dëshmuar për të vërtetën. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

Vini në dukje se besimi është më shumë sesa bindje pësore. Ne e shprehim besimin tonë nëpërmjet veprimit.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të mësosh me anë të besimit?

Për të ilustruar atë çka do të thotë të mësosh me anë të besimit, kërkoni një vullnetar që nuk ka luajtur asnjëherë futboll. (Ju mund ta përshtatni këtë veprimtari për të përfshirë një student që nuk ka luajtur asnjëherë basketboll, nuk i ka rënë një instrumenti muzikor, nuk ka bërë lojëra shkathtësie, nuk ka lidhur një kravatë e kështu me radhë.) Vëreni në dijeni vullnetarin se ju keni për qëllim ta mësoni atë se si të luajë futboll mjaft mirë sa për të luajtur në një skuadër futbolli. Pyeteni vullnetarin nëse ai ose ajo ka besim tek aftësia juaj për ta mësuar dhe tek aftësia e vet për të mësuar. Pastaj shpjegojini dhe tregojini konkretisht se si të ecë me top, por mos e lejoni vullnetarin ta provojë. Shpjegoni se si ta pasojë topin e futbollit. Pastaj tregojeni duke ia pasuar topin vullnetarit, por rimerrjani topin nga këmbët në vend që ta lejoni vullnetarin të provojë t’ua pasojë topin juve. Bëjeni të njëjtën gjë me hedhjen e topit brenda fushës pasi ka dalë jashtë fushës. Më pas, pyeteni vullnetarin:

  • Sa i përgatitur ndihesh për të luajtur në një skuadër futbolli? Përse?

  • Edhe pse të mësuarit rreth lojës dhe vështrimi i të tjerëve tek luajnë futboll mund të ndihmojnë, nëse dëshiron të zhvillosh aftësitë që nevojiten për t’ia dalë mbanë në futboll, çfarë duhet të bësh?

  • Si mund të lidhet kjo me të mësuarin me anë të besimit? (Vetëm pasja e besimit dhe e mirëbesimit se Shpirti mund të na mësojë nuk mjafton. Për të marrë njohuri për të vërtetat e Perëndisë, ne gjithashtu duhet të bëjmë përpjekjen për ta mësuar dhe vënë në zbatim atë që mësojmë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Bednar. Kërkojini klasës të dëgjojë atë që ai jep mësim rreth të mësuarit me anë të besimit (ju mund të merrni parasysh të bëni kopje të kësaj thënieje për studentët dhe t’i ftoni ata ta shenjojnë atë që gjejnë):

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe e fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pësor. Është në sinqeritetin dhe rrjedhën logjike të veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, që ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar e për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë. …

… Të mësuarit me anë të besimit nuk mund të përçohet nga një mësues te një student nëpërmjet një leksioni, një paraqitjeje me fakte apo një ushtrimi eksperimental; përkundrazi, një student duhet të ushtrojë besim dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith”, f. 64).

  • Cilat janë disa përpjekje shpirtërore, mendore ose fizike që mund të bëjmë për ta ftuar Shpirtin të na mësojë dhe dëshmojë për të vërtetën?

Shënim: Kjo mund të jetë koha e duhur për ta lexuar Doktrinën e Besëlidhjet 88:122, dhe për të diskutuar për rëndësinë e rregullit dhe respektit në orën e mësimit.

  • Cilat janë disa qëndrime apo sjellje që mund ta pengojnë Shpirtin të na mësojë të vërtetën në një orë mësimi të seminarit?

  • Si mund të jetë përvoja e një studenti në seminar që kërkon të mësojë me anë të besimit e ndryshme nga përvoja e një tjetri që nuk e kërkon këtë gjë?

Kërkojuni studentëve t’i kthehen Mateut 4. Shpjegoni se nga përvoja e Apostullit Pjetër ne mund të shohim një shembull të mënyrës se si kërkimi për të mësuar me anë të besimit e fton Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na mësuar dhe dëshmuar për të vërtetën. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 4:18–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit dhe Andreas.

  • Çfarë i ftoi Shpëtimtari të bënin Pjetrin dhe Andrean?

  • Si ishte përgjigjja e tyre një shembull i të kërkuarit për të mësuar me anë të besimit?

Vini në dukje se veprimi i Pjetrit për ta ndjekur Jezu Krishtin e lejoi atë të ishte me Shpëtimtarin gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Duke ia vënë veshin thirrjes së Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, Pjetri pati privilegjin që ta dëgjonte Shpëtimtarin të jepte mësim rregullisht dhe të dëshmonte shumë mrekulli. Pas ftesës së Shpëtimtarit, Pjetri madje eci mbi ujë (shih Mateu 14:28–29).

Shpjegojuni studentëve se në një rast, Jezusi u bëri dishepujve të Tij një pyetje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 16:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që bëri Shpëtimtari.

  • Për çfarë i pyeti Shpëtimtari dishepujt e Vet?

  • Si u përgjigjën ata?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 16:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Pjetri pyetjes tjetër të Shpëtimtarit.

  • Cila ishte përgjigjja e Pjetrit ndaj pyetjes së Shpëtimtarit?

  • Çfarë shpjegoi Shpëtimtari rreth mënyrës se si Pjetri e mori njohurinë e tij?

  • Si është përvoja e Pjetrit një ilustrim i të vërtetave që kemi përcaktuar në këtë mësim?

Ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta (ju mund të merrni parasysh t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Kur keni kërkuar që të mësoni me anë të besimit? Si e përmbushi Fryma e Shenjtë rolin e Tij në të mësuarin e ungjillit kur ju e bëtë këtë? (Ju mund t’i ftoni studentët të reflektojnë mbi përvojat e mëparshme të të mësuarit që kanë pasur, kur kërkuan të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit.)

Nëse studentët ndihen rehat për të treguar, ftojini disa prej tyre që t’i përshkruajnë përvojat për të cilat shkruan. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë tuajën si dhe dëshminë tuaj për të vërtetat që keni diskutuar.

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një ose dy gjëra që do të bëjnë për të mësuar me anë të besimit, dhe për ta ftuar Frymën e Shenjtë në zemrat e tyre që t’u japë mësim e t’u dëshmojë për të vërtetën. Ftojini studentët të shkruajnë atë që do të bëjnë.

Përfundoni duke lexuar thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Të rinj e të reja, unë ju kërkoj juve të merrni pjesë në seminar. Studiojini përditë shkrimet tuaja të shenjta. Dëgjojini me kujdes mësuesit tuaj. Zbatojeni me lutje atë që mësoni” (“Participate in Seminary”, 12 gusht 2011, seminary.lds.org).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Nderimi fton zbulesën

Qëndrimet dhe sjelljet nderuese mund të jenë pjesë e të mësuarit me anë të besimit dhe mund ta ftojnë Shpirtin të na mësojë e dëshmojë për të vërtetën. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth marrëdhënies midis nderimit dhe zbulesës:

“Në vitet e kaluara ne kemi parë modele të nderimit dhe të mungesës së nderimit në Kishë. Ndërkohë që shumë janë për t’u lavdëruar, ne po largohemi nga standardi i lartë i nderimit. Kemi arsye për të qenë thellësisht të shqetësuar.

Bota sa vjen e bëhet më e zhurmshme. …

Kjo prirje për më shumë zhurmë, më shumë emocion, më shumë pretendime, më pak vetëpërmbajtje, më pak dinjitet, më pak formalitet nuk është rastësore, as e pafajshme, as pa dëm.

Rregulli i parë i lëshuar nga një komandant, që fillon një ndërhyrje ushtarake, është bllokimi i kanaleve të komunikimit të atyre që synon t’i mposhtë.

Mungesa e nderimit u përshtatet qëllimeve të kundërshtarit duke i shkatërruar kanalet delikate të zbulesës edhe në mendje edhe në shpirt. …

… Udhëheqësit duhet të japin mësim se nderimi fton zbulesën” (“Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 22).

Motra Margaret S. Lifërth, e presidencës së përgjithshme të Fillores, dha mësim rreth nderimit në mbledhjet e Kishës dhe udhëzimi i saj i përshtatet edhe një ore mësimore të seminarit:

“Vetëm në një qëndrim nderues mundet Shpirti të konfirmojë të vërtetat e ungjillit nëpërmjet fjalës së Perëndisë, muzikës, dëshmisë dhe lutjes. …

… Shkrimi apo leximi i mesazheve elektronike në një mbledhje Kishe jo vetëm është jonderues, ai është shpërqendrues dhe tregon mungesë respekti për ata që janë përreth nesh. Pra, ne japim një shembull nderimi duke marrë pjesë në mbledhje, duke i dëgjuar folësit dhe duke i kënduar himnet e Sionit së bashku” (“Respekt dhe Nderim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 13).

Thirrja e një profeti për të marrë pjesë në seminar

Presidenti Tomas S. Monson dha mesazhin vijues lidhur me pjesëmarrjen në seminar:

“Seminari ka bekuar jetën e qindra mijëra të rinjve shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Më kujtohet vetë përvoja ime e seminarit. Seminari për mua mbahej në një orë të hershme, në një shtëpi të vogël matanë rrugës, përballë shkollës sime të mesme. Mendova, nëse mësuesi im mund të çohet aq herët, edhe unë mund të çohem aq herët.

Seminari do t’ju ndihmojë të kuptoni dhe të mbështeteni te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit. Ju do të ndieni Shpirtin e Zotit ndërsa mësoni t’i doni shkrimet e shenjta. Ju do ta përgatitni veten tuaj për tempullin dhe për shërbimin misionar.

Të rinj e të reja, unë ju kërkoj juve të merrni pjesë në seminar. Studiojini përditë shkrimet tuaja të shenjta. Dëgjojini me kujdes mësuesit tuaj. Zbatojeni me lutje atë që mësoni” (“Participate in Seminary”, 12 gusht 2011, seminary.lds.org).

Pjesëmarrja në klasë

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon lidhur me pjesëmarrjen në një përvojë të të mësuarit të ungjillit:

“Vendimi [i studentëve] për të marrë pjesë është një ushtrim i lirisë së zgjedhjes që e lejon Frymën e Shenjtë të përçojë një mesazh të posaçëm, të përshtatur për nevojat e tyre individuale. Krijimi i një mjedisi ku ka pjesëmarrje rrit mundësinë që Shpirti do t’u mësojë më shumë mësime të rëndësishme sesa mund t’u komunikojë [mësuesi].

Kjo pjesëmarrje do të sjellë në jetën e tyre drejtimin e Shpirtit. Kur ju i nxitni studentët të ngrenë dorën e tyre për t’iu përgjigjur një pyetjeje, ndonëse mund të mos e kuptojnë, ata i bëjnë të ditur Frymës së Shenjtë gatishmërinë e tyre për të mësuar. Ai përdorim i lirisë së zgjedhjes do ta lejojë atë Shpirt t’i nxitë ata dhe t’u japë një udhërrëfim më të fuqishëm gjatë kohës që jeni së bashku. Pjesëmarrja i lejon individët të përjetojnë të qenit të drejtuar nga Shpirti. Ata mësojnë të dallojnë dhe të ndiejnë se çfarë është udhërrëfimi shpirtëror” (“To Learn and Teach More Effectively” [takim shpirtëror i Javës Arsimore të Kompleksit të Universitetit “Brigam Jang”, 21 gusht 2007], f. 4–5, speeches.byu.edu).

Mënyra të tjera për t’i ndihmuar studentët të përmbushin rolin e tyre në të mësuarin e ungjillit

Për të mësuar se si t’i ndihmoni studentët ta përmbushin rolin e tyre në të mësuarin e ungjillit, shihni temat në vijim te Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012]:

  • “Ne i ndihmojmë studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të nxënit dhe i përgatisim ata t’ua mësojnë ungjillin të tjerëve” (seksioni 1.3.3, faqet 6–7).

  • “Pris[ni] që studentët të përmbushin rolin e tyre si studentë” (seksioni 2.2.2, faqe 17).

  • “Diskutoni për parimet e nxënies shpirtërore” (seksioni 2.2.3, faqe 20).

  • “Përqendrohuni te të ndihmuarit e studentëve për të përmbushur rolin e tyre” (seksioni 4.3.4, faqe 63).