Biblioteka
Mësimi 1: Hyrje te Dhiata e Re


Mësimi 1

Hyrje te Dhiata e Re

Hyrje

Dhiata e Re është kryesisht një anal i jetës në vdekshmëri, mësimeve dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, krijimit të Kishës së Tij dhe shërbesave të dishepujve të Tij të hershëm ndërsa Ai vazhdoi t’i drejtonte ata pas Ngjitjes së Tij në qiell. Ky mësim ka për qëllim t’i përgatitë dhe shtyjë studentët që ta studiojnë Dhiatën e Re duke iu paraqitur atyre dy tema madhore që gjenden në mësimet e Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij të lashtë: ftesa e përsëritur e Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai dhe përgjegjësia e dishepujve të Tij për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Dhiata e Re na ndihmon të vijmë te Jezu Krishti

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Cilat janë disa barrë të vështira që përjeton rinia në kohën tonë?

Sillni në klasë një kuti bosh ose një çantë shpine, dhe objekte të rënda që t’i vendosni në kuti ose në çantën e shpinës, të tillë si gurë të mëdhenj ose libra. Ftojeni një student të vijë përpara dhomës dhe kërkojini atij apo asaj të mbajë kutinë bosh ose të vërë çantën e shpinës. Vëreni klasën t’i përgjigjet pyetjes së shkruar në tabelë dhe kërkojini një studenti tjetër t’i renditë përgjigjet e studentëve në tabelë. Pas çdo përgjigjeje, vendosni një objekt të rëndë në kuti ose në çantën e shpinës derisa të jetë plot.

  • Si do të ndiheshit nëse do ju duhet ta mbanit gjithë ditën këtë barrë?

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë sfidat apo vështirësitë që disa nga barrët e renditura në tabelë mund t’i shkaktojnë dikujt.

Shpjegoni se Dhiata e Re jep mësim rreth shërbesave të Jezu Krishtit në vdekshmëri dhe pas ringjalljes, përfshirë mësimet, mrekullitë, flijimin shlyes dhe vizitat e Tij te dishepujt e hershëm të kishës. Gjatë gjithë mësimeve dhe ndërveprimeve të Tij me të tjerët ka një të vërtetë që përsëritet, e cila mund të na ndihmojë për barrët që mbajmë.

Shpjegoni se Mateu 11 përfshin një shembull të kësaj teme madhore që studentët do ta shohin shpesh gjatë studimit të tyre të Dhiatës së Re këtë vit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 11:28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit për ata që mbajnë barrë të vështira.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh i munduar dhe i rënduar?

  • Çfarë tha Shpëtimtari se duhet të bëjmë për të marrë çlodhjen e Tij? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Kur vijmë te Jezu Krisht me barrët tona, Ai do të na japë çlodhje.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të vish te Jezu Krishti?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të vish te Krishti, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 11:29–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar udhëzimet e Shpëtimtarit për ata që dëshirojnë të vijnë tek Ai.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë ne që të vijmë te Krishti?

Vizatoni në tabelë një zgjedhë për qe, ose tregoni figurën e një zgjedhe.

Pamja
zgjedhë prej druri

Shpjegoni se zgjedha është një binar prej druri që lidh ose bashkon një pendë qesh apo kafshësh të tjera, duke bërë të mundur që ato ta tërheqin së bashku një ngarkesë.

  • Cili është qëllimi i një zgjedhe dhe dobia e saj? (Ndonëse zgjedha është një peshë ose një barrë, ajo i lejon të dyja kafshët ta bashkojnë fuqinë dhe forcën e tyre, duke rritur në këtë mënyrë prodhimtarinë e tyre.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të marrësh mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si ne mund ta marrim mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit dhe çfarë bekimesh mund të marrim duke e bërë këtë.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Një zgjedhë i vendos kafshët krah për krah, që të mund të lëvizin së bashku me qëllim që ta përmbushin një detyrë.

Merrni parasysh ftesën veçanërisht individuale të Zotit për të ‘[marrë] mbi vete zgjedhën time’. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të. Në thelb, Shpëtimtari po na bën thirrje që të mbështetemi tek Ai dhe të tërheqim së bashku me Të, edhe pse përpjekjet tona më të mira nuk janë të barabarta dhe as që mund të krahasohen me përpjekjet e Tij. Kur i mirëbesojmë Atij dhe e tërheqim barrën tonë me Të gjatë udhëtimit të vdekshmërisë, me të vërtetë zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë.

Ne nuk jemi dhe kurrë nuk na duhet të jemi vetëm. Ne mund të shtyjmë përpara në jetën tonë të përditshme me ndihmën qiellore. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit ne mund të marrim aftësi dhe ‘forcë përtej vetvetes’ (‘Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek’, Himne, nr. 137)” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 88).

  • Çfarë “[zgjedhe] na lidh” ne me Shpëtimtarin Jezu Krisht?

  • Sipas Plakut Bednar, cilat janë bekimet e të qenit i lidhur me zgjedhën e Shpëtimtarit?

Vini në dukje se premtimi i Shpëtimtarit për “çlodhje” te Mateu 11:28–29, nuk do të thotë domosdoshmërisht se Ai përherë do t’i largojë problemet apo sfidat tona. Shpesh Shpëtimtari do të na japë paqen dhe forcën që na nevojiten për t’i kapërcyer apo duruar sprovat tona, duke i bërë në këtë mënyrë më të lehta barrët tona. Nëse jemi besnikë gjatë sfidave të vdekshmërisë, çlodhja përfundimtare që do të marrim, është ekzaltimi me Perëndinë (shih DeB 84:23–24).

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si Shpëtimtari u ka dhënë atyre çlodhje kur kanë ardhur tek Ai. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës përvojat e tyre. Ju mund të merrni parasysh të tregoni një nga vetë përvojat tuaja.

Ftojini studentët të vendosin synime të posaçme lidhur me mënyrat se si mund të vijnë te Jezu Krishti gjatë gjithë këtij viti të studimit të Dhiatës së Re. Nxitini ata që të përfshijnë në synimet e tyre studimin e shkrimeve të shenjta çdo ditë dhe leximin e të gjithë Dhiatës së Re këtë vit.

Dishepujt e Jezu Krishtit kanë përgjegjësinë për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth rasteve në jetën e tyre kur ishin të paduruar dhe të entuziazmuar që t’i tregonin dikujt për një përvojë që kishin patur ose për diçka që e panë, e lexuan apo e dëgjuan. Ftojini disa studentë të raportojnë se për çfarë ishin të paduruar dhe të entuziazmuar që t’ia tregonin dikujt.

Shpjegoni se Dhiata e Re përmban shembuj të shumtë të individëve që u forcuan, u mësuan ose u bekuan nga Zoti, dhe më pas ndien dëshirën t’u tregonin të tjerëve rreth Tij. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Gjoni 1:37–42. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar se çfarë bënë dy nga dishepujt e Gjon Pagëzorit pasi dëgjuan dëshminë e tij për Jezusin.

  • Çfarë mësoi Andrea rreth Jezusit ndërsa foli me Të?

  • Çfarë bëri Andrea pasi mësoi se Jezusi ishte Mesia?

  • Si mendoni ju, përse ai ishte kaq i entuziazmuar për ta ndarë këtë lajm me të vëllanë, Simon Pjetrin?

Përmblidheni Gjonin 1:43–44, duke u thënë studentëve se Shpëtimtari e ftoi një burrë të quajtur Filip të ishte dishepulli i Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:45–46. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Filipi pasi mësoi se Jezusi ishte Mesia.

  • Çfarë i tha Filipi Natanaelit rreth Jezusit të Nazaretit?

  • Si iu përgjigj Natanaeli dëshmisë së Filipit se Jezusi ishte Mesia?

  • Cila ishte ftesa e Filipit ndaj Natanaelit?

Shkruajeni shprehjen e paplotë vijuese në tabelë: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, 

  • Bazuar në këta shembuj nga Dhiata e Re, çfarë dëshire do të kemi ne ndërsa vijmë te Jezu Krishti? (Ndërsa studentët përgjigjen, plotësojeni shprehjen në tabelë që të pasqyrojë parimin vijues: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, ne do të kemi një dëshirë më të madhe për t’i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, kopjoni në tabelë diagramin shoqërues:

Pamja
diagram me shigjetë
  • Si mendoni ju, përse ne do të kemi një dëshirë më të madhe për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Krishti ndërsa shkojmë vetë tek Ai?

Shpjegoni se Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth një bekimi të madh që e marrim kur i ftojmë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Kur jepni zemrën tuaj për t’i ftuar njerëzit të vijnë te Krishti, zemra juaj do të ketë ndryshuar. … Duke i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai, ju do të zbuloni se keni ardhur vetë tek Ai” (“Come unto Christ”, Ensign, mars 2008, f. 49).

  • Çfarë mund të ndodhë në jetën tonë kur i ftojmë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti?

Shtojini një shigjetë ilustrimit në tabelë që të duket i ngjashëm me diagramin shoqërues:

Pamja
diagram me dy shigjeta
  • Si mendoni ju, përse të ftuarit e të tjerëve për të ardhur te Krishti mund të na ndihmojë të vijmë gjithashtu më pranë Tij?

  • Kush ju ka ftuar juve të vini te Shpëtimtari dhe tek ungjilli i Tij? Si është bekuar jeta juaj si pasojë e kësaj?

Nxitini studentët të marrin parasysh me lutje se cilin mund të ftojnë për të ardhur te Jezu Krishti.

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai?

Shpjegoni se të ftuarit e miqve dhe shokëve të klasës për të marrë pjesë në seminar është një mënyrë që studentët mund t’i ftojnë të tjerët të “[vijnë] e shiko[jnë]” se kush është Jezu Krishti dhe se si ungjilli i Tij mund ta bekojë jetën e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 1:47–50. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përjetoi Natanaeli kur e takoi Shpëtimtarin (shpjegoni se fraza “s’ka mashtrim” do të thotë s’ka gënjeshtër).

  • Çfarë tha Shpëtimtari që e bëri Natanaelin të shpallte se Jezusi ishte Biri i Perëndisë?

  • Sipas vargut 50, çfarë i premtoi Shpëtimtari Natanaelit ngaqë besonte?

Shpjegoni se bashkë me Andrean, Pjetrin, Filipin dhe të tjerët, Natanaeli u bë një nga Apostujt e Jezusit. Për shkak se këta Apostuj ia vunë veshin ftesës për të ardhur te Jezu Krishti, ata dëshmuan shumë “gjëra më të mëdha” (vargu 50), përfshirë mrekullitë dhe mësimet e Jezu Krishtit, dhe Ringjalljen e Ngjitjen e Tij në qiell.

Përfundoni duke dëshmuar se, ndërsa studentët e studiojnë Dhiatën e Re këtë vit, ata do ta ndiejnë kërkesën e vazhdueshme të Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai. Ndërsa i vënë në jetë doktrinat dhe parimet që mësojnë gjatë gjithë vitit, ata do të marrin ndihmën e Tij për barrët e tyre dhe, si Apostujt e lashtë, do të mbushen me dëshirën për t’i ndihmuar edhe të tjerët të vijnë tek Ai.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 11:29–30. “Merrni mbi vete zgjedhën time”

Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim për bekimet që vijnë kur marrim mbi vete zgjedhën e Krishtit:

“Në kohët biblike zgjedha ishte një pajisje që i ndihmonte shumë ata që e lëronin fushën. Ajo lejonte forcën e një kafshe të dytë që të lidhej dhe të bashkohej me përpjekjen e një kafshe të vetme, duke e ndarë dhe pakësuar punën e rëndë të plugut apo qerres. Një barrë që ishte dërrmuese ose ndoshta e pamundur të mbahej nga një kafshë, mund të mbahej arsyeshëm dhe rehatshëm nga dy kafshë të lidhura së bashku në një zgjedhë të përbashkët. Zgjedha e Tij kërkon një përpjekje të madhe dhe të zellshme, por për ata që janë vërtet të kthyer në besim, zgjedha është e ëmbël dhe barra bëhet e lehtë.

Përse t’i përballojmë barrët vetëm, pyet Krishti, ose përse t’i përballojmë ato me mbështetje tokësore që shpejt do të luhatet? Për të ngarkuarit rëndë është zgjedha e Krishtit, është fuqia dhe paqja e të qëndruarit krah për krah me Perëndinë, që do të sigurojë mbështetjen, drejtpeshimin dhe forcën për t’iu përgjigjur sfidave tona dhe për të duruar detyrat tona këtu në … vdekshmëri” (“Come unto Me”, Ensign, nëntor 1990, f. 18; shih edhe “Take My Yoke upon You” [Ensign, shtator 2013, f. 22–23] për një figurë të një zgjedhe dhe për një shpjegim të mëtejshëm të përdorimit dhe funksionimit të saj).

Gjoni 1:39, 46. “Ejani e shikoni”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për ta ndarë ungjillin me të tjerët:

“Shpëtimtari na mësoi se si ta ndajmë ungjillin. Më pëlqen historia e Andreas, i cili pyeti: ‘Rabbi, ku banon?’ [Gjoni 1:38]. Jezusi mund t’i qe përgjigjur me vendin ku jetonte. Por, përkundrazi, Ai i tha Andreas: ‘Ejani e shikoni’ [Gjoni 1:39]. Më pëlqen të mendoj se Shpëtimtari po thoshte: ‘Ejani e shikoni jo vetëm ku jetoj, por si jetoj. Ejani e shikoni kush jam. Ejani e ndieni Shpirtin’. …

Ndaj atyre që tregojnë interes për bisedat tona, ne mund të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i ftuar ata të ‘[vijnë] e shiko[jnë]’. Disa do ta pranojnë ftesën tonë dhe të tjerë jo. Ne të gjithë njohim dikë që është ftuar disa herë përpara pranimit të një ftese për të ‘[ardhur] e shik[uar]’. Le të mendojmë edhe për ata që dikur ishin me ne, por që tani i shohim rrallë, duke i ftuar të rikthehen dhe të shikojnë edhe një herë” (“Është një Mrekulli”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 79).