Biblioteka
Mësimi 136: Hebrenjve 5–6


Mësimi 136

Hebrenjve 5–6

Hyrje

Pali dha mësim se ata që e marrin priftërinë duhet të thirren nga Perëndia dhe se Jezu Krishti u “shpall [për të qenë] kryeprift [prift i lartë] nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut” (Hebrenjve 5:10). Pali i nxiti anëtarët e Kishës të kishin zell, besim, durim dhe shpresë për marrjen e premtimeve të Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Hebrenjve 5

Pali jep mësim se ata që e marrin priftërinë duhet të thirren nga Perëndia

Përpara orës mësimore, shkruajeni secilin nga titujt vijues në një fletë të veçantë letre: Doktor dhe Inspektor i Zbatimit të Ligjit. Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës dhe jepini çdo studenti njërën prej fletëve. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Edhe pse këta studentë mbajnë letra që paraqesin titujt përkatës, çfarë shqetësimesh do të kishit nëse [përdorni emrin e studentit që mban fletën “Doktor”] do të përpiqej t’ju operonte pasi të kishit pësuar një aksident?

  • Si do të reagonit nëse [përdorni emrin e studentit që mban fletën “Inspektor i Zbatimit të Ligjit”] do të përpiqej t’ju vinte një gjobë?

  • Përse do të ngurronit që t’u lejonit këtyre studentëve të kryejnë detyra që lidhen me tituj që ata ia dhanë vetes së tyre? (Këtyre studentëve u mungon autoriteti dhe aftësia për t’i kryer ato detyra.)

Shpjegoni që ashtu sikurse shoqëria ka vendosur kualifikime dhe mënyra të detyrueshme për marrjen e autoritetit që të përmbushen përgjegjësi të caktuara, ashtu dhe Perëndia ka vendosur kualifikime dhe mënyra të detyrueshme (të tilla si besnikërinë dhe denjësinë) për marrjen e autoritetit që të përmbushen përgjegjësi të caktuara në Kishën e Tij. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Hebrenjve 5, të kërkojnë modelin që ka vendosur Perëndia për ta marrë këtë autoritet.

Kujtojuni studentëve që, siç shënohet te Hebrenjve 4:14–16, Pali e përshkroi Shpëtimtarin si një “kryeprift [prift të lartë] të madh” (vargu 14). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 5:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth rolit të priftit të lartë midis izraelitëve.

  • Cili ishte roli i priftit të lartë midis izraelitëve?

Shpjegoni se detyra e priftit të lartë, të cilës i referohen këto vargje ishte, nën ligjin e Moisiut, detyra kryesuese në Priftërinë Aarone. Aaroni, vëllai i Moisiut, ishte “prifti i parë i lartë në rendin e Priftërisë Aarone”. Detyra ishte e trashëgueshme; pas periudhës së Aaronit, prifti i lartë përzgjidhej nga mesi i pasardhësve të parëlindur të Aaronit dhe të bijve të tij. Prifti i lartë zakonisht shërbente për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij, por kjo detyrë përfundimisht u mor nën kontroll nga njerëz të ligj. “Priftërinjtë e lartë emëroheshin dhe shkarkoheshin në mënyrë të papërshtatshme sipas dëshirës, si nga Herodi dhe nga romakët. Detyra u mbajt nga 28 burra të ndryshëm midis viteve 37 pr.K. dhe 68 ps.K.” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “High priest” [“Prifti i Lartë”]).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 5:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si duhej të zgjidhej prifti i lartë.

  • Si duhej të zgjidhej prifti i lartë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë mënyrën se si Aaroni u “thirr nga Perëndia” (vargu 4), ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Eksodin 28:1. Përpara se studenti ta lexojë këtë varg, shpjegoni se ky bashkëveprim ndodhi midis Perëndisë dhe Moisiut në malin Sinai.

  • Si u thirr Aaroni nga Perëndia për t’u shuguruar në priftëri?

  • Përse është domethënëse që Zoti ia dha këtë udhëzim Moisiut në vend që t’ia jepte dikujt tjetër? (Moisiu ishte profeti dhe si rrjedhojë, qe autorizuar për të marrë zbulesa të tilla dhe për të qeverisur përdorimin e priftërisë në tokë.)

  • Çfarë duhet të ndodhë me qëllim që dikush të shugurohet në priftëri? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata ta përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ata që shugurohen në priftëri duhet të thirren nga Perëndia me anë të zbulesës nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Ju mund të doni të shpjegoni se sot në Kishë, udhëheqësit e autorizuar të priftërisë duhet ta intervistojnë çdo kandidat për shugurim dhe të kërkojnë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë për të përcaktuar gatishmërinë dhe denjësinë e kandidatit për t’u shuguruar në priftëri. Shih edhe Gjoni 15:16.)

  • Si lidhet kjo e vërtetë me procesin e thirrjes së njerëzve për të shërbyer në pozicione në Kishë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë nenin e pestë të besimit. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si pasqyrohet e vërteta që përcaktuan te Hebrenjve 5:4 në nenin e pestë të besimit. Shpjegoni se profeci i referohet zbulesës.

  • Sipas këtij neni të besimit, çfarë tjetër duhet të ndodhë me qëllim që dikush të autorizohet “për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij”?

Pamja
Moisiu i Jep Priftërinë Aaronit

Paraqiteni figurën Moisiu i Jep Priftërinë Aaronit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 15; shih edhe LDS.org). Vini në dukje se si Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re shënojnë se profetët, mbajtësit e priftërisë dhe mësuesit e ungjillit i merrnin thirrjet e tyre me anë të vënies së duarve nga një mbajtës i autorizuar i priftërisë (shih Numrat 27:18–23; Veprat e Apostujve 6:6; 13:2–3; 1 Timoteut 4:14).

  • Në ç’mënyrë procesi i thirrjes së njerëzve në pozita në Kishë sot, pasqyron modelin që u vendos në shkrimet e shenjta?

  • Përse është e rëndësishme të dihet se autoriteti i priftërisë mund të merret vetëm në këtë mënyrë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 5:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush ia dha Shpëtimtarit autoritetin e Tij. Vini në dukje se vargu 5 citon Psalmin 2:7 dhe se vargu 6 citon Psalmin 110:4.

  • Kush ia dha Shpëtimtarit autoritetin e Tij? (Ati Qiellor.)

  • Çfarë priftërie mban Jezu Krishti? (Priftërinë Melkizedeke. Vini në dukje se kësaj priftërie fillimisht iu vu emri i Shpëtimtarit [shih DeB 107:2–4].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 5:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë u bë Jezu Krishti. Shpjegoni se Hebrenjve 5:7–8 i referohet Melkizedekut, një profet dhe mbret që jetoi gjatë kohës së Abrahamit. Sidoqoftë, për shkak se Melkizedeku ishte një simbol i Krishtit, këto vargje kanë lidhje edhe me Shpëtimtarin (shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:157).

  • Sipas Hebrenjve 5:9, çfarë u bë Shpëtimtari?

  • Në ç’mënyrë është Jezu Krishti “vepronjësi i shpëtimit të amshuar” për të gjithë ata që i binden Atij?

Përmblidheni Hebrenjve 5:11–14, duke shpjeguar se Pali shprehu dëshirën për të dhënë më shumë mësim mbi këtë temë, por tha se njerëzve u mungonte kuptueshmëria dhe pjekuria shpirtërore për të kuptuar mësime më të thelluara.

Hebrenjve 6

Shenjtorët nxiten të kenë zell, besim, durim dhe shpresë për marrjen e premtimeve të Perëndisë

  • Cilët janë disa shembuj të bekimeve që Perëndia u ka premtuar fëmijëve të Tij? (Përgjigje të mundshme përfshijnë paqen, lumturinë, faljen, përgjigjet ndaj lutjeve, bekimet e përfshira në bekimet patriarkale, ringjalljen dhe jetën e përjetshme. Vini në dukje se disa bekime janë të kushtëzuara nga zgjedhjet tona.)

  • Cilët janë disa shembuj të rrethanave ku ne mund ta pyesim veten nëse do ta marrim ndonjëherë një bekim të veçantë që na është premtuar?

Kërkojuni studentëve të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta apo në një fletë letër një bekim të premtuar që mezi po presin ta marrin. Ftojini ata të kërkojnë të vërtetat te Hebrenjve 6, të cilat mund t’i ndihmojnë të marrin bekimet e premtuara nga Perëndia.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 6:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se drejt kujt duhet të punonin shenjtorët. Vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 6:1 (Hebrenjve 6:1, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) thotë: “Prandaj duke mos i lënë parimet e doktrinës së Krishtit” (kursivet e shtuara) dhe se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 6:3 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) thotë: “Dhe ne do të shkojmë drejt përsosjes në e lejoftë Perëndia”.

  • Sipas vargut 1, çfarë dha mësim Pali se drejt kujt duhet të punonin shenjtorët? (Shpjegoni se përsosja i referohet gjendjes së të qenit “i zhvilluar plotësisht, tërësisht, apo krejtësisht. … Pasuesit e vërtetë të Krishtit mund të bëhen të përsosur me anë të hirit dhe shlyerjes së tij” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përsosur (I)”, scriptures.lds.org].)

  • Cilat doktrina të përmendura në këto vargje formojnë themelin mbi të cilin ne duhet të ndërtojmë ndërsa punojmë drejt përsosjes?

Përmblidheni Hebrenjve 6:4–8, duke shpjeguar se Pali përshkroi ata që janë bij të humbjes, të cilët kanë një njohuri të përsosur për Perëndinë dhe më pas largohen nga kjo e vërtetë, rebelohen kundër Shpëtimtarit dhe refuzojnë të pendohen (shih edhe DeB 29:44–45; 76:31–38). Pali i krahasoi këta individë me shenjtorët besnikë të cilëve ai u drejtohej në këtë letër.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Hebrenjve 6:9–10, duke kërkuar se për çfarë i përgëzoi Pali shenjtorët hebrenj. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Hebrenjve 6:11–15. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dëshironte prej shenjtorëve.

  • Çfarë dëshironte Pali prej shenjtorëve?

Shpjegoni se fraza “të tregoj[në] … të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës” (vargu 11), i referohet të qenit të zellshëm derisa ne t’i marrim bekimet e premtuara nga Perëndia.

  • Në ç’mënyrë ishte Abrahami një shembull i zellit, besimit dhe durimit në kërkimin e bekimeve të premtuara nga Perëndia?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë rreth asaj që duhet të bëjmë për t’i trashëguar bekimet që ka premtuar Perëndia? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëpërmjet zellit deri në fund, besimit në Jezu Krisht dhe durimit, ne mund t’i trashëgojmë bekimet që Perëndia ka premtuar. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Nënvizojini fjalët zell, besim dhe durim në tabelë. Kërkojuni studentëve që t’i përkufizojnë këto fjalë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve të raportojnë mbi atë që shkruan.

  • Çfarë mund të jetë sfiduese rreth shfaqjes së këtyre cilësive?

  • Si mendoni ju, përse na nevojiten këto cilësi që të “synojmë përkryerjen”? (Hebrenjve 6:1).

  • Kur e keni marrë një bekim të premtuar nëpërmjet zellit, besimit në Jezu Krisht dhe durimit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 6:16–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth shpresës dhe premtimeve të Perëndisë. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se të pandryshueshme (vargu 18) do të thotë të patjetërsueshme.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga mësimet e Palit rreth shpresës? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpresa jonë në premtimet e Perëndisë, është një spirancë shpirtërore për shpirtin tonë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Shpjegoni që siç përdoret në shkrimet e shenjta, shpresë do të thotë “pritja me besim dhe dëshirë e bekimeve të premtuara të drejtësisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpresë”, scriptures.lds.org).

  • Bazuar në mësimet e Palit për Perëndinë në vargjet 17–18, përse ne mund të kemi besim te premtimet e Perëndisë?

  • Si mund të na ndihmojë shpresa jonë në premtimet e Perëndisë që të jemi të zellshëm e të duruar dhe të kemi besim, veçanërisht kur përjetojmë sfida?

Pamja
vizatim, spirancë

Ftojeni një student të vizatojë në tabelë figurën e një spirance.

  • Çfarë bën spiranca për një anije?

  • Në ç’mënyrë ka qenë shpresa juaj në premtimet e Perëndisë një spirancë shpirtërore për ju?

Ftojini studentët të shkruajnë një synim për t’i zhvilluar më plotësisht zellin, besimin, durimin dhe shpresën. Ju mund t’i nxitni ata që të fillojnë të shkruajnë një plan për zhvillimin e njërës prej këtyre cilësive dhe më pas të përqendrohen te zhvillimi i një tjetre. Nxitini ata që ta zbatojnë atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Hebrenjve 5:4. Marrja e priftërisë

Profeti Jozef Smith dha mësim:

“Ne besojmë se asnjë njeri nuk mund të administrojë shpëtim nëpërmjet ungjillit, për shpirtrat e njerëzve, në emrin e Jezu Krishtit, përveç nëse ai autorizohet nga Perëndia, me anë të zbulesës, ose duke u shuguruar nga dikush të cilin Perëndia e ka dërguar me anë të zbulesës. … Hebrenjve 5:4 [thotë]: ‘Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.’ – Dhe unë do të pyesja, si u thirr Aaroni, përveçse me anë të zbulesës?” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 114; shih edhe DeB 42:11).

Hebrenjve 5:7–8. Jezu Krishti dhe Melkizedeku

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“[Hebrenjve, kapitulli 5,] vargjet 7 dhe 8 lidhen si me Melkizedekun dhe me Krishtin, sepse Melkizedeku simbolizonte Krishtin dhe se shërbesa e profetit tipizonte dhe paralajmëronte atë të Zotit tonë, në të njëjtin kuptim siç bëri shërbesa e Moisiut. (Ligji i Përtërirë 18:15–19; Veprat e Apostujve 3:22–23; [3 Nefi 20:23; Joseph Smith—Historia 1:40].) Kështu që, edhe pse fjalët e këtyre vargjeve, dhe veçanërisht ato në vargun e 7-të, patën një zbatim fillestar për Melkizedekun, ato zbatohen me po të njëjtën fuqi dhe ndoshta me fuqi edhe më të madhe për jetën dhe shërbesën e atij, nëpërmjet të cilit u përmbushën të gjitha premtimet që iu bënë Melkizedekut” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:157).

Hebrenjve 6:4–8. “Për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Të kryesh mëkatin e pafalshëm do të thotë që ta kryqëzosh përsëri vetë Birin e Perëndisë dhe ta poshtërosh atë haptazi. (Hebrenjve 6:4–8; D. e B. 76:34–35.) Për ta kryer këtë krim të pafalshëm, një njeri duhet ta pranojë ungjillin, të marrë me anë të zbulesës nga Fryma e Shenjtë njohurinë absolute për karakterin hyjnor të Krishtit, dhe më pas ta mohojë ‘besëlidhjen e re dhe të përjetshme me anë të së cilës ai u shenjtërua, duke e quajtur një gjë jo të shenjtë, dhe duke vepruar me urrejtje ndaj Shpirtit të hirit’. [Joseph Smith, në History of the Church, 3:232.] Prandaj ai kryen vrasje duke e miratuar vdekjen e Zotit, që do të thotë, duke pasur një njohuri të përsosur të së vërtetës, ai del në rebelim të hapur dhe e vendos veten në një pozitë nga ku ai do ta kishte kryqëzuar Krishtin, duke e ditur ndërkohë në mënyrë të përsosur se ai ishte Biri i Perëndisë. Në këtë mënyrë Krishti kryqëzohet përsëri dhe poshtërohet haptazi. (D. e B. 132:27.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 816–817).