Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Mateu 23:1–26:30 (Njësia 6)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Mateu 23:1–26:30 (Njësia 6)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Mateun 23:1–26:30 (njësia 6), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Mateu 23)

Studentët studiuan qortimin prej Jezusit të udhëheqësve judeas dhe mësuan se ne mund të zgjedhim t’i bindemi ligjeve të Perëndisë edhe nëse i shikojmë të tjerët të veprojnë në mënyrë hipokrite. Ata mësuan që nëse përpiqemi ta ngremë veten mbi të tjerët, ne do të poshtërohemi, dhe nëse jemi të përulur dhe u shërbejmë të tjerëve, Zoti do të na lartësojë ne. Ata gjithashtu mësuan që ndërsa përpiqemi të bëhemi të pastër shpirtërisht së brendshmi, ajo do të pasqyrohet në zgjedhjet tona të jashtme, dhe nëse jemi të gatshëm të mblidhemi nga Shpëtimtari, atëherë ne do të marrim përkujdesjen dhe mbrojtjen e Tij.

Dita 2 (Mateu 24)

Nga fjalimi i Shpëtimtarit për Ardhjen e Tij të Dytë, studentët mësuan sa vijon: Nëse qëndrojmë ngulmues dhe nuk mposhtemi, atëherë ne do të shpëtohemi. Përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, të zgjedhurit e Zotit do të mblidhen dhe ungjilli do të predikohet në të gjithë botën. Nëse e mbledhim si thesar fjalën e Zotit, atëherë ne nuk do të mashtrohemi. Vetëm Ati Qiellor e di se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit. Nëse jemi të vëmendshëm për shenjat dhe u bindemi urdhërimeve të Zotit, atëherë ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Dita 3 (Mateu 25)

Ndërsa studentët studiuan shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, ata mësuan se ne nuk mund ta marrim hua përgatitjen shpirtërore prej të tjerëve dhe se ne përgatitemi për Ardhjen e Dytë duke rritur dëshminë dhe kthimin tonë në besim nëpërmjet drejtësisë së përditshme. Ata gjithashtu mësuan se që të jemi gati për ardhjen e Zotit dhe që të jemi të denjë për të qëndruar në praninë e Tij, ne duhet të arrijmë ta njohim Atë. Studentët studiuan shkurtimisht shëmbëlltyrën e talentave dhe mësuan se frika mund të na pengojë t’i përdorim dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti dhe nëse nuk i zhvillojmë dhe i përdorim dhuratat tona shpirtërore për mirë, atëherë ne do t’i humbasim ato.

Dita 4 (Mateu 26:1–30)

Teksa studentët studiuan ditët e fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri, ata mësuan se kur dishepujt e Jezu Krishtit e dëgjojnë fjalën e Zotit, ata e analizojnë jetën e tyre vetjake për të parë mënyrën se si ajo gjen zbatim për ta. Ata mësuan se emblemat e sakramentit përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit, që Ai i sakrifikoi për ne dhe se Jezu Krishti e paraqiti sakramentin që ne ta kujtojmë Atë dhe Shlyerjen e Tij për mëkatet tona. Ata gjithashtu mësuan se kur pendohemi dhe e marrim sakramentin me qëllim të vërtetë, ne mund të marrim një heqje të mëkateve tona.

Hyrje

Kur Jezu Krishti i mësoi dishepujt e Tij për Ardhjen e Tij të Dytë ndërsa ishte në Malin e Ullinjve, Ai tregoi shëmbëlltyrën e talentave.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 25:14–30

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij shëmbëlltyrën e talentave

Përpara se të fillojë ora mësimore, vendosni pesë monedha në një anë të dhomës dhe dy monedha në anën tjetër. Vendosni tetë monedha të tjera në xhepin tuaj.

Për ta filluar mësimin, ftojini tre studentë të vijnë para klasës për t’ju ndihmuar të luani me role një shëmbëlltyrë që Jezu Krishti ua mësoi dishepujve të Tij si pjesë të udhëzimit të Tij për Ardhjen e Tij të Dytë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:14–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mori secili shërbëtor dhe çfarë bëri ai me të.

  • Çfarë i dha zotëria secilit prej shërbëtorëve të tij? (Shpjegoni që talentat në këtë shëmbëlltyrë ishin shuma parash. Nxirrni tetë monedhat nga xhepi juaj dhe jepini pesë një studenti, dy studentit tjetër dhe një studentit të tretë.)

  • Çfarë bëri secili shërbëtor me paratë që i ishin dhënë?

Ftojeni studentin me pesë monedha t’i marrë pesë monedhat e tjera nga njëra anë e dhomës. Kërkojini studentit me dy monedha t’i marrë dy monedhat e tjera nga ana tjetër e dhomës. Ftojeni studentin me një monedhë ta fshehë ose të bëjë sikur e gropos monedhën.

Kërkojuni studentëve që t’ju kthejnë monedhat dhe të ulen. Shkruajini elementet vijuese të shëmbëlltyrës në tabelë (pa interpretimet në kllapa):

Zotëria i shërbëtorëve (Zoti Jezu Krisht)

Shërbëtorët (Dishepujt e Zotit)

Talentat (Dhuratat dhe aftësitë që Zoti ua jep dishepujve të Tij)

  • Çfarë mund të përfaqësojnë elementet e shëmbëlltyrës? (Nëse është e nevojshme, ndihmojini studentët të përcaktojnë se kë dhe çfarë përfaqësojnë elementet. Shkruajini interpretimet pranë elementeve në tabelë. Shpjegoni që disa prej dhuratave dhe aftësive që kemi në vdekshmëri u morën dhe u zhvilluan në jetën tonë para lindjes. Ne mund të zgjedhim të vazhdojmë t’i zhvillojmë ato dhurata dhe të tjera dhurata në vdekshmëri.)

  • Sipas Mateut 25:15, përse zotëria i dha secilit shërbëtor një sasi të ndryshme parash? (Pasi studentët të përgjigjen, vini në dukje se fraza “sipas zotësisë së tij” tregon se Perëndia i jep secilit prej nesh dhuratat dhe aftësitë për të cilat kemi nevojë sipas rrethanave tona. Secilit i është dhënë një dhuratë shpirtërore nga Perëndia [shih DeB 46:11]. Shpjegoni që sasia e talentave që na është dhënë nuk është tregues i vlerës sonë vetjake.)

Lexojini me zë të lartë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përsiatin ato:

  • Cili shërbëtor ndieni se është më i ngjashëm me ju: atij që iu dhanë pesë talenta, dy talenta apo një talent? Përse?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:19–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zotëria i tha shërbëtorit që kishte marrë pesë talenta.

  • Çfarë i tha zotëria shërbëtorit të parë?

Shpjegoni që të bërit sundimtar “mbi shumë gjëra” dhe të “hyr[it] në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21) nënkuptojnë përmbushjen e potencialit tonë hyjnor dhe marrjen e jetës së përjetshme me Atin Qiellor.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e shërbëtorit të parë? (Sa vijon është një parim që studentët mund ta përcaktojnë: Nëse i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti, atëherë ne mund të përmbushim potencialin tonë hyjnor dhe marrim jetën e përjetshme.)

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrave se si ne mund t’i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti?

Vini në dukje se shërbëtori i dytë mund të ishte ankuar kur pa se shërbëtori i parë kishte marrë pesë talenta dhe ai kishte marrë vetëm dy. Përkundrazi, ai i përdori me besnikëri talentat që i ishin dhënë atij.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që zotëria i tha shërbëtorit që kishte marrë dy talenta.

  • Çfarë i tha zotëria shërbëtorit që kishte marrë dy talenta?

  • Ndonëse zotëria i kishte dhënë dy shërbëtorëve të parë sasi të ndryshme parash, si mendoni, përse ata morën të njëjtën përgjigje nga zotëria i tyre?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e njeriut të cilit iu dhanë dy talenta? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti do të na bekojë nëse i përdorim me besnikëri dhuratat dhe aftësitë që Ai na ka dhënë neve, pavarësisht nga ajo se sa kemi apo se çfarë mund të jenë ato. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Kërkojini klasës të përsiati nëse ata kanë ndier ndonjëherë që dikush tjetër kishte dhurata e aftësi më të shumta ose më të mira sesa kishin ata. Drejtojuni parimit që sapo shkruat në tabelë.

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e këtij parimi kur ndiejmë se dikush tjetër ka marrë më shumë dhurata ose dhurata më të mira nga ne?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Rritja në talentet tona vetjake është njësia më e mirë matëse e përparimit personal. … Të krahasuarit e bekimeve është pothuaj e sigurt që do ta largojë gëzimin. Ne nuk mund të jemi në të njëjtën kohë mirënjohës dhe ziliqarë. Nëse dëshirojmë vërtet ta kemi Shpirtin e Zotit dhe të përjetojmë gëzim e lumturi, ne duhet të gëzohemi në bekimet tona dhe të jemi mirënjohës” (“Rejoice!” Ensign, nëntor 1996, f. 29, 30).

  • Si mund t’i zbulojmë dhuratat dhe aftësisë që na ka dhënë Zoti?

Jepini secilit student një fletë letër dhe kërkojuni atyre të shkruajnë emrin e vet në krye. Ftojini ata t’ia kalojnë letrat e tyre studentit që është ulur pranë tyre. Kërkojuni studentëve të shkruajnë një dhuratë ose aftësi që shohin te personi emri i të cilit është te letra. Udhëzojini ata që të vazhdojnë t’i kalojnë letrat nëpër dhomë dhe të shkruajnë dhurata e aftësi që kanë vënë re.

Pas disa minutash, kërkojuni studentëve t’ia kthejnë letrat pronarëve të tyre të parë. Jepuni studentëve kohë të lexojnë për dhuratat dhe aftësitë që të tjerët shohin tek ata. Pastaj kërkojuni që të shkruajnë te letrat e tyre një përgjigje për pyetjen vijuese:

  • Cila është një mënyrë si mund ta përdorni një prej dhuratave tuaja për të çuar përpara punën e Zotit?

Vini në dukje që shëmbëlltyra e talentave përfshin paralajmërime për dhuratat dhe aftësitë që na janë dhënë. Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 25:24–30. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si zotëria iu përgjigj shërbëtorit që e fshehu talentin. Pasi të lexohet vargu 27, shpjegoni se me interes do të thotë me përqindje (të ardhura të fituara nga investimi apo dhënia hua e parave).

  • Përse e fshehu talentin e tij shërbëtori i fundit? Si iu përgjigj zotëria zgjedhjes së këtij shërbëtori?

  • Ndonëse shërbëtori nuk kishte humbur asnjë nga paratë e zotërisë së tij, çfarë qe e gabuar te veprimet e shërbëtorit?

  • Si mendoni se do t’i ishte përgjigjur zotëria shërbëtorit nëse ai do të kishte kthyer dy talenta?

Ftojini studentët të japin dëshmitë e tyre për parimet që kanë diskutuar. Nxitini t’i përdorin dhuratat dhe aftësitë e tyre për të çuar përpara punën e Zotit.

Njësia Tjetër (Mateu 26:31–Marku 3)

Shpjegoni që javën tjetër studentët do të studiojnë me hollësi Shlyerjen e Jezu Krishtit, e cila filloi me vuajtjen e Tij në Kopshtin e Gjetsemanit dhe vijoi përmes gjyqeve të paligjshme, talljes, rrahjes e vdekjes së Tij me kryqëzim dhe në fund përfundoi me Ringjalljen e Tij të lavdishme.