Biblioteka
Mësimi 70: Gjoni 10


Mësimi 70

Gjoni 10

Hyrje

Jezusi dha mësim se Ai është Bariu i Mirë dhe se Ai do ta jepte jetën e Tij për delet e Tija. Ai gjithashtu dëshmoi se Ati Qiellor i kishte dhënë Atij fuqi mbi vdekjen. Disa njerëz e akuzuan Jezusin për blasfemi ngaqë shpalli se Ai ishte Biri i Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 10:1–24

Jezusi jep mësim se Ai është Bariu i Mirë dhe se Ai do ta japë jetën e Tij për popullin e Tij

Ftojeni një student/e të dalë përpara klasës. Lidhjani sytë studentit/es dhe pastaj grumbulloni disa komplete shkrimesh të shenjta, duke përfshirë kompletin e studentit/es me sy të lidhur. Kërkojini studentit/es me sy të lidhur që ta prekë secilin komplet të shkrimeve të shenjta dhe të përpiqet të përcaktojë se cili komplet i përket atij ose asaj. Pasi studenti/ja ta bëjë këtë përpjekje, pyeteni:

  • Përse ishe në gjendje (ose nuk ishe në gjendje) të përcaktoje se cili është kompleti yt i shkrimeve të shenjta?

  • Nëse do të të kërkoja t’i prekje fytyrat e pjesëtarëve të klasës tënde, sa prej tyre mendon se mund t’i përcaktoje saktësisht? (Mos i kërkoni studentit që me të vërtetë ta bëjë këtë.)

Ftojeni studentin/en ta heqë lidhësen e syve dhe të kthehet te karrigia e tij ose e saj. Shpjegoni se një bari në Lindjen e Mesme njëherë u pyet se sa mirë i njihte delet e tij. Ai u përgjigj: “Nëse do të më vini një mbulesë mbi sytë e më sillni cilëndo dele dhe vetëm më lejoni t’i vë duart mbi fytyrën e saj, unë mund të thoja brenda një çasti nëse ajo ishte imja apo jo” (G. M. Mackie, Bible Manners and Customs [pa datë], f. 35).

  • Nëse do të ishit një bari, si mendoni, çfarë do t’ju duhej t’i dallonit delet në tufën tuaj, po aq mirë sa ç’e bëri ky bari?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 10:14, duke kërkuar atë që Jezusi e quajti veten e Tij. Kërkojuni të raportojnë atë që zbulojnë. Shkruani thënien vijuese në tabelë: Jezu Krishti është Bariu i Mirë.

  • Si mendoni, përse “bariu i mirë” është një titull i përshtatshëm për Shpëtimtarin?

Nxitini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Gjonin 10, të cilat na mësojnë se si Shpëtimtari është Bariu ynë i Mirë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vendndodhjen kulturore të Gjonit 10:1–5, shpjegoni se në kohën e Shpëtimtarit barinjtë i udhëhiqnin tufat e tyre drejt ushqimit, ujit dhe strehimit gjatë ditës. Natën, disa barinj i mblidhnin tufat e tyre individuale në një vathë të përbashkët. Një vathë është një shpellë ose një vend i rrethuar nga mure shkëmbore që kanë gjemba të mprehtë, të vendosur përgjatë kreut për t’i ndaluar kafshët e egra që të hyjnë brenda.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe që të lexojnë së bashku me zë të lartë Gjonin 10:1–5, duke kërkuar atë që bën një bari i mirë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të raportojnë atë që gjetën. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën fjalët Jezu Krishti është Bariu i Mirë. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Ai hyn nëpërmjet derës, i thërret delet e Tij me emër dhe u prin deleve të Tij.)

  • Sipas vargut 3, si i udhëhoqi bariu delet e tij për të dalë nga vatha?

  • Sipas vargjeve 4–5, përse delet do të ndiqnin vetëm bariun e tyre?

  • Çfarë i quajti Shpëtimtari ata që u përpoqën të hynin në vadhë nëpërmjet mënyrave të ndryshme, por jo nga dera?

Shpjegoni se farisenjtë ishin mes grupit të njerëzve, të cilëve Jezusi po iu fliste (shih Gjoni 9:41).

  • Si ishin farisenjtë të ngjashëm me vjedhësit, kusarët dhe të panjohurit në një vathë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 10:6, duke kërkuar përgjigjen e farisenjve ndaj mësimeve të dhëna nga Shpëtimtari. Kërkojuni të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se siç shënohet te Gjoni 10:7–16, Shpëtimtari vazhdoi duke dhënë mësim rreth ndryshimeve midis Atij vetë dhe farisenjve. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet 7–10, duke përfshirë Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Jozef Smithit në Biblën në anglisht] te vargu 8, shënimi a në fund të faqes. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar mësimet e dhëna nga Jezusi në këto vargje.

  • Çfarë ideje shtesë rreth vjedhësve jep Joseph Smith Translation për vargun 8?

  • Si mendoni, çfarë donte të thoshte Shpëtimtari kur tha: “Unë jam dera” (vargjet 79)?

Shpjegoni se “barinjtë në Izrael qëndronin te hyrja e vathës dhe inspektonin çdo dele teksa hynte, duke trajtuar dëmtimet nëse nevojitej. Pasi delet mblidheshin në vathë për natën, bariu do të ulej për të fjetur në hyrje, duke penguar udhën që grabitqarët ose vjedhësit nuk mund t’i dëmtonin delet” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 231–232).

  • Si janë veprimet e këtyre barinjve të ngjashme me atë që Shpëtimtari bën për ne?

  • Si mendoni, në ç’mënyrë u jep Shpëtimtari jetë “me bollëk” (Gjoni 10:10) atyre që e ndjekin Atë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 10:11–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ç’gjë tjetër tha Shpëtimtari se bëjnë barinjtë e mirë. Vini në dukje që një argat është dikush shtytja kryesore e të cilit për të punuar është thjesht që të paguhet.

Ftojini disa studentë të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë çfarëdo gjëje tjetër që gjetën rreth Bariut të Mirë nën fjalët Jezu Krishti është Bariu i Mirë. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Ai e jep jetën e Tij për delet e Tij, Ai i njeh delet e Tij dhe Ai njihet nga delet e Tij.)

  • Çfarë është i gatshëm të bëjë një bari, gjë që nuk është i gatshëm ta bëjë një argat?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata e përcaktojnë të vërtetën vijuese: Si Bariu i Mirë, Jezu Krishti e njeh secilin prej nesh dhe e dha jetën e Tij për ne. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë nën fjalët Jezu Krishti është Bariu i Mirë.

Kujtojini studentët për bariun e Lindjes së Mesme, i cili e njihte secilën prej deleve të tij kaq mirë.

  • Sa mirë mendoni se ju njeh Shpëtimtari ju?

  • Si mund të ndikohet mënyra se si jetoni çdo ditë nga të kuptuarit që Shpëtimtari ju njeh dhe ishte i gatshëm të jepte jetën e Tij për ju?

Shpjegoni se pasi Ai dha mësim se do ta jepte jetën e Tij për ne, Shpëtimtari vuri në dukje diçka tjetër që Ai do të bënte. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 10:16. Vëreni klasën të kërkojë se çfarë tjetër tha Shpëtimtari që do të bënte për delet e Tij (domethënë popullin e Tij).

  • Çfarë tha Shpëtimtari që do të bënte për delet e Tij?

  • Çfarë vë në dukje ky varg rreth vendndodhjes së deleve të Tij?

Shpjegoni që Shpëtimtari po u mësonte judenjve në Jerusalem se Ai do t’i vizitonte fëmijët e Perëndisë në toka të tjera, do t’ua mësonte atyre ungjillin e tij dhe do t’i sillte në tufën e Tij (Kishën e Tij). Shpjegoni se Libri i Mormonit hedh dritë mbi këtë varg.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 3 Nefi 15:15–17, 21; 16:1–3. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë referencë në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Gjonit 10:16 ose që ta shenjojnë vargun 16, shënimin a në fund të faqes [në Biblën në anglisht].

  • Si na ndihmojnë këto vargje që të kuptojmë më mirë Gjonin 10:16? (“Delet e tjera” iu drejtohen nefitëve dhe fiseve të humbura, por jo johebrenjve.)

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 10:17–18, duke kërkuar një doktrinë rreth Shpëtimtarit. Ftojini të raportojnë atë që gjejnë. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Si Biri i mirëfilltë i Perëndisë, Jezu Krishti kishte fuqi që ta jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë sërish. Nxitini studentët të shenjojnë fjalët që e japin mësim këtë doktrinë në këto vargje.)

  • Përse kishte Shpëtimtari si aftësinë për të vdekur ashtu edhe aftësinë për t’u ngritur sërish pas vdekjes? (Nga nëna e Tij, Maria, një grua e vdekshme, Jezusi trashëgoi vdekshmërinë, duke përfshirë aftësinë për të vdekur. Nga Elohimi, Ati i Tij, Ai trashëgoi pavdekësinë, fuqinë për të jetuar përgjithmonë. Prandaj, Ai i kishte trashëguar aftësitë për të vdekur dhe për t’u ngritur sërish, të cilat ishin të nevojshme për Jezusin që të ishte në gjendje të kryente Shlyerjen. [Shih mësimin mbi Mateun 1–2.])

Përmblidheni Gjonin 10:19–24 duke shpjeguar që pasi Shpëtimtari i kishte dhënë mësim këto gjëra, njerëzit ishin të ndarë në opinionet e tyre rreth se kush ishte Jezusi. Ata iu afruan Jezusit në tempull dhe e shtynë Atë të shpallte identitetin e Tij të vërtetë si Krishti.

Gjoni 10:25–42

Jezusi shpall se Ai është Biri i Perëndisë

Ftojeni një student/e tjetër të dalë përpara klasës. Lidhjani sytë studentit/es dhe më pas udhëzoni disa studentë të tjerë që të thonë me radhë një fjalë të caktuar (për shembull, “bariu”). Kërkojini studentit/es me sy të lidhur ta dëgjojë secilin person duke thënë fjalën dhe të përcaktojë nëse ai ose ajo mund ta dallojë kush po flet nëpërmjet zërit të atij personi.

  • Përse disa zëra mund të jenë më të lehtë për t’u dalluar sesa të tjerët?

Udhëzojeni studentin/en ta heqë lidhësen e syve dhe të kthehet në karrigen e tij ose të saj. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 10:25–30. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kërkesës së njerëzve për t’u thënë atyre nëse Ai ishte Krishti.

  • Si i përshkroi Shpëtimtari delet e Tij? (Delet e Shpëtimtarit e dëgjojnë zërin e Tij dhe e ndjekin Atë.)

  • Sipas vargut 28, çfarë do të marrin ata që e dëgjojnë zërin e Shpëtimtarit dhe e ndjekin Atë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por jini të sigurt që të theksojnë se, nëse arrijmë ta njohim zërin e Bariut të Mirë dhe e ndjekim Atë, Ai do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë nën fjalët Jezu Krishti është Bariu i Mirë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Gjonit 10:27–28.)

Kujtojeni klasën për studentin/en e dytë me sy të lidhur dhe aftësinë e tij ose të saj për të dalluar zërat e shokëve të klasës.

  • Çfarë mund të bëjmë ne që të arrijmë ta njohim zërin e Shpëtimtarit? (Shih edhe DeB 18:34–36.)

  • Çfarë keni bërë që të njiheni më mirë me zërin e Shpëtimtarit?

  • Në çfarë mënyrash mund të tregojmë se e ndjekim Shpëtimtarin?

Jepuni studentëve kohë të përsiatin se si ata mund ta dëgjojnë më mirë zërin e Shpëtimtarit dhe ta ndjekin më mirë Atë. Në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, ftojini të shkruajnë qoftë 1) një synim për të dëgjuar me më shumë kujdes për zërin e Shpëtimtarit dhe mënyrat e veçanta se si do ta bëjnë këtë, ose 2) një synim për ta ndjekur më mirë zërin e Tij dhe mënyrën se si planifikojnë që ta bëjnë këtë.

Përmblidheni Gjonin 10:31–42 duke shpjeguar se pasi Shpëtimtari dëshmoi që Ai dhe Ati i Tij janë një, udhëheqësit judeas u përpoqën ta vrisnin Atë me gurë për blasfemi. Megjithatë, Ai iu përgjigj akuzimit të tyre duke cituar Psalmin 82:6, i cili thotë: “Unë kam thënë: ‘Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit’”. Shpëtimtari më pas i pyeti judenjtë përse e akuzuan Atë për blasfemi kur tha se Ai ishte Biri i Perëndisë, edhe pse shkrimet e shenjta thonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe mund të bëhemi perëndi vetë.

Mbylleni mësimin duke dëshmuar për të vërtetat dhe parimet e dhëna mësim te Gjoni 10 dhe duke i nxitur studentët t’i zbatojnë ato.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 10:30. “Unë dhe Ati jemi një”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve qartësoi kuptimin e shpalljes që Shpëtimtari është një me Atin e Tij:

“Neni ynë i parë dhe më kryesor i besimit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është: ‘Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë’ [Nenet e Besimit 1:1]. Ne besojmë se këta tre persona hyjnorë që përbëjnë një Kre-Perëndie të vetëm, janë të bashkuar në qëllim, në mënyrë, në dëshmi, në mision. Ne besojmë që Ata mbushen me të njëjtën ndjenjë perëndishmërie të mëshirës dhe dashurisë, drejtësisë dhe hirit, durimit, faljes dhe shëlbimit. Unë mendoj se është e saktë të themi që ne besojmë se Ata janë një në çdo aspekt domethënës dhe të përjetshëm, të përfytyrueshëm, përveç të besuarit që Ata të jenë tre persona të bashkuar në një lëndë, një ide Trinitare që nuk është dhënë asnjëherë në shkrimet e shenjta, sepse nuk është e vërtetë” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40).

Plaku B. H. Roberts, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, na ndihmoi të kuptojmë logjikën e Shpëtimtarit në kundërshtimin e farisenjve, të cilët e akuzuan Atë për blasfemi:

“Le të vihet në dukje që në bashkëbisedimin e mësipërm, kur Jezusi u akuzua se po e bënte veten e Tij Perëndi, Ai nuk e mohoi akuzën; por përkundrazi, ua tërhoqi vëmendjen e tyre drejt faktit që Perëndia, në ligjin që i kishte dhënë Izraelit, u kishte thënë disave prej tyre – ‘ju jeni Perëndi’. Dhe më tej, Jezusi argumentoi se, nëse ata, te të cilët erdhi fjala e Perëndisë, u quajtën Perëndi sipas ligjit judeas, dhe shkrimi i shenjtë në të cilin u shpall fakti, nuk mund të thyhej, që domethënë, e vërteta u mohua ose u kundërshtua [u shpall e pavërtetë ose e pavlefshme] – përse duhej të ankoheshin judenjtë kur Ai, gjithashtu, domethënë Krishti, i cili kishte qenë veçanërisht i shenjtëruar nga Perëndia, Ati, e quajti veten e Tij Biri i Perëndisë?” (New Witnesses for God, 3 vëll. [1909–1911], 1:465–466).

Gjoni 10:27. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim … dhe ato më ndjekin”

Presidenti Harold B. Li dha mësim rreth mënyrave të ndryshme që mund ta dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit:

“Nëse do të jetojmë të denjë, atëherë Zoti do të na udhërrëfejë – nëpërmjet një shfaqjeje vetjake, ose nëpërmjet zërit të Tij të mirëfilltë, ose nëpërmjet zërit të Tij duke ardhur në mendjen tonë, ose nëpërmjet mbresave në zemrën dhe shpirtin tonë. Dhe o, sa mirënjohës duhet të jemi ne nëse Zoti na dërgon një ëndërr, në të cilën na zbulohen bukuritë e përjetësisë apo një paralajmërim dhe drejtim për ngushëllimin tonë të veçantë. Po, nëse jetojmë kështu, Zoti do të na udhëzojë për shpëtimin tonë dhe për përfitimin tonë” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 51–52).

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se si ne mund ta ndjekim Shpëtimtarin:

“Si e ndjekim Shpëtimtarin? Duke ushtruar besim. Duke besuar në Të. Duke besuar në Atin tonë Qiellor. Duke besuar se Perëndia u flet njerëzve në tokë sot.

Ne e ndjekim Shpëtimtarin duke u penduar për mëkatet tona – duke përjetuar hidhërim për shkak të tyre dhe duke i braktisur ato.

Ne e ndjekim Shpëtimtarin duke hyrë në ujërat e pagëzimit dhe duke marrë një heqje të mëkateve tona, duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe duke e lejuar atë ndikim që të na frymëzojë, udhëzojë, udhërrëfejë dhe ngushëllojë.

Si e ndjekim Shpëtimtarin? Duke iu bindur Atij. Ai dhe Ati ynë Qiellor na kanë dhënë urdhërime – jo që të na ndëshkojnë ose mundojnë, por që të na ndihmojnë për të arritur te një plotësi e gëzimit, si në këtë jetë ashtu edhe për përjetësitë që do të vijnë, botët pa fund” (“Follow Me”, Ensign, maj 2002, f. 16–17).