Biblioteka
Hyrje te Letra e Dytë e Palit drejtuar Timoteut


Hyrje te Letra e Dytë e Palit drejtuar Timoteut

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Dytë e Palit drejtuar Timoteut thekson fuqinë që vjen nga të pasurit e një dëshmie për Jezu Krishtin (shih 2 Timoteut 1:7–8). Ajo gjithashtu përmban një profeci për “kohë[t e] vështira” që do të ekzistonin në ditët e Palit e të Timoteut si edhe në ditët e fundit (shih 2 Timoteut 3:1–7). Për ta ndihmuar Timoteun me sfidat që ai hasi, Pali e nxiti atë të mirëbesonte në shkrimet e shenjta dhe tek udhëheqësit e Kishës (shih 2 Timoteut 3:14–17) dhe të mbështetej në doktrinën e vërtetë (shih 2 Timoteut 4:2). Nga studimi i këtij libri, studentët do të mësojnë doktrina dhe parime që mund t’i ndihmojnë të jetojnë me besnikëri ndërsa përjetojnë kohët e vështira të ditëve të mëvonshme.

Kush e shkroi këtë libër?

Pali e shkroi 2 Timoteut (shih 2 Timoteut 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Letra e Dytë e Palit drejtuar Timoteut ka të ngjarë të jetë shkruar diku mes viteve 64 e 65 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101, scriptures.lds.org). Pali e shkroi letrën ndërkohë që ishte në burg në Romë për herë të dytë, pak përpara martirizimit të tij (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101).

Gjatë burgimit të tij, Pali ishte me pranga (shih 2 Timoteut 1:16; 2:9), ka të ngjarë të ketë qenë në qeli ose birucë dhe i ekspozuar ndaj kushteve klimaterike (shih 2 Timoteut 4:13, 21) dhe miqtë e tij e patën të vështirë ta gjenin se ku ndodhej (shih 2 Timoteut 1:17). Lluka me gjasë do të ketë qenë i vetmi vizitor i tij i rregullt (shih 2 Timoteut 4:11) dhe Pali e priste që jetës së tij po i vinte fundi (shih 2 Timoteut 4:6–8).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Në këtë letër Pali e nxiti Timoteun dhe i dha forcë që ta ndihmonte atë të vazhdonte punën pas vdekjes së pashmangshme të Palit. Pali ishte në dijeni se koha e tij qe e shkurtër dhe ai dëshironte ta takonte Timoteun, të cilin Pali në mënyrë figurative e quante “bir të dashur” (2 Timoteut 1:2).

Në përfundim të letrës së tij, Pali kërkoi që Timoteu dhe Marku ta vizitonin atë dhe t’i sillnin disa gjëra që i kishte lënë pas (shih 2 Timoteut 4:9–13). Edhe pse letra e Palit i drejtohej veçanërisht Timoteut, këshilla në të mund të zbatohet për ata që jetojnë në “ditët e fundit” (2 Timoteut 3:1), sepse Pali dha mësim për sfidat dhe zgjidhjen [e problemeve] që lidhen me ditët tona sikurse edhe me ditët e tij.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Kjo letër është një nga letrat apostolike bashkë me 1 Timoteut dhe Titit, dhe “përmban fjalët e fundit të Palit dhe tregon kurajën dhe besimin e mrekullueshëm me të cilin ai përballoi vdekjen” (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101). Sipas rendit kronologjik, 2 Timoteut shfaqet të jetë letra e fundit e Palit në Dhiatën e Re (shih 2 Timoteut 4:6).

Kjo letër përmban disa nga reflektimet e Palit për bekimet dhe vështirësitë e të shërbyerit si “predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve” (2 Timoteut 1:11). Pali shpalli: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë” (2 Timoteut 4:7–8), që tregon se ai kishte një bindje vetjake se do ta trashëgonte jetën e përjetshme. Si dikush që kishte shërbyer mbi 30 vjet për Jezu Krishtin, Pali ishte në një rrethanë tejet të mirë për ta udhëzuar Timoteun mbi mënyrën se si të shërbente me efektshmëri për t’ua forcuar besimin të tjerëve (shih 2 Timoteut 2:15–17, 22–26; 4:1–2, 5).

Përmbledhje

2 Timoteut 1 Pali flet për dhuntinë dhe fuqinë e Perëndisë që merret nëpërmjet shugurimit në priftëri. Ai jep mësim se “frym[a e] frik[ës]” (2 Timoteut 1:7) nuk vjen nga Perëndia dhe se ne nuk duhet të kemi turp nga dëshmia jonë për Jezu Krishtin. Pali dëshmon se Jezu Krishti e thirri atë të predikonte ungjillin (shih 2 Timoteut 1:11).

2 Timoteut 2 Pali përdor shëmbëlltyrën e ushtarit të mirë, një vrapuesi fitimtar dhe një bujku punëtor për të ilustruar nevojën [që kemi] për t’i duruar vështirësitë me qëllim që të marrim lavdi të përjetshme. Ai i krahason mësuesit e vërtetë me ato të rremë dhe enët nderuese me ato çnderuese. Ai e paralajmëron Timoteun t’i shmangë kundërshtimet dhe t’i mësojë me durim ata që duhet të pendohen.

2 Timoteut 3–4 Pali përshkruan kushtet e liga të ditëve të fundit dhe e nxit Timoteun t’i përdorë shkrimet e shenjta në rolin e tij si udhëheqës priftërie. Ai shkruan për vdekjen e tij të pashmangshme dhe shpall: “E ruajta besimin” (2 Timoteut 4:7). Pali dëshmon se Zoti do ta ruajë atë për “mbretërinë e tij qiellore” (2 Timoteut 4:18).