Biblioteka
Mësimi 101: Romakëve 8–11


Mësimi 101

Romakëve 8–11

Hyrje

Pali dha mësim rreth bekimeve të të qenit i lindur shpirtërisht dhe nënshtrimit ndaj vullnetit të Atit Qiellor. Ai dha mësim edhe rreth mospranimit nga ana e Izraelit të besëlidhjes së Perëndisë dhe rreth përhapjes së ungjillit mes johebrenjve.

Sugjerime për Mësimdhënien

Romakëve 8

Pali përshkruan bekimet e të qenit i lindur shpirtërisht

Fillojeni mësimin duke bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë është një trashëgimi?

  • Nëse do të trashëgonit pasurinë e dikujt, pasurinë e kujt do të zgjidhnit dhe përse?

  • Kush e trashëgon zakonisht pasurinë e dikujt?

Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë bekimet që mund të marrë dikush si një trashëgimtar i të gjitha pasurive të Atit Qiellor. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Romakëve 8:1–18, të kërkojnë atë që duhet të bëjmë ne për të trashëguar gjithçka që ka Ati Qiellor.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Romakët 8:1, 5–7, 13. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth të ecurit “sipas mishit” ose nënshtrimit ndaj prirjes për të mëkatuar dhe të ndjekurit “sipas Frymës” (vargu 5).

  • Çfarë do të thotë të kesh “mendj[e të] kontrolluar nga mishi”? (vargu 6). (Të jesh i përqendruar te kënaqja e pasioneve dhe epsheve të trupit fizik.)

  • Çfarë do të thotë të kesh “mendj[e të] kontrolluar nga Fryma”? (vargu 6).

Shpjegoni se t’i “bë[jmë] të vdesin veprat e trupit” (vargu 13) do të thotë t’i bëjmë të vdesin ose t’i nënshtrojmë dobësitë, tundimet dhe mëkatet që lidhen me trupin tonë të vdekshëm (shih vargun 13, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]; Mosia 3:19).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 13 rreth asaj që mund të na ndihmojë për ta mposhtur prirjen e njeriut natyror për të mëkatuar? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e ndjekim ndikimin e Shpirtit, ne mund ta mposhtim prirjen e njeriut natyror për të mëkatuar. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 8:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i quan Pali ata që e ndjekin Shpirtin.

  • Si i quan Pali ata që e ndjekin Shpirtin? (Shpjegoni se fjala bij në këtë kontekst do të thotë si bij edhe bija [shih DeB 25:1].)

Vini në dukje frazën “frymën e birërisë” (vargu 15). Shpjegoni se “frym[a j]onë” (vargu 16), do të thotë që trupi ynë shpirtëror u krijua nga Ati Qiellor, duke e bërë çdo person në mënyrë të drejtpërdrejtë një fëmijë shpirtëror të Atit Qiellor. Megjithatë, është me anë të bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet ordinancave dhe më pas, mbajtjes së atyre besëlidhjeve, që njerëzit rilinden shpirtërisht, ose birësohen, si bijtë dhe bijat e Tij në besëlidhjen e ungjillit. Shoqërimi i Frymës së Shenjtë tregon se njerëz të tillë nuk janë vetëm fëmijë shpirtërorë të Perëndisë për shkak të fuqisë së krijimit, por ata janë edhe fëmijët e Tij të besëlidhjes.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 8:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë mund të bëhen fëmijët besëlidhës të Perëndisë.

  • Çfarë mund të bëhen fëmijët besëlidhës të Perëndisë? (Shkruajeni parimin vijues në tabelë, duke lënë një hapësirë bosh në vend të fjalës besnik: Nëse jemi fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin për gjithçka që ka Ati Qiellor.)

  • Çfarë është një bashkëtrashëgimtar? (Dikush që merr një trashëgimi të barabartë me bashkëtrashëgimtarët e tjerë.)

  • Sipas vargut 17, çfarë duhet të bëjnë fëmijët besëlidhës të Perëndisë që të bëhen bashkëtrashëgimtarë me Krishtin?

Shpjegoni se të “vuajmë me [Jezu Krishtin]” (vargu 17) nuk do të thotë se ne duhet të vuajmë atë që vuajti Shpëtimtari si pjesë e flijimit të Tij shlyes. Përkundrazi, ashtu si Shpëtimtari, ne duhet t’ia mohojmë vetes gjithë paperëndishmërinë, t’i zbatojmë urdhërimet dhe ta durojmë kundërshtimin me besnikëri (shih Mateu 16:24; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 16:26 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Shtojeni fjalën besnik për të plotësuar parimin në tabelë. Vizatoni në dërrasë një tabelë me tre kolona. Emërtojeni kolonën e parë Kërkesat, kolonën e mesit Kundërshtimi dhe kolonën e tretë Trashëgimia. Renditini përgjigjet e studentëve për pyetjet vijuese në kolonat e duhura.

  • Cilat janë disa nga gjërat që na kërkohet të bëjmë që të konsiderohemi fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë?

  • Cilët janë disa nga shembujt e kundërshtimit që ne mund të përjetojmë ndërsa përpiqemi të jetojmë si fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë?

  • Çfarë bekimesh mund të trashëgojmë nga Ati Qiellor nëse përpiqemi të jetojmë si fëmijë besnikë besëlidhës të Tij? (Një përgjigje e mundshme është që ne mund të bëhemi si Ati Qiellor [shih Romakëve 8:17, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht].)

Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi listat në tabelë.

  • Pasi lexoni mësimet e Palit te vargu 18, si mendoni ju se krahasohen bekimet me kërkesat e të qenit bashkështrashëgimtarë me Krishtin? Përse?

Shpjegoni se te Romakëve 8:19–30, ne lexojmë që Pali dha mësim se Shpirti na ndihmon në dobësitë tona dhe na ndihmon të dimë atë për të cilën duhet të lutemi. Ne gjithashtu lexojmë se Jezu Krishti u thirr në jetën para lindjes për të qenë Shpëtimtari i fëmijëve të Perëndisë (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Romakëve 8:29–30 [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Shënim: Te Romakëve 8:29–30, fjala i paracaktuar do të thotë i parashuguruar ose i thirrur. Studentët do t’i studiojnë disa nga mësimet e Palit mbi parashugurimin në mësimin mbi Efesianët 1.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Romakëve 8:28, 31–39. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që dha mësim Pali rreth dashurisë së Perëndisë që lidhen me kundërshtimin, sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë. Vini në dukje se Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] i Romakëve 8:31 e zëvendëson frazën “të jetë kundër” me “triumfoj” (shih vargun 31, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një mori të vërtetash, duke përfshirë sa vijon: Nëse e duam Perëndinë, të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë. Nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund t’i mposhtim të gjitha sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë. Asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, e cila shfaqet në Shlyerjen e Jezu Krishtit.)

  • Si mund të na ndihmojnë Jezu Krishti dhe mësimet e Tij për t’i mposhtur sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë?

  • Duke marrë parasysh sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë që ju keni përjetuar, cilat thënie në këto vargje ju bëjnë përshtypje? Përse?

  • Si e keni përjetuar dashurinë e Perëndisë në mes të sfidave dhe mundimeve tuaja?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që ndihen të nxitur të bëjnë, kështu që nëpërmjet Jezu Krishtit, ata të mund t’i mposhtin sfidat dhe mundimet e tyre. Nxitini ata që ta zbatojnë atë që shkruan.

Romakëve 9–11

Pali jep mësim rreth mospranimit nga ana e Izraelit të besëlidhjes së Perëndisë dhe sjelljes së ungjillit te johebrenjtë

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh mënyrën se si do të reagonin në skenarët vijues:

  1. Ju e shoqëroni peshkopin tuaj që të vizitojë një të ri familja e të cilit është aktive në Kishë, por ai nuk është. Kur peshkopi juaj përpiqet me dashamirësi që ta ndihmojë të riun të kuptojë pasojat e të mos jetuarit të ungjillit, i riu thotë: “Mos u shqetësoni. Unë jam pagëzuar dhe prindërit e mi janë aktivë. Perëndia nuk do të më heqë asnjë bekim”.

  2. Kohët e fundit ju u bëtë shoqe me një të re të një besimi tjetër. Ajo ju pyet rreth standardeve sipas të cilave ju jetoni. Pasi ju i përshkruani disa nga standardet e Zotit, ajo thotë: “Nuk e kuptoj përse e bën të gjithë këtë. Gjithçka që duhet të bësh për të shpëtuar është të besosh në Jezu Krishtin”.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Romakëve 9–11, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të kuptojnë se çfarë kërkohet për t’i marrë bekimet e ungjillit.

Ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues rreth mësimeve të Palit te Romakët 9–11:

Siç shënohet te Romakët 9–11, Pali përdori termat Izrael dhe izraelitë në vend të fjalës judenj kur diskutoi mbi zgjedhjet që kishin bërë shumë judenj. Fëmijët besëlidhës të Perëndisë ndonjëherë quhen si shtëpia e Izraelit. Në kohën e Dhiatës së Vjetër, Perëndia i zgjodhi pasardhësit e Jakobit, ose të Izraelit, që të ishin pjesë e besëlidhjes së Tij me Abrahamin (shih Romakëve 9:4–5), e cila përfshinte bekime të mëdha të tilla si ungjillin, autoritetin e priftërisë, pasardhjen e përjetshme, një tokë trashëgimi dhe përgjegjësinë e bekimit të botës me ungjillin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Romakëve 9:6, 8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth pjesëtarëve të shtëpisë së Izraelit.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Pali me frazën “jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael”? (vargu 6). (Shumë judenj besonin gabimisht se linja e prejardhjes së tyre nëpërmjet Abrahamit u garantonte atyre bekimet e besëlidhjes.)

Shpjegoni se te Romakëve 9:25–30, ne lexojmë që Pali dha mësim se judenjtë që u bashkuan me Kishën mund t’i merrnin të gjitha bekimet e besëlidhjes dhe të bëheshin të drejtë duke ushtruar besim në Jezu Krishtin.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Romakëve 9:31–33; 10:1–4. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si disa izraelitë në kohën e Palit u përpoqën të bëheshin të drejtë para Perëndisë. Shpjegoni se “ligji [i] drejtësisë” (Romakëve 9:31) i referohet ligjit të Moisiut; “guri [i] pengesës” (Romakëve 9:32, 33) është Jezu Krishti; dhe “drejtësi[a] e Perëndisë” (Romakëve 10:3) i referohet Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.

  • Sipas Romakëve 9:31–33, në ç’mënyrë ishin përpjekur disa izraelitë për t’u bërë të drejtë përpara Perëndisë? (Duke i kryer me përpikëri veprat e ligjit të Moisiut.)

  • Sipas Romakëve 10:3–4, çfarë kishin refuzuar këta izraelitë? (Jezu Krishtin dhe drejtësinë e bërë të mundur nëpërmjet Tij.)

Shpjegoni që siç shënohet te Romakëve 10:8–13, Pali shpjegoi se si mund të merret “drejtësi[a] që vjen nga besimi” (Romakëve 9:30). Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Romakëve 10:8–13. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ta marrim këtë gjendje drejtësie.

  • Çfarë duhet të bëjë një njeri për ta marrë drejtësinë që vjen nga besimi?

Shpjegoni se fjala greke e përkthyer si rrëfejvargun 9 tregon një pranim të hapur miratues, ose një besëlidhje, dhe fjala greke e përkthyer si besoj tregon një zotim mirëbesues. Ky mirëbesim i thellë te Shpëtimtari bën që njerëzit ta miratojnë hapur pranimin e Tij nga ana e tyre në mënyrat që i ka caktuar Ai. Këto mënyra të shuguruara përfshijnë bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë, pendimin dhe marrjen e ordinancave shpëtuese të tilla si pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  • Sipas mësimeve të Palit, çfarë duhet të bëjmë ne nëse dëshirojmë që t’i marrim bekimet e besëlidhjeve të Perëndisë, përfshirë shpëtimin? (Ndihmojini studentët që të përcaktojnë parimin vijues: Nëse e pranojmë dhe i bindemi Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, ne mund t’i marrim bekimet e besëlidhjeve të Perëndisë dhe të shpëtohemi. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Vini në dukje se disa njerëz i kanë përdorur [vargjet] te Romakëve 10:9, 13, për të pretenduar se gjithçka që duhet të bëjmë për t’u shpëtuar është të rrëfejmë gojarisht besimin tonë në Jezu Krisht. Kujtojuni studentëve skenarët e paraqitur më herët në mësim.

  • Si mund t’ju ndihmojnë të vërtetat në këtë mësim për të reaguar në këta skenarë?

Përmblidheni pjesën tjetër të Romakëve 10–11, duke shpjeguar që Pali dha mësim se të dëgjuarit e fjalës se Perëndisë është thelbësor për zhvillimin e besimit në Krisht. Ai përdori analogjinë e shartimit të degëve nga një pemë ulliri e egër te një pemë ulliri e butë për të paraqitur birësimin e johebrenjve në shtëpinë e Izraelit (shih edhe Jakobi [LiM] 5:3–14). Ai dha gjithashtu mësim se ungjilli do t’u çohej sërish judenjve.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Romakëve 8:14–17. “Jemi bij të Perëndisë”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për trashëgiminë tonë shpirtërore si fëmijë të Perëndisë:

“Ati juaj në Qiell e di emrin tuaj dhe i njeh rrethanat tuaja. Ai i dëgjon lutjet tuaja. Ai i di shpresat dhe ëndrrat tuaja, përfshirë frikat dhe zhgënjimet tuaja. Dhe Ai e di se çfarë mund të bëheni nëpërmjet besimit në Të. Për shkak të kësaj trashëgimie hyjnore, ju së bashku me të gjithë motrat dhe vëllezërit tuaj shpirtërorë, keni barazi të plotë në sytë e Tij dhe fuqizoheni nëpërmjet bindjes që të bëheni një trashëgimtar/e i/e ligjshëm/me në mbretërinë e Tij të përjetshme, një ‘trashëgimtar[/e i/e] Perëndisë, dhe bashkëtrashëgimtar[/e me] Krishti[n]’ [Romakëve 8:17]. Përpiquni ta kuptoni domethënien e këtyre doktrinave (“Drejtuar të Rejave”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 28; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 40).

“Shkrimet e shenjta flasin për ne si ‘bij të Perëndisë’ në më shumë se një kuptim (Romakëve 8:16). Së pari, çdo qenie njerëzore është me të vërtetë një fëmijë shpirtëror i dashur i Atit Qiellor (shih Malakia 2:10; Veprat e Apostujve 17:29; Hebrenjve 12:9; ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Së dyti, ne ‘rilindemi’ si fëmijë të Perëndisë nëpërmjet një marrëdhënieje besëlidhëse kur ne tregojmë besim te Jezu Krishti, pendohemi, pagëzohemi dhe marrim Frymën e Shenjtë [dhe ordinanca të tjera] (shih Gjoni 1:12; Galatasve 3:26–29; Mosia 5:7; DeB 11:30; [DeB 84:33–38;] Moisiu 6:65–68)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 348).

Jo vetëm që Shpirti mund të pohojë se ne jemi fëmijë besëlidhës të Perëndisë, por ai gjithashtu mund t’i vërtetojë frymës sonë se ne jemi me të vërtetë fëmijë të dashur të Perëndisë dhe se jetuam me Të përpara se të lindeshim.

Romakëve 8:15. “Frymën e birërisë”

“Birësimi ishte i zakonshëm në botën romake dhe do të ketë qenë një koncept i njohur për lexuesit e Palit. Një njeri që e birësonte dikë ligjërisht, i jepte atij personi të gjitha të drejtat dhe privilegjet që do të kishte një fëmijë i lindur në mënyrë të natyrshme. Prandaj, kur marrim ‘frymën e birërisë’ (Romakëve 8:15) nëpërmjet hyrjes në besëlidhjen e ungjillit, ne bëhemi fëmijë të Perëndisë dhe ‘bashkëtrashëgimtarë [me] Krishtin’ (Romakëve 8:17)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 348).

Në Librin e Mormonit, mbreti Beniamin dha gjithashtu mësim mbi mënyrën se si ne mund të bëhemi “fëmijë [të] Krishtit” (shih Mosia 5:5–10). Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se edhe Jezu Krishti “bëhet Ati ynë” për shkak se Ai “na jep jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes të cilën e bëri për ne”. Presidenti Smith shpjegoi: “Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona për t’iu bindur atij” (Doctrines of Salvation, përpil. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).

Romakëve 8:31–32. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”

“Pali dha mësim se Shlyerja e Krishtit tregon se ‘Perëndia është me ne’ dhe është zotuar ndaj nesh dhe mirëqenies sonë të përjetshme. Për shkak se Perëndia e dha Birin e Tij të Vetëmlindur për ne, ne mund të jemi të sigurt se Perëndia do të vazhdojë të punojë për shpëtimin tonë dhe do të na përgatitë që të jemi trashëgimtarë të gjithçkaje që Ai do të na japë. Plaku Xhefri R. Holland, i këshilloi në mënyrë të ngjashme anëtarët e Kishës:

‘Duke marrë parasysh çmimin e paimagjinueshëm të Kryqëzimit dhe Shlyerjes, unë ju premtoj se Ai nuk do të na e kthejë shpinën e Tij tani. … Vëllezër dhe motra, cilido qoftë shqetësimi juaj, ju lutem mos u dorëzoni’ (‘Gjëra të Rrënuara për t’u Rimëkëmbur’, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 71; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 106)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 350).

Romakëve 8:29–30; 9:11; 11:2, 5, 7, 28. Paracaktim, parashugurim dhe zgjedhje

“Te Romakëve 8:29–30, termi grek i përkthyer si paracaktoj do të thotë ‘të caktosh ose të vendosësh që më parë’ dhe i referohet parashugurimit që marrin disa njerëz, bazuar në njohurinë paraprake të Perëndisë, për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’u bërë si Ai (shih edhe Efesianëve 1:3–4; 1 Pjetër 1:2). ‘Parashugurimi nuk garanton se individët do të marrin thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Mundësi të tilla vijnë në këtë jetë si rezultat i ushtrimit të drejtë të lirisë së zgjedhjes, pikërisht ashtu siç erdhi parashugurimi si një rezultat i drejtësisë në ekzistencën para lindjes’ (‘Parashugurim’, Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 114; shih edhe Alma 13:3–4)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 350).

Fjalori Biblik shpjegon se zgjedhje është “një term teologjik që tregon kryesisht zgjedhjen nga ana e Perëndisë të shtëpisë së Izraelit që të jenë populli i besëlidhjes me privilegje dhe përgjegjësi, që ata të mund të bëhen mjete për ta bekuar të gjithë botën. …

Të zgjedhurit zgjidhen madje ‘përpara krijimit të botës’, prapëseprapë askush nuk zgjidhet në mënyrë të pakushtëzuar për jetën e përjetshme. Secili prej nesh, vetë, duhet ta dëgjojë ungjillin dhe t’i marrë ordinancat dhe besëlidhjet nga duart e shërbëtorëve të Zotit me qëllim që të marrë shpëtimin. Nëse një njeri zgjidhet, por nuk shërben, zgjedhja e tij mund të thuhet se ka qenë e kotë, ashtu siç u shpreh Pali te 2 Korintasve 6:1.

… Një ‘zgjedhje [e] hirit’ e thënë te … Romakët 11:1–5 i referohet gjendjes së një njeriu në vdekshmëri; që do të thotë, të lindesh në një kohë, në një vend dhe në rrethana ku një njeri do të bjerë në kontakt të favorshëm me ungjillin. Kjo zgjedhje u bë në jetën para lindjes. Ata që janë besnikë dhe të zellshëm në ungjill në vdekshmëri, marrin një zgjedhje edhe më të dëshirueshme në këtë jetë dhe bëhen të zgjedhurit e Perëndisë. Këta marrin premtimin e plotësisë së lavdisë së Perëndisë në përjetësi (DeB 84:33–41)” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Election” [Zgjedhje]; shih edhe Alma 13:3–4).

Profeti Jozef Smith shpjegoi se “zgjedhja e pakushtëzuar e individëve për jetën e përjetshme, [paracaktimi], nuk u dha mësim nga Apostujt. Perëndia zgjodhi apo paracaktoi, se të gjithë ata që do të shpëtoheshin, do të shpëtoheshin në Krishtin Jezus dhe nëpërmjet bindjes ndaj Ungjillit” (në History of the Church, 4:360). Që do të thotë, se të gjithë njerëzit që do të shpëtohen, do ta marrin shpëtimin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Romakëve 11:25. “Tërësia e johebrenjve”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë “tërësia e johebrenjve”:

“Pati një periudhë ose kohë të caktuar për judenjtë që ta dëgjonin fjalën dhe më pas një periudhë kohe për johebrenjtë që të kishin përparësi. Koha e johebrenjve është periudha gjatë së cilës ungjilli shkon tek ata sipas dëshirës së tyre dhe kjo do të vazhdojë derisa ata të kenë pasur një mundësi të plotë për ta pranuar të vërtetën, ose me fjalë të tjera deri në tërësinë e johebrenjve. Më pas mesazhi do të shkojë sërish te judenjtë, që do të thotë te judenjtë si një komb dhe si një popull” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:290).

Shekuj përpara se Pali t’i shkruante letrat e tij, Nefi u mësoi vëllezërve të tij se do të ishte përmes tërësisë së johebrenjve në ditët e mëvonshme që ungjilli do t’i çohej pasardhjes së tij dhe pasardhjes së vëllezërve të tij. Kjo do t’u mundësonte atyre që të “vi[nin] në njohurinë e Shëlbuesit të tyre dhe të pikave kryesore të doktrinës së tij, që ata mund të din[in] si të vi[nin] tek ai dhe të shpëtohe[shin]” (1 Nefi 15:14). Kjo mbledhje e farës së Lehit është pjesë e shartimit në ditët e mëvonshme të degëve natyrale në pemën e ullirit, siç u profetizua nga Pali dhe Zenosi (shih Romakëve 11:23–25; Jakobi [LiM] 5:52, 60, 63, 67–68).

Kur engjëlli Moroni iu shfaq Profetit Jozef Smith në vitin 1823, Moroni tha se “plotësia për johebrenjtë do të vinte shpejt” (Joseph Smith — Historia 1:41).