Biblioteka
Mësimi 147: 2 Pjetër 2–3


Mësimi 147

2 Pjetër 2–3

Hyrje

Pjetri paralajmëroi se profetët dhe mësuesit e rremë e çojnë popullin në udhë të gabuar. Ai profetizoi se në ditët e fundit të ligjtë do të tallen me të drejtët që besojnë se Jezu Krishti do të kthehet. Pjetri i nxiti shenjtorët që të përgatiten me zell për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Pjetër 2

Pjetri paralajmëron rreth të qenit të mashtruar nga mësues të rremë

Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Përse njerëzit mund të zgjedhin të mëkatojnë edhe kur e dinë se ajo që po bëjnë është e gabuar?

Ftojini studentët të përsiatin mbi këtë pyetje dhe më pas kërkojuni disa prej tyre që t’i raportojnë përgjigjet e tyre.

Shpjegoni që te 2 Pjetri 2, ne lexojmë se Apostulli Pjetër i paralajmëroi shenjtorët rreth njerëzve që po përpiqeshin t’i mashtronin ata. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Pjetrin 2, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë për të dalluar dhe për të shmangur mashtrimet që çojnë në mëkat.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 2:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar paralajmërimin e Pjetrit rreth asaj se cilët do të përpiqeshin t’i mashtronin shenjtorët.

  • Për kë i paralajmëroi Pjetri shenjtorët?

  • Çfarë na mësojnë këta profetë dhe mësues të rremë? (Shpjegoni se “herezi shkatërruese” [vargu 1] janë mësimet e rreme dhe të dëmshme.)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Pjetri rreth asaj që mësuesit e rremë kërkojnë të na bëjnë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Mësuesit e rremë kërkojnë të na mashtrojnë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të mbajnë vesh për atë që mësuesit e rremë na mësojnë sot me qëllim që të na mashtrojnë.

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Profetë të rremë dhe mësues të rremë janë ata që shpallin se Profeti Jozef Smith ishte një mashtrues hipokrit; ata e vënë në dyshim Vegimin e Parë si një përvojë të mirëfilltë. Ata shpallin se Libri i Mormonit dhe veprat e tjera kanonike nuk janë anale të lashta të shkrimit të shenjtë. Ata gjithashtu përpiqen ta ripërkufizojnë natyrën e Kreut-Perëndi dhe e mohojnë se Perëndia iu ka dhënë dhe vazhdon t’iu japë zbulesë sot profetëve të Tij të shuguruar dhe të mbështetur. …

Profetë të rremë dhe mësues të rremë janë gjithashtu ata që përpiqen t’i ndryshojnë doktrinat e dhëna nga Perëndia dhe me bazë në shkrimin e shenjtë, të cilat e mbrojnë shenjtërinë e martesës, natyrën hyjnore të familjes dhe doktrinën thelbësore të moralshmërisë vetjake. Ata përkrahin një ripërkufizim të moralshmërisë për të shfajësuar kurvërinë, shkeljen e kurorës dhe marrëdhëniet homoseksuale” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63, 64).

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim raste kur ata mund të kenë hasur mësime ose mesazhe nga mësues të rremë.

  • Përse është e dobishme të jesh në dijeni të mesazheve dhe mësimeve nga mësues të rremë?

Përmblidheni 2 Pjetrin 2:4–17, duke shpjeguar se Pjetri dha disa shembuj të asaj që i kishte ndodhur njerëzve, të cilët kishin ndjekur mësues të rremë në të shkuarën. Pjetri dha gjithashtu shembuj të individëve që nuk ishin ndikuar nga mësues të rremë. Më pas Pjetri përshkroi sjelljen e ligë të mësuesve të rremë.

Pamja
grep peshkimi, krimb

Paraqitni një kallam peshkimi dhe disa karrema artificialë apo natyralë, ose paraqitni apo vizatoni në tabelë figura të këtyre sende. (Nëse do të kishte një mënyrë tjetër më të njohur të kapjes së peshkut për studentët tuaj, përdorni sende apo figura që e tregojnë atë metodë.)

Shpjegoni se një nga mënyrat se si një peshkatar kap peshk është duke përdorur karrema artificialë apo natyralë për ta joshur peshkun drejt kurthit ose që ta kafshojë grepin. Ftojini studentët të marrin në shqyrtim mënyrën se si teknikat e një peshkatari janë si ato të një mësuesi të rremë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 2:18–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si mësuesit e rremë i joshin shenjtorët që t’i ndjekin mësimet e tyre.

  • Si i joshin dhe i mashtrojnë mësuesit e rremë anëtarët e Kishës? (Vini në dukje se disa mësues të rremë mund të jenë të sinqertë, por ata vetë janë mashtruar.)

  • Në ç’mënyrë janë mësimet e profetëve dhe të mësuesve të rremë si një karrem apo mizë artificiale peshkimi?

  • Sipas vargut 19, çfarë premtojnë këta mësues të rremë? (“Liri.” Me fjalë të tjera, ata japin mësim se mëkati, në vend të bindjes ndaj urdhërimeve, çon drejt një lirie më të madhe.)

Shtojeni këtë tek e vërteta në tabelë, në mënyrë që ajo të thotë si vijon: Mësuesit e rremë kërkojnë të na mashtrojnë duke na bërë të besojmë se mëkati çon drejt një lirie më të madhe.

Ftojini studentët të lexojnë sërish në heshtje vargun 19, duke kërkuar atë që u ndodh njerëzve që mposhten nga mësimet e rreme dhe mëkati.

  • Çfarë u ndodh njerëzve që mposhten nga mësimet e rreme dhe mëkati? (Ata bëhen skllevër të tyre.)

  • Cilat janë disa mësime të rreme që duket sikur nxitin lirinë, por në të vërtetë çojnë në robëri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 2:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri dha mësim rreth atyre njerëzve që kthehen në mëkat pasi i kanë shpëtuar atij.

  • Si mendoni ju, përse ata që “shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të … Jezu Krisht[it]” (vargu 20) mund të tundohen që të kthehen në udhët e tyre mëkatare?

  • Çfarë këshille do të jepnit që ta ndihmonit dikë për të qëndruar besnik ndaj Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij në vend që të kthehet te mëkatet e mëparshme?

2 Pjetër 3

Pjetri dëshmon për Ardhjen e Dytë

Shpjegoni që kur Pjetri e përfundoi letrën e tij, ai u kujtoi shenjtorëve Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe i mësoi ata se si të përgatiteshin për të. Përmblidheni 2 Pjetrin 3:1–9, duke shpjeguar që Pjetri dha mësim se në ditët e fundit disa njerëz do të talleshin e do t’i përqeshnin ata që besonin në Ardhjen e Dytë.

Kërkojuni disa studentëve të shpjegojnë se përse ata besojnë në Ardhjen e Dytë, ndonëse shumë njerëz nuk besojnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 3:10–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pjetri rreth Ardhjes së Dytë. Shpjegoni që sjelljevargun 11 do të thotë qëndrim (shih 1 Timoteut 4:12, poshtëshënimin c [në variantin shdm të Biblës në anglisht]), dhe “shpejtuar” në vargun 12 do të thotë ta presësh diçka me padurim.

  • Sipas vargut 10, çfarë dha mësim Pjetri rreth Ardhjes së Dytë?

  • Sipas vargjeve 11–14, çfarë këshille u dha Pjetri shenjtorëve që t’i përgatiste ata për Ardhjen e Dytë? (Të jetonin jetë të shenjta e të perëndishme, të shpresonin e të prisnin me padurim Ardhjen e Dytë, dhe të përpiqeshin me zell që të gjendeshin “të papërlyer dhe të paqortueshëm” [vargu 14].)

Shpjegoni se fraza “të papërlyer dhe të paqortueshëm” (vargu 14), do të thotë të jesh i pastër nga mëkati. Ata që janë të pastër nga mëkati, janë pajtuar me Perëndinë dhe do të gjenden në paqe me Shpëtimtarin kur Ai të vijë.

  • Si do ta përmblidhnit një parim që u dha mësim nga Pjetri, rreth mënyrës se si mund të përgatitemi ne për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit duke jetuar jetë të perëndishme dhe duke e pritur me padurim Ardhjen e Tij. Shpjegoni se “duke e pritur” mund të nënkuptojë që ne po e presim me padurim Ardhjen e Shpëtimtarit.)

  • Cilat janë disa nga gjërat që ne mund të bëjmë për të jetuar një jetë të perëndishme ndërsa e presim me padurim Ardhjen e Dytë?

Përmblidheni 2 Pjetrin 3:15–18, duke shpjeguar se Pjetri dha një paralajmërim rreth rënies në ligësi. Ai i ftoi shenjtorët të “rrit[eshin], në hirin dhe në njohjen e Zotit” (vargu 18).

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e dhëna mësim te 2 Pjetri 2–3. Ftojini studentët që të përpiqen t’i dallojnë e t’i shmangin mësimet e rreme dhe të përgatiten me zell për Ardhjen e Dytë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Pjetër 3:12. “Ardhj[a] e ditës së Perëndisë”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për Ardhjen e Dytë të Krishtit:

“[Në Ardhjen e Dytë] një përvojë në dukje e pamundur [do të ndodhë]: ‘Gjithë mishi’, thotë Zoti, ‘do të më shohë së bashku’ [DeB 101:23]. Si do të ndodhë ajo? Ne nuk e dimë. Por unë dëshmoj se do të ndodhë – pikërisht siç u profetizua. Ne do të biem në gjunjë me nderim ‘dhe Zoti do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë’ [DeB 45:49]. ‘Ai do të jetë … sikurse zëri i shumë ujërave dhe sikurse zëri i një bubullime të madhe’ [DeB 133:22]. ‘[Atëherë] Zoti, … Shpëtimtari, do të rrijë më këmbë mes popullit të tij’ [DeB 133:25]. …

Në atë ditë skeptikët do të jenë të heshtur, ‘sepse çdo vesh do ta dëgjojë … dhe çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë’ [DeB 88:104] se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës” (“Ardhtë Mbretëria Jote”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 122).