Biblioteka
Mësimi 30: Mateu 26:1–30


Mësimi 30

Mateu 26:1–30

Hyrje

Dy ditë para Pashkës, Juda komplotoi me udhëheqësit judeas që donin ta vritnin Jezusin. Natën e Pashkës, Jezusi paraqiti sakramentin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 26:1–16

Juda komploton me udhëheqësit judeas që duan ta vrasin Jezusin

Përpara fillimit të orës mësimore, përgatitni një tavolinë duke e mbuluar me mbulesë dhe duke vendosur mbi të disa copa pogaçesh (ose krekërs) dhe një gotë. Pas mendimit shpirtëror shpjegoni se gjatë kohës së Krishtit, këta artikuj, mes të tjerësh, do të gjendeshin në tavolinat e judenjve gjatë Pashkës.

  • Cili ishte qëllimi i festës së Pashkës? (Pashka u krijua në kohën e Moisiut për t’u kujtuar fëmijëve të Izraelit se engjëlli shkatërrues kaloi mbi shtëpitë e tyre dhe vrau fëmijët e parëlindur në Egjipt [shih Eksodi 12:21–28; 13:14–15]. Si pjesë e Pashkës, izraelitët flijonin një qengj dhe e spërkatnin gjakun e tij mbi arkitraun e shtalkat e dyerve të tyre. Ky qengj simbolizonte Mesian që do të vinte, sakrifica shlyese e të cilit do ta shpëtonte njerëzimin nga vdekja dhe mëkati [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pashkë”, “Pashkë Judease”, (f. 142), scriptures.lds.org].)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi tha se do të ndodhte pas Pashkës.

  • Çfarë tha Jezusi se do të ndodhte pas Pashkës?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:3–5. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se cilët po trillonin një plan për ta vrarë Jezusin në këtë kohë.

  • Përse vendosën skribët dhe krerët e priftërinjve që të pritnin derisa të kalonte Pashka për ta vrarë Jezusin?

Përmblidheni Mateun 26:6–13 duke shpjeguar se ndërsa Jezusi ishte në Betani, një grua erdhi tek Ai dhe e vajosi Atë me vaj të parfumuar shumë të shtrenjtë duke lajmëruar vdekjen dhe varrosjen e Tij të afërt. Disa prej dishepujve të Tij, përfshirë Judën, njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve dhe thesarmbajtësi i grupit, u ankuan që vaji i parfumuar duhet të ishte shitur për të ndihmuar të varfrit. Mirëpo, Juda nuk ishte vërtet i shqetësuar për të varfrit, por ishte një hajdut që i donte paratë për vete (shih Gjoni 12:4–6). (Shënim: Vajosja e Jezusit në Betani është diskutuar më plotësisht te mësimi për Markun 11–14.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Juda pasi Shpëtimtari e qortoi atë ngaqë u ankua.

  • Çfarë bëri Juda? (Ai komplotoi me krerët e priftërinjve për t’i ndihmuar që ta gjenin e arrestonin Jezusin.)

  • Sa e paguan Judën krerët e priftërinjve që t’ua dorëzonte Jezusin atyre?

Shpjegoni që “sipas ligjit të Moisiut, tridhjetë sikla argjendi do të dëmshpërblenin një pronar për vdekjen e një sllavi (shih Eksodi 21:32). … Çmimi i tradhtisë pasqyron konsideratën e ulët që Juda dhe krerët e priftërinjve kishin për Shpëtimtarin” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 81). Ajo gjithashtu përmbushi një profeci të Dhiatës së Vjetër për tradhtimin e Shpëtimtarit prej Judës (shih Zakaria 11:12).

Mateu 26:17–25

Jezusi dhe dishepujt e Tij hanë vaktin e Pashkës

Paraqitni një pasqyrë dhe pyesni:

  • Cilat janë disa mënyra si pasqyrat mund të jenë të dobishme për ne?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpesh ne përpiqemi ta mënjanojmë të shikuarin thellë brenda shpirtrave tanë dhe përballjen me dobësitë, kufizimet dhe gjërat tona frikësuese. …

Por aftësia për ta kuptuar veten tonë qartësisht është thelbësore për rritjen dhe mirëqenien tonë shpirtërore. …

Më lejoni të sugjeroj se shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferenca të përgjithshme janë një pasqyrë frytdhënëse që mund ta vëmë përpara nesh për vetëshqyrtim” (“Mos Jam Unë, Zot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 58).

  • Si mund të jenë si një pasqyrë shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferencën e përgjithshme?

Teksa studentët e studiojnë Mateun 26:17–25, ftojini të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë të dallojnë dobësitë e tyre dhe të punojnë për t’i mposhtur ato.

Përmblidheni Mateun 26:17–19 duke shpjeguar që Jezusi u tha dishepujve të Tij të siguronin një dhomë në Jerusalem për vaktin e Pashkës.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezu Krishti u tha Apostujve të Tij gjatë vaktit të Pashkës.

  • Çfarë u tha Jezusi Apostujve të Tij?

  • Nëse do të kishit qenë njëri prej Apostujve, çfarë do të mund të kishit menduar në këtë çast?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Apostujve ndaj thënies së Jezusit.

  • Çfarë pyetjeje bënë Apostujt?

  • Çfarë na mëson pyetja “Mos jam unë; Zot?” për njëmbëdhjetë Apostujt besnikë?

  • Bazuar te ky rrëfim, çfarë parimi mund të mësojmë për mënyrën se si dishepujt e Jezu Krishtit duhet të përgjigjen kur dëgjojnë fjalët e Zotit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Kur dishepujt e Jezu Krishtit e dëgjojnë fjalën e Zotit, ata e analizojnë jetën e tyre vetjake për të parë mënyrën se si ajo gjen zbatim për ta.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Uhtdorf:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Dishepujt nuk e dyshuan vërtetësinë e asaj që [Jezusi] tha. As nuk e hodhën vështrimin përreth, treguan dikë tjetër me gisht dhe pyetën: ‘Mos është ai?’

Përkundrazi, ata u ‘pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: “Mos jam unë; Zot?”’ [Mateu 26:22.]

Pyes veten se çfarë do të bënte secili prej nesh. … A do ta hidhnim vështrimin te njerëzit përreth nesh dhe do të thoshim me vete: ‘Ai ndoshta po flet për Vëllanë Duka. Gjithmonë kam pasur dyshim për të’ ose ‘Jam i kënaqur që Vëllai Bregu është këtu. Ai ka vërtet nevojë ta dëgjojë këtë mesazh’? Apo ne, si ata dishepuj të lashtë, do të shihnim brenda vetes dhe do të bënim atë pyetje depërtuese: ‘Mos jam unë?’” (“Mos Jam Unë, Zot?” f. 56).

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si mund të tundohemi t’i shpërfillim fjalët e Zotit dhe të supozojmë që ato i drejtohen dikujt tjetër?

Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Uhtdorf dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për atë që Presidenti Uhtdorf na fton që të bëjmë kur i dëgjojmë fjalët e Zotit:

“Në këto fjalë të thjeshta, ‘Mos jam unë?’ gjendet fillimi i urtësisë dhe shtegu drejt kthimit vetjak në besim dhe ndryshimit jetëgjatë. …

Ne duhet ta vëmë mënjanë krenarinë tonë, të shohim përtej kotësisë sonë dhe me përulësi të pyesim: ‘Mos jam unë, Zot?’

Dhe nëse përgjigjja e Zotit ndodh të jetë: ‘Po, biri im, ka gjëra që duhet t’i përmirësosh, gjëra që mund të të ndihmoj t’i kapërcesh’, unë lutem që ne do ta pranojmë këtë përgjigje, t’i dallojmë me përulësi mëkatet e të metat tona dhe më pas t’i ndryshojmë udhët tona duke u bërë … më të mirë” (“Mos Jam Unë, Zot?” f. 56, 58).

  • Si jeni bekuar ndërsa i keni zbatuar fjalët e Zotit dhe keni bërë ndryshime në jetën tuaj?

Dëshmoni për parimin që studentët përcaktuan më parë. Ftojini studentët ta shqyrtojnë jetën e tyre vetjake kurdoherë që dëgjojnë apo lexojnë fjalët e Zotit dhe të veprojnë me shpejtësi sipas mbresave që marrin.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:23–25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj pyetjeve të Apostujve.

Shpjegoni se menjëherë pasi Jezusi e përcaktoi Judën si ai që do ta tradhtonte Atë, Juda u largua (shih Gjoni 13:30).

Mateu 26:26–30

Jezu Krishti paraqet sakramentin gjatë Pashkës

Pamja
Darka e Fundit

Paraqitni figurën Darka e Fundit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 54; shih edhe LDS.org). Bëjuni të ditur studentëve se ndërsa Shpëtimtari hëngri vaktin e Pashkës me Apostujt e Tij, Ai paraqiti ordinancën e sakramentit.

Ftojini studentët t’i shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve vijuese (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara fillimit të orës mësimore):

Kur morët sakramentin herën e fundit, çfarë ishit duke bërë? Çfarë po mendonit? Çfarë ndiet?

Ngrijeni lart gotën dhe bukën e paraqitur në tavolinë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 26:26–29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti bëri me bukën dhe përmbajtjen e kupës.

  • Çfarë bëri Zoti me bukën dhe përmbajtjen e kupës?

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë përfaqësojnë këto emblema të sakramentit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Emblemat e sakramentit përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit, që Ai i sakrifikoi për ne.)

Shpjegojuni studentëve se Përkthimi prej Joseph Smith-it jep këndvështrim të mëtejshëm për këto vargje. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje pjesën nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 26:22 që gjendet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 228]. Gjithashtu ftojini ata të lexojnë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Mateu 26:24–25 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 228]). Vërini studentët të kërkojnë ndryshimet e frymëzuara që iu bënë këtyre vargjeve, që mund të na ndihmojnë të kuptojmë një qëllim të rëndësishëm për sakramentin.

  • Përse e paraqiti sakramentin Jezu Krishti? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Jezu Krishti e paraqiti sakramentin që ne ta kujtojmë Atë dhe Shlyerjen e Tij për mëkatet tona.

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për t’u siguruar që sakramenti na ndihmon të kujtojmë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij për mëkatet tona?

  • Si ka ndikuar të përpjekurit për ta kujtuar Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij në ndjenjat dhe përvojat tuaja ndërsa keni marrë sakramentin?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një parim tjetër, pyesni:

  • Sipas vargjeve 27–28, çfarë na lejon derdhja e gjakut të Krishtit që të kemi ndërsa marrim sakramentin? (Një heqje të mëkateve tona.)

Vini në dukje që thjesht ngrënia e bukës dhe pirja e ujit gjatë sakramentit nuk na cilëson në mënyrë automatike që të marrim heqje ose falje të mëkateve tona. Ne duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti, të pendohemi dhe ta marrim sakramentin me qëllim të vërtetë duke e kujtuar përherë Atë dhe duke u përpjekur që të mbajmë urdhërimet e Tij. Duke e marrë denjësisht sakramentin, ne përtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit. Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Kur pendohemi dhe e marrim sakramentin me qëllim të vërtetë, ne mund të marrim heqje të mëkateve tona.

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se si do t’i zbatojnë të vërtetat e lidhura me sakramentin që kanë përcaktuar te Mateu 26. Pastaj ftojini t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës disa studentë që ndihen rehat ta bëjnë atë.

Ftojeni një student ta rilexojë me zë të lartë Mateun 26:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar kohën kur Shpëtimtari tha se do ta merrte sakramentin në të ardhmen. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se “sakramenti nuk simbolizon vetëm Shlyerjen e Shpëtimtarit, por gjithashtu na i drejton sytë me shpresë nga koha kur Ai do të kthehet në tokë me lavdi (shih 1 Korintasve 11:26)” (New Testament Student Manual, f. 83). Nëse i mbajmë besëlidhjet tona dhe durojmë deri në fund, ne mund të jemi midis atyre që do ta marrin sakramentin me Shpëtimtarin në këtë kohë të ardhshme (shih DeB 27:4–14).

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e përcaktuara në mësimin e sotëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 26:16. “Ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar”

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Markut 14:10 sqaron një arsye përse Juda e tradhtoi Jezusin: “Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin; pasi ai i qëndroi larg atij dhe u fye për shkak të fjalëve të tij”.

Mateu 26:28. “Për faljen e mëkateve”

Plaku Von J. Fedhërston, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim për domethënien e marrjes denjësisht të sakramentit në mënyrë që të mund të marrim një heqje të mëkateve tona:

“Është thelbësore që ne t’i përtërijmë besëlidhjet tona duke marrë sakramentin. Kur e bëjmë këtë me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke i braktisur mëkatet tona dhe duke përtërirë zotimin tonë ndaj Perëndisë, Zoti siguron një mënyrë me anë të së cilës mëkatet mund të falen nga java në javë. Thjesht ngrënia e bukës dhe pirja e ujit nuk do ta sjellë atë falje. Ne duhet të përgatitemi dhe pastaj ta marrim sakramentin me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Përgatitja shpirtërore që bëjmë për të marrë sakramentin është thelbësore për marrjen e një heqjeje të mëkateve tona” (“Sacrament Meeting and the Sacrament”, Ensign, shtator 2001, f. 24–25).