Biblioteka
Mësimi 2: Plani i Shpëtimit


Mësimi 2

Plani i Shpëtimit

Hyrje

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i udhëzoi mësuesit e fesë të paraqitin një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit në fillim të çdo viti shkollor:

“Një përmbledhje e shkurtër e ‘planit të lumturisë’ … , nëse jepet në fillim fare dhe rishikohet rregullisht, do të jetë me vlerë të pamasë për studentët tuaj” (“The Great Plan of Happiness” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 10 gusht 1993], si.lds.org; shih edhe Teaching Seminary: Preservice Readings [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2004], f. 68–74).

Ky mësim jep një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit dhe përqendrohet te roli qendror i Jezu Krishtit dhe Shlyerja e Tij në atë plan.

Sugjerime për Mësimdhënien

Roli i Jezu Krishtit në jetën para lindjes

Si pjesë e takimit shpirtëror, ju mund të dëshironi ta ftoni klasën të këndojë strofat 1 dhe 4 të “Un’ Besoj në Krisht” (Himne, nr. 72) ose ndonjë himn tjetër rreth Shpëtimtarit. Fillojeni mësimin duke pyetur:

  • Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?

Shpjegojuni studentëve se në mësimin e sotëm ata do të mësojnë rreth rolit të Jezu Krishtit në planin e shpëtimit të Atit Qiellor. Ftojini ata të kërkojnë të vërteta ndërsa studiojnë sot, të cilat mund t’i ndihmojnë për ta forcuar besimin e tyre në Jezu Krisht.

Kopjojeni në dërrasë tabelën e mëposhtme. Ju gjithashtu mund të doni ta shpërndani atë si një fletushkë për studentët. (Nëse i shpërndani fletushkat, kërkojuni studentëve t’i plotësojnë tabelat e tyre ndërsa ju plotësoni tabelën në dërrasë.)

Pamja
fletushkë, tabela për Jezu Krishtin

Jezu Krishti është në qendër të planit të shpëtimit të Atit Qiellor

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 2

Jeta Para Lindjes

Jeta në Vdekshmëri

Jeta Pas Vdekjes

Vini në dukje se plani i Atit Qiellor përbëhet nga tri faza kryesore: 1) jeta jonë para lindjes, e cila i parapriu lindjes sonë fizike; 2) jeta jonë në vdekshmëri në tokë; dhe 3) jeta jonë pas vdekjes, e cila do të ndiqet nga vdekja jonë fizike.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese dhe kërkojini klasës të dëgjojë kufizimet që ne përjetuam në jetën tonë para lindjes:

“Ne jetonim si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë në Qiell përpara se të lindeshim në këtë botë. Megjithatë ne nuk ishim si Ati ynë Qiellor dhe nuk do të mund të bëheshim kurrë si Ai dhe të gëzonim të gjitha bekimet që Ai gëzon, pa përvojën e jetës në vdekshmëri me një trup fizik.

I gjithë qëllimi i Perëndisë – vepra dhe lavdia e Tij – është të bëjë të mundur që secili nga ne të gëzojë të gjitha bekimet e Tij. Ai ka përgatitur një plan të përkryer për të plotësuar qëllimin e Tij. Ne e kuptuam dhe e pranuam këtë plan përpara se të vinim në tokë. …

Me qëllim që të përparonim dhe të bëheshim si Perëndia, secili nga ne duhej të merrte një trup dhe të provohej gjatë një kohe prove në tokë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 48, 49).

  • Çfarë kufizimesh përjetuam ne në jetën tonë para lindjes?

Shpjegoni se kur Ati Qiellor e paraqiti planin e Tij të lumturisë, ne mësuam se do të duhej një shpëtimtar për ta vënë në jetë këtë plan. Luciferi, një nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor, ngriti krye kundër planit të Atit Qiellor. Ai u bë i njohur si Satani, një term hebraik që do të thotë “kundërshtar”.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 4:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, për të parë atë që kërkonte Satani nga Ati Qiellor.

  • Çfarë kërkonte Satani nga Ati Qiellor?

  • Sipas vargut 2, çfarë tha Ati Qiellor për Jezu Krishtin?

  • Për çfarë u zgjodh Jezu Krishti që të bënte? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën e mëposhtme në tabelë nën kolonën Jeta para lindjes: Jezu Krishti u zgjodh në jetën para lindjes për të qenë Shëlbuesi i njerëzimit.)

Shpjegoni që pasi Jezu Krishti u zgjodh për të vënë në jetë planin e shpëtimit të Atit Qiellor, Ai krijoi këtë tokë ku secili të mund të merrte një trup fizik dhe të fitonte përvojë.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 1:1–2. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rolin e Jezu Krishtit në krijimin e tokës.

  • Cili ishte roli i Jezu Krishtit në krijimin e tokës? (Shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta para lindjes: Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti krijoi tokën.)

Ftojini studentët të mendojnë për bukurinë e tokës. Ju mund të dëshironi të paraqitni një ose më shumë figura që tregojnë bukurinë e tokës.

  • Si ndikon te ndjenjat tuaja për Të, dijenia se Jezu Krishti krijoi këtë tokë dhe miliona të tjera si kjo?

Roli i Jezu Krishtit në jetën në vdekshmëri

Shpjegoni se në vdekshmëri ne përjetojmë kufizime ose pengesa të tjera, të cilat na pengojnë që të bëhemi si Ati Qiellor dhe të kthehemi në praninë e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese dhe kërkojini klasës të dëgjojë dy pengesa që ne përjetojmë gjatë vdekshmërisë:

“Në vdekshmëri ne jetojmë në një gjendje të tillë ku jemi subjekte si të vdekjes fizike ashtu edhe asaj shpirtërore. Perëndia ka një trup të përsosur, të lëvduar, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Që të bëhemi si Perëndia dhe të kthehemi në praninë e Tij, edhe ne duhet të kemi një trup të përsosur, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Megjithatë, për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, çdo njeri në tokë ka një trup të papërsosur e të vdekshëm dhe në fund do të vdesë. Po të mos ishte Shpëtimtari Jezu Krisht, vdekja do t’u jepte fund të gjitha shpresave tona për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor.

Bashkë me vdekjen fizike, mëkati është një pengesë e madhe, që na pengon të bëhemi si Ati ynë në Qiell dhe të kthehemi në praninë e Tij. Në gjendjen tonë të vdekshme shpesh ne i dorëzohemi tundimit, i thyejmë urdhërimet e Perëndisë dhe mëkatojmë. … Megjithëse ndonjëherë duket ndryshe, mëkati gjithmonë çon drejt mjerimit. Mëkati shkakton ndjenja faji dhe turpi. Për shkak të mëkateve tona, ne nuk mund të kthehemi për të jetuar me Atin Qiellor në qoftë se nuk jemi falur dhe pastruar më parë.

… Ashtu si dhe me vdekjen fizike, ne nuk mund t’i kapërcejmë vetë pasojat e mëkatit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 50, 51).

Shpjegoni që përpara se Jezusi të lindte në tokë, një engjëll iu shfaq Jozefit në një ëndërr kur ai mësoi se Maria po priste një fëmijë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mateun 1:21. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që engjëlli i shpalli Jozefit.

  • Çfarë tha engjëlli se do të bënte Jezusi? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta në vdekshmëri: Jezu Krishti erdhi për të na shpëtuar nga mëkatet tona.)

  • Çfarë bëri Jezu Krishti që na lejon të shpëtohemi nga mëkatet tona?

Pamja
Jezusi Lutet në Gjetseman
Pamja
Kryqëzimi
Pamja
Maria dhe Jezusi i Ringjallur

Pse Po Qan? © 2015 nga Simon Dewey. Përdoret me leje të Altus Fine Art-it, altusfineart.com.

Paraqitini figurat Jezusi Lutet në Gjetseman, Kryqëzimi si dhe Maria dhe Jezu Krishti i Ringjallur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 56, 57, 59; shih edhe LDS.org). Kujtojuni studentëve se vuajtja, vdekja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit bashkërisht quhen Shlyerja.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne për t’u shpëtuar nga mëkatet tona nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Shih Veprat e Apostujve 2:38).

Roli i Jezu Krishtit në jetën pas vdekjes

Kërkojuni studentëve të mendojnë për dikë që ka ndërruar jetë. Pas pak çastesh, pyetini:

  • Sipas kuptimit tuaj për planin e shpëtimit, ku janë ata të cilët kanë ndërruar jetë? (Pas vdekjes, shpirtrat e të gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave. Për ta rritur aftësinë e studentëve për të kuptuar, ju mund të dëshironi ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë Almën 40:11–14.)

Paraqitni figurën Varrimi i Jezusit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 58; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Pjetrin 3:18–20; 4:6. Më pas, pyetini:

  • Çfarë bëri Jezu Krishti menjëherë pas vdekjes së Vet?

Pamja
Varrimi i Krishtit

Varrimi i Krishtit, nga Carl Heinrich Bloch. Mirësi e Muzeut Historik Kombëtar në Kështjellën Frederiksborg të Hilerodit në Danimarkë. Nuk lejohet kopjimi.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:18–19, 30–32. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave.

  • Çfarë bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave?

  • Si e ilustrojnë këto përpjekje dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit për të gjithë njerëzit?

Referojuni figurës Maria dhe Jezu Krishti i Ringjallur (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 59; shih edhe LDS.org), dhe pyeteni klasën:

  • Çfarë ndodhi ditën e tretë pas vdekjes së Shpëtimtarit? (Ai u ringjall.)

  • Çfarë do të thotë të ringjallesh? (Shpirti dhe trupi fizik i një personi ribashkohen, për të mos u ndarë më kurrë [shih DeB 138:17].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ndikon Ringjallja e Jezu Krishtit te secili prej nesh.

  • Si ndikohemi ne nga Ringjallja e Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:12. Më pas, pyetini:

  • Çfarë do t’i ndodhë secilit prej nesh pasi të ringjallemi?

Shpjegoni se libri i jetës mund të përfaqësojë mendimet dhe veprimet e një personi në këtë jetë, si dhe analin e mbajtur në qiell për të drejtët (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i jetës”). Theksoni se ne gjykohemi jo vetëm sipas veprave tona, por edhe sipas mendimeve, fjalëve dhe dëshirave tona (shih Mosia 4:30; Alma 12:14; 41:3; DeB 137:9).

Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Gjonin 5:22 në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë Zbulesës 20:12. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Gjonin 5:22 dhe të kërkojnë se kush do të na gjykojë neve.

  • Kush do të na gjykojë neve? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Jezu Krishti do të gjykojë të gjithë njerëzimin.)

Kujtojuni studentëve se qëllimi përfundimtar i planit të Atit Qiellor është të na japë neve mundësi për të marrë jetë të përjetshme, ose ekzaltim, që do të thotë të bëhemi si Ati Qiellor dhe të jetojmë me Të përgjithmonë në familje të përjetshme. Ju mund të doni të tregoni një fotografi të familjes suaj dhe të shpjegoni se përse është e rëndësishme që ju të mund të jetoni me Atin Qiellor dhe familjen tuaj përgjithmonë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ne duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme (ose të përhershme).

  • Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë jetë të përjetshme? (Shpjegoni se të besosh te Biri i Vetëmlindur do të thotë të ushtrosh besim në Jezu Krisht dhe të jetosh sipas ungjillit të Tij, i cili përfshin marrjen e ordinancave të tempullit.)

  • Si do ta përmblidhnit Gjonin 3:16 si një parim? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë nën kolonën Jeta pas vdekjes: Nëse ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe jetojmë sipas ungjillit të Tij, atëherë ne mund të marrim jetë të përjetshme.)

Kujtojuni studentëve pyetjen që bëtë në fillim të orës mësimore: “Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?” Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si mund t’i zhvillojnë më tej përgjigjet e tyre ndaj kësaj pyetjeje, duke u bazuar në atë që kanë mësuar sot. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni disa studentë të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e Atit Qiellor. Ju mund ta mbyllni duke dhënë edhe vetë dëshminë tuaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jezu Krishti besëlidhi për të qenë Shëlbuesi

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, Plaku Ted R. Kalister dha mësim se Jezu Krishti u zgjodh nga Ati Qiellor dhe hyri në një besëlidhje për të vënë në jetë Shlyerjen në planin e shpëtimit të Atit:

“Në këshillin para lindjes, Shpëtimtari besëlidhi me Atin për të kryer Shlyerjen. Xhon Tejlori shkroi: ‘U bë një besëlidhje midis Atij dhe Atit të Tij, në të cilin Ai ra dakord të shlyente për mëkatet e botës’ [The Mediation and Atonement (1882), f. 97], dhe prandaj Ai u njoh si ‘Qengji, që ishte vrarë që nga krijimi i botës’ (Zbulesa 13:8; shih edhe Moisiu 7:47)” (The Infinite Atonement [2000], f. 74).

Tek Abrahami 3:27, ne lexojmë se Jezu Krishti tregoi gatishmërinë e Tij për të përmbushur rolin e Shëlbuesit kur tha: “Ja ku jam, dërgomë mua”. Duke komentuar mbi thënien e Jezu Krishtit, Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ishte një nga ato çaste të veçanta kur ato pak fjalë vlejnë më shumë se mijëra fjalë. Asnjëherë, asnjë njeri nuk është ofruar, me kaq pak fjalë, të bëjë kaq shumë për shumë njerëz sa bëri Jezusi, kur Ai me butësi dha Veten si një shpërblesë për ne të gjithë” (Plain and Precious Things [1983], f. 53).

Shlyerja e Jezu Krishtit na ndihmon të mposhtim mëkatin dhe vdekjen

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Shlyerja e Jezu Krishtit na lejon të mposhtim pasojat e Rënies së Adamit dhe të Evës, si dhe pasojat e vetë mëkateve tona:

“Si pasojë e shkeljes së Adamit, të vdekshmit u veçuan nga Perëndia (shih Romakëve 6:23) dhe do të mbeteshin përgjithmonë nëse nuk do të gjendej një mënyrë për të këputur lidhjet e vdekjes. Kjo nuk do të ishte e lehtë, sepse do të kërkonte flijimin e dikujt, i cili qe pa mëkat dhe si rrjedhojë mund të merrte mbi Vete mëkatet e të gjithë njerëzimit.

Fatmirësisht, Jezu Krishti me guxim e përmbushi këtë flijim në Jeruzalemin e lashtë. … Jezusi vuajti me dëshirë në mënyrë që ne të gjithë të mund të kemi mundësinë të pastrohemi tërësisht – duke pasur besim tek Ai, duke u penduar për mëkatet tona, duke u pagëzuar nga autoriteti i duhur i priftërisë, duke marrë dhuratën pastruese të Frymës së Shenjtë përmes konfirmimit dhe duke pranuar të gjitha ordinancat e tjera thelbësore” (“The Atonement and the Value of One Soul”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 84–85).

Jezu Krishti është figura qendrore në planin e shpëtimit

Presidenti Gordon B. Hinkli dëshmoi për rëndësinë e Jezu Krishtit si figura qendrore në planin e shpëtimit:

“Shlyerja [e Jezu Krishtit] është ngjarja më e madhe në historinë njerëzore. Asgjë tjetër nuk krahasohet me të. Ajo është pjesa më thelbësore e planit të Atit tonë për lumturinë e fëmijëve të Tij. Pa të, jeta e vdekshme do të ishte një ekzistencë qorre, pa shpresë, pa të ardhme” (“Inspirational Thoughts”, Ensign, shtator 2007, f. 8; shih edhe Gjoni 3:16).

Jezu Krishti “krijoi dhe gjithësinë”

Toka në të cilën ne jetojmë, nuk është planeti i vetëm i krijuar nga Jezu Krishti. Hebrenjve 1:1–2 na ndihmon të kuptojmë se Jezu Krishti, nën drejtimin e Perëndisë, Atit, “krijoi dhe gjithësinë”. Libri i Moisiut zbulon se botët që Ai krijoi janë “botë pa numër” (Moisiu 1:32–33).