Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Kolosianëve


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Kolosianëve

Përse të studiohet ky libër?

Pali e shkroi Letrën e tij drejtuar Kolosianëve si rezultat i një njoftimi se ata po binin në gabim serioz (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100). Mësimet dhe praktikat e rreme në Kolos po ndikonin te shenjtorët atje dhe po ndikonin dhe po e kërcënonin besimin e tyre. Trysni të ngjashme kulturore paraqesin sfida për anëtarët e Kishës sot. Një pjesë e vlerës së kësaj letre qëndron në mënyrën se si ajo i përcakton dhe i vë në dukje idetë e gabuara, ndërkohë që thekson hyjninë dhe punën shpëtuese të Jezu Krishtit. Nëpërmjet studimit të librit të Kolosianëve, studentët mund ta thellojnë kthimin e tyre në besim ndaj Shpëtimtarit dhe të marrin mbrojtje nga mashtrimi dhe mëkati.

Kush e shkroi këtë libër?

Letra drejtuar Kolosianëve u dërgua nga Pali dhe Timoteu (shih Kolosianëve 1:1, 23; 4:18). Ka të ngjarë që Pali ta ketë shkruar me dorën e vet përshëndetjen në mbyllje të letrës (shih Kolosianëve 4:18), gjë që tregon se një shkrues, ndoshta Timoteu, e kishte ndihmuar atë për të shkruar pjesën hyrëse të letrës.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Pali e shkroi këtë letër gjatë burgimit të tij të parë në Romë, rreth viteve 60–62 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org). Pali me gjasë e shkroi Letrën drejtuar Kolosianëve gjatë së njëjtës kohë që shkroi Filipianëve, Efesianëve dhe Filemonit.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Kjo letër u shkrua për shenjtorët besnikë në Kolos, një vend në Turqinë e kohëve moderne. Pali i udhëzoi shenjtorët kolosianë që t’ua tregonin letrën anëtarëve të Kishës aty pranë Laodikës (shih Kolosianëve 4:16).

Pali e shkroi këtë letër “pasi u vizitua nga Epafrai, ungjilltari i Kishës në [Kolos] [shih Kolosianëve 1:7–8]. Epafrai i tha Palit se kolosianët po binin në një gabim serioz – ata mendonin se ishin më të mirë se popujt e tjerë, ngaqë i kishin zbatuar me kujdes disa ordinanca të jashtme [shih Kolosianëve 2:16], i mohonin vetvetes disa dëshira fizike dhe adhuronin engjëjt [shih Kolosianëve 2:18]. Këto praktika bënin që kolosianët të ndienin se po shenjtëroheshin. Ata gjithashtu mendonin se i kuptonin misteret e gjithësisë më mirë se anëtarët e tjerë të Kishës. Në letrën e tij, Pali i korrigjoi ata duke u mësuar se shëlbimi vjen vetëm nëpërmjet Krishtit dhe se duhet të bëhemi të urtë e t’i shërbejmë atij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kolosianë(ve), Letër drejtuar”, f. 87, scriptures.lds.org).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Te Letra drejtuar Kolosianëve, Pali i kundërshtoi mësimet e rreme në Kolos duke theksuar hyjninë, misionin shpëtues dhe parësinë e Jezu Krishtit (shih Kolosianëve 1:15–23). Ai dha mësim se Krishti është vetë shëmbëllesa e Perëndisë Atit, Krijuesi, Kreu i Kishës, i pari që do të ringjallej dhe Shëlbuesi. Ai është “kr[eu i] çdo principate e pushteti” (Kolosianëve 2:10), dhe Ai e përmbush misionin e Tij hyjnor nën drejtimin e Atit (shih Kolosianëve 1:19; 3:1)

Pali paralajmëroi për ata që dhanë mësim se shpirtshmëria e vërtetë fitohej nëpërmjet riteve të veçanta, festave dhe dietave (shih Kolosianëve 2:16–18, 20, 23). Përkundrazi, ai dha mësim se pjekuria shpirtërore dhe njohuria për Perëndinë tregohet kur “k[emi] në mend gjërat që janë atje lart” (Kolosianëve 3:2), duke i zhdukur veprat e gabuara (shih Kolosianëve 3:5–9) dhe duke zhvilluar cilësi si të Krishtit (shih Kolosianëve 3:12–17). Pali i këshilloi lexuesit e tij që të bëheshin “me themel dhe të patundur” në ungjill (Kolosianëve 1:23), si edhe me “rrënjë dhe duke u ndërtuar në [Jezu Krisht], dhe duke u forcuar në besim” (Kolosianëve 2:7).

Përmbledhje

Kolosianëve 1:1–23 Pali i përshëndet shenjtorët në Kolos dhe shpall se Jezu Krishti është Shëlbuesi, i Parëlinduri mes gjithë krijesave, Krijuesi dhe Zoti i gjithë përsosurisë hyjnore, nëpërmjet të Cilit bashkërendohet gjithësia. Pali i porosit shenjtorët që ta themelojnë besimin e tyre në Jezu Krisht.

Kolosianëve 1:24–2:23 Pali paralajmëron kundër besimit të çdo filozofie të rreme apo tradite të njerëzve, përfshirë adhurimin e engjëjve dhe shkuarjes në ekstreme duke i mohuar vetes nevojat fizike bazë si një formë disipline shpirtërore.

Kolosianëve 3:1–4:18 Pali i porosit shenjtorët që ta vendosin zemrën e tyre te gjërat që janë atje lart, t’i braktisin mëkatet e jetës së tyre të mëparshme dhe të jenë të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Ai jep udhëzime për mënyrën se si shenjtorët duhet të adhurojnë dhe më pas ai u jep këshillë bashkëshorteve, bashkëshortëve, fëmijëve, prindërve, shërbëtorëve dhe zotërinjve. Ai e mbyll Letrën drejtuar Kolosianëve me përgëzime, përshëndetje dhe udhëzime të fundit e bekime.