Biblioteka
Mësimi 156: Zbulesa 12–13


Mësimi 156

Zbulesa 12–13

Hyrje

Gjoni pa një vegim të një dragoi që kërcënonte një grua dhe fëmijën e saj, i cili simbolizon përpjekjet e Satanit për të shkatërruar Kishën e Zotit dhe anëtarët e saj besnikë. Gjoni shkroi për Luftën në Qiell dhe për mbretëritë e botës që do të luftonin kundër pasuesve të Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 12

Gjoni tregon se Satani dhe engjëjt e tij kanë luftuar gjithnjë kundër Zotit dhe Kishës së Tij

Përpara orës mësimore, kopjojeni veprimtarinë vijuese me kombinime në tabelë. Pasi ora mësimore të fillojë, ftoni disa studentë të heqin vija bashkuese midis çdo kërcënimi të renditur te kolona në anën e majtë dhe mënyrave se si t’i luftojmë ato te kolona në anën e djathtë.

Kërcënimet

Mënyrat për t’i Luftuar Kërcënimet

Djegie nga dielli

Të vërtetat te Zbulesa 12

Ushtarë armiq

Ilaçe ose çlodhje

Sëmundje

Krem mbrojtës nga rrezatimi apo rroba

Mëkat dhe faj

Pendim dhe mirëbesim në Jezu Krisht

Ndikimet e Satanit

Armët e luftës

  • Me cilin prej këtyre kërcënimeve ju është dashur të luftonit së fundi? Cili kërcënim mendoni se është më i rrezikshëm? Përse?

Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat teksa studiojnë Zbulesën 12, që mund t’i ndihmojnë ata të luftojnë ndikimet e Satanit. Shpjegoni se Zbulesa 12–14 shënon një ndërhyrje ose ndërprerje në vegimin e Gjonit për ngjarjet e vulës së shtatë. Zoti mund të ketë qenë duke e ndihmuar Gjonin të kuptonte domethënien e frazave “mbretëritë e botës” dhe “mbretëri të Zotit tonë” te Zbulesa 11:15.

Pamja
grua me dragoin

Tregojuni studentëve figurën shoqëruese të gruas me dragoin pas saj. Ftojini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të përfaqësojnë këto simbole.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 12:1–2, 5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që i ndodhi gruas. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it e vendos vargun 5 direkt pas vargut 2.

  • Çfarë i ndodhi gruas? (Ajo lindi një bir “i cili duhet të qeveris[te] gjithë kombet” [vargu 5].)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë se ai do të “qeveris[te] gjithë kombet me skeptër të hekurt”? (vargu 5.) (Fëmija do ta përdorte skeptrin e hekurt, i cili mund të simbolizojë ungjillin, priftërinë dhe fjalën e fuqinë e Perëndisë, për të qeverisur me drejtësi kombet e botës [shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. (1965–1973), 3:517].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 12:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar simbolet e përshkruara në këto vargje.

  • Si mendoni ju, çfarë mund të përfaqësonin simbolet e përshkruara në vargjet 1–5?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:7–8 (në shtojcën e kombinimit tresh). Vërini ata të kërkojnë se çfarë përfaqësojnë dragoi, gruaja dhe fëmija.

  • Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:7–8, çfarë përfaqësojnë dragoi, gruaja dhe fëmija në vegimin e Gjonit? (Dragoi përfaqëson Satanin [shih vargun 8]; gruaja përfaqëson “kish[ën] e Perëndisë” dhe fëmija përfaqëson “mbretërinë e Perëndisë sonë dhe të Krishtit të tij” [vargu 7], e cila është një mbretëri politike që Zoti do ta vendosë gjatë Mijëvjeçarit, nëpërmjet së cilës ai do të qeverisë të gjitha kombet. [Shih New Testament Student Manual (Church Educational System manual, 2014), f. 550–552, për më shumë shpjegim të simbolikës në këto fragmente.])

  • Sipas Zbulesës 12:4, cili ishte synimi i dragoit? Si mendoni ju, përse Satani përpiqet ta shkatërrojë me kaq dëshirë mbretërinë e Perëndisë dhe të Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 12:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri gruaja për shkak të dragoit kërcënues.

  • Çfarë i ndodhi gruas? Çfarë mund të simbolizojë kjo? (Gruaja që ikën në shkretëtirë, përfaqëson Kishën që hyn në Braktisjen e Madhe dhe priftërinë që u mor nga toka pas vdekjes së Apostujve [shih edhe DeB 86:3].)

Shpjegoni se, pasi Gjoni e pa dragoin që po e kërcënonte gruan dhe fëmijën e saj, ai dëshmoi Luftën në Qiell midis Satanit dhe shenjtorëve të Perëndisë. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:6–11 (në shtojcën e kombinimit tresh). Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë atë që i ndodhi Satanit gjatë Luftës në Qiell dhe gjysmën tjetër të klasës të kërkojë për mënyrën se si shenjtorët e Perëndisë e mposhtën Satanin dhe pasuesit e tij.

  • Çfarë u ndodhi Satanit dhe pasuesve të tij? (Ju mund të nxirrni në pah se Zbulesa 12:4 thotë që bishti i dragoit “tërh[oqi] pas vetes të tretën pjesë të yjeve të qiellit”. Kjo është simbolikë e numrit të madh të fëmijëve shpirtëror të Atit Qiellor, të cilët zgjedhin ta ndjekin Satanin. Ju mund të doni gjithashtu të shpjegoni se “Mikaeli dhe engjëjt e tij” [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:6] janë Adami dhe fëmijë të tjerë të drejtë shpirtërorë të Perëndisë.)

  • Sipas vargut 11, si e mposhtën Satanin ushtritë e drejta të qiellit? (“Me anë të gjakut të Qengjit” ose me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj dëshmive të tyre për ungjillin. Shkruajini këto përgjigje në tabelë.)

  • Sipas vargut 8, ku u dërguan më pas Satani dhe pasuesit e tij pas rebelimit të tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Zbulesa 12:12, 17 (në shtojcën e kombinimit tresh). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kujt i shpalli luftë Satani pasi u dëbua nga qielli.

  • Kujt i shpalli luftë Satani pasi u dëbua nga qielli?

  • Bazuar tek ajo që mësojmë nga vargu 11, çfarë mund të bëjmë për t’i mposhtur ndikimet dhe sulmet e Satanit në ditët tona? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund t’i mposhtim ndikimet e Satanit nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj dëshmive tona për ungjillin. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhejms. J. Hamula, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të vërë veshin për mënyrën se si Satani po e sulmon brezin e tyre.

Pamja
Plaku Xhejms J. Hamula

“Të zgjedhur për të dalë përpara në këto ditë të fundit dhe për të punuar për Atin tonë dhe Birin e Tij, janë disa nga bijtë dhe bijat më të guximshme dhe fisnike të Atit tonë. Guximi dhe fisnikëria e tyre u demonstruan në luftën paratokësore kundra Satanit. …

Me mbretërinë e Perëndisë të rivendosur në tokë dhe ardhjen tuaj në tokë, Satani e di se ‘ka pak kohë’ [Zbulesa 12:12]. Prandaj, Satani po grumbullon çdo burim që zotëron për t’ju shtyrë në shkelje. Ai e di se, nëse do të mund t’ju tërheqë në shkelje, ai do të mund t’ju ndalojë të shërbeni në një mision me kohë të plotë, të martoheni në tempull dhe të siguroni fëmijët tuaj të ardhshëm në besim, gjë që e gjitha ju dobëson jo vetëm ju por edhe Kishën. Ai e di se asgjë nuk mund ta përmbysë mbretërinë e Perëndisë, ‘veçse të jetë shkelja e popullit [të tij]’ [Mosia 27:13]. Mos gaboni në këtë gjë – lufta e tij tani është e përqendruar mbi ju” (“Të Fitosh Luftën Kundër së Keqes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 50, 51).

  • Në ç’mënyrë Satani dhe pasuesit e tij përpiqen të na dobësojnë ne?

Ftojini studentët të marrin parasysh se si Satani po bën luftë kundër tyre personalisht.

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta rritur besimin tonë në Jezu Krisht dhe për t’i forcuar dëshmitë tona për Të? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Lexojini me zë të lartë dy thëniet vijuese dhe ftojini studentët që t’i përgjigjen njërës prej tyre në fletoren e tyre të klasës apo në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

  1. Shkruani rreth një përvoje se kur ju ka ndihmuar dëshmia dhe besimi juaj te Shlyerja e Shpëtimtarit për t’i luftuar ndikimet e Satanit.

  2. Shënojeni dëshminë tuaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe shpjegoni se si Shlyerja mund të na ndihmojë ne në luftën tonë kundër Satanit dhe pasuesve të tij.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan.

Nxitini studentët të zgjedhin një ose më shumë nga idetë e renditura në tabelë dhe t’i zbatojnë ato në betejat e tyre kundër Satanit dhe pasuesve të tij.

Zbulesa 13

Gjoni shkruan për mbretëritë e tokës që do të marrin fuqi nga Satani

Përmblidheni Zbulesën 13 duke e ftuar një student ta lexojë përmbledhjen e kapitullit me zë të lartë. (Nëse parapëlqeni, ju mund të shpjegoni se Gjoni pa një vegim me bisha të egra, të cilat përfaqësojnë mbretëritë e liga të tokës që kontrollohen nga Satani. Gjoni pa gjithashtu se, nëpërmjet këtyre mbretërive, Satani do të kryente çudi dhe mrekulli të rreme për t’i mashtruar banorët e tokës.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Gjatë javës së fundit të seminarit, merrni parasysh t’u bëni studentëve një provim përfundimtar për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët të studiojnë në shtëpi ose menjëherë përpara provimit. Më poshtë janë disa lloje provimesh që mund të përdorni (ju mund t’i përshtatni këto ide për të plotësuar nevojat e studentëve):

Provim për referencën: Jepuni studentëve të dhëna nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Këto të dhëna mund të jenë fjalë kyçe, doktrina ose parime, apo përmbledhje të fragmentit. Ftojini studentët ta shkruajnë referencën për fragmentin në një fletë letre pasi ju të keni siguruar çdo të dhënë.

Provim për doktrinën: Renditini Doktrinat Bazë në tabelë. Kërkojuni studentëve t’i renditin referencat korresponduese të zotërimit të shkrimit të shenjtë poshtë secilës doktrinë. Ata mund ta bëjnë këtë duke kujtuar fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë ose duke përdorur një listë për zotërimin e fragmenteve.

Provim për mësimin përmendsh: Ftojini studentët të përdorin fjalë dhe parime të mësuara përmendsh nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për të shpjeguar disa nga Doktrinat Bazë. Ftojini ata t’i shkruajnë shpjegimet e tyre dhe t’ia lexojnë ato me zë të lartë klasës.

Mbani mend ta përgëzoni klasën tuaj për përpjekjet e tyre për të zotëruar këto fragmente kyçe të shkrimit të shenjtë dhe Doktrinat Bazë. Dëshmoni për fuqinë dhe dëshminë shpirtërore që mund të marrim ndërsa ne zotërojmë fragmentet dhe doktrinat e shkrimit të shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 13. Bisha të egra

Përveç njohurisë që bishat përfaqësojnë mbretëritë e botës, ne nuk kemi ndonjë interpretim nga Zoti për sa u përket bishave. Teksa flitet për misteret e librit të Zbulesës, Profeti Jozef Smith tha sa më poshtë:

“Sa herë që Perëndia jep një vegim të një imazhi, bishe ose figure të çfarëdo lloji, Ai gjithmonë e mban Veten e Tij përgjegjës për të dhënë një zbulesë ose interpretim për kuptimin që mbart, përndryshe ne nuk jemi përgjegjës ose të vetëdijshëm për bindjen tonë në të. …

… Kurrë mos u përzieni me vegimet e bishave dhe çështjet që nuk i kuptoni” (në History of the Church, 5:343, f. 344).

Zbulesa 13:8. “Qengji, që ishte vrarë që nga krijimi i botës”

Fraza “Qengji …, që ishte vrarë që nga krijimi i botës” (Zbulesa 13:8) i referohet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. “Që nga krijimi i botës” i referohet jetës para vdekjes, përpara se të krijohej bota. Prandaj, ne mund ta kuptojmë nga ky varg se ndikimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit ishin vendosur përpara se Jezusi të lindte. Për shembull, njerëzit që jetuan përpara kohës së Krishtit, mund të ushtronin besim në Krisht, të pendoheshin dhe t’iu faleshin mëkatet nëpërmjet Shlyerjes së Tij, ndonëse Shpëtimtari nuk kishte lindur ende (shih DeB 20:25–26).