Biblioteka
Mësimi 34: Marku 1


Mësimi 34

Marku 1

Hyrje

Gjon Pagëzori predikoi “një pagëzim pendese për faljen e mëkateve” (Marku 1:4). Pasi Gjoni e pagëzoi Jezusin, Shpëtimtari filloi të predikonte ungjillin dhe të bënte mrekulli me anë të fuqisë dhe autoritetit hyjnor. Ai dëboi frymëra të ndyra dhe shëroi një lebros. Fama e Tij u përhap anembanë Galilesë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 1:1–20

Jezusi fillon shërbesën e Tij

Disa ditë përpara orës mësimore, u kërkoni dy studentëve nëse do të tregojnë shkurtimisht në klasë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin. Pas kohës shpirtërore, ftojini të dy studentët që të tregojnë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin. Më pas, pyeteni klasën:

  • Përse është e vlefshme të dëgjosh dëshmi nga disa individë sesa nga një person i vetëm?

  • Çfarë mendoni se mund të jetë me vlerë rreth studimit të dëshmisë së Markut tani që e keni studiuar dëshminë e Mateut?

Ftojini studentët që t’i hedhin një sy të shpejtë dhe në heshtje Markut 1:1–4, 9–11, duke kërkuar ngjarjen me të cilën Marku e filloi rrëfimin e tij për jetën e Shpëtimtarit.

  • Me cilën ngjarje e filloi Marku rrëfimin e tij?

Shpjegoni se rrëfimi i Markut për jetën e Shpëtimtarit është i ndryshëm nga rrëfimi i Mateut. Ai fillon papritmas dhe ecën me një ritëm të shpejtë, duke e theksuar hyjninë e Shpëtimtarit me anë të përqendrimit te veprat dhe mrekullitë e Tij. Ka gjasa që Marku ta ketë shkruar rrëfimin e tij bazuar tek ajo që ai mësoi nga Apostulli Pjetër.

Përmblidheni Markun 1:12–20, duke shpjeguar se pasi Jezusi agjëroi për 40 ditë, Ai u tundua nga djalli. Ai predikoi pendim edhe në Galile, dhe thirri dishepuj që ta ndiqnin Atë. (Shënim: Këto ngjarje u shpjeguan rrënjësisht te mësimet mbi Mateun 4.)

Marku 1:21–39

Jezusi dëbon demonë dhe shëron të sëmurë

Shkruani në tabelë frazën Territori i Armikut dhe pyetini studentët se cilat janë rreziqet që mund të hasë një ushtar në territorin armik.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Ju të rinj po rriteni në territor armik.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se ka pasur një luftë në qiell, se Luciferi u rebelua dhe, me pasuesit e tij, ‘u hodh mbi tokë’ [Zbulesa 12:9]. Ai është i vendosur që ta prishë planin e Atit tonë Qiellor dhe kërkon të kontrollojë mendjet dhe veprimet e të gjithëve” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 16).

  • Në çfarë mënyrash është jeta jonë këtu në tokë si të jesh në territorin armik?

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse janë ndier ndonjëherë të turbulluar për shkak të ndikimeve dhe tundimeve të liga që i rrethojnë ata. Ndërsa studentët studiojnë Markun 1:21–39, ftojini ata që të kërkojnë një të vërtetë e cila do t’i ndihmojë kur të përballen me ndikime dhe tundime të liga.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 1:21–22. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezusi në Kapernaum dhe mënyrën se si reaguan judenjtë.

  • Përse judenjtë u habitën nga mësimet e Shpëtimtarit?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Jezusi dha mësim “si një që ka pushtet”? (Marku 1:22).

Shpjegoni se skribët konsideroheshin ekspertë në ligjin e Moisiut. Kur predikonin, ata shpesh citonin ish-autoritete të ligjit (shih New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 103). Përkundrazi, Jezusi fliste me pushtet e autoritet nga Ati i Tij dhe si Jehovai i Madh, i cili dha ligjin e Moisiut (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Mateu 7:37 [te Mateu 7:29, poshtëshënimi a në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 1:23–26, ose tregojini klasës videon “Jesus Heals a Possessed Man” [“Jezusi Shëron një të Idemonizuar”] (1:48) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], që gjendet në LDS.org. Vëreni klasën të kërkojë se çfarë ndodhi kur Jezusi dha mësim në sinagogë. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë. Shpjegoni se “frymë e ndyrë” i referohet një fryme të ligë.

  • Çfarë dinin frymërat e ndyra për Jezusin?

  • Si e dinin frymërat e ndyra se kush ishte Jezusi? (Frymërat e liga që kërkojnë të zotërojnë trupat fizikë janë pasues të Luciferit. Ata jetuan në prani të Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit përpara se të dëboheshin nga qielli.)

  • Nëse ju do të kishit qenë në sinagogë atëherë, çfarë do të kishit menduar për Jezusin?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Markun 1:27–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan njerëzit pasi e panë Jezusin ta dëbonte frymën e ndyrë nga burri.

  • Si reaguan njerëzit?

  • Çfarë na mëson ky rrëfim rreth fuqisë së Shpëtimtarit? (Studentët duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Shpëtimtari ka fuqi mbi djallin dhe pasuesit e tij.)

  • Si mund të na ndihmojë të diturit e kësaj të vërtete kur ne ndihemi të turbulluar për shkak të ndikimeve dhe tundimeve të liga që na rrethojnë?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“[Jozef Smithi] tha: ‘Shpirtrat e ligj kanë caqet, kufizimet dhe ligjet e tyre, nëpërmjet të cilave qeverisen’ (në History of the Church, 4:576). Prandaj Satani dhe engjëjt e tij nuk janë të gjithëfuqishëm. …

… Përpjekjet e Satanit mund të pengohen nga të gjithë ata që vijnë te Krishti me anë të bindjes ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit” (“Serving the Lord and Resisting the Devil”, Ensign, shtator 1995, f. 6, 7).

  • Sipas Presidentit Faust, çfarë mund të bëjmë ne që të marrim fuqi më të madhe për t’i bërë ballë djallit?

  • Sipas vargut 28, çfarë ndodhi pasi Shpëtimtari e dëboi frymën e ligë?

Përmblidheni Markun 1:29–39, duke shpjeguar që Shpëtimtari shëroi vjehrrën e Simon Pjetrit nga ethet, shëroi shumë të tjerë që ishin të sëmurë dhe dëboi shumë demonë. Jezusi vazhdoi të predikonte në Galile.

Marku 1:40–45

Jezusi shëron një lebros

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë dhe në heshtje Markut 1:40, duke kërkuar se kush erdhi te Shpëtimtari ndërsa Ai vazhdonte të predikonte në Galile. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë. Ftojeni një student të vijë përpara klasës. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur studenti përpara klasës ka lebër.

Shpjegoni se lebra është një sëmundje kronike që prek lëkurën, nervat, sytë, kockat dhe gjymtyrët. Nëse lihet e patrajtuar, ajo çon në një vdekje të dhimbshme. Në kohët e lashta, besohej se çdokush që binte në kontakt me lebrosët do t’i ngjitej sëmundja. Tregoni me gisht nga studenti përpara klasës dhe pyetni:

  • Nëse (emri i studentit/es) do të ishte një lebros/e që jetonte në kohët e lashta, si mund të trajtohej (ai ose ajo)?

Shpjegoni se që të mbrohej shëndeti dhe mirëqenia e bashkësisë, lebrosët detyroheshin që të jetonin jashtë qytetit. Ligji u kërkonte që të thërrisnin “I papastër!” për të paralajmëruar çdokënd që u afrohej atyre (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Leper” [“Lebros”]; Levitiku 13:44–46). Kërkojuni disa studentëve që ta dramatizojnë këtë skenë duke i kaluar pranë studentit që përfaqëson lebrosin. Kur ata i kalojnë pranë, kërkojini studentit që përfaqëson lebrosin të bërtasë: “I papastër! I papastër!” Pyetini studentët që i kalojnë pranë se si do të reagonin në këtë situatë. Pastaj ftojini studentët që të ulen.

  • Si do të ndikonte në jetën tuaj po të kishit lebër?

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur të ishin lebrosë gjatë kohës së Jezu Krishtit. Pyetini ata se çfarë do të bënin nëse do ta shikonin Shpëtimtarin të afrohej.

  • Sipas Markut 1:40, çfarë bëri lebrosi kur e pa Shpëtimtarin? (Shpjegoni se fjalët duke iu lutur duan të thonë duke i kërkuar ose duke iu përgjëruar.)

  • Si e tregoi lebrosi besimin e tij në Jezu Krisht? Si e tregon besimin e lebrosit fraza “po të duash”?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 1:41–42, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari përgjërimit të burrit.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si iu përgjigj Shpëtimtari përgjërimit të burrit?

  • Nëse ju do të kishit qenë lebrosi, çfarë do të thoshte për ju të prekeshit nga Shpëtimtari? Përse?

  • Si do të ndryshonte jeta juaj nëse Jezu Krishti do t’ju shëronte nga lebra?

Shkruajeni thënien vijuese në tabelë: Lebra mund të krahasohet me mëkatin.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si mund të krahasohet lebra me mëkatin (shih Levitiku 14), ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Lebra në kohët biblike, përveç ndikimeve të veta shkatërruese, shikohej si simbol i mëkatit dhe i papastërtisë, duke nënkuptuar që ashtu si kjo sëmundje e ligë brente dhe shkatërronte trupin fizik, kështu mëkati brente dhe kalbte anën shpirtërore të njeriut” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 2:45).

  • Në çfarë mënyrash mund të krahasohet lebra me mëkatin? (Kur bëni krahasimin e lebrës me mëkatin, sigurohuni që studentët të kuptojnë se sëmundjet nuk shkaktohen domosdoshmërisht nga mëkati.)

Ftojeni një student të rilexojë me zë të lartë Markun 1:40–42, këtë herë duke zëvendësuar fjalën mëkatar me lebros dhe mëkat me lebër. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ne mund ta krahasojmë këtë shërim të lebrosit me të qenit i pastruar nga mëkati.

  • Kur ju i lexoni këto vargje në këtë mënyrë, cilat fjalë sugjerojnë idenë e të qenit të falur?

  • Si mund ta krahasojmë atë që bëri lebrosi për t’u pastruar nga lebra, me atë që na nevojitet të bëjmë për t’u pastruar nga mëkati?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga krahasimi i shërimit të lebrosit me të qenit i pastruar nga mëkati? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë parimin vijues: Kur ne ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai do të ketë dhembshuri për ne dhe do të na pastrojë nga mëkati. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Në ç’mënyra duhet të ushtrojmë besim dhe të vijmë te Shpëtimtari, që Ai të mund të na falë për mëkatet tona?

Ftojini studentët të marrin përsëri në shqyrtim se si ishte jeta e lebrosit para dhe pasi u shërua.

  • Si mund ta ndryshojë jetën e dikujt ardhja te Jezu Krishtit për t’u pastruar nga mëkati?

  • Kur e keni parë jetën e dikujt të ndryshojë pasi është pastruar nga mëkati nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit? (Porositini studentët që të mos i përmendin individët me emër apo të tregojnë për mëkatet e tyre të kaluara.)

Kërkojuni studentëve që të përsiatin se nga cilat mëkate ata kanë nevojë të pastrohen. Ftojini studentët të vijnë te Shpëtimtari duke ushtruar besim tek Ai nëpërmjet lutjes, pendimit dhe bindjes, që Ai të mund t’i pastrojë ata. Merrni parasysh të tregoni dëshminë tuaj për fuqinë pastruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 1:43–45. Vëreni klasën të kërkojë udhëzimet që Shpëtimtari i dha lebrosit të shëruar. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Shpjegoni se ligji i Moisiut u kërkonte atyre që shëroheshin nga lebra, t’ia tregonin veten e tyre një prifti në tempull dhe të bënin një flijim.

  • Çfarë bëri burri pasi Shpëtimtari e paralajmëroi që të mos u tregonte të tjerëve?

  • Çfarë ndodhi për shkak se burri e përhapi lajmin e shërimit të tij?

Merrni parasysh që ta përfundoni mësimin duke i pyetur studentët për atë që u bëri më shumë përshtypje nga veprimet e Jezu Krishtit të shënuara te Marku 1.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 1:24–25. Përse Shpëtimtari i urdhëroi demonët të “hesht[nin]”?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Jezusi “vazhdimisht refuzonte që t’i lejonte [demonët] të dëshmonin për hyjninë e tij. Dëshmia e kthimit në besim vjen nga Perëndia, jo nga Luciferi. Nëse Jezusi do t’i kishte lënë frymërat e ndyra pa i qortuar, ose do ta pranonte në heshtje dëshminë e tyre për të (edhe pse në fakt ishte e vërtetë), judenjtë do të kishin një shfajësim më të madh për akuzën e tyre të rreme kundër tij: ‘Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?’ (Gjoni 10:20.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll [1965–1973], 1:168).

Marku 1:40. Lebra

Një komentues i Biblës i përshkroi ndikimet shkatërruese të lebrës si vijon:

“Simptomat dhe ndikimet e kësaj sëmundjeje janë shumë të neveritshme. Krijohet një enjtje ose kore e bardhë, që e ndryshon ngjyrën e qimeve … nga ngjyra e tyre natyrale në të verdhë; më pas shfaqet një njollë që shkon më thellë se sa lëkura ose mishi i njomë, i cili shfaqet nga të enjturit. … Thonjtë lëvizin dhe këputen, mishrat e dhëmbëve konsumohen dhe dhëmbët kalben e bien; fryma kutërbon, hunda kalbet; gishtat, duart, këmbët, mund të shpërbëhen ose sytë bëhen të zgavërta. Bukuria njerëzore është zvetënuar” (Charles F. Deems, The Light of the Nations [1884], f. 185).

Marku 1:40–42. Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të pastrohemi nga mëkati

Plaku Shejn M. Bouen, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

“Shlyerja e Jezu Krishtit është në dispozicion për secilin prej nesh. Shlyerja e Tij është e pafundme. Ajo gjen zbatim për çdokënd, edhe për juve. Ajo mund t’ju pastrojë, përtërijë dhe shenjtërojë edhe juve. Kjo është çfarë do të thotë e pafundme – tërësish, plotësisht, e gjitha, përgjithmonë. Presidenti Bojd K. Paker na ka mësuar se: ‘Nuk ka asnjë ves, asnjë varësi, asnjë rebelim, asnjë shkelje, asnjë braktisje, asnjë krim që bën përjashtim nga premtimi i faljes së plotë. Ky është premtimi i shlyerjes së Krishtit’ (“The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 20)” (“Shlyerja Mund të Pastrojë, Përtërijë dhe Shenjtërojë Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 34; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 47).