Biblioteka
Mësimi 84: Veprat e Apostujve 3


Mësimi 84

Veprat e Apostujve 3

Hyrje

Te dera e tempullit, Pjetri, i shoqëruar nga Gjoni, shëroi një burrë që kishte lindur i çalë. Pjetri më pas u dha mësim njerëzve që e kishin dëshmuar shërimin e këtij burri. Ai dëshmoi për Jezu Krishtin, i ftoi ata të pendoheshin dhe profetizoi për Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 3:1–11

Pjetri dhe Gjoni shërojnë një burrë që kishte lindur i çalë

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur ata kërkuan për diçka të veçantë (ndoshta një dhuratë për ditëlindje ose për Krishtlindje), por morën diçka tjetër në vend të saj. Kërkojuni disa prej tyre t’i tregojnë përvojat e tyre dhe të shpjegojnë se si u ndien kur nuk e morën atë që dëshironin.

  • Si mund t’i krahasojmë këto përvoja me të kërkuarin e bekimeve nga Ati Qiellor nëpërmjet lutjes? (Nganjëherë Ati Qiellor nuk iu përgjigjet pyetjeve tona në mënyrat që presim ose nuk jep bekimet që ne kërkojmë.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin përvoja në të cilat ata nuk e morën përgjigjen ose bekimin që po prisnin nga Ati Qiellor.

Ftojeni klasën të kërkojë një parim teksa studion Veprat e Apostujve 3, që do t’i ndihmojë ata kur nuk po i marrin përgjigjet ose bekimet që presin nga Zoti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 3:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilin takuan Pjetri dhe Gjoni te dera e tempullit.

  • Cilin takuan Pjetri dhe Gjoni te dera e tempullit?

  • Çfarë do të thotë që ky burrë “u kërkoi lëmoshë”? (vargu 3). (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala lëmoshë përfshin artikujt që njerëzit u dhurojnë të varfërve.)

Vini në dukje se ne mësojmë nga Veprat e Apostujve 4:22 që burri i çalë ishte më shumë se 40 vjeç.

  • Duke marrë parasysh që ky burrë nuk kishte qenë në gjendje të ecte për 40 vjet, në çfarë gjendje mund të kenë qenë këmbët e burrit të çalë?

Ftojeni klasën të marrë parasysh se si do të ndiheshin po të ishin në vendin e burrit të çalë.

  • Cilat janë disa mënyra tipike sipas të cilave njerëzit mund t’i përgjigjen dikujt në situatën e këtij burri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 3:4–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri bëri për këtë burrë.

  • Çfarë bëri Pjetri për këtë burrë?

  • Çfarë ju bie në sy rreth veprimeve dhe fjalëve të Pjetrit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 3:8 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që bëri burri pasi Pjetri “e ngriti në këmbë” (vargu 7).

Për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë ngjarjet e shënuara te Veprat e Apostujve 3:1–8, ju mund të doni të shfaqni materialin filmik “Peter and John Heal a Man Crippled Since Birth” [“Pjetri dhe Gjoni Shërojnë një Burrë të Çalë që nga Lindja”] (03:21) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Materiale Filmike nga Bibla për Jetën e Jezu Krishtit], në dispozicion te LDS.org.

  • Çfarë bëri burri pasi Pjetri “e ngriti në këmbë”?

  • Në çfarë mënyrash ishte bekimi që mori ky burrë, më i madh nga lëmoshat për të cilat kishte kërkuar fillimisht?

Kërkojuni studentëve të sjellin ndërmend përvojën në të cilën ata morën nga Ati Qiellor një përgjigje ose bekim që ishte i ndryshëm nga përgjigjja ose bekimi që ishin duke pritur.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 3:1–8 që mund të na ndihmojë kur nuk e marrim përgjigjen ose bekimin që po presim nga Ati Qiellor? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ati Qiellor mund të mos u përgjigjet lutjeve tona në mënyrat që ne dëshirojmë ose që presim prej Tij, por përgjigjet e Tij janë gjithmonë për të mirën tonë më të madhe. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë dhe merrni parasysh t’i ftoni studentët ta shkruajnë atë në anë të shkrimeve të tyre të shenjta pranë vargut 6.)

  • Si mund t’u përgjigjet Ati Qiellor lutjeve tona ndryshe nga mënyra se si ne dëshirojmë ose presim që Ai të përgjigjet? (Për shembull, Ai mund të na japë forcë për ta duruar një sprovë në vend që ta largojë atë, ose Ai mund të na japë urtësi për të na ndihmuar që ta zgjidhim një problem në vend që ta zgjidhë atë për ne.)

Shpjegoni se në rrëfimin e shënuar te Veprat e Apostujve 3:1–8, është e qartë se ajo që mori ky burrë ishte më e madhe se ajo që ai kishte kërkuar. Megjithatë, në raste të tjera mund të mos jetë aq e qartë se ajo që po marrim është më e madhe nga ajo që kërkuam.

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e së vërtetës së shkruar në tabelë kur marrim përgjigje ndaj një lutjeje që ndryshon nga përgjigjja që prisnim?

Ftojini studentët të përsiatin përvoja në të cilat përgjigjja e Zotit ndaj lutjeve të tyre ishte e ndryshme nga përgjigjja që ata dëshironin, por përfundoi të ishte për të mirën e tyre më të madhe. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë për përvojat e tyre. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë nga vetja juaj.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 3:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj shërimit të këtij burri.

  • Si reaguan njerëzit ndaj shërimit të këtij burri?

Veprat e Apostujve 3:12–26

Pjetri dëshmon për Jezu Krishtin dhe predikon pendim

Ftojeni klasën të përfytyrojë sikur ata të kishin qenë mes njerëzve në tempull, të cilët e dëshmuan shërimin e burrit të çalë. Vini në dukje që këta njerëz shpesh e kishin parë burrin e çalë duke lypur teksa hynin në dyert e tempullit, por pasi ishte shëruar, ata e panë duke kërcyer dhe duke ecur.

  • Nëse do të kishit qenë mes njerëzve në tempull, si mendoni se këndvështrimi juaj për Pjetrin dhe Gjonin mund të kishte ndryshuar pas dëshmimit të kësaj mrekullie?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojë me zë të lartë së bashku Veprat e Apostujve 3:12–16, duke kërkuar se si Pjetri ia shpjegoi turmës shërimin e burrit të çalë. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini:

  • A mori Pjetri për vete meritë për shërimin e burrit?

  • Prej cilës fuqi tha Pjetri që burri ishte shëruar? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Shërbëtorët e Jezu Krishtit mund të kryejnë mrekulli nëpërmjet besimit në emrin e Tij.)

Shpjegoni se Pjetri e përdori këtë rast që t’u jepte mësim njerëzve rreth Jezu Krishtit, i cili kohët e fundit ishte dënuar me vdekje nga vetë populli i Tij, por e kishte mposhtur vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 3:17–21, duke përfshirë ndryshimet e Joseph Smith Translation [Përkthimit prej Joseph Smith-it] për vargjet 17 (shih në Biblën në anglisht shënimin a në fund të faqes) dhe 20 (shih shënimin b në fund të faqes). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ftesën e Pjetrit drejtuar njerëzve.

  • Çfarë i ftoi Pjetri njerëzit që të bënin?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë mesazhin e Pjetrit, vini në dukje që Pjetri po u fliste njerëzve që e kishin kërkuar ose e kishin miratuar Kryqëzimin e Jezu Krishtit (shih Veprat e Apostujve 3:14–15). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“[Pjetri] nuk u tha atyre: ‘Pendohuni dhe pagëzohuni për heqjen e mëkateve tuaja’; por ai tha: ‘Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit’. [Veprat e Apostujve 3:19.]

… Ata nuk mund të pagëzoheshin për heqjen e mëkateve të tyre ngaqë kishin derdhur gjak të pafajshëm” (në History of the Church, 6:253).

Vini në dukje frazën “që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit, dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin” (vargjet 19–20).

  • Si mendoni, çfarë gjëje i drejtohet kjo frazë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek–Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek–Konki

“Kjo periudhë e përcaktuar, këto kohët e flladit, do të ndodhin në ardhjen e dytë të Birit të Njeriut, në ditën kur Zoti e dërgon Krishtin përsëri në tokë.

… Është koha kur ‘toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës’. (Neni i Dhjetë i Besimit.) Është koha për një ‘tokë të re’ që Isaia e pa (Isaia 65:17), toka që do të triumfojë kur ligësia pushon, kur epoka mijëvjeçare të fillojë” (në Conference Report, tetor 1967, f. 43).

Pamja
Ardhja e Dytë

Në tabelë, paraqitni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 66; shih edhe LDS.org). Emërtojeni atë duke shkruar në tabelë Kohët e flladit pranë figurës.

  • Si do të përjetojë fllad toka në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit? (Ajo do të pastrohet nga ligësia.)

Vini në dukje frazën “koh[a] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave” (vargu 21).

  • Cilës mendoni se i drejtohet fraza “koh[a] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave”? (Ju mund të doni të vini në dukje Veprat e Apostujve 3:21, në Biblën në anglisht shënimi a në fund të faqes për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se kjo i drejtohet Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme. Jezu Krishti do të mbetet në qiell gjatë periudhës së ardhshme të braktisjes, por Ai do të kthehet në tokë për të bërë të ndodhë ripërtëritja ose rivendosja e të gjitha gjërave që i përkasin ungjillit. Ju gjithashtu mund të doni të vini në dukje që Pjetri e përdori frazën “koh[a] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave” për të përshkruar raste kur Jezu Krishti do të vizitonte tokën përpara Ardhjes së Tij të Dytë.)

  • Kur e ka vizituar Jezu Krishti tokën si pjesë e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme? (Studentët mund të përmendin shfaqjet e Shpëtimtarit në Vegimin e Parë të Jozef Smithit [shih Joseph Smith – Historia 1:17] dhe në Tempullin e Kirtlandit [shih DeB 110:2–5].)

Pamja
Vegimi i Parë

Në tabelë, paraqitni figurën Vegimi i Parë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 90; shih edhe LDS.org). Emërtojeni atë duke shkruar në tabelë frazën Koha e ripërtëritjes së të gjitha gjërave pranë figurës.

  • Sipas vargut 21, cili përveç Pjetrit kishte folur për Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme? (Duke përdorur fjalët e veta, studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Profetët në të gjitha kohët e kanë paratreguar Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme.)

Përmblidhni Veprat e Apostujve 3:22–26 duke shpjeguar se Pjetri dëshmoi që Moisiu dhe “të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej” (vargu 24) kishin folur për Jezu Krishtin dhe paralajmëruan për pasojat e mohimit të Tij (vargu 23).

Ju mund të doni ta mbyllni duke dhënë dëshminë tuaj që Jezu Krishti ka ardhur në tokë si pjesë e Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme dhe që Ai do të kthehet në Ardhjen e Tij të Dytë për ta pastruar tokën nga ligësia.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Veprat e Apostujve 3:19–21

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ta përdorin fragmentin Veprat e Apostujve 3:19–21 në një mjedis misionar, paraqitni skenarin vijues: Një kërkues pyet: “Ku thuhet në Bibël që ungjilli do të rivendoset në ditët e fundit?”

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojini secilës dyshe të përgatitë një përgjigje për këtë pyetje duke përdorur Veprat e Apostujve 3:19–21 dhe të paktën një fragment tjetër nga Bibla. Ju mund t’i nxitni ata që të shohin nën titullin “Rivendosje e Ungjillit” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student të interpretojë rolin e kërkuesit dhe njërën nga dyshet e studentëve të interpretojnë rolin e misionarëve përpara klasës. Kërkojini dyshes së studentëve që të interpretojnë rolin e misionarëve, që t’ia japin përgjigjen e tyre të përgatitur studentit i cili po interpreton rolin e kërkuesit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 3:6. “Atë që kam po ta jap”

Ndërkohë që shërbente si dekani për mësimin fetar në Universitetin “Brigam Jang”, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Pjetri nuk kishte para, por kishte pasuri: ‘atë që ai kishte’ përfshinte çdo çelës të mbretërisë së Perëndisë në tokë, fuqinë e priftërisë për të ngritur së vdekuri, besimin për të forcuar kockat dhe muskujt, një dorë të djathtë, të fortë të shoqërimit të krishterë. Ai nuk mund të jepte argjend ose ar, por ai mund të jepte atë që gjithmonë blihet ‘pa para dhe pa paguar’ (Isaia 55:1) – dhe ai e dha atë” (“The Lengthening Shadow of Peter”, Ensign, shtator 1975, f. 30).

Veprat e Apostujve 3:7. “Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se rrëfimi i Pjetrit për shërimin e burrit të çalë tregon të vërtetën që mbajtësit e priftërisë veprojnë në vend të Jezu Krishtit kur japin bekime:

“Pjetri nuk i kërkoi Zotit ta shëronte të gjymtuarin; ai nuk iu lut Perëndisë që ta derdhte hirin dhe virtytin e Tij të shërimit mbi burrin e çalë. Përkundrazi – duke vepruar në emrin e Zotit dhe nëpërmjet virtytit tashmë të marrë të një dhënieje të autoritetit të priftërisë – ai vetë urdhëroi të ndodhte mrekullia. Pjetri ishte shërbëtori i Zotit, përfaqësuesi dhe vepruesi i Tij; ai qëndroi në vendin dhe rolin e Krishtit, duke bërë atë që Mësuesi do ta bënte nëse ishte vetë i pranishëm” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:46).

Kjo e vërtetë gjithashtu ilustrohet te Doktrina e Besëlidhje 36:2, në të cilën Zoti tha: “Unë do ta vë dorën time mbi ty [Eduard Partrixhin] nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim Sidney Rigdon”.

Presidenti Harold B. Li dha mësim një të vërtetë tjetër të rëndësishme, duke përdorur shembullin e sjelljes së Pjetrit pasi Pjetri kishte shëruar burrin e çalë me anë të fuqisë së priftërisë:

“Do ta shihni tani atë figurë të atij njeriu fisnik, atij më kryesorit të apostujve, ndoshta me krahët e tij të vendosura rreth supeve të këtij burri, dhe duke thënë: ‘Tani, o burrë i mirë, bëj kurajë, unë do të eci disa hapa me ty. Le të ecim së bashku dhe të siguroj që ti mund të ecësh, sepse ke marrë një bekim me anë të fuqisë dhe autoritetit që Perëndia na e ka dhënë neve si burra, shërbëtorët e Tij.’ Atëherë burri kërceu me gëzim.

Ju nuk mund ta ngrini moralisht një qenie tjetër derisa ju të qëndroni në një vend më të lartë se ç’po qëndron ai. Ju duhet të jeni të sigurt, nëse do ta shpëtoni njeriun, që ju vetë po jepni një shembull të asaj që do të donit që ai të ishte. Ju nuk mund të ndizni një zjarr brenda një qenie tjetër, në qoftë se ai nuk digjet brenda vetë qenies suaj” (“Stand Ye in Holy Places”, Ensign, korrik 1973, f. 123).