Biblioteka
Mësimi 67: Gjoni 8:1–30


Mësimi 67

Gjoni 8:1–30

Hyrje

Teksa Shpëtimtari ishte në Jerusalem për Festën e Tabernakujve, disa skribë dhe farisenj sollën një grua tek Ai e cila ishte fajtore për shkeljen e kurorës dhe e pyetën nëse ajo duhej të vritej me gurë. Ai i pështjelloi akuzuesit dhe tregoi mëshirë ndaj gruas. Jezusi gjithashtu dha mësim se Ati jep dëshmi për Të.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 8:1–11

Një grua që kishte shkelur kurorën sillet përpara Shpëtimtarit

Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur mund të kenë takuar ose mund të jenë shoqëruar me njerëz, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk ishte në përputhje me standardet e Zotit.

  • Çfarë sfidash mund të hasim kur jemi me njerëz të tjerë, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk është në përputhje me standardet e Zotit? (Studentët mund të përgjigjen që ne mund të tundohemi t’i gjykojmë këta individë në mënyrë të padrejtë ose t’i trajtojmë ata pa mirësjellje.)

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:

Çfarë duhet të bëjmë në situata kur jemi me njerëz të tjerë, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk është në përputhje me standardet e Zotit?

Nxitini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Gjonin 8:1–11 që mund të na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.

Shpjegoni se pas Festës së Tabernakujve, Jezu Krishti mbeti në Jerusalem për ca kohë dhe u dha mësim njerëzve te tempulli (shih Gjoni 8:1–2).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi teksa Jezusi u jepte mësim njerëzve.

  • Çfarë ndodhi teksa Jezusi u jepte mësim njerëzve?

  • Çfarë pyetje i bënë skribët dhe farisenjtë Shpëtimtarit?

  • Sipas vargut 6, cili ishte qëllimi i skribëve dhe farisenjve? (Ata po përpiqeshin ta diskreditonin Jezusin përpara njerëzve dhe të krijonin arsye për ta akuzuar Atë, sepse donin arsye për ta arrestuar dhe për ta vrarë Atë [shih Gjoni 7:1, 32].)

Shpjegoni se, në qoftë se Jezusi thoshte ta vrisnin gruan me gurë, Ai do të kishte përkrahur një ndëshkim që nuk gëzonte popullaritet mes popullit judeas dhe ndalohej nga ligji romak. Nëse Jezusi thoshte që të mos vritej gruaja me gurë, Ai do të akuzohej që po e shpërfillte ligjin e Moisiut ose që po i trajtonte pa respekt praktikat e pranuara të së shkuarës. (Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:450–451.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj Shpëtimtari.

  • Sipas vargut 7, cila ishte përgjigjja e Jezusit?

  • Si mendoni, çfarë donte Shpëtimtari që këta njerëz të kuptonin kur Ai tha: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”? (vargu 7).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi kur farisenjtë dhe skribët morën parasysh thënien e Shpëtimtarit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “të bindur nga ndërgjegjja [e tyre]”?

  • Çfarë pranuan këta njerëz kur zgjodhën që të largoheshin?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth mënyrës se si ta shmangim dënimin e të tjerëve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Pranimi i vetë papërsosmërive tona mund të na ndihmojë ta shmangim dënimin e të tjerëve. Shkruajeni këtë parim nën pyetjen në tabelë.)

  • Si mendoni se na ndihmon pranimi i vetë papërsosmërive tona që ta shmangim dënimin e të tjerëve?

Kujtojini studentët se kjo grua ishte fajtore për shkeljen e kurorës, që është një mëkat jashtëzakonisht i rëndë (shih Alma 39:3–5).

  • Si mendoni, çfarë ndjenjash mund të ketë pasur kjo grua kur mëkati i saj iu zbulua Jezusit dhe një turme të madhe njerëzish?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:10–11. Vëreni një student të lexojë gjithashtu me zë të lartë Joseph Smith Translation [në Biblën në anglisht] te vargu 11, shënimi c në fund të faqes. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si Shpëtimtari iu përgjigj kësaj gruaje.

  • Në çfarë mënyre tregoi Shpëtimtari dashuri dhe mëshirë për këtë grua?

  • Çfarë udhëzimesh i dha Shpëtimtari kësaj gruaje?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se Shpëtimtari nuk po e pranoi mëkatin e kësaj gruaje, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Urdhri i Tij për të ishte: ‘Shko dhe mos mëkato më’. Ai po e udhëzonte gruan mëkatare të shkonte në udhën e saj, ta braktiste jetën e saj të ligë, të mos bënte më mëkat, ta ndryshonte jetën e saj. Ai po i thoshte: ‘Shko, grua, dhe fillo pendesën tënde’; dhe Ai po i tregonte asaj hapin fillestar – për t’i braktisur shkeljet e saj” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 165).

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga vargjet 10–11? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpëtimtari na tregon mëshirë duke na dhënë mundësi për t’u penduar. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete kur mëkatojmë?

  • Si mund të na ndihmojnë dy të vërtetat që kemi përcaktuar, që të përgjigjemi në situata kur jemi me njerëz të tjerë, pamja e jashtme ose sjellja e të cilëve nuk është në përputhje me urdhërimet dhe standardet e Zotit?

  • Sipas Joseph Smith Translation [Përkthimit prej Joseph Smith-it në Biblën në anglisht] të vargut 11, çfarë ndikimi pati mbi gruan mëshira e Shpëtimtarit?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ndjenjat që i kanë për Shpëtimtarin, për shkak të gatishmërisë së Tij për të na treguar mëshirë dhe për të na dhënë mundësi që të pendohemi.

Gjoni 8:12–30

Jezusi jep mësim se Ati i Tij jep dëshmi për Të

Ftojini studentët të mbyllin sytë dhe të përpiqen të vizatojnë një figurë të thjeshtë të një objekti të caktuar. Më pas kërkojuni studentëve të hapin sytë dhe t’i krahasojnë vizatimet e tyre me vizatimet e fqinjëve të tyre.

  • Cilat janë disa gjëra që ju mund t’i bëni më mirë në dritë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Gjonin 8:12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi shpalli rreth vetes së Tij.

  • Çfarë e quajti Jezusi veten e Tij? (Shkruani doktrinën vijuese në tabelë: Jezu Krishti është Drita e Botës.)

Kujtojini studentët që Jezusi e bëri këtë deklarim në Festën e Tabernakujve. Gjatë çdo mbrëmjeje të festës tetëditore, mbajtëse të stërmëdha dritash, ose minorat, ndizeshin në oborret e tempullit, duke siguruar ndriçim për shumë njerëz që ishin në Jerusalem për festimin.

  • Si i siguroi Jezu Krishti dritë gruas që kishte shkelur kurorën dhe njerëzve që e akuzuan atë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit në vargun 12? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata përcaktojnë parimin vijues: Në qoftë se e ndjekim Shpëtimtarin, ne do ta shmangim errësirën shpirtërore dhe do të mbushemi me dritën e Tij.)

  • Si e ndieni që Shpëtimtari ju ndihmon ta shmangni ecjen në errësirë shpirtërore?

Shpjegoni se disa profeci të Dhiatës së Vjetër vënë në dukje që Mesia do të ishte një dritë për të gjitha kombet (shih Isaia 49:6; 60:1–3). Si rrjedhim, duke e shpallur veten e Tij të ishte Drita e Botës, Jezusi po shpallte se Ai ishte Mesia.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigjën farisenjtë deklarimit të Shpëtimtarit.

  • Si iu përgjigjën farisenjtë deklarimit të Shpëtimtarit?

  • Përse thanë ata që anali ose dëshmia e Jezusit nuk ishte i vërtetë? (Sepse Ai kishte dëshmuar për veten e Tij.)

Shpjegoni se Jezusi i kujtoi farisenjtë që ligji i Moisiut kërkonte dëshminë e të paktën dy vetave që të mbështetej e vërteta (shih Gjoni 8:17; Ligji i Përtërirë 17:6). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush tjetër dha dëshmi që Jezusi ishte Mesia i premtuar.

  • Sipas vargut 18, cili tha Shpëtimtari ishte një dëshmitar i dytë i hyjnishmërisë së Tij? (Ju mund të doni të theksoni që nëpërmjet këtij deklarimi Jezusi pohoi që Ai dhe Ati i Tij janë dy qenie të veçuara.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:19. Vëreni klasën të kërkojë atë që farisenjtë nuk e kuptuan rreth Jezusit dhe Atit të Tij.

  • Sipas vargut 19, përse farisenjtë nuk e njihnin Atin? (Farisenjtë nuk e njihnin Atin ngaqë ata nuk e njihnin Jezusin dhe se kush ishte Ai në të vërtetë.)

  • Bazuar në atë që Shpëtimtari u tha farisenjve, çfarë mund të bëjmë që të arrijmë ta njohim Atin Qiellor? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se ndërkohë që mësojmë për Jezu Krishtin, ne arrijmë të njohim Atin. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në gjithçka që Jezusi erdhi të thoshte dhe të bënte, duke përfshirë dhe veçanërisht në vuajtjen dhe flijimin e Tij shlyes, Ai po na tregonte se cili është Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, dhe se si është Ai, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë e komb. Me fjalë dhe vepra Jezusi po përpiqej ta zbulonte dhe ta bënte vetjake për ne natyrën e vërtetë të Atit të Tij, Atit tonë në Qiell. …

Prandaj duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit, e Atij që është ‘i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi’. Në jetën e Tij dhe veçanërisht në vdekjen e Tij, Krishti po shpallte: ‘Kjo është dhembshuria e Perëndisë që po ju tregoj, si edhe dhembshuria ime’” (“The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 70, 72).

  • Sipas Plakut Holland, çfarë mësojmë rreth Atit tonë Qiellor ndërkohë që mësojmë rreth Jezu Krishtit?

Përmblidheni Gjonin 8:21–24 duke shpjeguar se Shpëtimtari i paralajmëroi farisenjtë që, në qoftë se nuk besonin në Të, ata do të vdisnin në mëkatet e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 8:25–30. Vëreni klasën të kërkojë për të vërteta shtesë që Jezusi ua dha mësim farisenjve rreth vetes së Tij dhe Atit Qiellor. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë të vërtetash shtesë i dha mësim Jezu Krishti rreth vetes së Tij dhe Atit Qiellor?

  • Si na ndihmojnë më tej mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje për ta kuptuar marrëdhënien midis Shpëtimtarit dhe Atit Qiellor?

Ftojini studentët të përdorin disa minuta që të shqyrtojnë dhe përsiatin tregimet që kanë studiuar lidhur me fjalët dhe veprimet e Jezu Krishtit në Dhiatën e Re këtë vit (duke përfshirë, për shembull, rrëfimin e gruas që kishte shkelur kurorën). Ju mund të doni të paraqitni fotografi nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ([2009]; shih edhe LDS.org) të cilat paraqesin ngjarje nga shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri. Ftojini disa studentë të përmbledhin një tregim për të cilin mendoi secili dhe t’i shpjegojnë klasës se çfarë na mëson ai tregim rreth Atit tonë në Qiell.

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 8:7. “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, na dha provimin vijues për veten që të shohim nëse ndonjëherë jemi fajtorë për hedhjen e gurëve:

“Të dashur vëllezër e motra të mia, quajini pyetjet vijuese si një provim për veten:

A mbani mëri kundrejt dikujt tjetër?

A bëni thashetheme, madje edhe kur ajo që thoni mund të jetë e vërtetë?

A i përjashtoni, i largoni nga vetja apo i ndëshkoni të tjerët për shkak të diçkaje që ata kanë bërë?

A jeni fshehtësisht ziliqarë ndaj dikujt?

A dëshironi t’i bëni keq dikujt?

Nëse iu përgjigjët ‘po’ ndonjërës prej këtyre pyetjeve, ju mund të dëshironi të zbatoni predikimin e mëparshëm dyfjalësh: Ndaleni atë!

Në një botë akuzash dhe armiqësish, është e lehtë të gjesh arsye për të mbledhur e për të hedhur gurë gjykimi. Por përpara se të bëjmë kështu, le t’i kujtojmë fjalët e Atij që është Mjeshtri dhe modeli ynë: ‘Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin’.

Vëllezër dhe motra, le t’i ulim gurët tanë” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 76).