Biblioteka
Mësimi 96: Veprat e Apostujve 20–22


Mësimi 96

Veprat e Apostujve 20–22

Hyrje

Pali predikoi ungjillin në Azinë e Vogël (Turqia e kohës së sotme) dhe ndërkohë që ishte në Milet, një qytet pranë Efesit, ai paralajmëroi për një braktisje të ardhshme dhe i nxiti udhëheqësit e priftërisë t’i lartësonin anëtarët e Kishës. Më pas udhëtoi për në Jerusalem ku u përndoq dhe u arrestua. Teksa qëndronte te shkallët e fortesës Antonia (një garnizon ku qëndronin trupat romake), Pali tregoi historinë e tij të kthimit në besim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 20:1–21:40

Pali kryen shërbesë në Azinë e Vogël dhe udhëton për në Jerusalem, ku rrihet dhe arrestohet

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur atyre iu desh të linin për disa ditë, javë apo muaj familjen, shoqërinë e tyre ose njerëz të tjerë që i donin.

  • Çfarë lloj ndjenjash kishit përpara se të largoheshit ju ose ata me të cilët ishit?

  • Çfarë i thatë njëri-tjetrit përpara se të ndaheshit?

Shpjegoni se gjatë udhëtimit të tretë misionar të Palit, ai kaloi kohë në Maqedoni, Greqi dhe Azinë e Vogël. Gjatë këtij udhëtimi, ai ndjeu mbresën që të kthehej në Jerusalem. Teksa udhëtonte, ai ndalej për të predikuar dhe për t’u thënë lamtumirë anëtarëve të Kishës përgjatë udhës. Natën përpara largimit të tij nga Troasi, në Shabatin e ri (të dielën), Pali dhe dishepujt u mblodhën së bashku të merrnin sakramentin (shih Veprat e Apostujve 20:7). Më pas, Pali foli me shenjtorët deri natën vonë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 20:9–12. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që i ndodhi një djaloshi të quajtur Eutik pasi e zuri gjumi gjatë predikimit të Palit.

  • Çfarë i ndodhi Eutikut?

  • Çfarë bëri Pali që të tregonte dashuri dhe kujdes për këtë djalosh?

  • Si pasqyrojnë veprimet e Palit shërbesën e Shpëtimtarit?

Shpjegoni se si pjesë e udhëtimit të tretë misionar të Palit, ai kaloi gati tre vjet në Efes duke punuar mes njerëzve atje. Përmblidhni Veprat e Apostujve 20:13–17 duke shpjeguar se në udhën e tij për në Jerusalem, Pali ndaloi në Milet, në të dalë të Efesit, dhe dërgoi lajm për udhëheqësit e Kishës në Efes që të takoheshin me të.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 20:18–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali shpjegoi rreth shërbimit të tij.

  • Si e përshkroi Pali shërbimin e tij misionar?

  • Çfarë kuptimi mund të ketë thënia e Palit se ai “nuk fsheh[u] asgjë” (vargu 20) nga ata të cilëve u dha mësim?

  • Sipas vargut 23, me çfarë ishte i gatshëm të përballej Pali si shërbëtor i Zotit?

Shpjegoni se Pali ishte veçanërisht i cenuar nga rreziku në Jerusalem, ku udhëheqësit judeas e shihnin si një tradhtar për shkak të përpjekjeve të tij për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Sipas vargut 22, përse ishte Pali i gatshëm të shkonte në Jerusalem?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 20:24–27. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pali po përgatitej të bënte si një shërbëtor i Zotit.

  • Sipas vargut 24, çfarë u përgatit Pali të bënte si një shërbëtor i Zotit?

  • Çfarë emocioni tha Pali se ndjeu në bërjen e asaj që e drejtoi Zoti?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i shërbimit të Palit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shërbëtorët e vërtetë të Zotit e kryejnë me besnikëri detyrën e tyre dhe kur e bëjnë këtë gjë, ata ndiejnë gëzim.)

  • Çfarë do të thotë për ju të kryeni me besnikëri detyrën tuaj?

  • Si mund ta zbatojmë këtë të vërtetë në vetë jetën tonë?

Ftojini studentët të tregojnë për një kohë kur ata ose dikush që e njohin, zgjodhën t’i shërbenin Zotit me të gjithë energjinë dhe forcën e tyre dhe përjetuan gëzim të madh.

Kujtojuni studentëve që Pali i vizitoi udhëheqësit e Kishës në Efes për herën e fundit përpara se të nisej për në Jerusalem.

  • Nëse do të ishit në vendin e Palit dhe e dinit se nuk do t’i shihnit përsëri udhëheqësit e Kishës në Efes, çfarë këshille do t’u jepnit atyre përpara se të largoheshit?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 20:28–31, duke kërkuar paralajmërimet e Palit dhënë këtyre udhëheqësve të Kishës.

  • Për çfarë i paralajmëroi Pali këta udhëheqës?

Shpjegoni se Pali i përdori ujqërit si një metaforë për njerëzit jobesnikë, të cilët do t’i mashtronin anëtarët besnikë të Kishës.

  • Çfarë fjale përdorim për ta përshkruar gjendjen e atyre që largohen nga e vërteta dhe kërkojnë t’i udhëheqin të tjerët larg nga e vërteta? (Braktisja. Shpjegoni se Pali po i paralajmëronte udhëheqësit e Kishës për braktisjen e ardhshme brenda Kishës.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 20:36–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigjën udhëheqësit e Kishës kur Pali u largua. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 21:1–10 duke shpjeguar se Pali e vazhdoi udhëtimin e tij drejt Jerusalemit dhe ndaloi në krahina të ndryshme për të kaluar kohë me anëtarët e Kishës përgjatë udhës. Kur Pali u ndal në një qytet të quajtur Tiro, disa dishepuj – dukshëm të shqetësuar për sigurinë e Palit – e këshilluan Palin që të mos shkonte në Jerusalem (shih Veprat e Apostujve 21:4).

Në Cezarea, një profeti i quajtur Agab profetizoi lidhur me atë që do t’i ndodhte Palit në Jerusalem. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 21:11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që profetizoi Agabi. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala brez i drejtohet një rripi.) Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 21:12–14. Vëreni klasës ta ndjekë, duke kërkuar se si Pali dhe shoqëruesit e tij iu përgjigjën profecisë.

  • Si reaguan shoqëruesit e Palit ndaj profecisë?

  • Si reagoi Pali ndaj profecisë? Çfarë ju bie në sy rreth përgjigjes së Palit?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Palit rreth qenies shërbëtorë të vërtetë të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shërbëtorët e Zotit janë të gatshëm të bëjnë vullnetin e Perëndisë pavarësisht nga çmimi vetjak.)

Ftojini studentët të përsiatin llojet e sakrificave që mund të na kërkohen të bëjmë si shërbëtorë të Zotit.

  • Kur keni qenë të gatshëm ta bëni vullnetin e Perëndisë pavarësisht nga çmimi për ju? Përse ishit të gatshëm ta bënit atë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese të Veprave të Apostujve 21:17–40.

Pali mbërriti në Jerusalem dhe iu dha një raportim për punët e tij misionare udhëheqësve vendorë të Kishës. Pali shkoi në tempull dhe kur një grup judenjsh, të cilët e njihnin Palin nga udhëtimet e tij misionare, e panë atë, ata shpallën se Pali ishte një mësues i rremë që jepte mësim kundër ligjit të Moisiut dhe në mënyrë të paligjshme sillte johebrenj në tempull. Për shkak të këtij akuzimi, një turmë e largoi Palin nga tempulli dhe filloi ta godiste atë. Ushtarët romakë ndërhynë dhe e morën atë me vete që t’i bëhej gjyqi. Teksa ishte te shkallët e fortesës Antonia (shih Hartat e Biblës, nr. 12, “Jerusalemi në Kohën e Jezusit”), Pali u kërkoi ushtarëve nëse mund t’iu fliste njerëzve.

Veprat e Apostujve 22:1–30

Pali tregon për kthimin e tij në besim dhe dëshmon për Jezu Krishtin

Shkruani në tabelë frazën i kthyer në besim dhe shpjegoni se të kthehesh në besim do të thotë të ndryshosh. Pyetini studentët se si mund të kthehet ose ndryshohet uji, me qëllim që të përdoret për qëllime të ndryshme. (Për shembull, uji mund të kthehet në akull.) Kërkojuni studentëve ta përsiatin llojin e ndryshimit që përfaqëson kthimi në besimin tek ungjilli.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 22:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Pali e përshkroi vetveten teksa u foli judenjve nga shkallët e fortesës Antonia në Jerusalem.

  • Me çfarë ngjante Pali përpara se të kthehej në besim dhe të bëhej një dishepull i Jezu Krishtit?

Kopjojini në tabelë pyetjet dhe referencat vijuese nga shkrimet e shenjta ose jepuani ato studentëve në një fletushkë. Ndajini studentët në pesë grupe dhe caktojini secilit grup njërën prej pyetjeve. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje shkrimet e shenjta që përputhen me pyetjet e caktuara atyre dhe më pas t’iu përgjigjen pyetjeve në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  1. Si e përshkruan Pali vegimin e tij fillestar? (Veprat e Apostujve 22:6–9)

  2. Çfarë u udhëzua të bënte Pali? (Veprat e Apostujve 22:10–11)

  3. Cilin takoi Pali në Damask dhe çfarë fitoi Pali përsëri? (Veprat e Apostujve 22:12–13)

  4. Çfarë profetizoi Anania rreth Palit? (Veprat e Apostujve 22:14–15)

  5. Si e tregoi Pali besimin e tij në Jezu Krisht? (Veprat e Apostujve 9:18; 22:16)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të raportojnë përgjigjet e tyre. Ftojini disa studentë ta përmbledhin atë që mësuan rreth procesit të kthimit të Palit në besim. (Ju gjithashtu mund të dëshironi të shpjegoni se midis kohës së vegimit fillestar të Palit dhe kohës që shërbeu si misionar, ai kaloi tre vjet në Arabi, kohë e cila kishte të ngjarë të ishte një periudhë përgatitjeje dhe rritjeje [shih Galatasve 1:11–18].) Më pas, bëni pyetjet vijuese:

  • Si mendoni ju, në çfarë mënyrash ndryshoi Pali si rrjedhojë e kthimit të tij në besim?

  • Çfarë ndodhi që i lejoi këto ndryshime të ndodhnin?

  • Çfarë mund të na mësojë kthimi i Palit në besim rreth mënyrës se si ne mund të bëhemi të kthyer në besim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur iu bindemi fjalëve të Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi të kthyer më plotësisht në besim.)

  • Si mund ta ndihmojë ky parim dikë që dëshiron të bëhet i/e kthyer në besim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Motra Boni L. Oskarson, presidente e përgjithshme e Të Rejave, në të cilën ajo shpjegoi ndryshimin midis pasjes së një dëshmie për ungjillin dhe të qenit me të vërtetë i kthyer në besim tek ungjilli:

Pamja
Boni L. Oskarson

“Kthimi i vërtetë në besim është më shumë sesa thjesht të pasurit e një njohurie mbi parimet e ungjillit dhe përfshin shumë më tepër sesa vetëm të pasurit e një dëshmie mbi ato parime. Është e mundur të kesh një dëshmi për ungjillin pa e jetuar atë. Të qenit vërtet të kthyer në besim do të thotë se po veprojmë sipas asaj që besojmë. …

… Kthimi në besim vjen ndërsa veprojmë sipas parimeve të drejta që mësojmë në shtëpitë tona dhe në klasë. Kthimi në besim vjen ndërsa bëjmë jetë të dëlira e të virtytshme dhe gëzojmë shoqërinë e Frymës së Shenjtë” (“Kthehuni në Besim”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 76–77, 78).

Lexoni me zë të lartë pyetjen vijuese ose shkruajeni atë në tabelë: Si mund të bëhem i/e kthyer me të vërtetë në besim tek ungjilli? Ftojini studentët t’i shënojnë përgjigjet e tyre në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Përmblidhni Veprat e Apostujve 22:17–30 duke shpjeguar që Pali i tha këtij publiku se pas kthimit të tij në besim, Zoti e dërgoi larg nga Jerusalemi që të ishte misionar mes johebrenjve. Më pas, publiku shpalli që Pali duhej të dënohej me vdekje. Pali u soll përpara kryemijësit të ushtrisë romake në Jerusalem, i cili vendosi që Pali duhej të rrihej me kamxhik ose të fshikullohej, një ndëshkim që normalisht përdorej për të poshtëruar dhe për të fituar informacion nga kriminelët. Megjithatë, kur oficerët romakë mësuan se Pali ishte një qytetar romak, ata vendosën të mos e rrihnin me kamxhik ngaqë ishte kundër ligjit romak që të lidhej ose rrihej me kamxhik një qytetar romak i cili ishte “[i] pagjykuar” (vargu 25). Në vend të kësaj, ata e sollën atë përpara këshillit qeverisës judeas, sinedrit.

Mbylleni mësimin duke ndarë dëshminë tuaj për parimet e dhëna mësim te Veprat e Apostujve 20–22.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Veprat e Apostujve 22:1–24. Pali ka guxim për ta ndarë ungjillin

Apostulli Pal pati guximin ta jepte dëshminë e tij për Jezu Krishtin edhe pse pati pasoja të rënda (shih Veprat e Apostujve 22:1–24). Presidenti Tomas S. Monson na mësoi se guximi për të bërë atë që është e drejtë, edhe nëse nuk gëzon popullaritet, ende kërkohet nga dishepujt e Jezu Krishtit:

“Guximi vjen në shumë forma. Autori i krishterë Çarls Suindoll shkroi: ‘Guximi nuk kufizohet në fushën e betejës … ose në kapjen me trimëri të një vjedhësi në shtëpinë tuaj. Provat e vërteta të guximit janë shumë më të heshtura. Ato janë prova të brendshme, si të qëndruarit besnikë kur askush nuk po vështron, … si të qëndruarit i vetëm kur jeni keqkuptuar.’ Unë do të shtoja se ky guxim i brendshëm gjithashtu përfshin bërjen e asaj që duhet edhe pse mund të kemi frikë, mbrojtjen e bindjeve tona përballë rrezikut të përqeshjes dhe ruajtjen e atyre bindjeve edhe kur kërcënohemi me humbjen e miqve ose të gjendjes shoqërore. Ai, i cili mbron vendosmërisht atë që është e drejtë, duhet të rrezikojë që me raste të kundërshtohet dhe të bëhet i papëlqyeshëm” (“Ji i Fortë dhe Guximtar”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 67).