Seksioni 101
Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 16 dhjetor 1833 (History of the Church, 1:458–464). Në këtë kohë Shenjtorët që ishin mbledhur në Missouri, po vuanin përndjekje të madhe. Turma keqbërësish i kishin larguar ata nga shtëpitë e tyre në kontenë Jackson dhe disa prej Shenjtorëve ishin përpjekur të mblidheshin vetë në kontenë Van Buren, por persekutimi i ndoqi ata. Pjesa kryesore e Shenjtorëve ishte në atë kohë në kontenë Clay, Missouri. Kërcënimet me vdekje ndaj individëve të Kishës ishin të shumta. Njerëzit kishin humbur mobilje të shtëpisë, veshje, bagëti dhe pasuri të tjera personale, dhe shumë nga të mbjellat e tyre ishin shkatërruar.
1–8, Shenjtorët ndëshkohen dhe brengosen për shkak të shkeljeve të tyre; 9–15, Indinjata e Zotit do të bjerë mbi gjithë kombet, por populli i tij do të mblidhet e do të ngushëllohet; 16–21, Sioni dhe kunjat e tij do të ngrihen; 22–31, Natyra e jetës gjatë Mijëvjeçarit përshkruhet; 32–42, Shenjtorët do të bekohen dhe do të shpërblehen atëherë; 43–62, Shëmbëlltyra e fisnikut dhe e pemëve të ullirit simbolizon shqetësimet dhe shëlbimin përfundimtar të Sionit; 63–75, Shenjtorët duhet të vazhdojnë mbledhjen së bashku; 76–80, Zoti themeloi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara; 81–101, Shenjtorët duhet të kërkojnë me ngulm dëmshpërblim për brengat, sipas shëmbëlltyrës së gruas dhe të gjykatësit të padrejtë.
1 Në të vërtetë unë ju them, lidhur me vëllezërit tuaj të cilët janë brengosur dhe përndjekur dhe dëbuar nga toka e trashëgimisë së tyre—
2 Unë, Zoti, e kam lejuar të vijë mbi ta brenga, me të cilën janë brengosur, si pasojë e shkeljeve të tyre;
3 Përsëri unë do t’i zotëroj ata dhe ata do të jenë të mitë në atë ditë kur unë do të vij për të mbledhur xhevahirët e mi.
4 Si rrjedhim, ata duhet të ndëshkohen e të provohen, madje si Abrahami, i cili u urdhërua të flijonte birin e tij të vetëm.
5 Sepse të gjithë ata që nuk do ta durojnë ndëshkimin, por do të më mohojnë, nuk mund të shenjtërohen.
6 Vini re, unë ju them, kishte acarime dhe grindje, dhe zilira, dhe zënie, dhe dëshira epshore dhe lakmitare mes tyre; si rrjedhim, prej këtyre gjërave ata i ndotën trashëgimitë e tyre.
7 Ata ishin të ngadalshëm për t’iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë së tyre; si rrjedhim, Zoti, Perëndia i tyre, është i ngadalshëm për t’i dëgjuar lutjet e tyre, për t’iu përgjigjur atyre në ditën e shqetësimit të tyre.
8 Në ditën e paqes së tyre ata e morën me lehtësi këshillën time; por, në ditën e shqetësimit të tyre, për shkak të nevojës ndihen afër meje.
9 Në të vërtetë unë ju them, pavarësisht nga mëkatet e tyre, brendësia ime mbushet me dhembshuri për ta. Unë nuk do t’i dëboj ata tërësisht; dhe në ditën e zemërimit do t’i kujtoj me mëshirë.
10 Unë jam betuar dhe vendimi ka dalë nga një urdhërim i mëparshëm të cilin jua kam dhënë, që unë do ta lë të bjerë shpatën e indinjatës sime në emër të popullit tim; dhe madje siç kam thënë, do të ndodhë.
11 Indinjata ime shpejt do të derdhet pa masë mbi gjithë kombet; dhe këtë do ta bëj kur kupa e paudhësisë së tyre të jetë plot.
12 Dhe në atë ditë të gjithë ata që gjenden në kullën e rojës ose, me fjalë të tjera, gjithë Izraeli im, do të shpëtohet.
13 Dhe ata që janë shpërndarë, do të mblidhen.
14 Dhe gjithë ata që kanë vajtuar, do të ngushëllohen.
15 Dhe gjithë ata që e kanë dhënë jetën e tyre për emrin tim, do të kurorëzohen.
16 Si rrjedhim, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen lidhur me Sionin; sepse gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi.
17 Sioni nuk do të lëvizet nga vendi i tij, pavarësisht se fëmijët e tij janë shpërndarë.
18 Ata që mbeten dhe janë të kulluar në zemër, do të kthehen e do të vijnë në trashëgimitë e tyre, ata dhe fëmijët e tyre, me këngë gëzimi të përhershëm, për të ndërtuar vendet e shkretuara në Sion—
19 Dhe gjithë këto gjëra, që profetët të mund të përmbushen.
20 Dhe vini re, nuk ka asnjë vend tjetër të caktuar nga ai që unë kam caktuar; as do të ketë ndonjë vend tjetër të caktuar nga ai që unë kam caktuar, për veprën e mbledhjes së shenjtorëve të mi—
21 Derisa dita të vijë kur të mos gjendet më vend për ta; dhe atëherë unë kam vende të tjera të cilat do t’ua caktoj atyre, dhe ato do të quhen kunja, për perdet ose forcën e Sionit.
22 Vini re, është vullneti im që të gjithë ata që thërrasin në emrin tim dhe më adhurojnë sipas ungjillit tim të përjetshëm, do të mblidhen së bashku dhe do të qëndrojnë në vende të shenjta;
23 Dhe do të përgatiten për zbulesën që do të vijë, kur veli i mbulesës së tempullit tim, në tabernakullin tim, i cili e fsheh tokën, do të hiqet dhe gjithë mishi do të më shohë së bashku.
24 Dhe çdo gjë e korruptuar, qoftë e njeriut apo e kafshëve, apo e fushës, apo e shpendëve të qiejve, apo e peshqve të detit, që banon mbi faqen e tokës, do të konsumohet;
25 Dhe gjithashtu ajo, e bërë prej elementeve, do të shkrihet me nxehtësi përvëluese; dhe gjithë gjërat do të bëhen të reja, që dituria dhe lavdia ime të mund të banojnë mbi gjithë tokën.
26 Dhe në atë ditë armiqësia e njeriut dhe armiqësia e bishave, po, armiqësia e gjithë mishit, do të largohet prej fytyrës sime.
27 Dhe në atë ditë çfarëdo që dikush do të kërkojë, do t’i jepet.
28 Dhe në atë ditë Satani nuk do të ketë fuqi për ta tunduar dikë.
29 Dhe nuk do të ketë hidhërim, sepse nuk ka vdekje.
30 Në atë ditë një foshnjë nuk do të vdesë derisa të plaket; dhe jeta e tij do të jetë si mosha e një peme;
31 Dhe kur të vdesë, ai nuk do të flerë, që është në tokë, por do të ndryshohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë e do të rrëmbehet lart dhe pushimi i tij do të jetë i lavdishëm.
32 Po, në të vërtetë unë ju them, në atë ditë kur Zoti do të vijë, ai do t’i zbulojë gjithë gjërat.
33 Gjëra që kanë kaluar dhe gjëra të fshehura të cilat askush s’i njeh, gjëra rreth tokës, me të cilat ajo u bë, dhe qëllimin dhe synimin e saj—
34 Gjërat më të çmuara, gjëra që janë lart dhe gjëra që janë poshtë, gjëra që janë brenda në tokë e mbi tokë dhe në qiell.
35 Dhe gjithë ata që vuajnë përndjekje për hir të emrit tim dhe durojnë me besim, edhe pse thirren për të dhënë jetën për hatërin tim, përsëri do të marrin pjesë nga e gjithë kjo lavdi.
36 Si rrjedhim, mos kini frikë madje deri në vdekje; sepse në këtë botë gëzimi juaj nuk është i plotë, por në mua gëzimi juaj është i plotë.
37 Si rrjedhim, mos u kujdesni për trupin, as për jetën e trupit; por kujdesuni për shpirtin dhe për jetën e shpirtit.
38 Dhe kërkoni fytyrën e Zotit gjithmonë, që me durim të mund të zotëroni shpirtrat tuaj, dhe ju do të keni jetë të përjetshme.
39 Kur njerëz thirren në ungjillin tim të përjetshëm dhe lidhin besë me një besëlidhje të përjetshme, ata llogariten si kripa e tokës dhe shija e njerëzve;
40 Ata thirren për të qenë shija e njerëzve; si rrjedhim, në qoftë se kripa e tokës e humbet shijen e saj, vini re, ajo nuk shërben më për asgjë, veçse të flaket tej dhe të shkelet nën këmbët e njerëzve.
41 Vini re, këtu është urtësi lidhur me fëmijët e Sionit, madje shumë vetë, por jo të gjithë; ata u gjendën shkelës, si rrjedhim duhet të ndëshkohen—
42 Ai që e lartëson vetveten, do të poshtërohet dhe ai që e poshtëron vetveten, do të lartësohet.
43 Dhe tani, unë do t’ju tregoj një shëmbëlltyrë, që ju të mund të dini vullnetin tim lidhur me shëlbimin e Sionit.
44 Një njeri fisnik pati një copë toke shumë të zgjedhur; dhe u tha shërbëtorëve të tij: Shkoni në vreshtin tim, madje në këtë copë toke të zgjedhur, dhe mbillni dymbëdhjetë pemë ulliri;
45 Dhe vendosni roje përreth tyre dhe ndërtoni një kullë, me qëllim që njëri të mund të shohë gjithë tokën përreth, për të qenë një rojë në kullë, që pemët e mia të ullirit të mos thyhen kur armiku të vijë për të prishur dhe për të marrë me vete frutin e vreshtit tim.
46 Tani, shërbëtorët e fisnikut shkuan dhe bënë ashtu siç i urdhëroi zoti i tyre dhe mbollën pemë ulliri e ndërtuan një gardh përreth dhe vunë roje e filluan të ndërtojnë një kullë.
47 Dhe ndërsa ende po ngrinin themelin e saj, ata filluan të thonë mes tyre: Dhe ç’i duhet zotit tim kjo kullë?
48 Dhe u këshilluan për një kohë të gjatë, duke thënë mes tyre: Ç’i duhet zotit tim kjo kullë, përderisa është kohë paqeje?
49 A s’mund t’u jepen këto para këmbyesve? Sepse nuk ka nevojë për këto gjëra.
50 Dhe ndërsa nuk binin dakort me njëri-tjetrin, u bënë të plogësht dhe nuk ia vunë veshin urdhërimeve të zotit të tyre.
51 Dhe armiku erdhi natën dhe e theu gardhin; dhe shërbëtorët e fisnikut u ngritën dhe ishin të frikësuar e ia mbathën; dhe armiku i shkatërroi punët e tyre dhe i theu pemët e ullirit.
52 Tani, vini re, njeriu fisnik, zoti i vreshtit, i thirri shërbëtorët e tij e u tha, Pse! Cili është shkaku i kësaj të keqeje të madhe?
53 A nuk duhej të kishit bërë madje siç ju kisha urdhëruar dhe—pasi ta kishit mbjellë vreshtin dhe të kishit ndërtuar gardhin përreth e të kishit vënë roje mbi muret e tij—të ndërtonit një kullë gjithashtu e të caktonit një rojë mbi kullë dhe të vëzhgonit për vreshtin tim e të mos binit në gjumë, nga frika se armiku do të vinte tek ju?
54 Dhe vini re, roja në kullë do ta kishte parë armikun, ndërsa ai të ishte ende larg; dhe atëherë ju mund të ishit bërë gati dhe të mos e kishit lejuar armikun ta thyente gardhin e tij dhe ta kishit shpëtuar vreshtin tim nga duart e shkatërruesit.
55 Dhe zoti i vreshtit i tha njërit nga shërbëtorët e tij: Shko dhe mblidh së bashku pjesën e mbetur të shërbëtorëve të mi dhe merr gjithë fuqinë e shtëpisë sime, të cilët janë luftëtarët e mi, të rinjtë e mi dhe gjithashtu ata që janë të një moshe mesatare mes gjithë shërbëtorëve të mi, të cilët janë forca e shtëpisë sime, përveç vetëm atyre që i kam caktuar të mbeten pas;
56 Dhe shkoni menjëherë në tokën e vreshtit tim dhe shëlbejeni vreshtin tim; sepse është i imi; unë e kam blerë me para.
57 Si rrjedhim, nisuni menjëherë për në tokën time; thyeni muret e armiqve të mi; rrëzoni përtokë kullën e tyre dhe i shpërndani rojet e tyre.
58 Dhe për aq sa ata mblidhen së bashku kundër jush, merrni hakun tim ndaj armiqve të mi, me qëllim që shpejt unë të mund të vij me pjesën e mbetur të shtëpisë sime dhe ta zotëroj tokën.
59 Dhe shërbëtori i tha zotit të tij: Kur do të ndodhin këto gjëra?
60 Dhe ai i tha shërbëtorit të tij: Kur unë të dëshiroj; shkoni menjëherë dhe bëni gjithçka që ju kam urdhëruar;
61 Dhe kjo do të jetë vula dhe bekimi im mbi ty—shërbëtor besnik dhe i urtë në mes të shtëpisë sime, një sundimtar në mbretërinë time.
62 Dhe shërbëtori i tij shkoi menjëherë dhe bëri gjithçka që zoti i tij e urdhëroi; dhe pas shumë ditësh gjithçka u përmbush.
63 Përsëri, në të vërtetë unë ju them, unë do t’ju tregoj urtësi në mua lidhur me gjithë kishat, për aq sa ata janë të gatshëm të udhëhiqen në një udhë të drejtë dhe të duhur për shpëtimin e tyre—
64 Që vepra e mbledhjes së bashku të shenjtorëve të mi të mund të vazhdojë, që unë të mund t’i ngre ata në emrin tim mbi vende të shenjta; sepse koha e të korrës ka ardhur dhe fjala ime duhet të përmbushet.
65 Si rrjedhim, unë duhet ta mbledh së bashku popullin tim, sipas shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrave, me qëllim që gruri të mund të ruhet në hambarë për të zotëruar jetë të përjetshme dhe të kurorëzohet me lavdi çelestiale, kur unë do të vij në mbretërinë e Atit tim për të shpërblyer çdo njeri, ashtu siç do të jetë vepra e tij;
66 Ndërsa egjrat do të lidhen në duaj dhe lidhjet e tyre do të bëhen të forta, që ato të mund të digjen me zjarr të pashueshëm.
67 Si rrjedhim, një urdhërim iu jap të gjitha kishave, që ato duhet të vazhdojnë të mblidhen së bashku në vendet që unë kam caktuar.
68 Megjithatë, siç ju kam thënë në një urdhërim të mëparshëm, mbledhja juaj nuk duhet të jetë me nxitim, as me ngut; por të gjitha gjërat duhet të përgatiten më përpara.
69 Dhe me qëllim që të gjitha gjërat të përgatiten më përpara, zbatoni urdhërimin që kam dhënë lidhur me këto gjëra—
70 I cili thotë, ose ju mëson, t’i blini me para të gjitha tokat që mund të blihen me para, në krahinën përreth tokës që e kam caktuar të jetë toka e Sionit, për fillimin e mbledhjes së shenjtorëve të mi;
71 Gjithë tokën që mund të blihet në kontenë Jackson e në kontetë përreth dhe lëreni pjesën e mbetur në dorën time.
72 Tani, në të vërtetë unë ju them, të gjitha kishat duhet t’i mbledhin së bashku paratë e tyre; këto gjëra duhet të bëhen në kohën e tyre, por jo me nxitim; dhe kujdesuni të keni gjithçka të përgatitur më përpara.
73 Dhe duhet të caktohen burra të nderuar, madje burra të urtë, dhe të dërgohen për t’i blerë këto toka.
74 Dhe kishat në pjesët lindore, kur ato ndërtohen, në qoftë se do t’ia vënë veshin kësaj këshille, ato mund të blejnë toka dhe të mblidhen së bashku në to; dhe në këtë mënyrë ato mund të ngrenë Sionin.
75 Ka madje tani pothuajse mjaft në ruajtje, po, madje bollëk, për ta shëlbyer Sionin dhe për t’i ndërtuar vendet e tij të shkretuara, për të mos u hedhur më, nëse kishat, të cilat e thërrasin veten me emrin tim, të ishin të gatshme t’i bindeshin zërit tim.
76 Dhe përsëri unë ju them, ata që janë shpërndarë prej armiqve të tyre, është vullneti im që ata duhet të vazhdojnë të kërkojnë dëmshpërblim dhe shëlbim, nga duart e atyre që vendosen si sundimtarë dhe kanë autoritet mbi ju—
77 Sipas ligjeve dhe kushtetutës së popullit, të cilat unë i kam lejuar të krijohen dhe duhet të ruhen për të drejtat dhe mbrojtjen e gjithë mishit, sipas parimeve të drejta e të shenjta;
78 Që çdo njeri të mund të veprojë në përputhje me doktrinën dhe parimin që i përshtaten së ardhmes, lidhur me lirinë morale të zgjedhjes që unë i kam dhënë atij, që çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta në ditën e gjykimit.
79 Si rrjedhim, nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri.
80 Dhe për këtë qëllim e kam themeluar Kushtetutën e kësaj toke, prej duarve të njerëzve të urtë, të cilët i ngrita pikërisht për këtë qëllim, dhe e shëlbeva tokën me anë të derdhjes së gjakut.
81 Tani, me çfarë duhet t’i krahasoj fëmijët e Sionit? Unë do t’i krahasoj ata me shëmbëlltyrën e gruas dhe të gjykatësit të padrejtë, sepse njerëzit duhet të luten gjithmonë e të mos dorëzohen, e cila thotë—
82 Ishte në një qytet një gjykatës që nuk i druhej Perëndisë as shqetësohej për njerëzit.
83 Dhe ishte një e ve në atë qytet dhe ajo erdhi tek ai, duke thënë: Merr hak ndaj kundërshtarit tim.
84 Dhe ai nuk do ta bënte për një farë kohe, por më pas i tha vetes: Edhe pse nuk e kam frikë Perëndinë, as njeriun, por ngaqë kjo e ve më shqetëson, unë do të marr hak për të, nga frika se me ardhjen e saj të vazhdueshme ajo më lodh.
85 Kështu do t’i krahasoj fëmijët e Sionit.
86 Ata duhet të bien te këmbët e gjykatësit;
87 Dhe nëse ai s’ua vë veshin, ata duhet të bien te këmbët e guvernatorit.
88 Dhe nëse guvernatori s’ua vë veshin, ata duhet të bien te këmbët e presidentit.
89 Dhe nëse presidenti s’ua vë veshin, atëherë Zoti do të ngrihet e do të dalë nga vendi i fshehjes dhe në zemërimin e tij do ta godasë kombin;
90 Dhe në pakënaqësinë e tij të madhe dhe në zemërimin e tij të ashpër, në kohën e tij, do t’i flakë ata shërbëtorë të ligj, jobesnikë e të padrejtë dhe do t’ua caktojë pjesën e tyre mes hipokritëve dhe jobesimtarëve.
91 Madje në errësirën e mëtejshme, ku ka të qarë dhe vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.
92 Lutuni, si rrjedhim, që veshët e tyre të mund të hapen ndaj lutjeve tuaja, që unë të mund të jem i mëshirshëm me ta, që këto gjëra të mos bien mbi ta.
93 Ç’ju kam thënë, duhet të bëhet, që gjithë njerëzit të lihen pa justifikim;
94 Që dijetarët dhe sundimtarët të dëgjojnë dhe të dinë atë që kurrë s’e kanë marrë parasysh;
95 Që unë të mund të bëj të ndodhë puna ime, puna ime e pazakontë, dhe të kryej veprën time, veprën time të pazakontë, që njerëzit të dallojnë mes të drejtëve dhe të ligjve, thotë Perëndia juaj.
96 Dhe përsëri, unë ju them, është kundër urdhërimit tim dhe vullnetit tim që shërbëtori im Sidney Gilbert duhet ta shesë shtëpinë time të ruajtjes, të cilën ua kam caktuar njerëzve të mi, në duart e armiqve të mi.
97 Ajo që kam caktuar, nuk duhet të ndotet nga armiqtë e mi, me miratimin e atyre që e quajnë veten sipas emrit tim;
98 Sepse ky është një mëkat shumë i rëndë dhe serioz ndaj meje dhe ndaj njerëzve të mi, si pasojë e atyre gjërave që kam shpallur dhe që shpejt do të bien mbi kombet.
99 Si rrjedhim, është vullneti im që njerëzit e mi duhet të pretendojnë dhe të ruajnë pretendim mbi atë që u kam caktuar atyre, edhe pse nuk do të lejohen të banojnë në të.
100 Megjithatë, unë nuk them se ata s’do të banojnë në të; sepse, për aq sa të sjellin fryte dhe vepra të përshtatshme për mbretërinë time, ata do të banojnë në të.
101 Ata do të ndërtojnë dhe askush tjetër nuk do ta trashëgojë atë; ata do të mbjellin vreshta dhe do t’i hanë frutat e tyre. Madje kështu. Amen.