Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 136


Seksioni 136

Fjala dhe vullneti i Zotit, dhënë nëpërmjet Presidentit Brigham Young kampit të Izraelit, në Lagjet Dimërore, toka e Omaha-së, në bregun perëndimor të lumit Missouri, pranë Council Bluffs, Iowa (Journal History of the Church, 14 janar 1847).

1–16, Si duhet të organizohet kampi i Izraelit për udhëtimin, sepse udhëtimi drejt perëndimit shpjegohet; 17–27, Shenjtorët urdhërohen të jetojnë sipas standardeve të shumta të ungjillit; 28–33, Shenjtorët duhet të këndojnë, vallëzojnë, luten dhe mësojnë urtësi; 34–42, Profetët vriten që ata të mund të nderohen dhe të ligjtë të ndëshkohen.

1 Fjala dhe Vullneti i Zotit lidhur me Kampin e Izraelit në udhëtimet e tyre drejt Perëndimit:

2 Të gjithë njerëzit e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ata që udhëtojnë me ta, duhet të organizohen në kompani, me një besëlidhje dhe premtim për t’i mbajtur të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit, Perëndisë tonë.

3 Kompanitë duhet të organizohen me kapitenë të qindësheve, kapitenë të pesëdhjetësheve dhe kapitenë të dhjetësheve, me një president dhe dy këshilltarët e tij në krye, nën drejtimin e Dymbëdhjetë Apostujve.

4 Dhe kjo do të jetë besëlidhja jonë—që ne do të ecim në të gjitha ordinancat e Zotit.

5 Secila kompani duhet të sigurohet për vete me të gjitha pendët e qeve, karrocat, furnizimet, veshjet dhe gjëra të tjera të nevojshme për udhëtimin, që munden.

6 Kur kompanitë të organizohen, ato duhet të shkojnë me gjithë fuqinë e tyre, për t’u përgatitur për ata që do të qëndrojnë.

7 Secila kompani, me kapitenët dhe presidentët e saj, duhet të vendosë se sa vetë mund të shkojnë pranverën e ardhshme; më pas të zgjedhin një numër të mjaftueshëm burrash të fuqishëm dhe të aftë, që të marrin pendët e qeve, farërat dhe veglat bujqësore për të shkuar si pionierë për të përgatitur për mbjelljen e bimëve pranverore.

8 Secila kompani duhet të mbartë një sasi të caktuar, në përputhje me dividendin e pasurisë së tyre, për të marrë të varfërit, të vejat, jetimët dhe familjet e atyre që kanë shkuar në ushtri, që të qarat e të vejave dhe jetimëve të mos vijnë në veshët e Zotit kundër këtij populli.

9 Secila kompani duhet të përgatisë shtëpitë dhe fushat për rritjen e drithërave, për ata që do të mbeten pas kësaj stine; dhe ky është vullneti i Zotit lidhur me popullin e tij.

10 Çdo njeri duhet ta përdorë gjithë ndikimin dhe pasurinë e tij për ta lëvizur këtë popull drejt vendit ku Zoti do ta vendosë kunjin e Sionit.

11 Dhe nëse e bëni këtë me një zemër të pastër, plot besnikëri, ju do të bekoheni; ju do të bekoheni në kopetë tuaja dhe në tufat tuaja, dhe në fushat tuaja, dhe në shtëpitë tuaja, dhe në familjet tuaja.

12 Shërbëtorët e mi Ezra T. Benson dhe Erastus Snow duhet të organizojnë një kompani.

13 Dhe shërbëtorët e mi Orson Pratt dhe Wilford Woodruff duhet të organizojnë një kompani.

14 Gjithashtu, shërbëtorët e mi Amasa Lyman dhe George A. Smith duhet të organizojnë një kompani.

15 Dhe caktoni presidentë dhe kapitenë të qindësheve, dhe të pesëdhjetësheve, dhe të dhjetësheve.

16 Dhe shërbëtorët e mi që janë caktuar duhet të shkojnë dhe t’ua mësojnë këtë, vullnetin tim, shenjtorëve, që ata të mund të jenë gati për të shkuar në një vend paqeje.

17 Shkoni në rrugën tuaj dhe bëni siç ju kam thënë e mos kini frikë nga armiqtë tuaj; sepse ata nuk do të kenë fuqi për ta ndaluar punën time.

18 Sioni do të shëlbehet në kohën time të përshtatshme.

19 Dhe nëse dikush do të kërkojë të lartësohet vetë dhe nuk e kërkon këshillën time, ai nuk do të ketë fuqi dhe marrëzia e tij do të manifestohet.

20 Kërkoni ju; dhe i mbani të gjitha premtimet tuaja ndaj njëri-tjetrit; dhe mos e lakmoni atë që është e vëllait tuaj.

21 Qëndroni larg nga ligësia për ta përdorur më kot emrin e Zotit, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj, madje Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut, dhe i Jakobit.

22 Unë jam ai që i udhëhoqi fëmijët e Izraelit jashtë tokës së Egjiptit; dhe krahu im shtrihet në ditët e fundit, për ta shpëtuar popullin tim, Izraelin.

23 Ndaleni zënien me njëri-tjetrin; ndaleni të folurin keq për njëri-tjetrin.

24 Ndaleni dehjen; dhe fjalët tuaja duhet të priren për ta lartësuar njëri-tjetrin.

25 Në qoftë se merr borxh nga fqinji yt, duhet t’ia rikthesh atë që i ke marrë; dhe nëse nuk mund ta ripaguash, atëherë shko menjëherë dhe i thuaj fqinjit tënd, që ai të mos të të dënojë.

26 Nëse do të gjesh atë që i ka humbur fqinjit tënd, duhet të bësh një kërkim të zellshëm derisa t’ia kthesh atij përsëri.

27 Duhet të jesh i zellshëm në ruajtjen e asaj që ke, që ti të mund të jesh një kujdestar i mençur; sepse ajo është dhurata pa çmim e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ti je kujdestari i tij.

28 Në qoftë se je i gëzuar, lavdëro Zotin me këngë, muzikë, vallëzim dhe me një lutje përlëvdimi dhe falënderimi.

29 Në qoftë se je i hidhëruar, bëji thirrje Zotit, Perëndisë tënd, me përgjërim, që shpirtrat tuaj të mund të gëzohen.

30 Mos u frikëso nga armiqtë e tu, sepse ata janë në dorën time dhe unë do të bëj sipas dëshirës sime me ta.

31 Populli im duhet të provohet në gjithçka, që ata të mund të përgatiten për të marrë lavdinë që unë kam për ta, madje lavdinë e Sionit; dhe ai që nuk do ta durojë ndëshkimin, nuk është i denjë për mbretërinë time.

32 Ai që është i paditur, duhet të mësojë urtësi duke e përulur vetveten dhe duke i thirrur Zotit, Perëndisë së tij, që sytë e tij të mund të hapen që të mund të shohë, dhe veshët e tij të mund të hapen që të mund të dëgjojë;

33 Sepse Shpirti im i dërgohet botës për ta ndriçuar të përulurin e të penduarin dhe për ndëshkimin e të paperëndishmëve.

34 Vëllezërit tuaj ju kanë mohuar ju dhe dëshminë tuaj, madje kombi që ju ka dëbuar;

35 Dhe tani vjen dita e fatkeqësisë së tyre, madje ditët e hidhërimit, sikurse një grua që e zënë dhembjet e lindjes; dhe hidhërimi i tyre do të jetë i madh, në qoftë se ata nuk pendohen shpejt, po, shumë shpejt.

36 Sepse ata i vranë profetët dhe ata që iu dërguan atyre; dhe kanë derdhur gjak të pafajshëm, që thërret nga dheu kundër tyre.

37 Si rrjedhim, mos u habisni me këto gjëra, sepse ju nuk jeni ende të pastër; ju akoma nuk mund ta duroni lavdinë time; por duhet ta shihni atë, nëse jeni besnikë në mbajtjen e të gjitha fjalëve të mia të cilat ua kam dhënë, që nga ditët e Adamit tek Abrahami, nga Abrahami te Moisiu, nga Moisiu te Jezusi dhe apostujt e tij dhe nga Jezusi dhe apostujt e tij te Joseph Smith-i, të cilin e thirra me anë të engjëjve të mi, shërbëtorëve të mi shërbyes, dhe me anë të zërit tim prej qiejve, për të sjellë veprën time;

38 Themel të cilin ai e ngriti dhe ishte besnik; dhe unë e mora pranë vetes sime.

39 Shumë vetë janë habitur nga vdekja e tij; por ishte e nevojshme që ai duhej ta vuloste dëshminë e tij me gjakun e tij, që të mund të nderohej dhe të ligjtë të mund të mallkoheshin.

40 A nuk ju kam çliruar nga armiqtë tuaj dhe në një mënyrë të tillë që të kem lënë dëshmi për emrin tim?

41 Tani, si rrjedhim, binduni, O ju njerëz të kishës sime; dhe ju pleq dëgjoni së bashku; ju e keni marrë mbretërinë time.

42 Jini të zellshëm në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve të mia, përndryshe gjykime vijnë mbi ju e besimi juaj do të mpaket dhe armiqtë tuaj do të triumfojnë mbi ju. Pra kaq për tani. Amen dhe Amen.