Seksioni 82
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në kontenë Jackson, Missouri, 1832 (History of the Church, 1:267–269). Rasti ishte një këshill i përgjithshëm i Kishës, në të cilin Joseph Smith Profeti u mbështet si Presidenti i Priftërisë së Lartë, detyrë në të cilën ai ishte shuguruar më parë në një konferencë të priftërinjve të lartë, të pleqve dhe anëtarëve, në Amherst, Ohio, më 25 janar 1832 (shih kreun e seksionit 75). Më përpara emra të pazakonshëm u përdorën në botimin e kësaj zbulese për ta mbajtur të fshehtë identitetin e personave të përmendur (shih kreun e seksionit 78).
1–4, Ku jepet shumë, kërkohet shumë; 5–7, Errësira mbretëron në botë; 8–13, Zoti lidhet kur ne bëjmë çfarë thotë ai; 14–18, Sioni duhet të rritet në bukuri dhe shenjtëri; 19–24, Çdo njeri duhet të kërkojë të mirën e të afërmit të tij.
1 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, shërbëtorëve të mi, se për aq sa ia keni falur njëri-tjetrit shkeljet tuaja, madje kështu unë, Zoti, ju fal juve.
2 Megjithatë, ka mes jush që kanë mëkatuar jashtë mase; po, madje të gjithë ju keni mëkatuar; por në të vërtetë unë ju them, kujdes tani e tutje dhe largohuni nga mëkati, përndryshe gjykime të ashpra bien mbi kokat tuaja.
3 Sepse atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet; dhe ai që mëkaton kundër dritës më të madhe, do ta marrë dënimin më të madh.
4 Thërrisni në emrin tim për zbulesa dhe unë jua jap ato; dhe për aq sa nuk i zbatoni thëniet e mia, të cilat unë jua jap, ju bëheni shkelës; dhe drejtësia e gjykimi janë ndëshkimi që i bashkëngjitet ligjit tim.
5 Si rrjedhim, atë që ia them njërit, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar, sepse kundërshtari e përhap sundimin e tij dhe errësira mbretëron;
6 Dhe zemërimi i Perëndisë ndizet kundër banorëve të tokës; dhe askush nuk bën të mirën, sepse të gjithë kanë dalë nga udha.
7 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, unë, Zoti, nuk do t’ju ngarkoj ndonjë mëkat; shkoni në udhët tuaja e mos mëkatoni më; por atij shpirti që mëkaton, do t’i kthehen mëkatet e mëparshme, thotë Zoti, Perëndia juaj.
8 Dhe përsëri, unë ju them, unë ju jap një urdhërim të ri, që ju të mund të kuptoni vullnetin tim lidhur me ju;
9 Ose, me fjalë të tjera, unë ju jap udhëzime se si të veproni para meje, që të mund t’ju kthehet për shpëtimin tuaj.
10 Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim.
11 Si rrjedhim, në të vërtetë unë ju them se është e domosdoshme për shërbëtorët e mi Edward Partridge dhe Newel K. Whitney, A. Sidney Gilbert dhe Sidney Rigdon, dhe shërbëtori im Joseph Smith, dhe John Whitmer dhe Oliver Cowdery, dhe W. W. Phelps e Martin Harris të lidhen së bashku me një marrëveshje dhe besëlidhje që nuk mund të thyhen me anë të shkeljes, pasi gjykimi do të vijë menjëherë, në kujdestaritë tuaja të ndryshme—
12 Për të organizuar punët e të varfërve dhe gjithë gjërat që lidhen me këshillin e peshkopit si në tokën e Sionit, edhe në tokën e Kirtland-it;
13 Sepse unë e kam përkushtuar tokën e Kirtland-it në kohën time të përshtatshme për përfitimin e shenjtorëve të Më të Lartit dhe për një kunj të Sionit.
14 Sepse Sioni duhet të rritet në bukuri dhe në shenjtëri; kufijtë e tij duhet të zgjerohen; kunjat e tij duhet të forcohen; po, në të vërtetë unë ju them, Sioni duhet të ngrihet dhe të veshë rrobat e tij të bukura.
15 Si rrjedhim, unë ju jap këtë urdhërim, që ju të lidheni me anë të kësaj besëlidhjeje dhe ajo do të bëhet sipas ligjeve të Zotit.
16 Vini re, kjo është urtësi gjithashtu në mua për të mirën tuaj.
17 Dhe ju duhet të jeni të barabartë ose, me fjalë të tjera, ju duhet të keni pretendime të barabarta për pronësitë, për dobinë e administrimit të shqetësimeve të kujdestarive tuaja, çdokush sipas dëshirave të tij dhe nevojave të tij, për aq sa dëshirat e tij janë të drejta—
18 Dhe e gjithë kjo për përfitimin e kishës së Perëndisë së gjallë, që çdo njeri të mund të përmirësohet në talentin e tij, që çdo njeri të mund të fitojë talente të tjera, po, madje njëqindfish, për t’i hedhur në shtëpinë e ruajtjes së Zotit, për t’u bërë pronë e përbashkët për tërë kishën—
19 Cilido duke kërkuar interesin e të afërmit të tij dhe duke bërë gjithçka me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë.
20 Këtë rend unë e kam caktuar të jetë një rend i përhershëm për ju dhe për pasuesit tuaj, për aq sa ju nuk mëkatoni.
21 Dhe me shpirtin që mëkaton kundër kësaj besëlidhjeje dhe e forcon zemrën e tij kundër saj, duhet të veprohet sipas ligjeve të kishës sime dhe ai duhet t’u dorëzohet goditjeve të Satanit deri në ditën e shëlbimit.
22 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, dhe kjo është urtësi, bëhuni për vete miq me mamonin e padrejtësisë dhe ata nuk do t’ju shkatërrojnë.
23 Ma lini vetëm mua gjykimin, sepse ai është i imi dhe unë do të shpaguaj. Paqja qoftë me ju; bekimet e mia vazhdofshin me ju.
24 Sepse edhe tani mbretëria është e juaja dhe do të jetë përgjithmonë, në qoftë se nuk e humbisni besimin tuaj të patundur. Madje kështu. Amen.