Seksioni 95
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 1 qershor 1833 (History of the Church, 1:350–352). Kjo zbulesë është një vazhdimësi e udhëzimeve hyjnore për të ndërtuar shtëpi për adhurim dhe udhëzim, veçanërisht shtëpinë e Zotit (shih seksionin 88:119–136 dhe seksionin 94).
1–6, Shenjtorët ndëshkohen për dështimin e tyre në ndërtimin e shtëpisë së Zotit; 7–10, Zoti dëshiron ta përdorë shtëpinë e tij për t’i dhuruar popullit të tij fuqi nga lart; 11–17, Shtëpia duhet të përkushtohet si një vend adhurimi dhe për shkollën e Apostujve.
1 Në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti juve që ju dua, dhe ata që unë i dua, gjithashtu i ndëshkoj që mëkatet e tyre të mund t’u falen, sepse me ndëshkimin unë përgatis një udhë për çlirimin e tyre nga të gjitha gjërat e tundimit, dhe unë ju kam dashur—
2 Prandaj, ju duhet patjetër të ndëshkoheni dhe të mbeteni të qortuar përpara fytyrës sime;
3 Sepse keni mëkatuar kundër meje me një mëkat tepër të rëndë, në atë që nuk e keni marrë parasysh urdhërimin e madh në të gjitha gjërat, që unë jua kam dhënë lidhur me ndërtimin e shtëpisë sime;
4 Për përgatitjen me të cilën kam ndërmend t’i përgatis apostujt e mi për të krasitur vreshtin për herë të fundit, që unë të mund të shkaktoj veprën time të mahnitshme, që unë të mund të derdh Shpirtin tim mbi gjithë mishin—
5 Por vini re, në të vërtetë unë ju them se ka shumë vetë që janë shuguruar mes jush, të cilët unë i kam thirrur, por pak prej tyre zgjidhen.
6 Ata që nuk zgjidhen, kanë mëkatuar me një mëkat shumë të rëndë, në atë që ata po ecin në errësirë në mes të ditës.
7 Dhe për këtë shkak unë ju dhashë një urdhërim që ju duhet ta thërrisni kuvendin tuaj solemn, që agjërimet dhe vajtimi juaj të mund të vijnë në veshët e Zotit të Sabaothit, i cili, i përkthyer, është krijuesi i ditës së parë, fillimi dhe mbarimi.
8 Po, në të vërtetë unë ju them, unë ju dhashë një urdhërim që ju duhet të ndërtoni një shtëpi, shtëpi në të cilën unë planifikoj t’u dhuroj atyre që i kam zgjedhur me fuqi nga lart;
9 Sepse ky është premtimi i Atit për ju; si rrjedhim, unë ju urdhëroj të qëndroni, madje si apostujt e mi në Jeruzalem.
10 Megjithatë, shërbëtorët e mi kanë mëkatuar me një mëkat të rëndë; dhe grindje filluan në shkollën e profetëve, të cilat ishin shumë të rënda për mua, thotë Zoti juaj; si rrjedhim, unë i dërgoj ata për t’u ndëshkuar.
11 Në të vërtetë unë ju them, është vullneti im që ju duhet të ndërtoni një shtëpi. Në qoftë se i mbani urdhërimet e mia, ju do të keni fuqi për ta ndërtuar atë.
12 Në qoftë se nuk i mbani urdhërimet e mia, dashuria e Atit nuk do të vazhdojë me ju, si rrjedhim, ju do të ecni në errësirë.
13 Tani, këtu është urtësia dhe mendja e Zotit—shtëpia duhet të ndërtohet, jo sipas mënyrës së botës, sepse unë nuk ju jap të jetoni sipas mënyrës së botës;
14 Si rrjedhim, ajo duhet të ndërtohet sipas mënyrës që unë do t’ia tregoj tre prej jush, të cilët ju do t’i caktoni dhe shuguroni në këtë fuqi.
15 Dhe madhësia e saj do të jetë shtatëmbëdhjetë metra në gjerësi dhe njëzet metra në gjatësi, në oborrin e brendshëm të saj.
16 Dhe niveli i ulët i oborrit të brendshëm duhet të më përkushtohet mua për dhurimin e sakramentit tuaj dhe për predikimin tuaj, dhe për agjërimin tuaj, dhe për lutjen tuaj, dhe ofrimin e dëshirave tuaja më të shenjta për mua, thotë Zoti juaj.
17 Dhe niveli më i lartë i oborrit të brendshëm duhet të më përkushtohet mua për shkollën e apostujve të mi, thotë Biri Ahman ose, me fjalë të tjera, Alphus; ose, me fjalë të tjera, Omegus; madje Jezu Krishti, Zoti juaj. Amen.