Seksioni 49
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Sidney Rigdon-it, Parley P. Pratt-it dhe Leman Copley-t, në Kirtland, Ohio, mars 1831 (History of the Church, 1:167–169). (Disa burime historike e japin datën e kësaj zbulese si maj 1831.) Leman Copley e kishte përqafuar ungjillin, por akoma besonte disa nga mësimet e Shaker-ve (United Society of Believers in Christ’s Second Appearing) [Të Lëkundurit (Shoqata e Bashkuar e Besimtarëve në Shfaqjen e Dytë të Krishtit)], të cilëve u përkiste më parë. Disa nga besimet e Shaker-ve ishin që ardhja e dytë e Krishtit tashmë kishte ndodhur dhe se ai ishte shfaqur në formën e një gruaje, Ann Lee; pagëzimi me anë të ujit nuk konsiderohej thelbësor; ngrënia e mishit të derrit ishte veçanërisht e ndaluar dhe shumë prej tyre nuk hanin aspak mish; dhe një jetë pa martesë dhe pa marrëdhënie seksuale konsiderohej më e lartë sesa martesa. Në parathënie të kësaj zbulese Profeti shkroi: “Me qëllim që të kemi [një] të kuptuar më të përsosur për temën, unë i kërkova Zotit dhe mora sa vijon” (History of the Church, 1:167). Zbulesa përgënjeshtron disa nga konceptet bazë të grupit të Shaker-ve. Vëllezërit e përmendur më sipër i çuan një kopje të zbulesës komunitetit të Shaker-ve (pranë Cleveland, Ohio) dhe ua lexuan atë tërësisht, por ajo u hodh poshtë.
1–7, Dita dhe ora e ardhjes së Krishtit do të mbeten të panjohura derisa ai të vijë; 8–14, Njerëzit duhet të pendohen, të besojnë ungjillin dhe t’u binden ordinancave për të fituar shpëtim; 15–16, Martesa shugurohet nga Perëndia; 17–21, Ngrënia e mishit miratohet; 22–28, Sioni do të lulëzojë dhe Lamanitët do të çelin si një trëndafil përpara Ardhjes së Dytë.
1 Vërini veshin fjalës sime, shërbëtorët e mi, Sidney dhe Parley dhe Leman; sepse vini re, në të vërtetë unë ju them se ju jap një urdhërim që ju duhet të shkoni e t’u predikoni ungjillin tim, të cilin e keni marrë, madje siç e keni marrë, Shaker-ve.
2 Vini re, unë ju them se ata dëshirojnë ta dinë të vërtetën pjesërisht, por jo të gjithën, sepse ata s’janë të drejtë përpara meje dhe duhet patjetër të pendohen.
3 Si rrjedhim, unë ju dërgoj ju, shërbëtorët e mi Sidney e Parley, për t’u predikuar ungjillin atyre.
4 Dhe shërbëtori im Leman duhet të shugurohet në këtë punë, që ai të mund të arsyetojë me ta, jo sipas asaj që ai ka marrë prej tyre, por sipas asaj që do t’i mësohet atij prej jush, shërbëtorëve të mi; dhe duke bërë kështu, unë do ta bekoj atë, përndryshe ai nuk do të përparojë.
5 Kështu tha Zoti; sepse unë jam Perëndi dhe kam dërguar Birin tim të Vetëmlindur në botë për shëlbimin e botës dhe kam shpallur se ai që e pranon atë, do të shpëtohet dhe ai që nuk e pranon atë, do të mallkohet.
6 Dhe ata kanë bërë me Birin e Njeriut madje siç deshën; dhe ai e ka marrë fuqinë e tij në të djathtën e lavdisë së tij dhe tani mbretëron në qiej e do të mbretërojë derisa të zbresë mbi tokë, për t’i vënë armiqtë nën këmbë, kohë e cila është fare pranë—
7 Unë, Zoti Perëndi, e kam thënë atë; por orën dhe ditën askush s’e di, as engjëjt në qiell, as nuk do ta dinë derisa ai të vijë.
8 Si rrjedhim, unë dëshiroj që gjithë njerëzit të pendohen, sepse të gjithë janë nën mëkat, përveç atyre që i kam ruajtur për veten time, njerëz të shenjtë për të cilët ju nuk dini gjë.
9 Si rrjedhim, unë ju them se ju kam dërguar besëlidhjen time të përhershme, madje atë që ishte që nga fillimi.
10 Dhe atë që e kam premtuar, po ashtu e kam përmbushur dhe kombet e dheut do t’i përkulen asaj; dhe, nëse jo vetë, ata do të zbriten poshtë, sepse ajo që tani lartësohet vetë, do të përulet nga fuqia.
11 Si rrjedhim, unë ju jap një urdhërim që ju të shkoni mes këtij populli dhe t’u thoni atyre, ashtu sikurse apostulli im i lashtësisë, emri i të cilit ishte Pjetër:
12 Besoni në emrin e Zotit Jezus, që ishte në tokë dhe që do të vijë, e fillimit dhe mbarimit;
13 Pendohuni e pagëzohuni në emrin e Jezu Krishtit, sipas urdhërimit të shenjtë, për shlyerjen e mëkateve;
14 Dhe kushdo që e bën këtë, do të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, me anë të vënies së duarve të pleqve të kishës.
15 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se kushdo që ju ndalon të martoheni, nuk është nga Perëndia, sepse martesa shugurohet nga Perëndia për njeriun.
16 Si rrjedhim, është e ligjshme që ai duhet të ketë një bashkëshorte dhe ata të dy duhet të jenë një mish, dhe kjo e gjitha, që toka të mund të përmbushë qëllimin e krijimit të saj;
17 Dhe që ajo të mund të mbushet me morinë e njerëzve, në përputhje me krijimin e tyre, përpara se bota të bëhej.
18 Dhe kushdo që urdhëron të hiqet dorë nga mishrat, që njerëzit nuk duhet t’i hanë ato, nuk shugurohet nga Perëndia;
19 Sepse, vini re, bishat e fushës dhe shpendët e ajrit, dhe ajo që vjen nga toka, shugurohen për përdorimin e njeriut për ushqim e për veshje dhe që ai të mund të ketë me bollëk.
20 Por nuk jepet që një njeri duhet të zotërojë më shumë se një tjetër, kështu që bota të prehet në mëkat.
21 Dhe mjerë ai që derdh gjak ose që harxhon mish dhe s’ka nevojë.
22 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se Biri i Njeriut nuk vjen në formën e një gruaje, as të një burri që udhëton mbi tokë.
23 Si rrjedhim, mos u mashtroni, por vazhdoni të jini besnikë, duke pritur për qiejt të tunden dhe tokën të dridhet e të lëkundet lart e poshtë si një i dehur, dhe për luginat të lartësohen, dhe për malet të rrafshohen, dhe për vendet e ashpra të sheshohen—dhe e gjithë kjo, kur engjëlli do t’i bjerë borisë së tij.
24 Por, përpara se dita e madhe e Zotit të vijë, Jakobi do të lulëzojë në shkretëtirë dhe Lamanitët do të çelin si trëndafili.
25 Sioni do të lulëzojë mbi kodra e do të gëzohet mbi male dhe do të mblidhet së bashku në vendin që unë kam caktuar.
26 Vini re, unë ju them, shkoni siç ju kam urdhëruar; pendohuni për gjithë mëkatet tuaja; kërkoni e do të merrni; trokisni e do t’ju çelet.
27 Vini re, unë do të shkoj përpara jush dhe do të jem praparoja juaj; dhe unë do të jem në mes jush e ju nuk do të ngatërroheni.
28 Vini re, unë jam Jezu Krishti dhe unë vij shpejt. Madje kështu. Amen.