Seksioni 78
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, në mars 1832 (History of the Church, 1:255–257). Rendi iu dha nga Zoti Joseph Smith-it për qëllimin e ngritjes së shtëpisë së ruajtjes për të varfërit. Nuk ishte gjithnjë e dëshirueshme që identiteti i individëve të cilëve Zoti iu drejtua në zbulesat, duhej t’i bëhej i njohur botës; si rrjedhim, në botimin e kësaj zbulese dhe disa zbulesave pasuese vëllezërve iu referua me emra të ndryshëm nga emrat e tyre të vërtetë. Kur nuk ishte më e nevojshme të mbaheshin të panjohur emrat e individëve, emrat e tyre të vërtetë u dhanë më pas në kllapa. Ngaqë sot nuk ekziston nevoja e domosdoshme për të vazhduar me emrat e koduar, vetëm emrat e vërtetë jepen tani këtu, ashtu sikurse u dhanë në dorëshkrimin origjinal.
1–4, Shenjtorët duhet të organizojnë dhe të ngrenë një shtëpi ruajtjeje; 5–12, Përdorimi i mençur i pronave të tyre do të çojë në shpëtim; 13–14, Kisha duhet të jetë e pavaruar nga fuqitë tokësore; 15–16, Mikaeli (Adami) shërben nën drejtimin e të Shenjtit (Krishtit); 17–22, Bekuar janë besimtarët, sepse ata do të trashëgojnë gjithçka.
1 Zoti i foli Joseph Smith të Riut, duke thënë: Dëgjomëni mua, thotë Zoti, Perëndia juaj, që jeni shuguruar në priftërinë e lartë të kishës sime, që jeni mbledhur së bashku;
2 Dhe dëgjoni këshillën e atij që ju ka shuguruar nga lart, i cili do të flasë në veshët tuaj fjalët e urtësisë, që shpëtimi të mund të jetë për ju në atë gjë që ju keni paraqitur para meje, thotë Zoti Perëndi.
3 Sepse, në të vërtetë, unë ju them, koha ka ardhur dhe është tani pranë; dhe vini re e shihni, është e nevojshme që të ketë një organizim të popullit tim, në rregullimin dhe krijimin e punëve të shtëpisë së ruajtjes për të varfërit e popullit tim, si në këtë vend, edhe në tokën e Sionit—
4 Për një krijim dhe një rregull të përhershëm dhe të përjetshëm për kishën time, për ta çuar përpara kauzën, për të cilën jeni zotuar, për shpëtimin e njeriut dhe për lavdinë e Atit tuaj që është në qiell;
5 Që ju të mund të jeni të barabartë në lidhjet e gjërave qiellore, po, dhe të gjërave tokësore gjithashtu, për të marrë gjëra qiellore.
6 Sepse, nëse ju nuk jeni të barabartë në gjëra tokësore, ju nuk mund të jeni të barabartë në marrjen e gjërave qiellore.
7 Sepse, nëse ju dëshironi që unë t’ju jap një vend në botën çelestiale, ju duhet të përgatiteni duke bërë gjërat që ju kam urdhëruar dhe që jua kam kërkuar.
8 Dhe tani, në të vërtetë kështu thotë Zoti, është e domosdoshme që gjithë gjërat të bëhen për lavdinë time, prej jush që jeni mbledhur së bashku në këtë urdhër;
9 Ose, me fjalë të tjera, shërbëtori im Newel K. Whitney dhe shërbëtori im Joseph Smith i Riu, dhe shërbëtori im Sidney Rigdon duhet të ulen në kuvend me shenjtorët që janë në Sion;
10 Përndryshe Satani kërkon t’i largojë zemrat e tyre nga e vërteta, që ata të verbohen dhe të mos kuptojnë gjërat që përgatiten për ta.
11 Si rrjedhim, një urdhërim ju jap, të përgatiteni dhe të organizoheni me një lidhje ose një besëlidhje të përjetshme që nuk mund të thyhet.
12 Dhe ai që e thyen atë, do ta humbasë detyrën dhe qëndrimin e tij në kishë dhe do t’u dorëzohen goditjeve të Satanit deri në ditën e shëlbimit.
13 Vini re, kjo është përgatitja me të cilën unë ju përgatis dhe themeli e modeli që ju jap, me anë të të cilit ju mund të plotësoni urdhërimet që ju janë dhënë;
14 Që nëpërmjet përkujdesit tim, pavarësisht nga mundimi që do të zbresë mbi ju, që kisha të mund të qëndrojë e pavarur mbi të gjitha krijesat e tjera nën botën çelestiale;
15 Që ju të mund të arrini kurorën e përgatitur për ju dhe të bëheni sundimtarë mbi shumë mbretëri, thotë Zoti Perëndi, i Shenjti i Sionit, i cili ka ngritur themelet e Adam-ondi-Ahmanit;
16 I cili ka caktuar Mikaelin, princin tuaj, dhe ka ngritur themelin e tij, dhe e ka lartësuar atë e i ka dhënë atij çelësat e shpëtimit nën këshillën dhe drejtimin e të Shenjtit, i cili është pa fillim të ditëve ose fund të jetës.
17 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, ju jeni fëmijë të vegjël dhe ju nuk keni kuptuar ende ç’bekime të mëdha Ati Qiellor ka në duart e tij dhe ka përgatitur për ju;
18 Dhe ju nuk mund t’i duroni të gjitha gjërat tani; megjithatë, merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës. Mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat.
19 Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’i shtohen atij, madje njëqindfish, po, më shumë.
20 Prandaj, bëni gjërat që unë ju kam urdhëruar, thotë Shëlbuesi juaj, madje Biri Ahman, që përgatit gjithçka përpara se t’ju marrë juve;
21 Sepse ju jeni kisha e të Parëlindurit dhe ai do t’ju marrë në një re dhe do t’i caktojë kujtdo pjesën e tij.
22 Dhe ai që është shërbëtor besnik dhe i mençur, do të trashëgojë gjithçka. Amen.