Kapitulli 7
(Dhjetor 1830)
Enoku i mëson, udhëheq njerëzit dhe lëviz malet—Qyteti i Sionit ngrihet—Enoku parashikon ardhjen e Birit të Njeriut, sakrificën e tij shlyese dhe ringjalljen e Shenjtorëve—Ai parashikon Rivendosjen, Mbledhjen, Ardhjen e Dytë dhe kthimin e Sionit.
1 Dhe ndodhi që Enoku e vazhdoi fjalimin e tij duke thënë: Vini re, ati ynë Adam na i mësoi këto gjëra dhe shumë vetë kanë besuar e janë bërë bijtë e Perëndisë, dhe shumë nuk kanë besuar dhe kanë mbaruar në mëkatet e tyre e po presin me frikë, me ankth, që indinjata e ashpër e zemërimit të Perëndisë të derdhet mbi ta.
2 Dhe nga ajo kohë e tutje Enoku filloi të profetizojë, duke u thënë njerëzve se: Ndërsa po udhëtoja dhe qëndrova në vendin Mahujah e i thirra Zotit, një zë erdhi nga qielli, duke thënë—Kthehu dhe shko në malin Simeon.
3 Dhe ndodhi që unë u ktheva dhe shkova në mal; dhe ndërsa qëndrova në mal, pashë qiejt që u hapën dhe unë u vesha me lavdi;
4 Dhe pashë Zotin; dhe ai qëndroi përballë meje dhe foli me mua, madje sikurse një njeri flet me një tjetër, ballë për ballë; dhe ai më tha: Shiko dhe unë do të të tregoj botën për hapësirën e shumë brezave.
5 Dhe ndodhi që unë pashë luginën e Shumit dhe, ja, një mori njerëzish që banonin në çadra, të cilët ishin njerëzit e Shumit.
6 Dhe përsëri Zoti më tha: Shiko; dhe unë pashë drejt veriut e vura re njerëzit e Kanaanit, që banonin në çadra.
7 Dhe Zoti më tha: Profetizo; dhe unë profetizova duke thënë: Vini re, njerëzit e Kanaanit, që janë të shumtë, do të shkojnë në formacion lufte kundër popullit të Shumit dhe do t’i vrasin ata, saqë ata, do të shkatërrohen plotësisht; dhe populli i Kanaanit do të ndahet në tokë dhe toka do të jetë e zhveshur dhe e pafrytshme dhe asnjë popull tjetër nuk do të banojë atje përveç popullit të Kanaanit.
8 Sepse, vini re, Zoti do ta mallkojë tokën me shumë nxehtësi dhe ajo do të mbetet djerrë përgjithmonë; dhe pati një errësim të lëkurës që erdhi mbi tërë fëmijët e Kanaanit, saqë ata u përbuzën mes gjithë njerëzve.
9 Dhe ndodhi që Zoti më tha mua: Shiko; dhe unë pashë e vura re tokën e Sharonit dhe tokën e Enokut, dhe tokën e Omnerit, dhe tokën e Henit, dhe tokën e Shemit, dhe tokën e Hanerit, dhe tokën e Hanannihahut, dhe të gjithë banorët e tyre;
10 Dhe Zoti më tha: Shko te këta njerëz dhe u thuaj atyre: Pendohuni, përndryshe unë do të vij e do t’ju godas me një mallkim dhe ju do të vdisni.
11 Dhe ai më dha urdhërim që unë duhej të pagëzoja në emër të Atit dhe të Birit, që është plot hir e të vërtetë, dhe të Frymës së Shenjtë, që jep dëshmi për Atin dhe Birin.
12 Dhe ndodhi që Enoku vazhdoi t’u bënte thirrje gjithë njerëzve, përveç atyre që ishin populli i Kanaanit, për t’u penduar;
13 Dhe kaq i madh ishte besimi i Enokut, sa ai udhëhoqi popullin e Perëndisë, dhe armiqtë e tyre erdhën në luftë kundër tyre; dhe ai foli fjalën e Zotit dhe toka u drodh dhe malet morën arratinë, madje sipas urdhërit të tij, dhe lumenjtë e ujit e ndërruan rrjedhën e tyre, dhe ulërima e luanëve u dëgjua prej vendit të shkretë, dhe të gjitha kombet patën shumë frikë, kaq e fuqishme ishte fjala e Enokut dhe kaq e madhe ishte fuqia e gjuhës që Perëndia i kishte dhënë atij.
14 Gjithashtu u ngrit një tokë nga thellësia e detit dhe kaq e madhe ishte frika e armiqve të popullit të Perëndisë, sa ata morën arratinë dhe qëndruan larg e shkuan në tokën që u ngrit nga thellësia e detit.
15 Dhe gjigandët e tokës, gjithashtu, qëndruan larg dhe u përhap një mallkim mbi të gjithë njerëzit që luftuan kundër Perëndisë;
16 Dhe që nga ajo kohë e tutje pati luftëra dhe gjakderdhje mes tyre; por Zoti erdhi dhe banoi me popullin e tij dhe ata banuan në drejtësi.
17 Frika e Zotit ishte mbi gjithë kombet, kaq e madhe ishte lavdia e Zotit, e cila ishte mbi popullin e tij. Dhe Zoti e bekoi tokën dhe ata u bekuan në male e në vende të larta dhe lulëzuan.
18 Dhe Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre.
19 Dhe Enoku vazhdoi me drejtësi predikimin e tij për popullin e Perëndisë. Dhe ndodhi në ditët e tij, që ai ndërtoi një qytet që u quajt Qyteti i Shenjtërisë, madje Sion.
20 Dhe ndodhi që Enoku foli me Zotin; dhe ai i tha Zotit: Sigurisht Sioni do të banojë në siguri përgjithmonë. Por Zoti i tha Enokut: Sionin e kam bekuar, por pjesën e mbetur të popullit e kam mallkuar.
21 Dhe ndodhi që Zoti i tregoi Enokut tërë banorët e tokës; dhe ai pa dhe, ja, Sioni, me kalimin e kohës, u mor në qiell. Dhe Zoti i tha Enokut: Vër re banesën time përgjithmonë.
22 Dhe Enoku gjithashtu pa pjesën e mbetur të popullit, që ishin bijtë e Adamit; dhe ata ishin një përzierje e të gjithë farës së Adamit, përveçse asaj që ishte fara e Kainit, sepse fara e Kainit ishin të zinj dhe nuk kishte vend mes tyre.
23 Dhe pasi ai Sion u mor në qiell, Enoku pa dhe, ja, tërë kombet e tokës ishin përpara tij;
24 Dhe erdhën breza pas brezash; dhe Enoku ishte lart e i ngritur, madje në kraharorin e Atit dhe të Birit të Njeriut; dhe vini re, fuqia e Satanit ishte mbi tërë faqen e dheut.
25 Dhe ai pa engjëjt të zbrisnin nga qielli; dhe ai dëgjoi një zë duke thënë: Mallkim, mallkim mbi banorët e tokës.
26 Dhe ai pa Satanin; dhe ai kishte një zinxhir të madh në duar dhe e mbuloi të gjithë tokën me errësirë; dhe ai ngriti sytë e qeshi dhe engjëjt e tij u gëzuan.
27 Dhe Enoku pa engjëj të zbrisnin nga qielli, duke dhënë dëshmi për Atin dhe Birin; dhe Fryma e Shenjtë ra mbi shumë vetë dhe ata u morën prej fuqive të qiellit në Sion.
28 Dhe ndodhi që Perëndia i qiellit hodhi vështrimin mbi pjesën e mbetur të popullit dhe vajtoi; dhe Enoku dha dëshmi për të, duke thënë: Si është e mundur që qiejt vajtojnë dhe i derdhin lotët e tyre si shi mbi malet?
29 Dhe Enoku i tha Zotit: Si është e mundur që ti mund të vajtosh, duke e parë që je i shenjtë dhe nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi?
30 Dhe po të ishte e mundur që njeriu të mund të numëronte pjesëzat e tokës, po, miliona tokë si kjo, nuk do të kishte fillim në morinë e krijimeve të tua; dhe perdet e tua ende janë të hapura; dhe përsëri ti je atje dhe kraharori yt është atje; dhe gjithashtu ti je i drejtë, je i mëshirshëm dhe i mirë përgjithmonë;
31 Dhe ti e ke marrë Sionin në kraharorin tënd, prej të gjitha krijimeve të tua, nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi; dhe asgjë, përveç paqe, drejtësi dhe të vërtetë është vendbanimi i fronit tënd; dhe mëshirë do të shkojë përpara fytyrës tënde e nuk do të ketë fund; si është e mundur që ti mund të vajtosh?
32 Zoti i tha Enokut: Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;
33 Dhe vëllezërve të tu u kam thënë dhe gjithashtu u kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre; por, vër re, ata janë pa dhembshuri dhe e urrejnë vetë gjakun e tyre;
34 Dhe zjarri i indinjatës sime ndizet kundër tyre; dhe në mospëlqimin tim të nxehtë do të dërgoj përmbytjet mbi ta, sepse zemërimi im i egër ndizet kundër tyre.
35 Vër re, unë jam Perëndi; Njeri i Shenjtërisë është emri im; Njeri i Këshillës është emri im; dhe i Pafundëm e i Përjetshëm është emri im, gjithashtu.
36 Si rrjedhim, unë mund ta shtrij dorën time dhe t’i mbaj të gjitha krijimet që i kam bërë; dhe sytë e mi mund t’i përshkojnë ata gjithashtu dhe mes tërë veprës së duarve të mia nuk ka patur kaq ligësi të madhe, sesa mes vëllezërve të tu.
37 Por vër re, mëkatet e tyre do të jenë mbi kokat e etërve të tyre; Satani do të jetë ati i tyre dhe mjerimi do të jenë fati i tyre; dhe tërë qiejt do të vajtojnë mbi ta, madje gjithë vepra e duarve të mia; si rrjedhim, a nuk duhet të vajtojnë qiejt, duke parë se këta do të vuajnë?
38 Por vër re, këta mbi të cilët sytë e tu janë, do të mbarojnë në përmbytjet; dhe vër re, unë do t’i mbyll ata; një burg kam përgatitur për ta.
39 Dhe ai që e kam zgjedhur, është lutur përpara fytyrës sime. Si rrjedhim, ai vuan për mëkatet e tyre; për aq sa ata do të pendohen në ditën që i Zgjedhuri im do të kthehet tek unë dhe deri në atë ditë ata do të jenë në mundim;
40 Si rrjedhim, për këtë do të vajtojnë qiejt, po, dhe gjithë vepra e duarve të mia.
41 Dhe ndodhi që Zoti i foli Enokut dhe i tregoi Enokut të gjitha veprimet e fëmijëve të njerëzve; prandaj Enoku e dinte dhe pa ligësinë e tyre dhe mjerimin e tyre, dhe vajtoi e i shtriu krahët e tij dhe zemra e tij u mbush gjerësisht si përjetësia; dhe brendësia e tij u mbush me dhembshuri; dhe gjithë përjetësia u drodh.
42 Dhe Enoku pa gjithashtu Noeun dhe familjen e tij; që pasardhësit e gjithë bijve të Noeut do të shpëtoheshin me një shpëtim tokësor;
43 Si rrjedhim, Enoku pa se Noeu ndërtoi një arkë; dhe se Zoti buzëqeshi mbi të dhe e mbajti në duar; por mbi pjesën e mbetur të të ligjve përmbytjet erdhën dhe i përpinë.
44 Dhe kur Enoku e pa këtë, shpirti i tij u hidhërua dhe vajtoi për vëllezërit e tij e u tha qiejve: Unë nuk do të pranoj të ngushëllohem; por Zoti i tha Enokut: Gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe shih.
45 Dhe ndodhi që Enoku pa; dhe nga Noeu, ai pa të gjitha familjet e tokës; dhe ai i thirri Zotit, duke thënë: Kur do të vijë dita e Zotit? Kur do të derdhet gjaku i të Drejtit, që të gjithë ata që janë në zi të mund të shenjtërohen dhe të kenë jetë të përjetshme?
46 Dhe Zoti tha: Do të jetë në meridianin e kohës, në ditët e ligësisë dhe të hakmarrjes.
47 Dhe vini re, Enoku pa ditën e ardhjes së Birit të Njeriut, madje në mish; dhe shpirti i tij u gëzua, duke thënë: I Drejti është ngritur dhe Qengji është therur nga krijimi i botës; dhe nëpërmjet besimit unë jam në kraharorin e Atit dhe, vini re, Sioni është me mua.
48 Dhe ndodhi që Enoku hodhi vështrimin mbi tokën dhe dëgjoi një zë nga brendësia e saj, duke thënë: Mallkim, mallkim jam unë, nëna e njerëzve; unë kam dhembje, jam e lodhur, për shkak të ligësisë së fëmijëve të mi. Kur do të pushoj dhe do të pastrohem nga fëlliqësia që ka dalë prej meje? Kur do të më shenjtërojë Krijuesi im, që unë të mund të pushoj dhe drejtësia për një stinë të banojë mbi faqen time?
49 Dhe kur Enoku e dëgjoi tokën të vajtonte, ai qau dhe i thirri Zotit, duke thënë: O Zot, a nuk do të kesh dhembshuri për tokën? A nuk do t’i bekosh fëmijët e Noeut?
50 Dhe ndodhi që Enoku e vazhdoi të luturën e tij ndaj Zotit, duke thënë: Unë të kërkoj, O Zot, në emër të të Vetëmlindurit tënd, madje Jezu Krishtit, që të kesh mëshirë për Noeun dhe farën e tij, që toka të mos mbulohet më kurrë me përmbytje.
51 Dhe Zoti nuk mund të përmbahej më; dhe ai lidhi besë me Enokun dhe iu betua atij me një betim se do t’i ndalonte përmbytjet, se do t’u bënte thirrje fëmijëve të Noeut;
52 Dhe ai dërgoi një dekret të pandryshueshëm, që një degë e farës së tij gjithmonë do të gjendej mes gjithë kombeve, ndërkohë që toka do të mbetej;
53 Dhe Zoti tha: Bekuar është ai përmes farës së të cilit Mesia do të vijë; sepse ai tha—Unë jam Mesia, Mbreti i Sionit, Shkëmbi i Qiellit, që është i gjerë sa përjetësia; ai që hyn me anë të portës dhe ngjitet deri tek unë, nuk do të bjerë kurrë; si rrjedhim, bekuar janë ata për të cilët kam folur, sepse do të vijnë me këngë gëzimi të përjetshëm.
54 Dhe ndodhi që Enoku i thirri Zotit, duke thënë: Kur Biri i Njeriut të vijë në mish, a do të prehet toka? Unë të lutem, m’i trego këto gjëra.
55 Dhe Zoti i tha Enokut: Shih, dhe ai pa e vuri re Birin e Njeriut të ngritur në kryq, sipas mënyrës së njerëzve;
56 Dhe ai dëgjoi një zë të lartë; dhe qiejt u mbuluan, dhe gjithë krijimet e Perëndisë mbajtën zi, dhe toka rënkoi, dhe shkëmbinjtë u çanë, dhe shenjtorët u ngritën e u kurorëzuan në të djathën e Birit të Njeriut, me kurora lavdie;
57 Dhe të gjithë ata shpirtra që ishin në burg, erdhën e qëndruan në të djathtën e Perëndisë; dhe pjesa e mbetur mbetën të lidhur në zinxhirët e errësirës deri në gjykimin e ditës së madhe.
58 Dhe përsëri Enoku vajtoi dhe i thirri Zotit, duke thënë: Kur do të prehet toka?
59 Dhe Enoku vuri re se Biri i Njeriut u ngjit tek Ati; dhe ai i thirri Zotit, duke thënë: A nuk do të vish përsëri në tokë? Duke marrë parasysh që ti je Perëndi dhe unë të njoh, dhe ti më je betuar e më ke urdhëruar që duhet të flas në emër të të Vetëmlindurit tënd; ti më ke bërë dhe më ke dhënë të drejtën e fronit tënd, dhe jo prej vetes sime, por prej hirit tënd; si rrjedhim, unë të pyes nëse nuk do të vish përsëri në tokë.
60 Dhe Zoti i tha Enokut: Ashtu siç unë jetoj, po kështu do të vij në ditët e fundit, në ditët e ligësisë dhe të hakmarrjes, për të përmbushur betimin që të kam bërë lidhur me fëmijët e Noeut;
61 Dhe dita do të vijë kur toka do të prehet, por përpara asaj dite, qiejt do të errësohen dhe një vel errësire do ta mbulojë tokën, dhe qiejt do të dridhen e toka gjithashtu, dhe mundime të mëdha do të jenë mes fëmijëve të njerëzve, por popullin tim unë do ta ruaj;
62 Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim, ringjalljen e tij së vdekuri; po, dhe gjithashtu ringjalljen e njerëzve; dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës, në një vend që unë e kam përgatitur, një Qytet të Shenjtë, që populli im të mund të ngjeshë ijet e tij dhe të presë me padurim kohën e ardhjes sime; sepse atje do të jetë tabernakulli im dhe ai do të quhet Sion, një Jeruzalem i Ri.
63 Dhe Zoti i tha Enokut: Atëherë ti dhe gjithë qyteti yt do t’i takoni ata atje dhe ne do t’i marrim në kraharorin tonë e ata do të na shohin; dhe ne do t’i përqafojmë dhe ata do të na përqafojnë e do të puthemi me njëri-tjetrin;
64 Dhe atje do të jetë banesa ime dhe ai do të jetë Sioni, i cili do të vijë nga të gjitha krijesat që unë kam bërë; dhe për hapësirën e një mijë vjetëve toka do të pushojë.
65 Dhe ndodhi që Enoku pa ditën e ardhjes së Birit të Njeriut, në ditët e fundit, për të banuar në tokë në drejtësi për hapësirën e një mijë vjetëve;
66 Por përpara asaj dite, ai pa shumë vuajtje mes të ligjve; dhe gjithashtu pa detin, që ishte i turbulluar, dhe zemrat e njerëzve që po i linin ata, duke pritur me frikë gjykimet e Perëndisë së Plotfuqishëm, i cili do të zbresë mbi të ligjtë.
67 Dhe Zoti ia tregoi Enokut të gjitha gjërat, madje deri në mbarim të botës; dhe ai pa ditën e të drejtëve, orën e shëlbimit të tyre, dhe mori një plotësi të gëzimit;
68 Dhe të gjitha ditët e Sionit, në ditët e Enokut, ishin treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet.
69 Dhe Enoku dhe populli i tij ecën me Perëndinë dhe ai banoi në mes të Sionit; dhe ndodhi që Sioni nuk ishte, sepse Perëndia e mori atë në kraharorin e tij; dhe nga kjo doli shprehja, Sioni u Arratis.