Seksioni 86
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 6 dhjetor 1832 (History of the Church, 1:300). Kjo zbulesë u mor ndërsa Profeti po rishikonte dhe korrigjonte dorëshkrimin e përkthimit të Biblës.
1–7, Zoti jep kuptimin e shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrës; 8–11, Ai shpjegon bekimet e priftërisë për ata që janë trashëgimtarë të ligjshëm sipas mishit.
1 Në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti juve, shërbëtorëve të mi, lidhur me shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës:
2 Vini re, në të vërtetë unë them, fusha ishte bota dhe apostujt ishin mbjellësit e farës;
3 Dhe pasi ata kishin rënë në gjumë, përndjekësi i madh i kishës, braktisësi, lavirja, madje Babilonia, që i bën të gjitha kombet të pijnë nga kupa e saj, në zemrat e të cilëve armiku, madje Satani, ulet të mbretërojë—vini re ai mbjell egjrat; si rrjedhim, egjrat ia marrin frymën grurit dhe e çojnë kishën në shkretëtirë.
4 Por vini re, në ditët e fundit, madje tani ndërsa Zoti po fillon të përhapë fjalën dhe gjethja po çel dhe është ende e njomë—
5 Vini re, në të vërtetë unë ju them, engjëjt po i thërrasin ditë e natë Zotit, të cilët janë gati dhe po presin të dërgohen për të korrur fushat;
6 Por Zoti u thotë atyre, mos i shkulni egjrat ndërkohë që gjethja është ende e njomë (sepse në të vërtetë besimi juaj është i dobët), përndryshe ju do të shkatërroni grurin gjithashtu.
7 Si rrjedhim, lëreni grurin dhe egjrat të rriten së bashku, derisa të korrat të piqen plotësisht; atëherë ju fillimisht duhet të mblidhni veç grurin nga egjra dhe pas mbledhjes së grurit, vini re e shihni, egjrat mblidhen në duaj dhe fusha mbetet për t’u djegur.
8 Si rrjedhim, kështu ju thotë Zoti juve, me të cilët priftëria ka vazhduar nëpërmjet linjës së prejardhjes së etërve tuaj—
9 Sepse ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm, sipas mishit, dhe jeni fshehur nga bota me Krishtin në Perëndinë—
10 Si rrjedhim jeta dhe priftëria juaj kanë mbetur dhe duhet patjetër të mbeten nëpërmjet jush dhe linjës suaj të prejardhjes, deri në rivendosjen e gjithë gjërave të thëna nga gojët e gjithë profetëve të shenjtë, që kur bota filloi.
11 Si rrjedhim, bekuar qofshi ju, nëse vazhdoni në mirësinë time, një dritë për Johebrenjtë, dhe, nëpërmjet kësaj priftërie, një shpëtimtar për popullin tim, Izraelin. Zoti e ka thënë atë. Amen.