Mbështetjate Vetja
9: Mësoni


“Rritja e Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)

“Rritja e Biznesit Tim: Mësoni”

Mësoni

Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Tri Mënyra për ta Rritur Biznesin Tim

Lexoni:

Pasi biznesi juaj të ketë arritur sukses të qëndrueshëm në dhënien e një shërbimi ose produkti fitimprurës, ai mund të jetë gati për mundësi rritjeje. Rritja e biznesit tuaj mund të ketë qenë pjesë e planit tuaj që nga fillimi ose mund të jetë një e papritur e këndshme, e shkaktuar nga puna e madhe dhe këmbëngulja juaj. Shumica e pronarëve të bizneseve e rritin biznesin e tyre në një nga tri mënyrat, siç tregohen më poshtë. Në këtë kapitull do ta shqyrtojmë secilën prej këtyre mënyrave me hollësi.

Pamja
Tri Mënyra për ta Rritur Biznesin Tim

2. Zgjerimi i Shërbimeve ose Produkteve të Mia

Lexoni:

Një mënyrë e efektshme për ta rritur biznesin tuaj është duke ofruar shërbime ose produkte shtesë që i plotësojnë nevojat e klientëve që synoni. Shërbimet dhe produktet e reja krijojnë prurje shtesë të të ardhurave bruto që ndihmojnë për të krijuar qëndrueshmëri për biznesin tuaj. Disa shembuj mund të përfshijnë ata që tregohen më poshtë:

Pamja
Katër mënyra për t’i zgjeruar shërbimet ose produktet

Vini re se secili prej shërbimeve ose produkteve shtesë në këta shembuj është një zgjerim që përputhet me biznesin bazë.

3. Zgjerimi i Tregut që Synoni

Lexoni:

Një mënyrë tjetër për ta ndihmuar rritjen e biznesit tuaj është duke e zgjeruar madhësinë e tregut që synoni. Kjo do t’ju lejojë të përqendroheni e të komunikoni me më shumë klientë, gjë që me shpresë do të çojë drejt më shumë biznesi. Disa mënyra se si mund ta zgjeroni tregun që synoni, tregohen më poshtë.

Pamja
Gjashtë mënyra për ta zgjeruar tregun 1 që synoni.
Pamja
Gjashtë mënyra për ta zgjeruar tregun 2 që synoni.

Diskutoni:

  • Çfarë faktorësh do të doni t’i hulumtoni dhe merrni parasysh përpara se të ndiqnit ndonjë prej këtyre mundësive?

  • Si do ta ruani cilësinë e shërbimeve ose produkteve në biznesin tuaj thelbësor, ndërkohë që zgjeroheni?

4. Konkurrimi për një Përqindje më të Madhe të Tregut

Lexoni:

Ju gjithashtu mund ta rritni biznesin tuaj duke konkurruar për një përqindje më të madhe të tregut. Pronarët e bizneseve e bëjnë këtë duke u përqendruar tek epërsitë konkurruese dhe rritja e cilësisë së shërbimeve ose produkteve të tyre kështu që klientët do të kthehen te biznesi i tyre. Për shembull, pronari i një kinemaje mund të investojë në karrige të rehatshme dhe variante ushqimesh me cilësi më të mirë, që mund të tërheqin njerëz të cilët mund të frekuentonin kinema të tjera.

5. Përfitimi Maksimal nga Mundësitë e Rritjes

Lexoni:

Sapo keni mësuar për tri mënyra se si ta rritni një biznes. Nëse doni ta rritni biznesin tuaj, ju keni nevojë të kërkoni në mënyrë aktive mundësi të rritjes potenciale. Pronarët e suksesshëm të bizneseve mësojnë duke kryer veprim (shih DeB 58:26–28). Ata ushtrojnë urtësi kur marrin parasysh mundësi të reja për ta zgjeruar biznesin e tyre duke i vlerësuar me kujdes burimet shtesë dhe sfidat e mundshme. Sidoqoftë, ata nuk kanë frikë të eksperimentojnë dhe të bëjnë gabime. Ata i shohin gabimet si mundësi për ta përshpejtuar të mësuarit, gjë që mund t’i bëjë më të fortë dhe t’i çojë më pranë synimeve të tyre. Ata kanë guximin ta zhvendosin fokusin e biznesit të tyre, nëse është e nevojshme, për t’i plotësuar nevojat e ndryshueshme të klientëve.

Pamja
Burrë duke lyer në një vendparkim

Diskutoni:

Përfytyroni një pronar biznesi që bën vijat e vendeve të parkimit. Ai vendos që mund të fitojë më shumë punë për biznesin duke e zhvendosur përqendrimin e biznesit të vet. Pasi flet me klientët e tij, mëson se do të ishin të gatshëm të paguanin më shumë nëse biznesi i tij do t’i mbulonte shenjat e vjetra dhe do të instalonte parakolpa parkimi dhe pengesa horizontale kundër shpejtësisë. Ai e ka analizuar këtë me hollësi dhe beson se ka kuptim financiarisht, prandaj vendos t’i ndjekë këto mundësi të reja.

  • Çfarë mundësish ose pengesash keni vënë re që mund t’ju bëjnë ta ndryshoni përqendrimin e biznesit tuaj?

6. Zhvillimi i një Zakoni për të Kontribuar te Kursimet Vetjake

Lexoni:

Aftësia juaj për ta rritur biznesin tuaj mund të ndihmohet shumë nëse keni kursime vetjake prej të cilave të merrni para. Një zakon që i dallon pronarët e bizneseve të suksesshme, është që ata kursejnë vazhdimisht para. Ne jemi këshilluar të paguajmë të dhjetat dhe ofertat tona fillimisht. Më pas duhet të paguajmë veten tonë duke e kursyer një pjesë të parave tona.

Kursimi i parave jep fonde për urgjenca dhe nevoja të papritura. Ai gjithashtu siguron paqe të mendjes, lehtësi ndryshimi me vendimet për jetën dhe burime për mundësitë si rritja e një biznesi. Ndërkohë që ka shumë mënyra për të kursyer para, ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është që të kurseni para çdo javë.

Teknologjia mund t’ju ndihmojë të kurseni para. Mund të caktoni një zbritje automatike nga pagesa juaj ose një transferim automatik nga një llogari rrjedhëse në një llogari kursimesh. Zbritjet ose transferimet automatike mund të ndihmojnë për ta bërë kursimin të lehtë. Disa mënyra të tjera praktike për të kursyer para përfshijnë:

  • Krijimin e një fondi për urgjenca.

  • Kryerjen e një buxheti.

  • Punën drejt një synimi afatshkurtër për kursime.

  • Depozitimin e të ardhurave të shumta njëherësh, të tilla si paratë e kthyera nga taksat, paratë e dhuruara për ditëlindje, shpërblimet nga puna dhe paratë e trashëguara.

  • Krijimin e llogarive të kursimeve për misione, arsimim, dalje në pension, mundësi biznesi ose synime të tjera vetjake.

  • Kursimin e parave në dorë ose të kusureve të vogla.

Diskutoni:

Cilat metoda kanë funksionuar më mirë për t’ju ndihmuar që të kurseni vazhdimisht?

7. Eliminimi i Kostove të Panevojshme

Lexoni:

Për të ruajtur një kufi të shëndetshëm fitimi, pronarët e bizneseve shpesh duhet të mësojnë të veprojnë me burime relativisht të pakta. Pronarët e suksesshëm të bizneseve janë kursimtarë dhe vendimmarrës në përcaktimin e kostove që janë të vlefshme dhe atyre që nuk janë. Nganjëherë, ata ndërmarrin veprime të guximshme duke u zotuar të eliminojnë përqindje të caktuara të kostove të tyre dhe më pas duke gjetur mënyra krijuese, prapëseprapë realiste, për të arritur kursime. Disa mënyra të zakonshme se si pronarët e bizneseve i administrojnë me efektshmëri kostot, tregohen më poshtë.

Pamja
Ikona Jini Mendjemprehtë

Jini mendjemprehtë: Përdorini bashkë me të tjerë ose përdorini sërish pajisjet dhe mjetet furnizuese; jini të gatshëm të blini pajisje të përdorura në vend të të rejave.

Për shembull, një dyqan i dizenjimit grafik ishte përzgjedhës në blerjen e mobilieve të përdorura të zyrës, të cilat i plotësonin nevojat e tij.

Pamja
Ikona e Ruajtjes së Përqendrimit

Ruajtja e përqendrimit: Përdoreni kohën me efektshmëri duke u përqendruar te përparësitë dhe projektet që prodhojnë të ardhurat më të mëdha bruto.

Për shembull, një kompani inxhinierie u specializua duke u përqendruar te tri shërbimet më fitimprurëse.

Pamja
Ikona Përdorni Teknologjinë

Përdorni teknologjinë: Përdorni teknologjinë që ta rritni prodhimtarinë, ta nxitni komunikimin dhe t’i ulni kostot.

Për shembull, për t’i pakësuar shpenzimet e udhëtimit, një biznes për zhvillimin e programeve kompjuterike përdori shërbime me kosto të ulët të konferencave pamore dhe telefonike në internet.

Pamja
Ikona Përdorni Fuqinë Blerëse

Përdorni fuqinë blerëse: Krahasoni çmimet përreth ose merrni vlerësime kostoje nga burime të shumta, zhvilloni bisedime për shpenzimet që të merrni çmimin më të mirë të mundshëm, ose blini me shumicë.

Për shembull, një biznes që përpunon lëkurën, kërkoi vlerësime të kostos nga një mori furnizuesish të mundshëm të lëkurës.