“Administrimi i Qarkullimit të Parave në Dorë të Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)
“Administrimi i Qarkullimit të Parave në Dorë të Biznesit Tim: Mësoni”
Mësoni
Koha Maksimale: 60 Minuta
1. Ndryshimi midis Fitimit dhe Qarkullimit të Parave në Dorë
2. Të Kuptuarit e Qarkullimit të Parave në Dorë
Diskutoni:
Çfarë ju mësojnë këta shembuj rreth sfidave ose administrimit të qarkullimit të parave në dorë?
Lexoni:
Është e zakonshme që pronarët e bizneseve të kenë sfida të qarkullimit të parave në dorë. Disa nga këto sfida përfshijnë:
Biznesi është shumë i ri, gjë që e bën të vështirë të marrë ose të paguajë me kredi.
Mundësitë për rritje, të cilat mund ta pakësojnë sasinë e parave në dorë që i kanë në dispozicion.
Pasja e inventarit, që kufizon paratë në dorë për përdorim.
Klientët që paguajnë me kredi, gjë që vonon sasinë e parave në dorë të cilat hyjnë në biznes.
Shitja bizneseve të tjera që paguajnë me kredi, gjë e cila e vonon sasinë e parave në dorë që hyjnë në biznes.
Shitje jo të njëtrajtshme për shkak të sezonalitetit ose faktorëve të tjerë, që mund të krijojnë nivele të larta dhe të ulëta në sasinë e parave në dorë që keni.
Shpenzime të papritura.
Mospagesa nga klientët (borxh i keq).
Diskutoni:
Çfarë sfidash të mundshme parashikoni në qarkullimin e parave në dorë të biznesit tuaj?
3. Strategjitë për Përmirësimin e Qarkullimit të Parave në Dorë
Lexoni:
Ka shumë gjëra që mund t’i bëni për të krijuar një cikël pozitiv të qarkullimit të parave në dorë për biznesin tuaj dhe për t’u përgatitur për të papriturat dhe problemet e mundshme. Për shembull, ju mund të hulumtoni kushtet e pagesës standarde në sektorin tuaj. Në disa sektorë, shitësit mund të presin deri në 90 ditë ose më gjatë përpara se t’u kërkohet të bëjnë një pagesë. Sektorë të tjerë shpesh kërkojnë pagesë brenda 30 ditësh. Kur i kuptoni kushtet e pagesës standarde për sektorin tuaj, atëherë ju mund të veproni që të zhvilloni bisedime për kushte më të favorshme për vetë biznesin tuaj.
Diskutoni:
Në përgjithësi pronarët e bizneseve dëshirojnë të marrin ose të mbledhin para në dorë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta vonojnë pagimin e parave në dorë derisa t’u kërkohet ta bëjnë këtë. Në pamje të jashtme, ky parim mund të duket se është në kundërshtim me mësimin e Shpëtimtarit që “gjithçka … që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre” (Mateu 7:12). Si do t’i pajtonit këto parime si pronar biznesi?
Lexoni:
Teksa punoni për të krijuar një cikël pozitiv të qarkullimit të parave në dorë për biznesin tuaj, është e rëndësishme që të veproni me integritet moral. Bëni përpjekjen për t’i kuptuar kushtet e pagesës për sektorin tuaj. Jini të mençur në caktimin e strategjisë suaj të pagimit. Punoni që të krijoni kushte të favorshme pagimi për biznesin tuaj. Pasi ta keni caktuar strategjinë tuaj të pagesës, i komunikoni qartë pritshmëritë tuaja dhe mbajini të gjitha zotimet tuaja.
4. Administrimi në Mënyrë Aktive i Qarkullimit të Parave të Mia në Dorë
Lexoni:
Nuk mjafton që herë pas here ta kontrolloni llogarinë bankare të biznesit tuaj dhe të shpresoni që numrat të përputhen. Ju nevojitet ta administroni në mënyrë aktive qarkullimin e parave në dorë të biznesit tuaj.
Si pronar i suksesshëm biznesi ju duhet ta dini se sa para në dorë ka në dispozicion biznesi juaj në çdo kohë. Mos u mbështetni te deklaratat bankare për të administruar qarkullimin e parave tuaja në dorë. Bilanci i llogarisë suaj shpesh nuk i pasqyron pagesat që janë në proces e sipër, të tilla si pagesat që shkojnë te furnizuesit ose pagesat që vijnë nga klientët.
Ju nevojitet të krijoni dhe vazhdimisht të përditësoni parashikimet tuaja të qarkullimit të parave në dorë. Siç u shpjegua më lart, qarkullimi i parave në dorë është koha dhe sasia e parave në dorë që qarkullon brenda dhe jashtë biznesit tuaj gjatë një periudhe të veçantë kohe. Parashikimi juaj duhet të tregojë qarkullimin tuaj të pritshëm të parave në dorë për disa muaj në vijim. Parashikimi juaj nuk mund të jetë 100 përqind i saktë, por është thelbësor që ju të krijoni vazhdimisht vlerësime të kujdesshme për të ardhurat bruto, shpenzimet e ndryshueshme dhe shpenzimet tuaja fikse mujore.
Qarkullimi pozitiv i parave në dorë nuk ndodh thjesht për një biznes. Ai arrihet me punë të madhe dhe planifikim të kujdesshëm. Nëse e dini gjendjen tuaj të tanishme të parave në dorë dhe parashikimin e qarkullimit të ardhshëm të parave në dorë, ju mund të merrni vendime që do ta ndihmojnë biznesin tuaj të ketë sukses dhe të rritet. Pronarët e suksesshëm të bizneseve mbajnë një rezervë parash në dorë për shpenzime të papritura dhe shpesh bëjnë një listë burimesh kredie bazuar te nevojat e tyre të parashikuara të qarkullimit të parave në dorë.