Mbështetjate Vetja
11: Mësoni


“Përmirësimi i Vazhdueshëm i Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)

“Përmirësimi i Vazhdueshëm i Biznesit Tim: Mësoni”

Mësoni

Koha Maksimale: 65 Minuta

1. Një Vizion i Biznesit Tim

Lexoni:

Pronarë të suksesshëm biznesesh mendojnë dhe e komunikojnë se çfarë do të bëhet biznesi i tyre. Ata përcaktojnë një vizion për biznesin e tyre. Një vizion është një figurë e një gjendjeje të dëshiruar të së ardhmes. Te Perla me Vlerë të Madhe lexojmë se Zoti “i krijo[i] të gjitha gjërat … shpirtërisht, përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi faqen e tokës” (Moisiu 3:5). Në mënyrë të ngjashme, pronarët e bizneseve krijojnë mendërisht të ardhmen e biznesit që kanë si qëllim ta ndërtojnë fizikisht.

Krijimi i një vizioni është shenjë e udhëheqjes. Kjo e vërtetë gjen zbatim drejtpërsëdrejti te biznesi juaj. Vizioni juaj do t’i drejtojë veprimet tuaja dhe do t’ju ndihmojë ju dhe njerëzit me të cilët punoni, që t’i përqendroni energjinë dhe përpjekjet tuaja.

Nuk mjafton të krijoni një vizion dhe më pas të shpresoni që biznesi juaj do të dalë me sukses. Do të jetë e nevojshme të punoni shumë dhe të jeni këmbëngulës që ta bëni realitet vizionin tuaj.

Pamja
Skica e Presidentit Gordon B. Hinkli për zhvillimin e tempujve të vegjël

2. Standardizimi i Biznesit Tim

Lexoni:

Një biznes nuk duhet të varet tërësisht nga pronari ose pronarja e tij. Pronarët e suksesshëm të bizneseve krijojnë manuale veprimi dhe i dokumentojnë rrjedhat e punës së tyre për të treguar se si të kryhet puna standarde e biznesit të tyre. Këto burime nxitin cilësi dhe qëndrueshmëri në proceset e biznesit. Ato janë të dobishme për të trajnuar punonjës të rinj dhe për të ruajtur praktikat më të mira mes punonjësve të tanishëm. Ato duhet të rishikohen e përditësohen shpesh.

Krijimi i një manuali veprimesh dhe dokumentimi i rrjedhave tuaja të punës për detyra të veçanta do të caktojnë pritshmëri, do t’i ndihmojnë punonjësit të arrijnë synime të përbashkëta dhe do të sigurojnë qëndrueshmëri. Ky dokumentim bën të mundur që dikush ta kryejë një detyrë kur një punonjës, i cili normalisht e kryen atë, është i sëmurë, shkon me pushime, ka një rast të ngutshëm apo largohet nga biznesi. Me rrjedha të hollësishme të punës në përdorim, ju mund të punoni për përmirësimin e biznesit tuaj në vend që thjesht të punoni për biznesin tuaj.

Krijimi i manualit të veprimeve dhe dokumentimi i rrjedhave tuaja të punës gjithashtu do t’ju ndihmojnë nëse jeni punonjësi i vetëm i biznesit tuaj. Procesi i dokumentimit do t’ju ndihmojë ta strukturoni dhe standardizoni biznesin tuaj. Kjo do ta ndihmojë biznesin tuaj që të jetë më i organizuar. Rrjedhat e dokumentuara të punës gjithashtu shërbejnë si burim njohurie për t’ju ndihmuar të kujtoni detyrat që mund të kryhen rrallë.

Diskutoni:

  • Si pronar biznesi, përse është e rëndësishme që ju të krijoni një manual veprimesh dhe t’i dokumentoni rrjedhat e punës për detyra të veçanta?

  • Cilat detyra ose procese të biznesit duhet të dokumentoni, me qëllim që puna të mund të kryhet në mënyrë të qëndrueshme?

3. Sigurimi që Biznesi Im Është në Pajtim me Ligjet dhe Rregulloret

Lexoni:

Pronarët e bizneseve janë përgjegjës për të siguruar që bizneset e tyre veprojnë në pajtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret. Ligjet dhe rregulloret ndryshojnë sipas sektorit dhe vendndodhjes, prandaj është e rëndësishme që çdo pronar biznesi të mendojë për kërkesat e tij ose të saj ligjore dhe rregullatore në: 1) nivel vendor, 2) nivel shtetëror ose krahinor, 3) nivel kombëtar dhe 4) nivel ndërkombëtar.

4. Investimi te Punonjësit

Lexoni:

Shtimi i një punonjësi të ri në biznesin tuaj është një vendim i rëndësishëm që kërkon një proces të organizuar marrjeje në punë dhe shqyrtim plot lutje. Pronarët e suksesshëm të bizneseve shkruajnë përshkrime të hollësishme të punës për të udhëzuar në vendimet e tyre të marrjes në punë. Një përshkrim pune e informon kandidatin për kërkesat e punës dhe e ndihmon punëdhënësin që të komunikojë aftësitë, njohurinë dhe zotësitë që do t’i nevojiten punonjësit të ri.

Diskutoni:

Përse është e rëndësishme që të jeni sistematik dhe plot lutje kur merrni në punë një punonjës?

Lexoni:

Për të krijuar një biznes të suksesshëm është thelbësore që ju t’i udhëhiqni dhe fuqizoni punonjësit tuaj. Një udhëheqës është dikush që i nxit njerëzit e tjerë që ta ndjekin atë. Udhëheqja nuk rrjedh nga një titull ose pozitë; ajo fitohet nëpërmjet aftësisë për ta bindur, nxitur dhe udhëzuar grupin drejt një synimi të dëshiruar. T’i fuqizoni punonjësit tuaj, do të thotë që ju u jepni atyre mundësi për t’i demonstruar e zhvilluar aftësitë dhe interesat e tyre. Pronarët e mençur të bizneseve i ndihmojnë punonjësit e tyre që ta përputhin rritjen e tyre vetjake me rritjen e biznesit.

Diskutoni:

Si mund t’i fuqizoni punonjësit tuaj të tanishëm dhe të ardhshëm?

Lexoni:

Si pronar biznesi, ju mund të paraqitni udhëheqje nëpërmjet mënyrës se si i punësoni dhe i administroni punonjësit tuaj. Kjo pjesë përshkruan tri parime udhëzuese.

Parimi i parë është të punësoni ngadalë dhe të hiqni nga puna me të shpejtë. Për shembull, le të përfytyrojmë sikur Viviana është pronare e një biznesi të kujdesit shëndetësor në shtëpi. Ajo e përdor me kujdes kohën për të marrë në punë kandidatin më të mirë bazuar në përshkrimin e hollësishëm të punës. Ajo gjithashtu ndërmerr veprim të menjëhershëm për ta hequr nga puna një punonjës që demonstron se ai nuk është mjaft i përshtatshëm për rolin ose biznesin. Në të dyja rastet, Viviana merr vendime që do të kenë përfitim afatgjatë për punonjësit e saj dhe për biznesin e saj.

Një parim i dytë udhëzues është që të siguroni trajnimin e duhur. Për shembull, le të përfytyrojmë sikur një inxhinier mekanik, i quajtur Nejt, është pronari i biznesit të vet. Nejti e ndihmon punonjësin e tij, Majllsin, të krijojë një plan të zhvillimit vetjak dhe siguron mundësi për trajnim. Me aftësitë dhe trajnimin e tij të ri, Majllsi është shpejt në gjendje të administrojë disa projekte të rëndësishme për biznesin. Si shkëmbim, Nejti ka më shumë kohë që të përqendrohet në rritjen e biznesit.

Një parim i tretë udhëzues është të inspektoni më shumë dhe të hamendësoni më pak. Ky parim nuk sugjeron që ju duhet të kontrolloni çdo gjë që bëjnë punonjësit tuaj. Përkundrazi, do të thotë që ju duhet të jeni të vetëdijshëm për punën që po bëjnë dhe mënyrën se si mund t’i ndihmoni ata. Për shembull, le të përfytyrojmë sikur Çezari është pronar i një biznesi të dizenjimit grafik. Ai zhvillon marrëdhënie të ngushta pune me punonjësit e tij dhe përkushton kohë që të bëjë pyetje, të dëgjojë, të udhëzojë dhe të qëndrojë pranë punës që bëjnë ata.

Diskutoni:

Si mund t’ju ndihmojnë këto parime në biznesin tuaj?

5. Caktimi i Synimeve dhe Matja e Suksesit të Biznesit Tim

Lexoni:

Synimet janë hapa që na ndihmojnë ta bëjmë realitet vizionin tonë. Ne mund të punojmë për ta arritur vizionin tonë nëse e ndajmë në synime të vogla, pjesë‑pjesë, për t’u përmbushur me kalimin e kohës. Synimet e efektshme kanë tiparet vijuese:

  • Specifike: përfshini një përshkrim të hollësishëm të asaj që do të arrihet.

  • Të matshme: përfshini një matës ose tregues për të matur përparimin.

  • Të arritshme: caktoni synime që janë realiste dhe të realizueshme.

  • Domethënëse: caktoni synime që janë të rëndësishme dhe japin nxitje.

  • Me afat të përcaktuar: përfshini datën kur synimi do të arrihet.

Si pronar biznesi mendoni për vizionin tuaj afatgjatë dhe ndajeni në synime më të vogla që mund të arrihen nëpërmjet përqendrimit dhe këmbënguljes.

Lexoni:

Teksa punoni drejt realizimit të vizionit tuaj, sigurohuni që të ruani sjelljet e përditshme të mëposhtme:

  • Jini i pandryshueshëm duke punuar me synimet tuaja çdo ditë.

  • Gjurmojeni përparimin tuaj me hollësi.

  • Jini të ndryshueshëm në përshtatjen e synimeve tuaja kur është e duhur.