Mbështetjate Vetja
12: Mësoni


“Paraqitja e Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)

“Paraqitja e Biznesit Tim: Mësoni”

Mësoni

Koha Maksimale: 105 Minuta

1. Vazhdimi në Grupin Tim të Mbështetjes te Vetja

Lexoni:

Pas plotësimit të kursit Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja, disa grupe zgjedhin të vazhdojnë të takohen së bashku, por jo aq shpesh. Ata gjejnë vlerë në të mësuarit vazhdimisht së bashku, mbështetjen e njëri‑tjetrit në rritjen e bizneseve të tyre dhe në punën për t’i kapërcyer sfidat.

Nëse zgjidhni ta vazhdoni mbledhjen, zgjidhni një udhëheqës grupi dhe krijoni një plan mbledhjeje. Ndërmjetësi i tanishëm nuk ka nevojë të jetë udhëheqësi i grupit. Udhëheqësi komunikon me grupin dhe punon për të siguruar që mbledhjet organizohen mirë dhe janë dobiprurëse për çdo anëtar. Udhëheqësi duhet të planifikojë tema dhe të krijojë një rend për secilën mbledhje nisur nga idetë prej grupit. Rendi i mbledhjes mund të përfshijë veprimtari të tilla si dëgjimi i një folësi të ftuar, diskutimi i një libri që lidhet me biznesin, të cilin anëtarët e klasës e kanë lexuar që më parë, ose punë së bashku për të zhvilluar aftësi biznesi.

Disa grupe gjithashtu organizojnë mesazhe sms si grup që të mund të komunikojnë rregullisht. Ata ofrojnë nxitje; shkëmbejnë artikuj, materiale filmike dhe përmbajtje të tjera; dhe kontakte e burime të rekomanduara biznesi. Për të lehtësuar përvoja shtesë të krijimit të lidhjeve, ju mund të doni të bashkërendoni me specialistin e kunjit për mbështetjen te vetja që të organizoni një mbledhje për anëtarë të grupit tuaj dhe të tjerë në kunj që e kanë përfunduar kursin.

Diskutoni:

A do të dëshironit të vazhdoni të mblidheni si grup? Nëse po, diskutoni se si do të donit të mbeteshit në kontakt për ta përkrahur njëri‑tjetrin në rritjen e bizneseve tuaja.

2. Shtegu Im drejt Mbështetjes te Vetja

Lexoni:

Gjatë 12 javëve të kaluara, ju keni krijuar zakone të reja dhe jeni bërë më i/e mbështetur te vetja. Zoti dëshiron që ju të vazhdoni të ndërtoni mbi këto aftësi dhe të zhvilloni aftësi të reja. Ndërsa luteni dhe mbani vesh, Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të dini se cilat gjëra në jetën tuaj kanë nevojë të përmirësohen.

Diskutoni:

Çfarë ndryshimesh keni parë në jetën tuaj gjatë 12 javëve të kaluara, ndërkohë që keni frekuentuar mbledhje të grupit, keni mbajtur zotime dhe keni punuar që të bëheni më të mbështetur te vetja?

Lexoni:

Ka shumë mënyra se si mund të vazhdoni të punoni për t’u bërë më të mbështetur te vetja. Ju mund:

  • Të studioni dhe vazhdoni t’i jetoni 12 parimet dhe zakonet e mbështetjes te vetja nga “Themeli Im”.

  • Të vazhdoni t’i ndihmoni anëtarët e grupit tuaj.

  • T’u tregoni për atë që keni mësuar dhe dëshminë tuaj për mbështetjen te vetja të tjerëve në kishë dhe në komunitetin tuaj.

  • Të jeni ndërmjetës për një grup të ri të mbështetjes te vetja.

  • Të ndërtoni mbi aftësitë tuaja duke marrë pjesë në një nga grupet e tjera të mbështetjes te vetja.

  • Të studioni parimet doktrinore të mbështetjes te vetja më poshtë.

Parimet Doktrinore të Mbështetjes te Vetja

Mbështetja te Vetja Është një Urdhërim

Qëllimi i Zotit Është që të Sigurojë për Shenjtorët e Tij dhe Ai e Ka të Gjithë Pushtetin për ta Bërë Këtë

Materialja dhe Shpirtërorja Janë Një

Doktrina e Besëlidhje 78:13–14; Moisiu 2:27–28

Doktrina e Besëlidhje 104:15; Gjoni 10:10; Mateu 28:18; Kolosianëve 2:6–10

Doktrina e Besëlidhje 29:34; Alma 34:20–25

Diskutoni:

  • Çfarë mund të bëni që të vazhdoni përparimin përgjatë shtegut tuaj të mbështetjes te vetja?

  • Çfarë mund të bëni që të jeni përkrahësi kryesor i mbështetjes te vetja brenda kunjit dhe bashkësisë suaj?

Lexoni:

Teksa vazhdoni në shtegun tuaj të mbështetjes te vetja, mbani mend këshillën vijuese nga Plaku Marvin J. Ashton: “Zoti kujdeset mjaftueshëm për ne sa të na japë drejtim për të shërbyer dhe mundësinë për ta zhvilluar mbështetjen te vetja. Parimet e Tij janë të qëndrueshme dhe kurrë nuk ndryshojnë” (“Give with Wisdom That They May Receive with Dignity”, Ensign, nëntor 1981, f. 91).

Profeti Nefi këshilloi: “Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, pasi ju të keni hyrë në këtë shteg …, unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vini re, unë ju them juve, Jo; pasi ju nuk keni arritur deri këtu përveçse me anë të fjalës së Krishtit, me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë. … Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:19–20).

3. Paraqitja e Biznesit Tim

Shënim për ndërmjetësin: Nëse nuk e keni bërë këtë tashmë, prezantojini të ftuarit që do të japin përshtypje gjatë paraqitjeve.

Lexoni:

Një nga aftësitë tona kyç të biznesit është shitja. Pronarët e suksesshëm të bizneseve flasin me klientë të mundshëm çdo ditë – në mënyrë formale si dhe joformale – për të dërguar mesazhe biznesi, për të marrë përshtypje dhe më së fundi për të krijuar shitje. Sot do t’u bëjmë paraqitje biznesesh anëtarëve të grupit tonë dhe të ftuarve që janë këtu me ne.

Qëllimi i paraqitjes së biznesit tuaj është që ta komunikoni qartë vlerën që ofron biznesi juaj. Ndërmjetësi, të ftuarit dhe anëtarët e grupit nuk duhet të vlerësojnë aftësitë tuaja të paraqitjes, por përkundrazi duhet të japin ide për zhvillimin ose përmirësimin e elementeve të ndryshme të biznesit tuaj. Në të ardhmen ka të ngjarë që ju do të keni mundësi shtesë për ta reklamuar biznesin tuaj teksa shitni, krijoni marrëdhënie, rekrutoni partnerë ose investues, apo kërkoni financim.

Paraqitja juaj duhet të përfshijë informacion rreth:

  • Nevojës së klientëve të cilën do ta trajtojë biznesi juaj.

  • Shërbimit ose produktit që do të ofroni.

  • Epërsisë suaj konkurruese.

  • Klientëve që i synoni.

  • Planit tuaj për t’i fituar klientët që synoni.

  • Burimeve që do t’ju nevojiten për biznesin tuaj.

  • Provave që biznesi juaj mund të jetë fitimprurës.

  • Hapave pasues që do të ndërmerrni për ta çuar përpara biznesin tuaj.