Mbështetjate Vetja
6: Mësoni


“Administrimi i Fitimprurjes së Biznesit Tim: Mësoni”, Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim për Mbështetjen te Vetja (2017)

“Administrimi i Fitimprurjes së Biznesit Tim: Mësoni”

Mësoni

Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Rëndësia e Mbajtjes së Dokumenteve të Shkruara

Lexoni:

“Si po Ecën Biznesi Im?” (Shihni tekstin e shkruar në fund të kësaj pjese.)

Diskutoni:

Çfarë mësimesh nxirrni nga përvoja e biznesit të Xhekut?

Lexoni:

Pronarët e suksesshëm të bizneseve janë të organizuar mirë dhe i mbajnë shënim hollësitë e tyre financiare. Që biznesi juaj të dalë me sukses, është thelbësore që ju të mbani dokumente të mira financiare. Pa dokumente të mira, si do ta dini nëse biznesi juaj është fitimprurës? Si mund ta dini nëse jeni paguar nga të gjithë klientët tuaj? Si do t’i dini shpenzimet tuaja gjithsej?

Në këtë kapitull do të lexojmë për rëndësinë e mbajtjes së dokumenteve të mira financiare. Do të mësojmë për termin të ardhura bruto, i cili u referohet parave që merr një biznes nga klientët për shitjen e shërbimeve ose produkteve. Do të mësojmë për termin shpenzim, i cili u referohet parave që shpenzon një biznes për të fituar shërbime ose produkte. Gjatë javës do t’i gjurmojmë të ardhurat bruto dhe shpenzimet e biznesit tonë për të parë nëse po krijojmë fitim.

2. Zakoni i Mbajtjes së Dokumenteve

Lexoni:

Pronarët e suksesshëm të bizneseve mbajnë dokumente të përditshme. Për pronarët e bizneseve të reja ky mund të jetë një zakon i vështirë për t’u krijuar, por është i rëndësishëm. Këtu janë pesë strategji për sukses në mbajtjen e shënimeve:

  • Mbani mend “përse‑në”: Ju mund të gjeni shtysë prej të menduarit për përfitimet afatgjata, të cilat do të rrjedhin nga administrimi i një biznesi të organizuar me dokumente të mira.

  • Zhvilloni aftësi të reja: Ju mund të keni nevojë të zhvilloni aftësi të reja që të keni sukses në mbajtjen e dokumenteve. Diskutimi ynë sot do t’ju ndihmojë t’i mësoni këto aftësi.

  • Zgjidhni miq, jo bashkëfajtorë: Një mik është një person që ju ndihmon të bëni gjënë e drejtë. Bashkëfajtor është dikush që ju ndihmon të bëni gjënë e gabuar. Kërkojuni miqve të besuar, një këshilluesi ose bashkëshortes ose bashkëshortit tuaj që t’ju ndihmojnë të jeni të pandryshueshëm në mbajtjen e dokumenteve.

  • Përdorni shpërblime: Shpërblejeni veten për mbajtjen e dokumenteve të përditshme.

  • Merrni mjetet e duhura: Sigurohuni që i keni mjetet për ta bërë siç duhet punën. Ne do të mësojmë rreth disa mjeteve të efektshme për mbajtjen e dokumenteve më vonë në këtë takim.

Diskutoni:

Cila nga strategjitë e renditura më lart do të jetë më e dobishmja për ju, ndërkohë që zhvilloni zakonin e mbajtjes së dokumenteve të përditshme financiare?

3. Mbajtja e një Regjistri të Ardhurash Bruto dhe Shpenzimesh

Lexoni:

Një regjistër i të ardhurave bruto dhe shpenzimeve është një formular i zakonshëm dhe i rëndësishëm i biznesit. Qëllimi kryesor i regjistrit është që të shënohet çdo herë që paratë hyjnë ose dalin nga biznesi juaj. Një qëllim tjetër është t’ju ndihmojë që t’i mbani veçan financat e biznesit nga ato vetjake (shih kapitullin 7). Vendosni nëse do ta mbani këtë regjistër në letër ose në një program kompjuterik. Është thelbësore që ta përdorni atë çdo ditë.

4. Mbajtja e një Deklarate të të Ardhurave

Lexoni:

Pasi të keni krijuar një regjistër të ardhurash bruto dhe shpenzimesh, ju mund të krijoni një deklaratë të ardhurash. Një deklaratë të ardhurash gjithashtu quhet një deklaratë e fitimit dhe humbjes ose një FeH.

Ju kujtohet sa e vështirë ishte ta llogaritnit fitimin nga kujtesa gjatë veprimtarisë në pjesën 1? Një deklaratë të ardhurash do të ndihmojë. Ajo i mbledh të gjitha hyrjet nga regjistri i të ardhurave bruto dhe shpenzimeve për të përmbledhur burimet e të ardhurave bruto dhe shpenzimeve për një periudhë të caktuar, të tillë si një javë, një muaj, një tremujor ose një vit. Deklarata e të ardhurave tregon nëse biznesi është fitimprurës gjatë asaj periudhe.

Një deklaratë të ardhurash tregon:

  • Të Ardhurat Bruto

  • Shpenzimet

  • Fitimin (ose humbjen)

Lexoni:

Vini re se si qëllimi i deklaratës së të ardhurave është t’i grumbullojë të gjitha të ardhurat bruto dhe shpenzimet sipas kategorive. Ju mund të keni duzina, qindra ose mijëra hyrje nga regjistri juaj, të cilat përmblidhen në deklaratën e të ardhurave. Pasi ta kuptoni se si organizohet një deklaratë të ardhurash, ju mund të filloni ta studioni dhe analizoni atë që të fitoni ide të cilat do t’ju ndihmojnë ta përmirësoni biznesin tuaj.

Diskutoni:

Çfarë idesh mund të fitoni nga studimi i një deklarate të ardhurash?

5. Krijimi i një Regjistri të Ardhurash Bruto dhe Shpenzimesh dhe i një Deklarate të të Ardhurave

Lexoni:

Për ta ditur nëse biznesi juaj është fitimprurës, ju nevojitet të krijoni një deklaratë të ardhurash. Për të krijuar një deklaratë të ardhurash, fillimisht ju nevojitet të keni një regjistër të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Diskutoni:

Pronarët e suksesshëm të bizneseve mbështeten te fuqia e mbajtjes së dokumenteve. A mban tashmë ndonjëri në grup regjistra të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve ose prodhon deklarata të të ardhurave? Nëse po, tregoni se si ju ka ndihmuar kjo.

Lexoni:

Tani keni mësuar rëndësinë e mbajtjes së regjistrit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve dhe bazat e përgatitjes së deklaratave të rregullta të të ardhurave për biznesin tuaj. Ndërkohë që rritet biznesi juaj, deklaratat e të ardhurave tuaja ka mundësi që do të bëhen më të ndërlikuara. Atyre do t’iu nevojitet të përfshijnë artikuj të tjerë të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve, të tilla si ato që renditen më poshtë:

  • Të ardhura nga interesi

  • Shpenzimet veç rrogave për punonjësit (të tilla si sigurimi mjekësor dhe tatimet për rrogat)

  • Marketingu dhe reklama

  • Qiraja

  • Shërbimet komunale

  • Amortizimi

  • Sigurimet

  • Shpenzimi i interesit

Mos u shqetësoni nëse nuk njiheni me disa nga këto terma. Ju mund të doni t’i referoheni listës së termave për më shumë informacion. Teksa rritet biznesi juaj, ju do të doni të bëheni më i njohur me këto terma dhe mënyrën se si t’i llogaritni ato në deklaratën tuaj të të ardhurave.

6. Mjeti për Administrimin e Hollësive Financiare të Biznesit Tim

Lexoni:

Ju nevojitet të përdorni një mjet gjithëpërfshirës për t’i administruar hollësitë financiare të biznesit tuaj. Përdoreni këtë mjet që të shënoni çdo transaksion të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve për biznesin tuaj. Në mënyrë ideale ai duhet të ketë një aftësi raportuese për t’i përmbledhur të ardhurat bruto, shpenzimet dhe fitimprurjen. Për t’ju ndihmuar që ta bëni zakon të përditshëm mbajtjen të organizuar të biznesit tuaj, mjeti juaj duhet të jetë i lehtë për t’u përdorur dhe i arritshëm.

Disa pronarë biznesesh e fillojnë duke përdorur një fletore shënimesh dhe dosje që të shënojnë faturat e tyre çdo ditë. Disa pronarë i marrin fletoret e tyre të shënimeve dhe faturat e i futin të ardhurat bruto dhe shpenzimet në një tabelë elektronike çdo natë. Shumica e pronarëve do të përparojnë drejt mjeteve më të përparuara të mbajtjes së dokumenteve, të tilla si programe kompjuterike dixhitale (apps) dhe paketa programesh kompjuterike, ndërkohë që rriten bizneset e tyre. Disa pronarë gjithashtu punësojnë llogaritarë që t’i administrojnë financat e tyre.

Diskutoni:

  • Për çfarë mjetesh keni dijeni që mund të ndihmojnë për t’i administruar hollësitë financiare të biznesit tuaj?

  • Cilat janë tiparet më të dobishme të mjetit që rekomandoni?

Lexoni:

Si pronar biznesi ju keni nevojë të vendosni se cilin mjet apo cilat burime do t’ju ndihmojnë më mirë që t’i dokumentoni të ardhurat bruto dhe shpenzimet tuaja. Edhe pse një mjet ose një llogaritar do të ndihmojnë shumë për mbajtjen e dokumenteve, ju nevojitet t’i kuptoni dokumentet financiare të biznesit tuaj dhe t’i rishikoni ato vazhdimisht. Teksa rritet biznesi juaj, ju do të doni ta thelloni kuptueshmërinë tuaj për çështjet financiare.

Duke filluar që sot, dokumentoni të ardhurat bruto dhe shpenzimet tuaja çdo ditë. Në fund të javës krijoni një deklaratë të ardhurash për biznesin tuaj. (Nëse është e dobishme, përdorni formularin bosh te “Burimet” në fund të kësaj pjese.) Nëse biznesi juaj nuk ka ende të dhëna financiare, krijoni të dhëna për një biznes të sajuar. Zakoni i dokumentimit të të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve tuaja do t’i sjellë përfitim biznesit tuaj.