Libra dhe Mësime
Kapitulli 8: Lutja Drejtuar Atit Tonë Qiellor


Kapitulli 8

Lutja Drejtuar Atit Tonë Qiellor

Pamja
A woman sitting at a desk with the scriptures open in front of her. She has her hands clasped and eyes closed in prayer.

Çfarë Është Lutja?

Jezusi na mësoi: “Ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim” (3 Nefi 18:19).

Lutja është një nga bekimet më të mëdha që kemi këtu në tokë. Nëpërmjet lutjes ne mund të komunikojmë me Atin tonë Qiellor dhe të kërkojmë udhëheqjen e Tij çdo ditë.

Lutja është një bisedë e sinqertë dhe e çiltër me Atin tonë Qiellor. Ne duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë dhe askujt tjetër. Ne nuk duhet t’i lutemi asnjë qenieje tjetër ose asgjëje të bërë nga njeriu apo Perëndia (shih Eksodi 20:3–5).

Përse lutemi?

Lutja ka qenë një pjesë e rëndësishme e ungjillit që nga fillimi i botës. Një engjëll i Zotit i urdhëroi Adamin dhe Evën të pendoheshin dhe të thërrisnin Perëndinë në emrin e Birit (shih Moisiu 5:8). Ky urdhërim nuk është hequr kurrë. Lutja do të na ndihmojë t’i afrohemi Perëndisë. Të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet tona ndikohen nga lutjet tona.

Ne duhet të lutemi që të kemi forcë për t’u bërë ballë tundimeve të Satanit dhe pasuesve të tij (shih 3 Nefi 18:15; DeB 10:5). Duhet të lutemi për t’ia rrëfyer mëkatet tona Perëndisë dhe që t’i kërkojmë të na falë (shih Alma 38:14).

Ne duhet të lutemi për udhëheqjen dhe ndihmën e Zotit në jetën tonë të përditshme. Duhet të lutemi për familjet dhe miqtë tanë, për fqinjët tanë, për drithin e fushave dhe të tufave tona, për punën tonë të përditshme dhe aktivitete të tjera. Duhet të lutemi për mbrojtje nga armiqtë tanë. (Shih Alma 34:17–27.)

Ne duhet të lutemi për t’i shprehur dashuri Atit tonë Qiellor dhe për t’u ndier më pranë Tij. Duhet t’i lutemi Atit tonë për ta falënderuar për mbarëvajtjen e mirëqenien tonë dhe për gjithçka që Ai na jep çdo ditë (shih 1 Thesalonikasve 5:18). Ne duhet të lutemi për t’i kërkuar Atit tonë Qiellor të na japë forcë për të jetuar ungjillin.

Duhet të lutemi që të mbetemi në udhën e ngushtë e të ngushtuar që të çon drejt jetës së përjetshme. Ne duhet t’i lutemi Perëndisë, autorit të të gjithë drejtësisë, që të mund të jemi të drejtë në mendimet, fjalët dhe veprimet tona.

  • Si ju ka ndihmuar lutja të afroheni më shumë me Atin Qiellor?

Kur Duhet të Lutemi?

Ne mund të lutemi sa herë ndiejmë nevojën për të komunikuar me Atin tonë Qiellor, qoftë në heshtje ose me zë. Ndonjëherë na duhet të jemi vetëm në një vend ku mund t’ia zbrazim shpirtin tonë Atij (shih Mateu 6:6). Veç kësaj, mund të lutemi gjatë veprimtarive tona të përditshme. Mund të lutemi kur jemi në një mbledhje në Kishë, në shtëpi, kur jemi duke ecur në rrugë, kur punojmë, kur gatuajmë, ose kudo që të jemi dhe çfarëdo që të jemi duke bërë. Mund të lutemi në çdo kohë të ditës ose të natës. Mund të lutemi kur jemi vetëm ose kur jemi me të tjerë. Ne mund ta mbajmë gjithmonë Atin Qiellor në mendimet tona (shih Alma 34:27). Ne mund të “[lutemi] gjithmonë” (DeB 10:5).

Ndonjëherë mund të mos kemi dëshirë të lutemi. Mund të jemi të zemëruar, të zhgënjyer ose të shqetësuar. Në këto raste duhet të bëjmë një përpjekje të veçantë për t’u lutur (shih 2 Nefi 32:8–9).

Secili nga ne duhet të lutet privatisht të paktën çdo natë dhe çdo mëngjes. Shkrimet e shenjta na thonë se duhet të lutemi në mëngjes, mesditë dhe mbrëmje (shih Alma 34:21).

Ne jemi urdhëruar të kemi lutje familjare që familjet tona të mund të jenë të bekuara (shih 3 Nefi 18:21). Udhëheqësit tanë të Kishës na këshillojnë të lutemi gjithë familja çdo mëngjes dhe mbrëmje.

Ne gjithashtu kemi privilegjin të lutemi për të falënderuar dhe për të kërkuar një bekim mbi ushqimin para çdo vakti.

Ne i hapim e i mbyllim me lutje të gjitha mbledhjet e Kishës. Ne e falënderojmë Zotin për bekimet e Tij dhe kërkojmë ndihmën e Tij që të mund ta adhurojmë ashtu si i pëlqen Atij.

Si Duhet të Lutemi?

Pavarësisht se ku jemi, nëse qëndrojmë në këmbë apo gjunjëzohemi, nëse lutemi me zë apo në heshtje, nëse lutemi privatisht apo në emër të një grupi, ne gjithmonë duhet të lutemi në besim “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë” (Moroni 10:4).

Kur i lutemi Atit tonë Qiellor duhet t’i tregojmë Atij se çfarë ndiejmë vërtet në zemrat tona, të kemi besim te Ai, t’i kërkojmë falje, t’i përgjërohemi, ta falënderojmë dhe t’i shprehim dashurinë tonë për Të. Nuk duhet të përsërisim fjalë dhe fraza të kota (shih Mateu 6:7–8). Duhet të lutemi gjithmonë që të bëhet vullneti i Tij, duke mbajtur parasysh se ajo që dëshirojmë mund të mos jetë më e mira për ne (shih 3 Nefi 18:20). Në fund të lutjes sonë, e mbyllim në emrin e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 18:19).

Si Marrin Përgjigje Lutjet?

  • Si mendoni ju, përse përgjigjet për lutjet nuk duken gjithmonë lehtë? Si mendoni ju, përse përgjigjet për lutjet nuk vijnë gjithmonë kur i dëshirojmë apo si i dëshirojmë?

Lutjet tona të sinqerta gjithmonë marrin përgjigje. Ndonjëherë përgjigjja mund të jetë jo, sepse ajo që kemi kërkuar nuk do të ishte më e mira për ne. Ndonjëherë përgjigjja është po dhe ne ndiejmë një ndjenjë ngrohtësie dhe qetësie për atë që duhet të bëjmë (shih DeB 9:8–9). Ndonjëherë përgjigjja është “prit pak”. Lutjet tona gjithmonë marrin përgjigje në kohën dhe në mënyrën që Zoti e di se do të na ndihmojë më shumë.

Ndonjëherë Zoti u përgjigjet lutjeve tona nëpërmjet njerëzve të tjerë. Një mik i mirë, një bashkëshort ose bashkëshorte, një prind ose një pjesëtar tjetër i familjes, një udhëheqës në Kishë, një misionar – çdonjëri nga këta individë mund të frymëzohet për të kryer veprime që do t’u përgjigjen lutjeve tona. Një shembull i kësaj është përvoja e një nëne të re fëmija i së cilës ishte lënduar në një aksident në shtëpi. Ajo nuk kishte asnjë mundësi për ta çuar fëmijën te mjeku. Ishte e re në lagje dhe nuk i njihte fqinjët. Nëna e re u lut për ndihmë. Pas pak minutash, një fqinjë trokiti në derë dhe i tha: “Kisha një ndjenjë se duhet të vija për të parë nëse kishe nevojë për ndihmë.” Fqinja e ndihmoi nënën e re për ta çuar fëmijën te mjeku.

Shpesh Perëndia na jep fuqinë për të ndihmuar për përgjigjen e vetë lutjeve tona. Kur lutemi për ndihmë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që të ndodhin gjërat që dëshirojmë.

Kur jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit dhe lutemi gjithmonë, do të kemi gëzim dhe lumturi. “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10).

  • Në çfarë mënyrash Ati Qiellor i është përgjigjur lutjeve të tua?

Shkrime të Shenjta të Tjera dhe Burime të Tjera