Libra dhe Mësime
Kapitulli 18: Besim tek Jezu Krishti


Kapitulli 18

Besim tek Jezu Krishti

Pamja
Full length profile portrait of Jesus Christ. He is depicted wearing a white robe with a blue belt. He has one hand extended. His other hand is touching His chest.

Çfarë Është Besimi?

Besimi tek Zoti Jezu Krisht është parimi i parë i ungjillit. Ai është një dhuratë shpirtërore dhe është i domosdoshëm për shpëtimin tonë. Mbreti Beniamin shpalli: “Shpëtimi nuk vjen tek asnjë … veçse nëpërmjet pendimit dhe besimit në Zotin Jezu Krisht” (Mosia 3:12).

Besimi është një “[shpresë] për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21; shih gjithashtu Hebrenjve 11:1). Besimi është një parim veprimi dhe fuqie që motivon veprimtaritë tona të përditshme.

A do të studionim dhe mësonim nëse nuk do të besonim se mund të fitonim urtësi e dituri? A do të punonim çdo ditë nëse nuk do të shpresonim se duke e bërë këtë do të arrinim diçka? A do të mbillte një bujk nëse nuk do të priste korrjen? Çdo ditë ne veprojmë sipas gjërave që shpresojmë kur nuk mund ta shohim ende rezultatin përfundimtar. Ky është besim. (Shih Hebrenjve 11:3.)

Shumë histori nga shkrimet e shenjta tregojnë sa gjëra të mëdha u arritën nëpërmjet besimit.

Me anë të besimit Noeu, ndërtoi një arkë dhe shpëtoi familjen e tij nga përmbytja (shih Hebrenjve 11:7). Moisiu ndau ujërat e Detit të Kuq (shih Hebrenjve 11:29). Elija u lut për zjarr nga qielli (shih 1 Mbretërve 18:17–40). Nefi u lut për zi buke (shih Helamani 11:3–5). Ai gjithashtu iu lut Zotit për t’i dhënë fund zisë së bukës (shih Helamani 11:9–17). Detet janë fashitur, vegime janë hapur dhe lutje janë dëgjuar, të gjitha këto nëpërmjet fuqisë së besimit.

Ndërsa studiojmë me kujdes shkrimet e shenjta, mësojmë se besimi është një bindje e fortë për të vërtetën brenda shpirtrave tanë që na nxit të bëjmë mirë. Kjo na bën të pyesim: Te kush duhet të kemi besim?

  • Mendoni për veprimtaritë tuaja të përditshme. Cilat janë gjërat për të cilat veproni çdo ditë dhe që nuk mund t’ua shihni rezultatet? Si ju nxit besimi për të vepruar?

Pse Duhet të Kemi Besim tek Jezu Krishti?

Ne duhet ta përqendrojmë besimin tonë tek Zoti Jezu Krisht.

Të kesh besim tek Jezu Krishti do të thotë të kemi aq besim tek Ai sa t’i bindemi gjithçkaje që Ai na urdhëron. Ndërsa e vendosim besimin tonë te Jezu Krishti, duke u bërë dishepujt e Tij të bindur, Ati Qiellor do të na falë mëkatet tona dhe do të na përgatisë të kthehemi tek Ai.

Apostulli Pjetër predikoi se “nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12; shih gjithashtu Mosia 3:17). Jakobi na mësoi se njerëzit duhet të kenë “besim të përsosur në të Shenjtin e Izraelit [Jezu Krishtin], ose ata nuk mund të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 9:23). Nëpërmjet besimit te Shpëtimtari dhe me anë të pendimit, ne e bëjmë Shlyerjen e Tij të ketë efekt të plotë në jetën tonë. Nëpërmjet besimit ne gjithashtu mund të marrim forcë për të mposhtur tundimet (shih Alma 37:33).

Ne nuk mund të kemi besim te Jezu Krishti pa pasur gjithashtu besim te Ati ynë Qiellor. Nëse kemi besim tek Ata, do të kemi gjithashtu besim se Fryma e Shenjtë, të cilin Ata e dërgojnë, do të na mësojë të gjithë të vërtetën dhe do të na ngushëllojë.

  • Si mund të na ndikojë besimi tek Jezu Krishti për thirrjet tona në Kishë, për marrëdhëniet tona familjare, për punët tona? Si e ndikon besimi tek Jezu Krishti shpresën tonë për jetë të përjetshme?

Si Mund ta Rrisim Besimin Tonë tek Jezu Krishti?

Duke ditur për bekimet e shumta që vijnë nëpërmjet ushtrimit të besimit tek Jezu Krishti, ne duhet të përpiqemi ta rrisim besimin tonë në Të. Shpëtimtari tha: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, … asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20). Kokrra e sinapit është shumë e vogël, por kur rritet bëhet një pemë e madhe.

Si mund ta rrisim besimin tonë? Në po të njëjtën mënyrë si rrisim ose zhvillojmë çfarëdo aftësi tjetër. Si i zhvillojmë aftësitë për gdhendjen e drurit, për endje, pikturë, gatim, qeramikë, ose për luajtjen e një instrumenti muzikor? Studiojmë, praktikojmë dhe punojmë fort për to. Ndërsa e bëjmë këtë, përmirësohemi. Kështu është edhe me besimin. Nëse duam ta rrisim besimin tonë tek Jezu Krishti, duhet të punojmë për këtë. Profeti Alma e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë që duhet të ushqehet me anë të besimit:

“Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia.

Tani, ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. Tani, në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, që ju t’i kundërshtoni Shpirtit të Zotit, vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim. …

Tani vini re, a nuk do t’jua shtonte kjo besimin tuaj?” (Alma 32:27–29).

Kështu ne mund ta rrisim besimin tonë tek Perëndia duke vepruar mbi dëshirën tonë për të pasur besim tek Ai.

Ne gjithashtu mund ta rrisim besimin duke iu lutur Atit Qiellor rreth shpresave, dëshirave dhe nevojave tona (shih Alma 34:17–26). Por nuk duhet të mendojmë se e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të kërkojmë. Në shkrimet e shenjta na thuhet se “besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete” (Jakobi [Bibël] 2:17). Historia e mëposhtme është për një burrë besimi i të cilit u tregua nga veprat e tij.

Ky burrë dëshironte të studionte shkrimet e shenjta, por nuk mund të lexonte. Ai iu lut Atit Qiellor që ta ndihmonte të lexonte. Pas pak kohësh një mësues erdhi në fshatin e tij dhe ai i kërkoi mësuesit që ta ndihmonte. Ai mësoi alfabetin. Studioi tingujt dhe mësoi t’i lidhte germat së bashku për të krijuar fjalë. Pas pak kohe ai mund të lexonte fjalë të thjeshta. Sa më tepër praktikonte aq më tepër mësonte. Ai e falënderoi Zotin që dërgoi mësuesin dhe që e ndihmoi për të mësuar të lexonte. Ky burrë e ka rritur besimin, përulësinë dhe dijen e tij deri në atë pikë sa ka shërbyer si president dege në Kishë.

Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi: “Duhet të ketë vepra me besim. Sa marrëzi do të ishte t’i kërkonim Zotit të na jepte dije, por sa e mençur do të ishte t’i kërkonim Zotit të na ndihmonte të fitonim dije, të studionim aktivisht, të mendonim me kthjelltësi dhe t’i ruanim në mendje ato që kemi mësuar” (Faith Precedes the Miracle [1972], f. 205; germat e pjerrëta në origjinal).

Besimi përfshin bërjen e gjithçkaje që mundemi që të mund të realizohen gjërat për të cilat shpresojmë dhe lutemi. Presidenti Kimball tha: “Me besim mbjellim farën dhe shpejt shikojmë mrekullinë e lulëzimit. Njerëzit shpesh e kanë keqkuptuar dhe e kanë kthyer mbrapsht procesin.” Ai vazhdoi duke shpjeguar se shumë nga ne duan të kenë shëndet dhe forcë pa mbajtur ligjet e shëndetit. Ne duam të kemi mirëqenie pa paguar të dhjetat. Duam të jemi pranë Zotit, por nuk duam të agjërojmë dhe të lutemi. Duam të kemi shi në kohën e duhur dhe të kemi paqe në tokë pa respektuar Shabatin si një ditë të shenjtë dhe pa mbajtur urdhërimet e tjera të Zotit. (Shih Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 142.)

Një mënyrë e rëndësishme për të rritur besimin tonë është të dëgjojmë dhe të studiojmë fjalën e Zotit. Ne e dëgjojmë fjalën e Zotit në mbledhjet tona në Kishë. Mund ta studiojmë fjalën e Tij në shkrimet e shenjta. “Dhe ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118).

  • Çfarë marrëdhëniesh shihni mes besimit tonë dhe veprimeve tona?

Cilat Janë Disa nga Bekimet që Vijnë nga Besimi?

Nëpërmjet dhuratës së besimit, kryhen mrekulli, engjëjt shfaqen, jepen dhuratat e Shpirtit, lutjet marrin përgjigje dhe njerëzit bëhen bij të Perëndisë (shih Moroni 7:25–26, 36–37).

“Kur besimi vjen ai sjell … apostuj, profetë, ungjilltarë, barinj, mësues, dhurata, urtësi, dituri, mrekulli, shërime, gjuhë, interpretime të gjuhëve etj. Të gjitha këto shfaqen kur besimi shfaqet në tokë dhe zhduken atëherë kur ai zhduket nga toka; sepse këto janë efektet e besimit. … Dhe ai që e ka atë, nëpërmjet tij, do të marrë të gjithë dijen dhe urtësinë e nevojshme deri sa ta njohë Perëndinë dhe Zotin Jezu Krisht, që ai ka dërguar – njohja e të cilit është jetë e përjetshme” (Lectures on Faith [1985], f. 83).

  • Cilat janë disa ndodhi nga shkrimet e shenjta në të cilat njerëzit u bënë më të fortë sepse patën besim tek Jezu Krishti? Si e keni parë ju që kjo të ndodhë në vetë jetën tuaj?

Shkrime të Shenjta të Tjera