Libra dhe Mësime
Kapitulli 20: Pagëzimi


Kapitulli 20

Pagëzimi

Pamja
A Hispanic missionary baptizing a Hispanic man in a large font or pool.

Urdhërimi që të Pagëzohemi

  • Pse duhet të pagëzohemi?

Sot, si në kohën e Jezusit, ka disa parime dhe ordinanca të ungjillit që duhet t’i mësojmë dhe t’u bindemi. Një parim ungjilli është një besim ose një mësim i vërtetë. Ordinanca është një rit ose një ceremoni. Dy parimet e para të ungjillit janë besimi në Zotin Jezu Krisht dhe pendimi. Pagëzimi është ordinanca e parë e ungjillit. Një nga udhëzimet që Zoti u dha Apostujve të Tij ishte: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19–20).

Ne Duhet të Pagëzohemi për Heqjen e Mëkateve Tona

Kur e vendosim besimin tonë tek Jezu Krishti, pendohemi dhe pagëzohemi, mëkatet tona falen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Nga shkrimet e shenjta mësojmë se Gjon Pagëzori “erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve” (Marku 1:4). Apostulli Pjetër dha mësim: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve” (Veprat e Apostujve 2:38). Pas kthimit në besim të Palit, Anania i tha atij: “Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua” (Veprat e Apostujve 22:16).

Ne Duhet të Pendohemi që të Bëhemi Anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit

“Gjithë ata që përulen para Perëndisë e dëshirojnë të pagëzohen, … dhe … janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, … do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij” (DeB 20:37).

Ne Duhet të Pagëzohemi para se të Mund të Marrim Dhuratën e Frymës së Shenjtë

Zoti tha: “Në qoftë se do të kthehesh tek unë dhe … pendohesh për të gjitha shkeljet [mëkatet] e tua, dhe pagëzohesh, madje me ujë, në emër të Birit tim të Vetëmlindur, … ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Moisiu 6:52).

Ne Duhet të Pagëzohemi për të Treguar Bindje

Jezu Krishti ishte pa mëkat, e megjithatë Ai u pagëzua. Ai tha se pagëzimi i Tij ishte i domosdoshëm për të “përmbush[ur] çdo drejtësi” (Mateu 3:15). Profeti Nefi shpjegoi se Zoti i tha: “Më ndiqni dhe bëni gjërat që më keni parë të bëj … me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë, por me bindje të vërtetë, duke u penduar për mëkatet tuaja, duke i dëshmuar Atit se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, me anë të pagëzimit” (2 Nefi 31:12–13).

Ne Duhet të Pagëzohemi për të Hyrë në Mbretërinë Çelestiale

Jezusi tha: “Dhe kushdo që beson në mua dhe pagëzohet, … do të trashëgoj[ë] mbretërinë e Perëndisë. Dhe kushdo që nuk beson në mua dhe nuk pagëzohet, do të mallkohet” (3 Nefi 11:33–34). Pagëzimi është porta nëpërmjet të cilës hyjmë në mbretërinë çelestiale (shih 2 Nefi 31:17–18).

Mënyra e Saktë e Pagëzimit

  • Si duhet të pagëzohemi?

Ekziston vetëm një mënyrë e saktë pagëzimi. Jezusi i zbuloi Profetit Jozef Smith se një njeri që ka autoritetin e duhur të priftërisë për të pagëzuar “duhet të zbresë në ujë me personin që është paraqitur për pagëzim. … Më pas ai duhet ta zhysë atë në ujë dhe ta nxjerrë përsëri nga uji” (DeB 20:73–74). Zhytja është e domosdoshme. Apostulli Pal na mësoi se zhytja në ujë dhe dalja sërish nga uji simbolizon vdekjen, varrimin dhe ringjalljen. Pas pagëzimit fillojmë një jetë të re. Pali tha:

“Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?

Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.

Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij” (Romakëve 6:3–5).

Pagëzimi me anë të zhytjes nga një njeri që ka autoritetin e duhur të priftërisë është e vetmja mënyrë e pranuar e pagëzimit.

  • Pse është i rëndësishëm autoriteti për të pagëzuar?

  • Në çfarë mënyrash pagëzimi me zhytje është i ngjashëm me varrimin dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit?

Pagëzimi në Moshën e Përgjegjshmërisë

  • Kush duhet të pagëzohet?

Çdo njeri që ka mbushur tetë vjeç dhe është i përgjegjshëm për veprimet e tij ose të saj duhet të pagëzohet. Disa kisha mësojnë se fëmijët e vegjël duhet të pagëzohen. Një gjë e tillë nuk përputhet me mësimet e Shpëtimtarit. Kur Jezusi foli për fëmijët e vegjël, Ai tha: “Atyre u përket mbretëria e qiejve” (Mateu 19:14).

Profeti Mormoni tha se është një tallje solemne para Perëndisë të pagëzosh fëmijët e vegjël, pasi ata nuk janë të aftë të mëkatojnë. Po kështu, pagëzimi nuk kërkohet për ata njerëz që janë mendërisht të paaftë të dallojnë midis së drejtës dhe së gabuarës (shih Moroni 8:9–22).

Të gjithë njerëzit e tjerë duhet të pagëzohen. Ne duhet të marrim ordinancën e pagëzimit dhe të mbetemi të vërtetë ndaj besëlidhjeve që bëjmë në pagëzim.

  • Çfarë mund t’i thoni një miku që beson se fëmijët e vegjël duhet të pagëzohen?

Kur Pagëzohemi Bëjmë Besëlidhje

Shumë shkrime të shenjta mësojnë rreth pagëzimit. Në një nga këto shkrime të shenjta, profeti Alma dha mësim se besimi dhe pendimi janë hapa që na përgatisin për pagëzim. Ai dha mësim se kur pagëzohemi ne bëjmë një besëlidhje me Zotin. Ne premtojmë të bëjmë disa gjëra dhe Perëndia na premton se do të na bekojë në përgjigje të kësaj.

Alma shpjegoi se ne duhet të dëshirojmë të thirremi populli i Perëndisë. Ne duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë dhe të ngushëllojmë njëri-tjetrin. Duhet të qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet. Kur i bëjmë këto gjëra dhe pagëzohemi, Perëndia do të na i falë mëkatet. Alma u tha njerëzve që besuan mësimet e tij rreth ungjillit:

“Vini re, këtu janë ujërat e Mormonit. … Dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij … çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?” (Mosia 18:8, 10). Njerëzit përplasën duart nga gëzimi dhe thanë se dëshira e tyre ishte të pagëzoheshin. Alma i pagëzoi ata në Ujërat e Mormonit. (Shih Mosia 18:7–17.)

Alma dha mësim se kur pagëzohemi ne bëjmë besëlidhje me Zotin:

  1. Për të ardhur në grigjën e Perëndisë.

  2. Për të mbajtur barrët e njëri-tjetrit.

  3. Për të qëndruar si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet.

  4. Për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij.

Kur pagëzohemi dhe mbajmë besëlidhjet e pagëzimit, Zoti na premton:

  1. Të na falë mëkatet tona (shih Veprat e Apostujve 2:38; DeB 49:13).

  2. Të derdhë Shpirtin e Tij më me bollëk mbi ne (shih Mosia 18:10).

  3. Të na japë udhëheqje të përditshme dhe ndihmën e Frymës së Shenjtë (shih Veprat e Apostujve 2:38; DeB 20:77).

  4. Të na lejojë të ngrihemi në Ringjalljen e Parë (shih Mosia 18:9).

  5. Të na japë jetë të përjetshme (shih Mosia 18:9).

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të mbajmë barrët e njëri-tjetrit, të qëndrosh si dëshmitar i Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet?

Pagëzimi na Jep një Fillim të Ri

Me pagëzimin fillojmë një mënyrë të re jetese. Prandaj pagëzimin e quajmë një rilindje. Jezusi tha se nëse nuk lindemi nga uji dhe Shpirti, nuk mund të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë (shih Gjoni 3:3–5). Ky parim iu shpjegua qartë Adamit:

“Dhe për aq sa ju u lindët në botë me anë të ujit dhe gjakut, dhe shpirtit, që unë e kam bërë, dhe kështu u bëtë nga pluhuri një shpirt i gjallë, po kështu ju do të lindeni përsëri në mbretërinë e qiellit, prej ujit dhe prej Shpirtit, dhe të pastroheni me anë të gjakut, madje gjakut të të Vetëmlindurit tim” (Moisiu 6:59).

Apostulli Pal tha se pas pagëzimit duhet të fillojmë një jetë të re: “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit … kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Një nga bekimet e mëdha të pagëzimit është se ai na ofron një fillim të ri në udhën drejt qëllimit tonë të përjetshëm.

  • Si qe pagëzimi juaj një fillim i ri?

Shkrime të Shenjta të Tjera