Libra dhe Mësime
Kapitulli 38: Martesa e Përjetshme


Kapitulli 38

Martesa e Përjetshme

Pamja
An African couple on the grounds of the Accra Ghana Temple. Taken in Ghana, West Africa.

Martesa është Shuguruar nga Perëndia

Martesa midis një burri dhe një gruaje është pjesë jetësore e planit të Perëndisë. Zoti ka thënë: “Kushdo që ju ndalon të martoheni, nuk është nga Perëndia, sepse martesa shugurohet nga Perëndia për njeriun” (DeB 49:15). Që nga fillimi, martesa ka qenë një ligj i ungjillit. Martesat kanë qëllim të zgjasin përgjithmonë, jo vetëm gjatë vdekshmërisë.

Adami dhe Eva u martuan nga Perëndia para se vdekja të vinte në botë. Ata patën një martesë të përjetshme. Ata ua mësuan ligjin e martesës së përjetshme fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre. Me kalimin e viteve, ligësia hyri në zemrat e njerëzve dhe autoriteti për ta kryer këtë ordinancë të shenjtë u mor nga toka. Nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit, martesa e përjetshme është rivendosur në tokë.

  • Përse është e rëndësishme ta dimë se martesa midis një burri e një gruaje është shuguruar nga Perëndia?

Martesa e Përjetshme Është Thelbësore për Ekzaltim

  • Cila është doktrina e martesës e Zotit dhe si ndryshon ajo nga pikëpamjet e botës?

Shumë njerëz në botë e konsiderojnë martesën vetëm si një traditë të shoqërisë, një marrëveshje ligjore midis një burri e një gruaje për të jetuar së bashku. Por për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, martesa është shumë më tepër. Ekzaltimi ynë varet nga martesa, bashkë me parime dhe ordinanca të tjera, të tilla si besimi, pendimi, pagëzimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ne besojmë se martesa është marrëdhënia më e shenjtë që mund të ekzistojë midis një burri e një gruaje. Kjo marrëdhënie e shenjtë ndikon në lumturinë tonë tani dhe në përjetësi.

Ati Qiellor na ka dhënë ligjin e martesës së përjetshme që të mund të bëhemi si Ai. Zoti ka thënë:

“Në lavdinë çelestiale ka tre qiej ose shkallë;

Dhe me qëllim që të fitojë më të lartën, një njeri duhet të hyjë në këtë rend të priftërisë [domethënë besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës];

Dhe nëse nuk e bën këtë, ai nuk mund ta fitojë atë” (DeB 131:1–3).

Martesa e Përjetshme Duhet të Kryhet Nëpërmjet Autoritetit të Duhur në Tempull

  • Përse që martesa të jetë e përjetshme duhet të kryhet nëpërmjet autoritetit të duhur në tempull?

Një martesë e përjetshme duhet kryer nga dikush që mban fuqinë vulosëse. Zoti premtoi: “Në qoftë se një burrë martohet me një grua … me anë të besëlidhjes së re dhe të përjetshme … prej atij që vajoset, … dhe në qoftë se [ata] e [durojnë] besëlidhjen [e Zotit], … do të jetë plotësisht e vlefshme kur ata të jenë jashtë botës” (DeB 132:19).

Martesa e përjetshme jo vetëm që duhet të kryhet nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë, por edhe duhet të kryhet brenda një prej tempujve të shenjtë të Zotit tonë. Tempulli është i vetmi vend ku mund të kryhet kjo ordinancë e shenjtë.

Në tempull, çiftet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme gjunjëzohen në një prej altarëve të shenjtë në praninë e familjes dhe miqve të tyre që kanë marrë indaumentin e tempullit. Ata bëjnë besëlidhjet e tyre martesore para Perëndisë. Aty ata shpallen si bashkëshort e bashkëshorte për kohën dhe gjithë përjetësinë. Kjo bëhet nga dikush që mban priftërinë e shenjtë të Perëndisë dhe i është dhënë autoriteti për ta kryer këtë ordinancë të shenjtë. Ai vepron nën drejtimin e Zotit dhe i premton çiftit bekimet e ekzaltimit. Ai i udhëzon ata për gjërat që duhet të bëjnë për t’i marrë këto bekime. Dhe i kujton ata se të gjitha bekimet varen nga bindja ndaj ligjeve të Perëndisë.

Nëse jemi martuar nëpërmjet një autoriteti tjetër dhe jo nëpërmjet priftërisë në tempull, martesa është e vlefshme vetëm për këtë jetë. Pas vdekjes, bashkëshortët nuk kanë asnjë lloj pretendimi mbi njëri-tjetrin ose mbi fëmijët e tyre. Martesa e përjetshme na jep mundësinë për të vazhduar si familje pas kësaj jete.

Të Mirat e Martesës së Përjetshme

  • Cilat janë bekimet e një martese të përjetshme në këtë jetë dhe në gjithë përjetësinë?

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne jetojmë me një këndvështrim për përjetësinë dhe jo vetëm për çastin. Megjithatë, mund të marrim bekime në këtë jetë si rezultat i martesës për përjetësinë. Disa nga këto bekime janë sa vijon:

  1. E dimë se martesa jonë mund të zgjasë përgjithmonë. Vdekja mund të na ndajë nga njëri-tjetri vetëm përkohësisht. Asgjë nuk mund të na ndajë përgjithmonë përveç mosbindjes tonë. Kjo njohuri na ndihmon të punojmë sa më shumë për të pasur një martesë të lumtur dhe të suksesshme.

  2. Ne e dimë se marrëdhëniet tona familjare mund të vazhdojnë për gjithë përjetësinë. Kjo njohuri na ndihmon të jemi të kujdesshëm për t’i mësuar dhe edukuar fëmijët tanë. Ajo gjithashtu na ndihmon t’u tregojmë atyre durim dhe dashuri më të madhe. Si pasojë, do të kemi një shtëpi edhe më të lumtur.

  3. Meqenëse jemi martuar sipas mënyrës së shuguruar nga Perëndia, kemi të drejtën të kemi një derdhje të Shpirtit në martesën tonë kur mbetemi të denjë.

Më poshtë gjenden disa nga bekimet që mund të gëzojmë në përjetësi:

  1. Mund të jetojmë në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale të Perëndisë.

  2. Mund të bëhemi të ekzaltuar si Perëndia dhe të marrim një plotësi gëzimi.

  • Si mundet që një këndvështrim për përjetësinë të ndikojë mënyrën si ndihemi për martesën dhe familjet tona?

Ne Duhet të Përgatitemi për një Martesë të Përjetshme

  • Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë të rinjtë të përgatiten për një martesë të përjetshme?

Presidenti Spenser W. Kimball mësoi: “Martesa është ndoshta vendimi më jetësor nga të gjithë vendimet dhe ka rezultatet me ndikim më të gjerë, sepse ka të bëjë jo vetëm me lumturinë e menjëhershme, por gjithashtu me gëzime të përjetshme. Ajo ndikon jo vetëm tek dy njerëzit që martohen, por edhe tek familjet e tyre dhe veçanërisht tek fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre për brezat e shumtë në vijim. Gjatë përzgjedhjes së një shoku/shoqeje për jetën dhe përjetësinë, sigurisht që duhet të bëhet planifikimi, dhe mendimi, dhe lutja, dhe agjërimi më i kujdesshëm për të siguruar që ndër të gjitha vendimet, ky vendim të mos jetë i gabuar ” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 193).

Martesa e përjetshme duhet të jetë qëllimi i çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme. Kjo është e vërtetë edhe për ata që tashmë janë të martuar nëpërmjet ligjit civil. Përgatitja për një martesë të përjetshme kërkon shumë të menduar e lutje. Vetëm anëtarët e Kishës që jetojnë me drejtësi lejohen të hyjnë të tempull (shih DeB 97:15–17). Ne nuk vendosim papritur një ditë se duam të martohemi në tempull e më pas shkojmë në tempull po atë ditë për t’u martuar. Për këtë së pari duhet të përmbushim disa kërkesa.

Para se të mund të shkojmë në tempull, duhet të jemi anëtarë aktivë e të denjë të Kishës për të paktën një vit. Burrat duhet të mbajnë Priftërinë Melkizedeke. Gjithashtu duhet të intervistohemi nga presidenti i degës ose peshkopi. Nëse ai na gjen të denjë, do të na japë një rekomandim tempulli. Nëse nuk jemi të denjë, ai do të këshillohet me ne dhe do të na ndihmojë të vendosim qëllime për t’u bërë të denjë të shkojmë në tempull.

Pasi ta marrim rekomandimin nga peshkopi ynë ose presidenti i degës, duhet të intervistohemi nga presidenti i kunjit ose presidenti i misionit. Gjatë intervistës për rekomandimin e tempullit na bëhen pyetje si të mëposhtmet:

  1. A besoni dhe a keni një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm, Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe Frymën e Shenjtë? A keni një dëshmi të fortë për ungjillin e rivendosur?

  2. A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues e zbulues? A e pranoni atë si të vetmin person në tokë të autorizuar për të ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë?

  3. A e jetoni ligjin e dëlirësisë?

  4. A jeni pagues i së dhjetës së plotë?

  5. A i bindeni Fjalës së Urtësisë?

  6. A jeni plotësisht të ndershëm në sjelljen tuaj me të tjerët?

  7. A përpiqeni të mbani besëlidhjet që keni bërë, për të ndjekur mbledhjet e sakramentit e të priftërisë dhe për ta mbajtur jetën në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?

Kur kërkoni një rekomandim tempulli, duhet të kujtoni se të hysh në tempull është një privilegj i shenjtë. Është një akt serioz, jo diçka për t’u marrë me lehtësi.

Ne duhet të përpiqemi me zell t’i bindemi çdo besëlidhjeje që bëjmë në tempull. Zoti ka thënë se nëse jemi të vërtetë e besnikë, do të hyjmë në ekzaltimin tonë. Do të bëhemi si Ati ynë Qiellor. (Shih DeB 132:19–20.) Martesa në tempull ja vlen çdo sakrificë. Ajo është një mënyrë për të fituar bekime të përjetshme tej mase.

  • Çfarë mund të bëjmë ne që t’i nxitim të rinjtë të vënë qëllim që të martohen në tempull? Si mund t’i ndihmojmë që të përgatiten për këtë?

Shkrime të Shenjta të Tjera