Libra dhe Mësime
Kapitulli 41: Bota e Shpirtrave Pas Vdekjes


Kapitulli 41

Bota e Shpirtrave pas Vdekjes

Pamja
A mother in a wheelchair is surrounded by three young children. They are in a cemetery in front of a tombstone.

Jeta pas Vdekjes

  • Çfarë na ndodh pasi vdesim?

Ati Qiellor përgatiti një plan për shpëtimin tonë. Si pjesë e këtij plani, Ai na dërgoi nga prania e Tij për të jetuar në tokë dhe për të marrë trupa të vdekshëm prej mishi e gjaku. Përfundimisht trupat tanë të vdekshëm do të vdesin dhe shpirtrat tanë do të shkojnë në botën e shpirtrave. Bota e shpirtrave është një vend pritjeje, pune, mësimi dhe, për të drejtët, vend prehjeje nga shqetësimet e pikëllimet. Shpirtrat tanë do të jetojnë atje deri sa të jemi gati për ringjalljen. Atëherë trupat tanë të vdekshëm do të bashkohen edhe një herë me shpirtrat tanë dhe ne do të marrim atë shkallë lavdie për të cilën jemi përgatitur (shih kapitullin 46 në këtë libër).

Shumë njerëz kanë pyetur veten se si është bota e shpirtrave. Shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme na kanë dhënë informacion rreth botës së shpirtrave.

  • Çfarë ngushëllimi merrni ju nga dija se ka jetë pas vdekjes? Si mund ta përdorim kuptimin tonë për botën e shpirtrave pas vdekjes për të ngushëlluar të tjerët?

Ku Është Bota e Shpirtrave pas Vdekjes?

Profetët e ditëve të mëvonshme kanë thënë se shpirtrat e atyre që kanë vdekur nuk janë larg prej nesh. Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Ndonjëherë veli midis kësaj jete dhe jetës së përtejme bëhet tepër i hollë. Njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur nuk janë larg nesh” (në Conference Report, prill 1971, f. 18; ose Ensign, qershor 1971, f. 33). Presidenti Brigam Jang dha mësim se bota e shpirtrave pas vdekjes është në tokë, rreth nesh (shih Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 279).

Cila Është Natyra e Shpirtrave Tanë?

Qeniet shpirtërore kanë të njëjtën formë trupore si njerëzit përveç faktit se trupi shpirtëror është në formën e tij të përsosur (shih Ethëri 3:16). Shpirtërat mbartin me vete nga kjo tokë qëndrimet e tyre të përkushtimit ose kundërshtimit ndaj gjërave të drejtësisë (shih Alma 34:34). Ata kanë të njëjtat pasione e dëshira që kanë pasur kur jetuan në tokë. Të gjithë shpirtrat janë në formën e tyre madhore. Ata ishin në moshën madhore para ekzistencës së tyre të vdekshme dhe pas vdekjes janë në formën e moshës madhore, edhe nëse vdesin si foshnja ose fëmijë (shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 131–132).

  • Përse është e rëndësishme të dimë se shpirtrat tanë do të kenë të njëjtat qëndrime në botën e shpirtrave si ato që kanë tani?

Cilat janë Kushtet në Botën e Shpirtrave pas Vdekjes?

Profeti Alma në Librin e Mormonit dha mësim rreth dy ndarjeve ose gjendjeve në botën e shpirtrave:

“Shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat.

Dhe atëherë do të ndodhë që shpirtrat e të ligjve, po, që janë të këqij – pasi vër re, ata nuk kanë as racion, as pjesë të Shpirtit të Zotit; pasi vër re, ata zgjodhën punë të liga në vend të të mirave; prandaj shpirti i djallit hyri në ta dhe mori nën kontroll shtëpinë e tyre – dhe këta do të dëbohen në errësirën e mëtejshme; aty do të ketë qarje dhe vajtime dhe kërcëllimë dhëmbësh dhe kjo për shkak të vetë paudhësisë së tyre, duke qenë bërë robër të vullnetit të djallit.

Tani, kjo është gjendja e shpirtrave të të ligjve, po, në errësirë dhe në një gjendje të tmerrshme pritjeje të frikshme për indinjatën e flaktë të zemërimit të Perëndisë mbi ta; kështu, ata qëndrojnë në këtë gjendje, ashtu sikurse të drejtët në parajsë, deri në kohën e ringjalljes së tyre” (Alma 40:12–14).

Shpirtrat klasifikohen sipas pastërtisë së jetës dhe bindjes së tyre ndaj vullnetit të Zotit gjatë jetës së tyre në tokë. Të drejtët dhe të ligjtë janë të ndarë (shih 1 Nefi 15:28–30), por shpirtrat mund të përparojnë ndërsa mësojnë parimet e ungjillit dhe jetojnë në përputhje me to. Shpirtrat në parajsë mund t’u japin mësim shpirtrave që janë në burg (shih DeB 138).

Parajsa

Sipas profetit Alma, shpirtrat e drejtë prehen nga vuajtjet dhe brengat tokësore. Megjithatë, ata janë të zënë duke bërë punën e Zotit. Presidenti Jozef F. Smith pa në një vegim se, menjëherë pasi Jezu Krishti u kryqëzua, Ai vizitoi të drejtët në botën e shpirtrave. Ai caktoi lajmëtarë, u dha atyre fuqi e autoritet dhe i ngarkoi “ta çonin dritën e ungjillit tek ata që ishin në errësirë, madje të gjithë shpirtrave të njerëzve” (DeB 138:30).

Kisha është e organizuar në botën e shpirtrave dhe mbajtësit e priftërisë i vazhdojnë atje përgjegjësitë e tyre (shih DeB 138:30). Presidenti Uillford Udraf dha mësim: “E njëjta Priftëri ekziston edhe në anën tjetër të velit. … Çdo Apostull, çdo i Shtatëdhjetë, çdo Plak etj., që ka vdekur në besim, sapo kalon në anën tjetër të velit, hyn në punën e shërbesës” (Deseret News, 25 janar 1882, f. 818).

Marrëdhëniet familjare janë gjithashtu të rëndësishme. Presidenti Xhededia M. Grant, këshilltar i Brigam Jangut, pa botën e shpirtrave dhe i përshkroi Hiber C. Kimballit organizimin që ekzistonte atje: “Ai tha se njerëzit që pa atje ishin organizuar sipas familjeve. … Ai tha: ‘Kur pashë familjet, vura re mungesë në disa prej tyre, … sepse pashë familje që nuk lejoheshin të vinin dhe të jetonin së bashku, sepse nuk e kishin nderuar thirrjen e tyre këtu’” (Deseret News, 10 dhjetor 1856, f. 316–317).

Burgu i Shpirtrave

Apostulli Pjetër e quajti një burg botën e shpirtrave pas vdekjes, siç është vërtet për disa (shih 1 Pjetrit 3:18–20). Në burgun e shpirtrave gjenden shpirtrat e atyre që nuk e kanë marrë ende ungjillin e Jezu Krishtit. Këta shpirtra kanë lirinë e zgjedhjes dhe mund të joshen si nga e mira ashtu edhe nga e liga. Nëse ata i pranojnë ungjillin dhe ordinancat e kryera për ta në tempuj, ata mund të largohen nga burgu i shpirtrave dhe të banojnë në parajsë.

Gjithashtu në burgun e shpirtrave gjenden dhe ata që e kanë flakur ungjillin pasi u është predikuar në tokë ose në botën e shpirtrave. Këta shpirtra vuajnë në një gjendje të njohur si ferr. Ata janë larguar nga mëshira e Jezu Krishtit, i cili tha: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë; Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt” (DeB 19:16–18). Pasi të vuajnë për mëkatet e tyre, ata do të lejohen, përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, të trashëgojnë shkallën më të ulët të lavdisë, që është mbretëria telestiale.

  • Në ç’mënyrë gjendjet në botën e shpirtrave janë të ngjashme me gjendjet në këtë jetë?

Shkrime të Shenjta të Tjera