Libra dhe Mësime
Kapitulli 16: Kisha e Jezu Krishtit në Kohët e Mëparshme


Kapitulli 16

Kisha e Jezu Krishtit në Kohët e Mëparshme

Pamja
Christ with the twelve men chosen by Him to be His Apostles. Christ has His hands upon the head of one of the men (who kneels before Him) as He ordains the man to be an Apostle. The other eleven Apostles are standing to the left and right of Christ.

Disa Tipare që e Dallojnë Kishën e Jezu Krishtit

“Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën Primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë e kështu me radhë” (Nenet e Besimit 1:6).

Jezusi krijoi Kishën e Tij kur ishte në tokë. Ajo quhej Kisha e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 27:8) dhe anëtarët quheshin shenjtorë (shih Efesianëve 2:19–20).

Zbulesa

Kur Jezusi krijoi Kishën e Tij, Ai i udhëzoi dhe i drejtoi personalisht udhëheqësit e saj. Ndërsa Ai vetë mori udhëzime nga Ati i Tij në Qiell. (Shih Hebrenjve 1:1–2.) Kështu Kisha e Jezu Krishtit u drejtua nëpërmjet Perëndisë dhe jo nëpërmjet njerëzve. Jezusi i mësoi pasuesit e Tij se zbulesa ishte “shkëmbi” mbi të cilin Ai do të ndërtonte Kishën e Tij (shih Mateu 16:16–18).

Para se Jezusi të ngjitej në qiell pas Ringjalljes, Ai u tha Apostujve të Tij: “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Besnik ndaj fjalës së Tij, Ai vazhdoi t’i udhëhiqte nga qielli. Ai dërgoi Frymën e Shenjtë për të qenë një ngushëllues dhe një zbulues për ta (shih Lluka 12:12; Gjoni 14:26). Ai i foli Saulit në një vegim (shih Veprat e Apostujve 9:3–6). Ai i zbuloi Pjetrit se ungjilli nuk duhej t’u mësohej vetëm hebrenjve, por mbarë botës (shih Veprat e Apostujve 10). Ai i zbuloi shumë të vërteta të lavdishme Gjonit, që janë shkruar në librin e Zbulesës. Dhiata e Re dokumenton shumë mënyra të tjera me anë të të cilave Jezusi zbuloi vullnetin e Tij për të drejtuar Kishën dhe për të ndriçuar dishepujt e Tij.

Autoritet nga Perëndia

Ordinancat dhe parimet e ungjillit nuk mund të administrohen dhe të jepen mësim pa priftërinë. Ati ia dha këtë autoritet Jezu Krishtit (shih Hebrenjve 5:4–6), i cili nga ana e vet shuguroi Apostujt e Tij dhe u dha atyre fuqinë e autoritetin e priftërisë (shih Lluka 9:1–2; Marku 3:14). Ai u kujtoi atyre: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve” (Gjoni 15:16).

Që të ketë rregull në Kishën e Tij, Jezusi ua dha përgjegjësinë dhe autoritetin më të madh Dymbëdhjetë Apostujve. Ai e caktoi Pjetrin Kryeapostull dhe i dha atij çelësat për të vulosur bekimet si në tokë ashtu edhe në qiell (shih Mateu 16:19). Jezusi shuguroi gjithashtu drejtues të tjerë për të kryer detyra të veçanta. Pasi u ngrit në qiell, vazhdoi po i njëjti model caktimi dhe shugurimi. Të tjerë u shuguruan në priftëri nga ata që tashmë e kishin marrë atë autoritet. Jezusi e bëri të njohur me anë të Frymës së Shenjtë se Ai i miratonte ato shugurime (shih Veprat e Apostujve 1:24).

Organizimi i Kishës

Kisha e Jezu Krishtit ishte një njësi e organizuar me kujdes. Ajo u krahasua me një ndërtesë që qe “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20).

Jezusi caktoi udhëheqës të tjerë priftërie për të ndihmuar Apostujt në punën e shërbesës. Ai dërgoi drejtues dhe thirri të Shtatëdhjetët që dy e nga dy të predikonin ungjillin (shih Lluka 10:1). Drejtues të tjerë në Kishë ishin ungjilltarë (patriarkë), barinj (udhëheqës kryesues), priftërinj të lartë, pleq, peshkopë, priftërinj, mësues dhe dhjakë (shih kapitullin 14 në këtë libër). Këta drejtues ishin të gjithë të nevojshëm për të bërë punë misionare, për të kryer ordinanca dhe për të udhëzuar e frymëzuar anëtarët e Kishës. Këta drejtues i ndihmuan anëtarët të arrinin te “uniteti i besimit dhe [i] njohjes së Birit të Perëndisë” (Efesianëve 4:13).

Bibla nuk na tregon gjithçka rreth priftërisë apo rreth organizimit dhe qeverisjes së Kishës. Megjithatë, një pjesë e mjaftueshme e Biblës është ruajtur sa për të treguar bukurinë dhe përsosmërinë e organizimit të Kishës. Apostujt u urdhëruan të shkonin në mbarë botën dhe të predikonin (shih Mateu 28:19–20). Ata nuk mund të qëndronin në asnjë qytet për të mbikëqyrur të porsakthyerit në besim. Për këtë arsye u thirrën dhe u shuguruan udhëheqës vendorë të priftërisë dhe Apostujt kryesonin mbi ta. Apostujt dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i vizitonin dhe u shkruanin letra degëve të ndryshme. Kështu, Dhiata e Re përmban letra të shkruara nga Pali, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Juda, që u japin këshilla dhe udhëzime udhëheqësve vendorë të priftërisë.

Dhiata e Re tregon se ky organizim i Kishës duhej të vazhdonte. Për shembull, me vdekjen e Judës mbetën vetëm njëmbëdhjetë Apostuj. Pak kohë pasi Jezusi ishte ngritur në qiell, njëmbëdhjetë Apostujt u mblodhën për të zgjedhur atë që do të zinte vendin e Judës. Nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë, ata zgjodhën Matian. (Shih Veprat e Apostujve 1:23–26.) Jezusi kishte dhënë modelin nëpërmjet të cilit dymbëdhjetë Apostujt do të qeverisnin Kishën. Dukej qartë se ai organizim duhej të vazhdonte ashtu siç e kishte krijuar Ai.

Parimet dhe Ordinancat e Para

Apostujt dhanë mësim dy parime bazë: besim në Zotin Jezu Krisht dhe pendim. Pasi të kthyerit e rinj të kishin besim tek Jezu Krishti si Biri i Perëndisë e Shëlbuesi i tyre dhe të ishin penduar për mëkatet e tyre, ata merrnin dy ordinanca: pagëzimin me zhytje dhe vendosjen e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih Veprat e Apostujve 19:1–6). Këto ishin parimet dhe ordinancat e para të ungjillit. Jezusi u kishte mësuar: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5).

Ordinancat e Kryera për të Vdekurit

Jezusi ka bërë të mundur që secili ta dëgjojë ungjillin, qoftë në tokë ose pas vdekjes. Gjatë kohës midis vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezusi shkoi midis shpirtrave të atyre që kishin vdekur. Ai organizoi punën misionare mes atyre që kishin vdekur. Ai caktoi lajmëtarë të drejtë dhe u dha atyre fuqi për t’u mësuar ungjillin të gjithë shpirtrave të njerëzve që kishin vdekur. Kjo u dha atyre mundësinë për të pranuar ungjillin. (Shih 1 Pjetrit 3:18–20; 4:6; DeB 138.) Më pas anëtarët e gjallë të Kishës së Tij kryen ordinanca në emër të të vdekurve (shih 1 Korintasve 15:29). Ordinanca të tilla si pagëzimi dhe konfirmimi duhen bërë në tokë.

Dhurata Shpirtërore

Të gjithë anëtarëve besnikë të Kishës iu dha e drejta për të marrë dhuratat e Shpirtit. Këto dhurata iu dhanë atyre sipas nevojave, aftësive dhe detyrave të tyre vetjake. Disa prej këtyre dhuratave ishin besimi, përfshirë fuqinë për të shëruar dhe për t’u shëruar; profecia dhe vegimet. (Dhuratat e Shpirtit diskutohen më hollësisht në kapitullin 22.) Dhuratat shpirtërore ekzistojnë gjithmonë në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit (shih 1 Korintasve 12:4–11; Moroni 10:8–18; DeB 46:8–29). Jezusi u tha dishepujve të Tij se këto shenja ose dhurata shpirtërore gjithmonë do të shkojnë pas atyre që besojnë (shih Marku 16:17–18). Shumë nga dishepujt e Tij kryen mrekulli, profetizuan, ose panë vegime nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

  • Përse i duhen Kishës së Jezu Krishtit këto gjashtë tipare?

Kisha e Jezu Krishtit në Kontinentin Amerikan

Pasi Jezusi u ringjall, Ai vizitoi njerëzit në Amerikë dhe organizoi Kishën e Tij midis tyre, duke u dhënë mësim njerëzve për tre ditë dhe duke u kthyer shpesh për një farë kohe pas kësaj (shih 3 Nefi 11–28). Më pas Ai u largua prej tyre dhe u ngjit në qiell. Për mbi dyqind vjet ata jetuan me drejtësi dhe ishin nga më të lumturit mes njerëzve të krijuar nga Perëndia (shih 4 Nefi 1:16).

Braktisja e Kishës së Vërtetë

  • Çfarë do të thotë termi braktisje?

Gjatë gjithë historisë, njerëz të ligj janë përpjekur të shkatërrojnë punën e Perëndisë. Kjo ndodhi ndërsa Apostujt ishin ende gjallë dhe mbikëqyrnin Kishën e re që po rritej. Disa anëtarë dhanë mësim ide nga besimet e tyre të vjetra pagane ose judease në vend të të vërtetave të thjeshta që dha mësim Jezusi. Disa u rebeluan hapur. Përveç kësaj, kishte përndjekje nga jashtë Kishës. Anëtarët e Kishës i torturuan dhe i vranë për shkak të besimeve të tyre. Një nga një, Apostujt i vranë apo u morën ndryshe nga toka. Për shkak të ligësisë dhe braktisjes, autoriteti apostolik dhe çelësat e priftërisë u morën gjithashtu nga toka. Organizimi që krijoi Jezu Krishti nuk ekzistonte më dhe si rezultat erdhi pështjellim. Shumë e më shumë gabime filluan të hynin në doktrinën e Kishës dhe shpejt shkatërrimi i Kishës u bë i plotë. Ajo periudhë kohe kur Kisha e vërtetë nuk ekzistonte më në tokë quhet Braktisja e Madhe.

Shpejt besimet pagane filluan të mbizotëronin mendimin e atyre që quheshin të krishterë. Perandori romak e adoptoi këtë krishtërim të rremë si fe të shtetit. Kjo kishë ishte shumë ndryshe nga kisha që organizoi Jezusi. Ajo jepte mësim se Perëndia ishte një qenie pa formë apo përmbajtje.

Këta njerëz humbën kuptimin e dashurisë së Perëndisë për ne. Ata nuk e dinin se ne jemi fëmijët e Tij. Ata nuk e kuptonin qëllimin e jetës. Shumë nga ordinancat u ndryshuan, sepse priftëria dhe zbulesa nuk gjendeshin më në tokë.

Perandori zgjidhte udhëheqësit e tij dhe nganjëherë i thërriste me të njëjtët tituj të përdorur nga udhëheqësit e priftërisë në Kishën e vërtetë të Krishtit. Nuk kishte më Apostuj ose udhëheqës të tjerë priftërie me fuqi nga Perëndia dhe nuk kishte më dhurata shpirtërore. Profeti Isaia e kishte parashikuar këtë gjendje, duke profetizuar: “Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme” (Isaia 24:5). Ajo nuk ishte më Kisha e Jezu Krishtit; ishte kisha e njerëzve. Madje dhe emri iu ndryshua. Edhe në kontinentin amerikan ndodhi braktisja (shih 4 Nefi).

Një Rivendosje u Profetizua

  • Cilat profeci në Dhiatën e Vjetër dhe të Re profetizuan për Rivendosjen?

Perëndia e kishte parashikuar Braktisjen dhe kishte përgatitur një mënyrë që ungjilli të rivendosej. Apostulli Pjetër u foli për këtë hebrenjve: “Ai [do] të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve, të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës” (Veprat e Apostujve 3:20–21).

Gjon Zbuluesi kishte parashikuar gjithashtu kohën kur ungjilli do të rivendosej. Ai tha: “Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli” (Zbulesa 14:6).

  • Përse qe e domosdoshme Rivendosja?

  • Mendoni për bekimet që ju kanë ardhur juve sepse Kisha e Jezu Krishtit u rivendos në tokë.

Shkrime të Shenjta të Tjera