Libra dhe Mësime
Kapitulli 19: Pendimi


Kapitulli 19

Pendimi

Pamja
An Hispanic young woman crying. She is holding a handkerchief. Tears are rolling down her face.

Të Gjithë Kemi Nevojë të Pendohemi

  • Çfarë është mëkati? Çfarë pasojash sjellin mbi ne mëkatet tona?

Besimi tek Jezu Krishti na çon natyrshëm drejt pendimit. Që nga koha e Adamit e deri më sot ka ekzistuar gjithmonë nevoja për pendim. Zoti e udhëzoi Adamin: “Si rrjedhim, mësojuani fëmijëve tuaj se të gjithë njerëzit, kudo, duhet të pendohen ose ata nuk mund të trashëgojnë në asnjë mënyrë mbretërinë e Perëndisë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij” (Moisiu 6:57).

Ne vijmë në tokë me qëllimin për t’u rritur dhe për të përparuar. Ky është një proces që zgjat gjithë jetën. Gjatë kësaj kohe ne të gjithë mëkatojmë (shih Romakëve 3:23). Të gjithë kemi nevojë të pendohemi. Ndonjëherë mëkatojmë për shkak të padijes, ndonjëherë për shkak të dobësive tona dhe ndonjëherë për shkak të mosbindjes së vullnetshme. Në Bibël lexojmë se “nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë” (Predikuesit 7:20) dhe se “po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne” (1 Gjoni 1:8).

Çfarë është mëkati? Jakobi tha: “Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat” (Jakobi [Bibël] 4:17). Gjoni e përshkroi mëkatin si “çdo paudhësi” (1 Gjoni 5:17) dhe “shkelje të ligjit” (1 Gjoni 3:4).

Për këtë arsye Zoti ka thënë: “Të gjithë njerëzit, kudo, duhet të pendohen” (Moisiu 6:57). Përveç Jezu Krishtit, i cili jetoi një jetë të përkryer, çdo njeri që ka jetuar në tokë ka mëkatuar. Ati ynë Qiellor me dashurinë e Tij të madhe na ka dhënë këtë mundësi që të pendohemi për mëkatet tona.

Çlirimi nga Mëkatet Tona me anë të Pendimit

  • Çfarë është pendimi?

Pendimi është mënyra që na është dhënë për t’u çliruar nga mëkatet tona dhe për t’u falur për to. Mëkatet e ngadalësojnë përparimin tonë shpirtëror e madje edhe mund ta ndalojnë atë. Pendimi na bën të mundur që të rritemi dhe të zhvillohemi përsëri shpirtërisht.

Privilegji për t’u penduar është bërë i mundur me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Jezusi pagoi për mëkatet tona në një mënyrë që ne nuk e kuptojmë plotësisht. Presidenti Jozef Filding Smith tha:

“Unë e kam provuar dhembjen, ju gjithashtu e keni provuar dhembjen dhe ndonjëherë ka qenë tepër e rëndë; por unë nuk mund ta kuptoj dhembjen … që do të bënte që gjaku të rridhte mbi trup si të ishte djersë. Ishte diçka e lemerishme, diçka e tmerrshme. …

… Nuk kishte njeri të lindur në këtë botë që mund të kishte qëndruar nën peshën e barrës që ishte mbi Birin e Perëndisë, kur po mbante mëkatet e mia dhe tuajat dhe duke bërë kështu të mundur që ne të mund të shpëtojmë nga mëkatet tona” (Doctrines of Salvation, zgjedh. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:130–131; germat e pjerrëta në origjinal).

Pendimi ndonjëherë kërkon kurajë të madhe, tepër forcë, shumë lotë, lutje të pafundme dhe përpjekje të palodhura për të jetuar urdhërimet e Zotit.

Parimet e Pendimit

  • Cilat janë parimet e pendimit?

Presidenti Spenser W. Kimball deklaroi: “Nuk ka rrugë mbretërore drejt pendimit, as një udhë të privilegjuar drejt faljes. Çdo njeri duhet të ndjekë të njëjtin drejtim qoftë i pasur apo i varfër, i shkolluar apo i pashkolluar, i gjatë apo i shkurtër, princ apo i vobektë, mbret apo njeri i thjeshtë” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 38; germat e pjerrëta në origjinal).

Ne Duhet t’i Pranojmë Mëkatet Tona

Për t’u penduar, duhet ta pranojmë brenda vetes se kemi mëkatuar. Nëse nuk e pranojmë këtë, nuk mund të pendohemi.

Alma e këshilloi birin e tij Koriantonin, i cili nuk ishte treguar besnik ndaj thirrjes së tij misionare dhe kishte kryer mëkate serioze: “Mëkatet e tua të të shqetësojnë me atë shqetësim që do të të sjellë në pendim. … Mos u përpiq të justifikohesh as në mënyrën më të vogël” (Alma 42:29–30). Shkrimet e shenjta na këshillojnë edhe më tej të mos i përligjim sjelljet tona mëkatare (shih Lluka 16:15–16).

Ne nuk mund t’ia fshehim asnjë veprim të jetës sonë vetes ose Zotit.

Ne Duhet të Ndiejmë Trishtim për Mëkatet Tona

Përveç pranimit të mëkateve, ne duhet të ndiejmë trishtim të sinqertë për atë që kemi bërë. Duhet të ndiejmë se mëkatet tona janë të lemerishme. Duhet të kemi dëshirën t’i largojmë ato nga vetja dhe t’i braktisim. Shkrimet e shenjta na thonë: “Gjithë ata që përulen para Perëndisë e dëshirojnë të pagëzohen, dhe vijnë me zemra të thyera e shpirtra të penduar, dhe … janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, … do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij” (DeB 20:37).

Ne Duhet t’i Braktisim Mëkatet Tona

Trishtimi ynë i sinqertë duhet të na çojë drejt braktisjes (heqjes dorë) së mëkateve tona. Nëse kemi vjedhur diçka, nuk do të vjedhim më. Nëse kemi gënjyer, nuk do të gënjejmë më. Nëse kemi kryer shkelje kurore, nuk do ta bëjmë më këtë. Zoti i zbuloi Jozef Smithit: “Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato” (DeB 58:43).

Ne Duhet t’i Rrëfejmë Mëkatet Tona

Rrëfimi i mëkateve tona është shumë i rëndësishëm. Zoti na ka urdhëruar t’i rrëfejmë mëkatet tona. Rrëfimi e lehtëson mëkatarin nga një barrë e rëndë. Zoti na ka premtuar: “Unë, Zoti, fal mëkate dhe jam i mëshirshëm për ata që i rrëfejnë mëkatet e tyre me zemra të përulura” (DeB 61:2).

Ne duhet t’ia rrëfejmë të gjitha mëkatet tona Zotit. Ne gjithashtu duhet t’ia rrëfejmë autoritetit të duhur të priftërisë mëkatet tona serioze – të tilla si shkelje kurore, kurvërim, marrëdhënie homoseksuale, abuzim me bashkëshortin/en apo fëmijën si dhe shitjen apo përdorimin e drogave të jashtëligjshme – të cilat mund të ndikojnë në qëndrimin tonë në Kishë. Nëse kemi mëkatuar kundër një njeriu tjetër, duhet t’i rrëfehemi atij njeriu që kemi lënduar. Disa mëkate më pak serioze nuk përfshijnë askënd tjetër përveç vetes sonë dhe Zotit. Mëkate të tilla mund t’i rrëfehen Zotit privatisht.

Ne Duhet të Kthejmë Dëmshpërblimin

Pjesë e pendimit është të kthejmë dëmshpërblimin. Kjo do të thotë se me aq sa mundemi duhet të korrigjojmë çdo gabim që kemi bërë. Për shembull, një vjedhës duhet të kthejë atë që ka vjedhur. Një gënjeshtar duhet të tregojë të vërtetën. Një thashethemexhi që ka marrë nëpër gojë karakterin e një njeriu duhet të përpiqet t’ia kthejë emrin e mirë atij personi që ka lënduar. Kur bëjmë këto gjëra, Perëndia nuk do të na i përmendë më mëkatet tona kur të gjykohemi (shih Ezekieli 33:15–16).

Ne Duhet të Falim të Tjerët

Një pjesë thelbësore e pendimit është të falim ata që kanë mëkatuar kundër nesh. Zoti nuk do të na falë nëse zemrat tona nuk pastrohen plotësisht nga gjithë urrejtja, zemërimi dhe ndjenjat jo të mira ndaj të tjerëve (shih 3 Nefi 13:14–15). “Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh” (DeB 64:9).

Ne Duhet të Mbajmë Urdhërimet e Perëndisë

Për ta bërë pendimin tonë të plotë ne duhet të mbajmë urdhërimet e Zotit (shih DeB 1:32). Nëse nuk paguajmë të dhjetat, ose nëse nuk e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit, ose nëse nuk i bindemi Fjalës së Urtësisë, atëherë nuk jemi penduar plotësisht. Nuk jemi penduar ende nëse nuk mbështesim autoritetet e Kishës dhe nëse nuk e duam Zotin dhe të afërmin tonë. Nëse nuk lutemi dhe nuk jemi të mirë me të tjerët, sigurisht që nuk jemi penduar. Kur pendohemi, jeta jonë ndryshon.

Presidenti Kimball tha: “Së pari, një njeri pendohet. Pasi ta ketë fituar atë terren atëherë ai duhet të jetojë urdhërimet e Zotit që ta mbajë atë pikë avantazhi. Kjo është e domosdoshme për të siguruar falje të plotë” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball, f. 43).

  • Si ndryshojnë mësimet në këtë seksion nga ideja e rreme se pendimi është kryerja e një liste hapash të thjeshtë apo veprimeve rutinë?

Si Na Ndihmon Pendimi

  • Në çfarë mënyrash na ndihmon pendimi?

Kur pendohemi, Shlyerja e Jezu Krishtit merr efekt të plotë në jetën tonë dhe Zoti na i fal mëkatet tona. Ne çlirohemi nga robëria e mëkateve tona dhe gjejmë gëzim.

Alma tregoi përvojën e tij të pendimit për mëkatet e së kaluarës:

“Shpirti im qe ngacmuar [munduar] në shkallën më të lartë dhe brengosur nga të gjitha mëkatet e mia.

Po, m’u kujtuan të gjitha mëkatet dhe paudhësitë e mia për të cilat unë po mundohesha me dhimbjet e ferrit; po, unë pashë se isha rebeluar kundër Perëndisë tim dhe se nuk kisha zbatuar urdhërimet e tij të shenjta.

… Kaq të mëdha kishin qenë paudhësitë e mia, saqë vetëm mendimi se do të dilja në praninë e Perëndisë tim, torturonte shpirtin tim me një tmerr të papërshkrueshëm.

… Dhe ndodhi që ndërsa isha … ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua. …

Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; … …

Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime!

… Nuk mund të ketë asgjë kaq të mrekullueshme dhe kaq të ëmbël, sa ishte gëzimi im” (Alma 36:12–14, 17–21).

  • Si i sollën gëzim Almës pendimi dhe falja?

Rreziqet e Zvarritjes së Pendimit Tonë

  • Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të zvarritjes së pendesës sonë?

Profetët kanë shpallur se “kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë” (Alma 34:32). Ne duhet të pendohemi tani, çdo ditë. Kur ngrihemi në mëngjes, duhet të analizojmë veten për të parë nëse Shpirti i Perëndisë është me ne. Në mbrëmje para se të biem të flemë, duhet të rishikojmë veprimet dhe fjalët e ditës dhe t’i lutemi Zotit të na ndihmojë të pranojmë ato gjëra për të cilat duhet të pendohemi. Duke u penduar çdo ditë dhe duke pasur faljen e Zotit për mëkatet tona, do të përjetojmë procesin e përditshëm të përsosjes. Dhe ashtu si ndodhi me Almën, lumturia dhe gëzimi ynë mund të jenë të mrekullueshme dhe të ëmbla.

Shkrime të Shenjta të Tjera