Libra dhe Mësime
Kapitulli 14: Organizimi i Priftërisë


Kapitulli 14

Organizimi i Priftërisë

Pamja
Three priests (one kneeling, two standing) while the sacrament is being blessed.

Priftëria Është në Tokë Sot

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qeveriset nëpërmjet priftërisë. Priftëria, që shoqërohet gjithmonë me punën e Perëndisë “vazhdon në kishën e Perëndisë në të gjitha brezat dhe nuk ka fillim të ditëve apo fund të viteve” (DeB 84:17). Ajo është mbi tokë sot. Burra të rinj e të vjetër pagëzohen në Kishë dhe, kur gjykohen të denjë, shugurohen në priftëri. Atyre u jepet autoriteti për të vepruar për Zotin dhe për të bërë punën e Tij mbi tokë.

Dy Ndarjet e Priftërisë

  • Si i morën emrat e tyre Priftëria Melkizedeke dhe Aarone?

Priftëria ndahet në dy pjesë: Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone (shih DeB 107:1). “E para quhet Priftëria Melkizedeke … sepse Melkizedeku ishte një prift i lartë i shquar.

Përpara kohës së tij ajo quhej Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë.

Por për shkak të respektit ose nderimit për emrin e Qenies Supreme, për të shmangur përsëritjen shumë të shpeshtë të emrit të tij, ata, kisha, në ditët e lashta, e quajtën atë priftëri sipas Melkizedekut ose Priftëria Melkizedeke” (DeB 107:2–4; germat e pjerrëta në origjinal).

Priftëria më e ulët është një shtesë e Priftërisë Melkizedeke. Ajo quhet Priftëria Aarone sepse iu dha Aaronit dhe bijve të tij gjatë gjithë brezave të tyre. Ata që mbajnë Priftërinë Aarone kanë autoritet për të administruar ordinancat e jashtme të sakramentit dhe pagëzimit. (Shih DeB 20:46; 107:13–14, 20.)

Ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke kanë fuqi dhe autoritet të udhëheqin Kishën dhe të drejtojnë predikimin e ungjillit në të gjitha pjesët e botës. Ata administrojnë të gjithë punën shpirtërore të Kishës (shih DeB 84:19–22; 107:8). Ata drejtojnë punën që bëhet në tempuj; kryesojnë mbi lagje, degë, kunje dhe misione. Profeti i zgjedhur i Zotit, Presidenti i Kishës, është prifti i lartë kryesues mbi Priftërinë Melkizedeke (shih DeB 107:65–67).

Çelësat e Priftërisë

  • Cili është ndryshimi midis priftërisë dhe çelësave të priftërisë? Cilët udhëheqës të priftërisë marrin çelësa?

Ka ndryshim midis shugurimit në një detyrë në priftëri dhe marrjes së çelësave të priftërisë. Presidenti Jozef F. Smith dha mësim:

“Priftëria në përgjithësi është autoriteti dhënë njeriut për të vepruar për Perëndinë. Çdo burri të shuguruar në çfarëdo shkalle të Priftërisë i është deleguar ky autoritet.

Por është e nevojshme që çdo veprim që kryhet nën këtë autoritet të bëhet në kohën e në vendin e duhur, në mënyrën e duhur dhe sipas rendit të duhur. Fuqia e drejtimit të këtyre punëve quhet çelësat e Priftërisë. Në plotësinë e tyre, çelësat mbahen nga vetëm një person në një kohë, profeti dhe presidenti i Kishës. Ai mund t’ia delegojë cilëndo pjesë të kësaj fuqie një tjetri, rast në të cilin ai person mban çelësat e asaj pune të veçantë. Kështu, presidenti i një tempulli, presidenti i një kunji, peshkopi i një lagjeje, presidenti i një misioni, presidenti i një kuorumi, secili mban çelësat e punëve që kryhen në atë grup apo vend të veçantë. Priftëria e tij nuk shtohet nga kjo detyrë e veçantë; … për shembull, presidenti i një kuorumi pleqsh, nuk ka më shumë Priftëri se secili anëtar i atij kuorumi. Por ai mban fuqinë e drejtimit të punëve zyrtare që kryhen në … kuorum, apo me fjalë të tjera, çelësat e asaj ndarjeje të asaj pune” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 141; germat e pjerrëta në origjinal).

  • Si e mbrojnë Kishën çelësat e priftërisë?

Detyrat dhe Përgjegjësitë e Priftërisë Aarone

  • Në cilat mënyra shërbejnë mbajtësit e Priftërisë Aarone?

Kur Priftëria Aarone i jepet një burri ose një të riu, ai shugurohet në një detyrë brenda asaj priftërie. Detyrat në Priftërinë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop. Secila detyrë mbart funksione dhe përgjegjësi. Çdo kuorum kryesohet nga një president kuorumi, që u mëson anëtarëve përgjegjësitë e tyre dhe u kërkon të përmbushin detyra.

Disa burra bashkohen me Kishën ose bëhen aktivë në Kishë pasi kanë kaluar moshën e zakonshme për të marrë detyrat e kësaj priftërie. Zakonisht ata shugurohen në një detyrë në Priftërinë Aarone dhe mund të shugurohen shpejt në detyra të tjera kur mbeten të denjë.

Dhjaku

Një djalë që është pagëzuar e konfirmuar anëtar i Kishës dhe është i denjë mund të shugurohet në detyrën e dhjakut kur mbush 12 vjeç. Dhjakët zakonisht caktohen për t’u shpërndarë sakramentin anëtarëve të Kishës, për të mbajtur në rregull ndërtesat dhe mjediset e Kishës, për të vepruar si lajmëtarë për udhëheqësit e priftërisë dhe për të përmbushur detyra të veçanta të tilla si mbledhja e ofertave të agjërimit.

Mësuesi

Një djalë i denjë mund të shugurohet si mësues kur është 14 vjeç e lart. Mësuesit kanë të gjitha detyrat, të drejtat dhe fuqitë e detyrës së dhjakut plus disa detyra të tjera. Mësuesit në Priftërinë Aarone duhet t’i ndihmojnë anëtarët e Kishës të jetojnë urdhërimet (shih DeB 20:53–59). Për të ndihmuar në përmbushjen e kësaj përgjegjësie, ata zakonisht caktohen të shërbejnë si mësues shtëpie. Ata vizitojnë shtëpitë e anëtarëve të Kishës dhe i nxisin ata të jetojnë parimet e ungjillit. Ata janë urdhëruar të japin mësim të vërtetat e ungjillit nga shkrimet e shenjta (shih DeB 42:12). Mësuesit gjithashtu përgatisin bukën dhe ujin për shërbesën e sakramentit.

Prifti

Një djalë i denjë mund të shugurohet si prift kur është 16 vjeç e lart. Priftërinjtë kanë të gjitha detyrat, të drejtat dhe fuqitë e detyrës së dhjakut dhe mësuesit plus disa detyra të tjera (shih DeB 20:46–51). Një prift mund të pagëzojë. Ai gjithashtu mund të administrojë sakramentin. Ai mund të shugurojë priftërinj të tjerë, mësues dhe dhjakë. Një prift mund të marrë përsipër drejtimin e mbledhjeve kur nuk është i pranishëm asnjë mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Ai duhet t’u predikojë ungjillin atyre që janë rreth tij.

Peshkopi

Një peshkop shugurohet dhe veçohet për të kryesuar mbi Priftërinë Aarone në një lagje. Ai është presidenti i kuorumit të priftërinjve (shih DeB 107:87–88). Kur vepron në detyrën e tij të Priftërisë Aarone, peshkopi merret së pari me çështjet materiale, të tilla si administrimi i financave e dokumenteve dhe drejtimi i kujdesit për të varfërit e nevojtarët (shih DeB 107:68).

Një peshkop shugurohet gjithashtu si prift i lartë që të mund të kryesojë mbi të gjithë anëtarët e lagjes (shih DeB 107:71–73; 68: 15). Peshkopi është një gjykatës në Izrael (shih DeB 107:74) dhe interviston anëtarët për rekomandime tempulli, shugurime priftërie dhe nevoja të tjera. Është e drejta e tij të ketë dhuratën e dallimit.

  • Si jeni bekuar përmes shërbimit të mbajtësve të Priftërisë Aarone?

Detyrat dhe Përgjegjësitë e Priftërisë Melkizedeke

  • Në cilat mënyra shërbejnë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke?

Detyrat e Priftërisë Melkizedeke janë plak, prift i lartë, patriark, i Shtatëdhjetë dhe Apostull.

Plaku

Pleqtë thirren për të dhënë mësim, për të shpjeguar, nxitur, pagëzuar dhe për t’u kujdesur për Kishën (shih DeB 20:42). Të gjithë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke janë pleq. Ata kanë autoritetin për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve (shih DeB 20:43). Pleqtë duhet të drejtojnë mbledhjet e Kishës siç drejtohen nga Fryma e Shenjtë (shih DeB 20:45; 46:2). Pleqtë mund t’u administrojnë të sëmurëve (shih DeB 42:44) dhe të bekojnë fëmijët e vegjël (shih DeB 20:70). Pleqtë mund të kryesojnë mbi mbledhjet e Kishës kur nuk është i pranishëm asnjë prift i lartë (DeB 107:11).

Prifti i Lartë

Një prifti të lartë i jepet autoriteti për të kryer detyra në Kishë dhe për të administruar për gjërat shpirtërore (shih DeB 107:10, 12). Ai gjithashtu mund të shërbejë në të gjitha detyrat më të ulta (shih DeB 68:19). Presidentët e kunjit, presidentët e misionit, këshilltarët e lartë, peshkopët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës janë shuguruar si priftërinj të lartë.

Patriarku

Patriarkët shugurohen nga Autoritetet e Përgjithshme, ose nga presidentët e kunjit kur autorizohen nga Këshilli i Të Dymbëdhjetëve, për t’u dhënë bekime patriarkale anëtarëve të Kishës. Këto bekime na japin një lloj të kuptuari për thirrjet tona në tokë. Ato janë fjalët e Zotit që na drejtohen neve personalisht. Patriarkët gjithashtu shugurohen si priftërinj të lartë. (Shih DeB 107:39–56.)

I Shtatëdhjeti

Të Shtatëdhjetët janë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit në botë dhe ndihmojnë në ndërtimin dhe rregullimin e punëve të Kishës nën drejtimin e Presidencisë së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (shih DeB 107:25, 34, 38, 93–97).

Apostulli

Një Apostull është një dëshmitar i veçantë i emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën (shih DeB 107:23). Apostujt administrojnë punët e Kishës në mbarë botën. Ata që shugurohen në detyrën e Apostullit në Priftërinë Melkizedeke zakonisht veçohen si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Secilit prej tyre i jepen të gjithë çelësat e mbretërisë së Perëndisë në tokë, por vetëm Apostulli më i vjetër, që është Presidenti i Kishës, i përdor aktivisht të gjithë çelësat. Të tjerët veprojnë nën drejtimin e tij.

  • Si jeni bekuar përmes shërbimit të mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke?

Kuorumet e Priftërisë Aarone

Zoti ka udhëzuar që mbajtësit e priftërisë të organizohen në kuorume. Një kuorum është një grup vëllezërish që mbajnë të njëjtën detyrë priftërie.

Ka tre kuorume të Priftërisë Aarone:

  1. Kuorumi i dhjakëve, që përbëhet nga deri 12 dhjakë (shih DeB 107:85). Presidencia e kuorumit të dhjakëve thirret nga peshkopi prej vetë anëtarëve të kuorumit.

  2. Kuorumi i mësuesve, që përbëhet nga deri 24 mësues (shih DeB 107:86). Presidencia e kuorumit të mësuesve thirret nga peshkopi prej vetë anëtarëve të kuorumit.

  3. Kuorumi i priftërinjve, që përbëhet nga deri 48 priftërinj (shih DeB 107:87–88). Ai kryesohet nga peshkopi i lagjes së cilës i përket ky kuorum. Peshkopi është një prift i lartë dhe prandaj i përket edhe kuorumit të priftërinjve të lartë.

Kurdoherë që kapërcehet numri i specifikuar për një kuorum, kuorumi mund të ndahet.

Kuorumet e Priftërisë Melkizedeke

Në nivel të përgjithshëm të Kishës, anëtarët e Presidencisë së Parë formojnë një kuorum, po ashtu si dhe Dymbëdhjetë Apostujt. Të Shtatëdhjetët gjithashtu janë të organizuar në kuorume.

Në nivel vendor të Kishës – në lagje, dhe degë, dhe kunje, dhe distrikte – mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke organizohen në kuorumet në vijim:

Kuorumi i Pleqve

Çdo kuorum i pleqve “është ngritur për shërbestarët që qëndrojnë; megjithëse mund të udhëtojnë, përsëri ata shugurohen që të jenë shërbestarë që qëndrojnë” (DeB 124:137). Ata e kryejnë punën më të madhe pranë shtëpive të tyre. Kuorumi mund të përbëhet nga deri 96 pleq, të kryesuar nga një presidenci kuorumi. Kur ky numër kapërcehet, kuorumi mund të ndahet.

Kuorumi i Priftërinjve të Lartë

Çdo kuorum përfshin të gjithë priftërinjtë e lartë që banojnë brenda kufijve të një kunji, përfshirë patriarkët dhe peshkopët. Presidenti i kunjit dhe këshilltarët e tij janë presidencia e këtij kuorumi. Priftërinjtë e lartë në çdo lagje organizohen në grupe me një udhëheqës grupi.

Rëndësia e Kuorumeve të Priftërisë

  • Si mund të ndihmojnë kuorumet e priftërisë për të forcuar individët dhe familjet?

Kur shugurohet në priftëri, një burrë ose një i ri bëhet automatikisht anëtar i një kuorumi priftërie. Që nga ai çast e gjatë gjithë jetës, nga ai pritet që të mbajë anëtarësinë në një kuorum priftërie sipas detyrës që ka (shih Boyd K. Packer, “What Every Elder Should Know – and Every Sister as Well: A Primer on Principles of Priesthood Government,” Ensign, shkurt 1993, f. 9).

Nëse një kuorum priftërie funksionon siç duhet, anëtarët e kuorumit nxiten, bekohen, shoqërohen dhe u mësohet ungjilli nga udhëheqësit e tyre. Edhe pse një burrë mund të lirohet nga detyrat e Kishës, të tilla si mësues, president kuorumi, peshkop, këshilltar i lartë ose president kunji, anëtarësia e tij në kuorumin e tij nuk ndryshon. Anëtarësia në një kuorum priftërie duhet të konsiderohet si një privilegj i shenjtë.

Ndihmëset për Priftërinë

  • Si mund të ndihmojnë ndihmëset e priftërisë për të forcuar individët dhe familjet?

Të gjitha organizatat në Kishë punojnë nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë dhe i ndihmojnë ata të kryejnë punën e Zotit. Për shembull, presidencitë e organizatave të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave, të Të Rinjve, të Fillores dhe të Shkollës të së Dielës në një lagje shërbejnë nën drejtimin e këshillit të peshkopit. Këto organizata quhen ndihmëse të priftërisë.

  • Çfarë roli keni ju si individ për të ndihmuar kuorumet e priftërisë dhe organizatat ndihmëse që të kenë sukses?

Shkrime të Shenjta të Tjera