Libra dhe Mësime
Kapitulli 39: Ligji i Dëlirësisë


Kapitulli 39

Ligji i Dëlirësisë

Pamja
Holding hands of a newly married couple.

Njoftim për Prindërit

Ky kapitull përmban disa pjesë që janë përtej pjekurisë së fëmijëve të vegjël. Është më mirë të prisni derisa fëmijët të jenë mjaft të rritur sa të kuptojnë marrëdhëniet seksuale dhe riprodhimin para se t’u mësoni këto pjesë të këtij kapitulli. Udhëheqësit e Kishës na kanë thënë se prindërit kanë përgjegjësinë për t’u mësuar fëmijëve të tyre rreth riprodhimit (procesin e ngjizjes dhe lindjes së fëmijëve). Prindërit duhet gjithashtu t’u mësojnë atyre ligjin e dëlirësisë, që shpjegohet në këtë kapitull.

Prindërit mund të fillojnë t’u mësojnë fëmijëve të kenë qëndrimet e duhura ndaj trupit të tyre që kur janë fëmijë shumë të vegjël. Të folurit me çiltërsi, por me nderim me fëmijët duke përdorur emrat e duhur për pjesët dhe funksionet e trupit të tyre do t’i ndihmojë ata të rriten pa ndjenjën e panevojshme të sikletit ndaj trupave të tyre.

Fëmijët nga natyra janë kureshtarë. Ata duan të dinë se si funksionojnë trupat e tyre. Ata duan të dinë se nga vijnë bebet. Nëse prindërit u përgjigjen të tilla pyetjeve menjëherë dhe me qartësi që fëmijët të mund t’i kuptojnë, atëherë fëmijët do të vazhdojnë t’u drejtohen prindërve për pyetjet e tyre. Por, nëse prindërit u përgjigjen pyetjeve në mënyrë të tillë që fëmijët të ndihen të sikletosur, të padëshiruar, ose të pakënaqur, ata ndoshta do t’i drejtohen dikujt tjetër për pyetjet e tyre dhe ndoshta do të marrin ide të pasakta dhe qëndrime të gabuara.

Megjithatë, nuk është e mençur dhe as e nevojshme që t’u themi çdo gjë fëmijëve menjëherë. Prindërit duhet t’u japin fëmijëve vetëm atë informacion për të cilin pyetën dhe të cilin mund ta kuptojnë. Ndërsa u përgjigjen këtyre pyetjeve, prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve rëndësinë e respektit ndaj trupave të tyre dhe trupave të të tjerëve. Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët të vishen me modesti. Ata duhet të korrigjojnë idetë e rreme dhe fjalorin vulgar që fëmijët mësojnë nga të tjerë.

Deri në kohën kur fëmijët të kenë arritur pjekurinë, prindërit duhet të kenë diskutuar çiltërsisht me fëmijët rreth riprodhimit. Fëmijët duhet të kuptojnë se këto fuqi janë të mira dhe na janë dhënë nga Zoti. Ai pret që ne t’i përdorim ato brenda kufijve që Ai ka vendosur për ne.

Fëmijët e vegjël vijnë në tokë të pastër e të pafajshëm nga Ati Qiellor. Ndërsa prindërit luten për udhëheqje, Zoti do t’i frymëzojë t’i mësojnë fëmijët në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Fuqia e Riprodhimit

  • Përse prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre mbi riprodhimin dhe dëlirësinë? Si mund ta bëjnë këtë siç duhet?

Perëndia e urdhëroi çdo qenie të gjallë të riprodhohej sipas llojit të vet (shih Zanafilla 1:22). Riprodhimi ishte pjesë e planit të Tij në mënyrë që të gjitha format e jetës të mund të vazhdonin të ekzistonin në tokë.

Më pas Ai e vendosi Adamin dhe Evën në tokë. Ata ishin ndryshe nga krijimet e tjera, sepse ata ishin fëmijët e Tij shpirtërorë. Në Kopshtin e Edenit, Ai i martoi së bashku Adamin dhe Evën dhe i urdhëroi ata të shumëzoheshin e të mbushnin tokën (shih Zanafilla 1:28). Megjithatë, jeta e tyre do të drejtohej nga ligjet e moralit dhe jo nga instikti.

Perëndia donte që fëmijët e Tij shpirtërorë të lindeshin në familje në mënyrë që të merrnin kujdesin dhe mësimet e duhura. Ne, ashtu si Adami dhe Eva, duhet të sigurojmë trupa fizikë për këta fëmijë shpirtërorë. Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë shpallur: “Ne deklarojmë se mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme është caktuar dhe drejtuar nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” Ensign, nëntor 1995, f. 102). Perëndia na ka urdhëruar që ne duhet të kemi marrëdhënie seksuale vetëm brenda martesës midis një burri dhe një gruaje. Ky urdhërim quhet ligji i dëlirësisë.

Ligji i Dëlirësisë

  • Çfarë është ligji i dëlirësisë?

Ne duhet të kemi marrëdhënie seksuale vetëm me bashkëshortin/bashkëshorten tonë me të cilin/cilën jemi martuar ligjërisht. Askush, mashkull apo femër, nuk duhet të ketë marrëdhënie seksuale para martesës. Pas martesës, marrëdhëniet seksuale lejohen vetëm me bashkëshorten/in tonë.

Izraelitëve Zoti u tha: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore” (Eksodi 20:14). Ata izraelitë që e thyenin këtë urdhërim u nënshtroheshin dënimeve të ashpra. Zoti e ka përsëritur këtë urdhërim në ditët e mëvonshme (shih DeB 42:24).

Na është mësuar se ligji i dëlirësisë përfshin më tepër se marrëdhëniet seksuale. Presidencia e Parë i paralajmëroi të rinjtë për mëkate të tjera seksuale:

“Para martesës, mos bëni asgjë që të zgjojë emocionet e fuqishme që duhet të shprehen vetëm brenda martesës. Mos u përfshini në puthje pasionante, mos u shtrini mbi trupin e një personi tjetër, ose mos prekni pjesët intime e të shenjta të trupit të një personi tjetër, me ose pa rroba. Mos lejoni asnjë që t’ua bëjë këtë. Mos i zgjoni këto emocione në vetë trupin tuaj” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2002], f. 27).

Ashtu si dhunimet e tjera të ligjit të dëlirësisë, sjellja homoseksuale është një mëkat serioz. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë folur për rreziqet e sjelljes homoseksuale dhe për shqetësimin e Kishës për njerëzit që mund të kenë prirje të tilla. Presidenti Gordon B. Hinkli ka thënë:

“Në radhë të parë, ne besojmë se martesa midis një burri e një gruaje është shuguruar nga Perëndia. Ne besojmë se martesa mund të jetë e përjetshme përmes ushtrimit të fuqisë së priftërisë së përjetshme në shtëpinë e Zotit.

Njerëzit pyesin për pozicionin tonë ndaj atyre që e konsiderojnë veten të ashtuquajtur gej dhe lezbiane. Përgjigjja ime është se ne i duam ata si bij e bija të Perëndisë. Ata mund të kenë disa prirje të caktuara që janë të fuqishme dhe që mund të jetë e vështirë të kontrollohen. Shumica e njerëzve kanë prirje të një lloji apo një tjetri në periudha të ndryshme. Nëse ata nuk veprojnë sipas këtyre prirjeve, atëherë ata mund të shkojnë përpara siç bëjnë të gjithë anëtarët e tjerë të Kishës. Nëse shkelin ligjin e dëlirësisë dhe standardet morale të Kishës, atëherë ata i nënshtrohen disiplinës së Kishës, ashtu si dhe të tjerët.

Ne duam t’i ndihmojmë këta njerëz, t’i forcojmë ata, t’u rrimë pranë në problemet e tyre dhe t’i ndihmojmë për vështirësitë e tyre. Por ne nuk mund të rrimë pa vepruar nëse ata kënaqen me veprimtari të pamoralshme, nëse ata përpiqen të përkrahin, dhe të mbrojnë, dhe të jetojnë në situatën e të ashtuquajturës martesë mes së njëjtës gjini. Ta lejosh këtë sjellje do të thotë t’i ulësh vlerën bazës shumë serioze e të shenjtë të martesës së sanksionuar nga Perëndia dhe vetë qëllimit të saj, ngritjes së familjes” (në Conference Report, tetor. 1989, f. 91; ose Ensign, nëntor 1998, f. 71).

Satani Dëshiron që Ne ta Thyejmë Ligjin e Dëlirësisë

  • Cilat janë disa mënyra se si Satani i tundon njerëzit ta thyejnë ligjin e dëlirësisë?

Plani i Satanit është të mashtrojë sa më shumë të mundet nga ne që të na pengojë për t’u kthyer që të jetojmë me Atin tonë Qiellor. Një nga dëmet më të mëdha që mund të bëjë është të na nxisë ta thyejmë ligjin e dëlirësisë. Ai është dinak dhe i fuqishëm. Ai do që ne të besojmë se nuk është mëkat ta thyesh këtë ligj. Shumë njerëz janë mashtruar. Ne duhet ta ruajmë veten nga të tilla ndikime të liga.

Satani sulmon standardet e modestisë. Ai do që ne të besojmë se me qenë se trupi i njeriut është i bukur, është diçka që duhet vënë në pah dhe duhet ekspozuar. Ati ynë Qiellor do që ne t’i mbajmë trupat tanë të mbuluar në mënyrë që të mos nxitim mendime të pahijshme në mendjet e të tjerëve.

Satani jo vetëm na nxit të vishemi pa modesti, por ai gjithashtu na nxit të mendojmë mendime të pamoralshme ose të pahijshme. Këtë ai e bën me anë të fotografive, filmave, historive, shakave, muzikës dhe vallëzimeve që sugjerojnë veprime të pamoralshme. Ligji i dëlirësisë kërkon që mendimet dhe veprimet tona të jenë të pastra. Profeti Alma na mësoi se kur të gjykohemi nga Perëndia, “mendimet tona do të na dënojnë gjithashtu; dhe në këtë gjendje të tmerrshme ne nuk do të guxojmë të shikojmë drejt Perëndisë tonë” (Alma 12:14).

Jezusi dha mësim: “Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Mos shkel kurorën’.

Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:27–28).

Presidenti Gordon B. Hinkli ka paralajmëruar: “Ju jetoni në një botë me tundime të tmerrshme. Pornografia, me fëlliqësinë e saj të dobët, derdhet mbi botën si një valë e tmerrshme gëlltitëse. Është helm. Mos e shikoni apo mos e lexoni atë. Do t’ju shkatërrojë nëse e bëni. Do t’ju heqë respektin për veten. Do t’ju grabisë ndjesitë e bukurive të jetës. Do t’ju shembë e do t’ju tërheqë në një batak mendimesh të liga e mundet, veprimesh të liga. Qëndroni larg saj. Shmangeni ashtu si do të bënit me një sëmundje molepsëse, sepse është po aq vdekjeprurëse. Jini të virtytshëm në mendim e në veprim. Perëndia ka mbjellë tek ju, me një qëllim, një dëshirë hyjnore që mund të shkatërrohet lehtë në veprime të liga e rrënuese. Kur jeni të rinj, mos u përfshini në takime njohjeje të vazhdueshme. Kur të mbërrini një moshë kur mendoni për martesë, atëherë është koha të përfshiheni kështu. Por ju djema, që jeni në shkollë të mesme, s’keni nevojë për këtë dhe as vajzat” (në Conference Report, tetor 1997, f. 71–72; ose Ensign, nëntor 1997, f. 51).

Satani ndonjëherë na tundon nëpërmjet emocioneve tona. Ai e di se jemi të vetmuar, të pështjelluar ose të trishtuar. Ai zgjedh këtë kohë dobësie për të na tunduar të thyejmë ligjin e dëlirësisë. Ati ynë Qiellor mund të na japë fuqi për të kaluar përmes këtyre sprovave të padëmtuar.

Shkrimet e shenjta na tregojnë rreth një të riu të quajtur Jozef tek i cili besonte mjaft zotëria i tij, Potifari. Potifari i kishte dhënë Jozefit kontrollin mbi çdo gjë që kishte. E shoqja e Potifarit e pëlqente Jozefin dhe e tundoi të kryente shkelje kurore me të. Por Jozefi e kundërshtoi dhe u largua prej saj. (Shih Zanafilla 39:1–18.)

Pali dha mësim: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13). Alma theksoi se ne nuk do të “tundohe[m]i mbi atë që mund të [durojmë]” kur “përule[m]i para Zotit dhe të thërr[asim] në emrin e tij të shenjtë dhe të je[m]i vigjilentë, dhe të lute[m]i vazhdimisht” (Alma 13:28).

  • Si lidhen thjeshtësia dhe dëlirësia? Si munden prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre që të jenë të thjeshtë në veshje, gjuhë e sjellje?

  • Si mund ta luftojmë përhapjen dhe ndikimin e pornografisë?

  • Çfarë premtimesh na ka dhënë Zoti për të na ndihmuar t’i mposhtim tundimet e Satanit?

Thyerja e Ligjit të Dëlirësisë Është Tepër Serioze

Profeti Alma u hidhërua, sepse njëri nga bijtë e tij kishte thyer ligjin e dëlirësisë. Alma i tha birit të tij Koriantonit: “A nuk e di, biri im, se këto gjëra janë një neveri në pamjen e Zotit; po, më të neveritshme mbi të gjitha mëkatet e tjera, me përjashtim të gjakderdhjes së një të pafajshmi, ose të mohimit të Frymës së Shenjtë?” (Alma 39:5). Mungesa e dëlirësisë vjen menjëherë pas vrasjes në shkallën e seriozitetit të mëkatit.

Nëse një burrë e një grua shkelin ligjin e dëlirësisë dhe ngjizin një fëmijë, ata mund të tundohen të kryejnë një tjetër mëkat të neveritshëm: abortin. Rrallë ekziston ndonjë arsye përligjëse për abortin. Udhëheqësit e Kishës kanë thënë se ndonjë rrethanë e jashtëzakonshme mund ta përligjë abortin, e tillë si kur shtatzënia është pasojë e një incesti apo përdhunimi, kur gjykohet nga autoritete mjekësore kompetente se jeta apo shëndeti i nënës janë në rrezik serioz, ose kur njihet nga autoritete mjekësore kompetente se fetusi ka të meta të rënda që nuk do ta lejonin foshnjën të mbijetonte pas lindjes. Por edhe këto rrethana nuk e përligjin abortin automatikisht. Ata që përballen me rrethana të tilla duhet ta marrin në konsideratë abortin vetëm pasi të jenë konsultuar me udhëheqësit e tyre vendorë të Kishës dhe të kenë marrë konfirmim nëpërmjet lutjes së zellshme.

“Kur një burrë e një grua ngjizin një fëmijë jashtë martese, duhet të bëhet çdo përpjekje që ata të nxiten që të martohen. Kur është e pashpresë mundësia për një martesë të suksesshme për shkak të moshës apo rrethanave të tjera, prindërit e pamartuar duhet të këshillohen që ta japin fëmijën për birësim përmes Shërbimeve Familjare të ShDM që të sigurojnë se foshnja do të vuloset me prindër të denjë për tempull” (First Presidency letter, 26 qershor 2002 dhe 19 korrik 2002).

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për Atin tonë Qiellor që fëmijët e Tij t’i binden ligjit të dëlirësisë. Anëtarë të Kishës që e shkelin këtë ligj, apo ndikojnë të tjerë që ta bëjnë këtë, i nënshtrohen disiplinës së Kishës.

Ata që e Thyejnë Ligjin e Dëlirësisë Mund të Falen

Ata që thyejnë ligjin e dëlirësisë mund të gjejnë paqe. Zoti na thotë: “Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mia, … asnjë nga shkeljet që ka kryer nuk do t’i kujtohet atij” (Ezekieli 18:21–22). Paqja vjen vetëm nëpërmjet faljes.

Presidenti Kimball tha: “Për çdo falje ka një kusht. … Agjërimi, lutjet, përulësia duhet të jenë baraz ose më të mëdha se mëkati. Duhet të ketë një zemër të thyer e një shpirt të penduar. … Duhet të ketë lotë dhe një ndryshim të sinqertë zemre. Personi duhet të jetë bindur për mëkatin që ka kryer, ta braktisë të ligën, t’ua rrëfejë gabimin autoriteteve të Zotit të zgjedhur siç duhet” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 353).

Për shumë njerëz, rrëfimi është pjesa më e vështirë e pendimit. Ne duhet t’i rrëfehemi jo vetëm Zotit, por edhe personit ndaj të cilit kemi mëkatuar, të tillë si bashkëshortit apo bashkëshortes, si dhe autoritetit të duhur të priftërisë. Udhëheqësi i priftërisë (peshkopi ose presidenti i kunjit) do të gjykojë qëndrimin tonë në Kishë. Zoti i tha Almës: “Kushdo që bën shkelje kundër meje, … në qoftë se i rrëfen mëkatet e tij para teje dhe meje dhe pendohet me çiltërsinë e zemrës së tij, atë do ta falësh; dhe unë do ta fal atë gjithashtu” (Mosia 26:29).

Por Presidenti Kimball paralajmëroi: “Edhe pse falja premtohet kaq me bollëk, nuk ka as premtim e as tregues për falje të cilitdo shpirt që nuk pendohet tërësisht. … Është e vështirë të jemi më energjikë se ç’duhet kur u kujtojmë njerëzve që ata nuk mund të mëkatojnë dhe të falen e më pas të mëkatojnë përsëri dhe të shpresojnë të falen edhe një herë” (The Miracle of Forgiveness, f. 353, 360). Ata që marrin falje dhe më pas e përsërisin gabimin mbahen përgjegjës edhe për mëkatet e mëparshme (shih DeB 82:7; Ethëri 2:15).

Ata që e Mbajnë Ligjin e Dëlirësisë Bekohen së Tepërmi

  • Çfarë bekimesh marrim kur e zbatojmë ligjin e dëlirësisë?

Kur i bindemi ligjit të dëlirësisë, mund të jetojmë pa ndjenjën e fajit apo të turpit. Jeta jonë dhe jeta e fëmijëve tanë do të bekohet kur e mbajmë veten të pastër dhe të panjollë para Zotit. Fëmijët mund të shikojnë shembullin tonë dhe të ndjekin hapat tona.

Shkrime të Shenjta të Tjera