Libra dhe Mësime
Kapitulli 34: Zhvillimi i Talenteve Tona


Kapitulli 34

Zhvillimi i Talenteve Tona

Pamja
A male art student painting as he looks away at a model or object that he is painting.

Ne të Gjithë Kemi Talente e Aftësi të Ndryshme

Ne të gjithë kemi dhunti, talente dhe aftësi të veçanta që na janë dhënë nga Ati ynë Qiellor. Kur lindëm, i sollëm këto dhunti, talente e aftësi me vete (shih kapitullin 2 në këtë libër).

Profeti Moisi ishte një udhëheqës i madh, por ai kishte nevojë për Aaronin, vëllain e tij, që ta ndihmonte si zëdhënës (shih Eksodi 4:14–16). Disa nga ne janë udhëheqës si Moisiu ose oratorë të mirë si Aaroni. Disa prej nesh mund të këndojnë bukur ose të luajnë një vegël muzikore. Të tjerë mund të jenë të mirë në sporte ose që të punojnë mirë me duar. Talente të tjera që mund të kemi përfshijnë të kuptuarit e të tjerëve, durimin, harenë, ose aftësinë për të mësuar të tjerët.

  • Si keni përfituar ju nga talentet e të tjerëve?

Ne Duhet t’i Përdorim dhe t’i Përmirësojmë Talentet Tona

  • Si mund t’i zhvillojmë talentet tona?

Ne kemi përgjegjësi të zhvillojmë talentet që na janë dhënë. Ndonjëherë mendojmë se nuk kemi shumë talente ose që njerëz të tjerë janë bekuar me më shumë aftësi nga ne. Ndonjëherë nuk i përdorim talentet tona, sepse kemi frikë se mund të dështojmë ose të na kritikojnë të tjerët. Ne nuk duhet t’i fshehim talentet tona. Duhet t’i përdorim ato. Atëherë të tjerët mund të shikojnë veprat tona të mira dhe të lavdërojnë Atin tonë Qiellor (shih Mateu 5:16).

Ka disa gjëra që duhet të bëjmë për të zhvilluar talentet. Së pari, duhet t’i zbulojmë talentet tona. Duhet të bëjmë një vlerësim të vetes për të zbuluar pikat e forta dhe aftësitë tona. Familja dhe miqtë tanë mund të na ndihmojnë për këtë. Ne gjithashtu duhet t’i kërkojmë Atit tonë Qiellor të na ndihmojë të mësojmë se cilat janë talentet tona.

Së dyti, duhet të jemi të gatshëm t’i kushtojmë kohë dhe përpjekje zhvillimit të talentit që po kërkojmë.

Së treti, duhet të kemi besim se Ati ynë Qiellor do të na ndihmojë dhe duhet të kemi besim te vetja.

Së katërti, duhet të mësojmë aftësitë e nevojshme për të zhvilluar talentet tona. Këtë mund ta bëjmë duke ndjekur një kurs, duke i kërkuar një miku të na mësojë ose duke lexuar një libër.

Së pesti, duhet të bëjmë praktikë duke e përdorur talentin. Çdo talent kërkon përpjekje dhe punë për t’u zhvilluar. Mjeshtëria e një talenti duhet fituar.

Së gjashti, duhet ta ndajmë talentin tonë me të tjerët. Vetëm duke i përdorur talentet ato mund të rriten (shih Mateu 25:29).

Të gjithë këto hapa bëhen më të lehtë nëse lutemi dhe kërkojmë ndihmën e Zotit. Ai dëshiron që ne t’i zhvillojmë talentet tona dhe Ai do të na ndihmojë.

Ne Mund t’i Zhvillojmë Talentet Pavarësisht nga Dobësitë Tona

  • Si mund t’i zhvillojmë talentet pavarësisht nga dobësitë tona?

Ngaqë jemi të vdekshëm dhe të rënë, ne kemi dobësi. Me ndihmën e Zotit, dobësitë tona dhe natyra e rënë mund të mposhten (shih Ethëri 12:27, 37). Bethoveni kompozoi muzikën e tij më të mrekullueshme pasi u shurdhua. Enoku e mposhti ngadalësinë e tij në të folur dhe u bë një mësues i fuqishëm (shih Moisiu 6:26–47).

Disa nga atletët e famshëm kanë kapërcyer të meta fizike para se të fitonin sukses në zhvillimin e talenteve të tyre. Shelli Man ishte një shembull i tillë. “Në moshën pesë vjeçare ajo kaloi poliomielitin. … Prindërit e çuan çdo ditë në pishinë duke shpresuar se uji do ta ndihmonte t’i mbante krahët lart ndërsa përpiqej t’i vinte përsëri në lëvizje ato. Kur mundi ta nxirrte krahun nga uji me forcën e vet, ajo brohoriti me gëzim. Më pas qëllimi i saj ishte të notonte sa e gjithë gjerësia e pishinës, më pas sa e gjithë gjatësia e më pas disa herë sa gjatësia. Ajo vazhdoi të përpiqej, të notonte, të tregohej e duruar, ditë për ditë, derisa fitoi medaljen e artë [olimpike] për stilin flutur – një nga stilet më të vështira të notit” (Marvin J. Ashton, në Conference Report, prill 1975, f. 127; ose Ensign, maj 1975, f. 86).

Hiber J. Grant mposhti shumë nga dobësitë e tij dhe i ktheu ato në talente. Ai kishte si moto këto fjalë: “Ajo që këmbëngulim ta bëjmë bëhet më e lehtë për t’u bërë; jo se natyra e asaj gjëje ka ndryshuar, por se fuqia jonë për ta bërë atë është rritur” (në Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 35).

Zoti do të na Bekojë Nëse i Përdorim Talentet Tona me Urtësi

Presidenti Jozef F. Smith tha: “Çdo bir dhe çdo bijë e Perëndisë ka marrë disa talente dhe secili do të japë llogari të rreptë për përdorimin ose keqpërdorimin e atij talenti” (Gospel Doctrine, bot. 5-të [1939], f. 370). Talenti është një lloj kujdestarie (përgjegjësi në mbretërinë e Perëndisë). Shëmbëlltyra e talentave na tregon se kur shërbejmë mirë në kujdestarinë tonë, do të na jepen përgjegjësi edhe më të mëdha. Nëse nuk shërbejmë mirë, atëherë do të vijë koha kur kujdestaria jonë do të na hiqet. (Shih Mateu 25:14–30.)

Në shkrimet e shenjta na thuhet gjithashtu se do të gjykohemi sipas veprave tona (shih Mateu 16:27). Kur zhvillojmë dhe i përdorim talentet tona për njerëz të tjerë, atëherë po kryejmë vepra të mira.

Zoti kënaqet kur i përdorim talentet tona me urtësi. Ai do të na bekojë nëse i përdorim talentet tona për të mirën e të tjerëve dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij në tokë. Disa nga bekimet që fitojmë janë gëzimi dhe dashuria nga shërbimi që u japim vëllezërve e motrave tona këtu në tokë. Ne gjithashtu fitojmë vetëkontroll. Të gjitha këto gjëra janë të nevojshme nëse duam të jemi të denjë për të jetuar përsëri me Atin tonë Qiellor.

  • Cilët janë disa shembuj të njerëzve talentet e të cilëve janë lartësuar ngaqë i kanë përdorur me urtësi? (Merrni parasysh njerëz që njihni ose njerëz nga shkrimet e shenjta apo historia e Kishës.)

Shkrime të Shenjta të Tjera