Libra dhe Mësime
Kapitulli 5: Krijimi


Kapitulli 5

Krijimi

Pamja
The Earth as seen from space.

Plani i Perëndisë për Ne

  • Përse na duhej të vinim në tokë?

Kur jetuam si fëmijë shpirtërorë me prindërit tanë qiellorë, Ati ynë Qiellor na tregoi rreth planit të tij për ne që të bëheshim më shumë si Ai. Ne lëshuam britma gëzimi kur dëgjuam planin e Tij (shih Jobi 38:7). Që këto gjëra të ndodhnin, ne duhej të largoheshim nga prania e Atit tonë dhe të merrnim trupa të vdekshëm. Na duhej një vend tjetër për të jetuar ku mund të përgatiteshim për t’u bërë si Ai. Shtëpia jonë e re u quajt tokë.

  • Si mendoni ju, përse ne lëshuam britma gëzimi kur mësuam për planin e shpëtimit?

Jezusi Krijoi Tokën

Jezu Krishti krijoi këtë botë dhe gjithçka që është në të. Ai gjithashtu krijoi edhe shumë botë të tjera. Ai e bëri këtë nëpërmjet fuqisë së priftërisë, nën drejtimin e Atit tonë Qiellor. Perëndia Ati tha: “Dhe botë pa numër kam krijuar; … dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im” (Moisiu 1:33). Ne kemi dëshmi të tjera të kësaj të vërtete. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni e panë Jezu Krishtin në një vegim. Ata dëshmuan “se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:24).

Realizimi i Krijimit

  • Cilat janë qëllimet e Krijimit?

Toka dhe çdo gjë që ndodhet në të u krijua shpirtërisht para se të krijohej fizikisht (shih Moisiu 3:5). Gjatë hartimit të planit për të krijuar tokën fizike, Krishti u tha atyre që ishin me Të: “Ne do të zbresim, sepse ka hapësirë atje, dhe … do të bëjmë një tokë në të cilën këta [fëmijët shpirtërorë të Atit tonë në Qiell] të mund të banojnë” (Abrahami 3:24).

Nën drejtimin e Atit, Krishti krijoi dhe organizoi tokën. Ai e ndau dritën nga errësira për të krijuar ditën dhe natën. Ai krijoi diellin, hënën dhe yjet. Ai ndau ujërat nga toka e thatë për të bërë detet, lumenjtë dhe liqenet. Ai e bëri tokën të bukur dhe pjellore. Ai bëri barin, pemët, lulet dhe bimë të tjera të të gjitha llojeve. Këto bimë përmbanin fara nga të cilat mund të rriteshin bimë të reja. Më pas Ai krijoi kafshët – peshkun, kafshët shtëpiake, insektet dhe zogjtë e të gjitha llojeve. Këto kafshë kishin aftësinë të riprodhoheshin sipas llojit të vet.

Tani toka ishte gati për më të madhin e të gjithë krijimeve – njerëzimin. Shpirtrave tanë do t’u jepeshin trupa prej mishi dhe gjaku kështu që ata të mund të jetonin në tokë. “Dhe unë, Perëndia, i thashë të Vetëmlindurit tim, që ishte me mua që nga fillimi: Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, sipas ngjashmërisë sonë; dhe kështu u bë” (Moisiu 2:26). Dhe kështu u krijua burri i parë, Adami, e gruaja e parë, Eva, dhe atyre iu dhanë trupa që u ngjasonin atyre të prindërve tanë qiellorë. “Simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27). Kur Zoti i përfundoi krijimet e Tij, Ai u kënaq dhe e dinte se puna e Tij ishte e mirë dhe pushoi për një kohë.

Krijimet e Perëndisë Tregojnë Dashurinë e Tij

  • Në ç’mënyrë tregojnë krijimet e Perëndisë se Ai na do?

Tani ne jetojmë në këtë botë të bukur. Mendoni për diellin, i cili na jep ngrohtësi dhe dritë. Mendoni për shiun, që i bën bimët të rriten dhe e bën botën të ndihet e pastër dhe e freskët. Mendoni se sa bukur është të dëgjosh cicërimën e zogjve ose të qeshurën e një miku. Mendoni se sa të mrekullueshëm janë trupat tanë – se si ne mund të punojmë, të luajmë dhe të pushojmë. Kur mendojmë për të gjitha këto krijime, fillojmë të kuptojmë se ç’qenie të mençura, të fuqishme dhe të dashura janë Jezu Krishti dhe Ati ynë Qiellor. Ata kanë treguar dashuri të madhe për ne duke na dhënë gjithçka për të cilën kemi nevojë.

Jeta bimore dhe shtazore u krijuan gjithashtu për të na dhënë gëzim. Zoti tha: “Po, gjithë gjërat që vijnë nga toka, në stinën e tyre, bëhen për të mirën dhe për përdorimin e njeriut, si për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën; Po, për ushqim dhe për veshje, për shije dhe për aromë, për të forcuar trupin dhe për të gjallëruar shpirtin” (DeB 59:18–19). Megjithëse krijimet e Perëndisë janë të shumta, Ai i njeh dhe i do të gjitha ato. Ai tha: “Të gjitha gjërat numërohen prej meje, sepse ato janë të miat dhe unë i njoh ato” (Moisiu 1:35).

  • Cilat janë disa gjëra që i vlerësoni tek krijimet e Perëndisë?

Shkrime të Shenjta të Tjera