Libra dhe Mësime
Kapitulli 43: Shenjat e Ardhjes së Dytë


Kapitulli 43

Shenjat e Ardhjes së Dytë

Pamja
The resurrected Jesus Christ (wearing white robes with a magenta sash) standing above a large gathering of clouds. Christ has His arms partially extended. The wounds in the hands of Christ are visible. Numerous angels (each blowing a trumpet) are gathered on both sides of Christ. A desert landscape is visible below the clouds. The painting depicts the Second coming of Christ. (Acts 1:11)

Jezu Krishti do të Rikthehet në Tokë

  • Cilat janë disa nga shenjat e Ardhjes së Dytë?

Shpëtimtari i tha Jozef Smithit: “Unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe … dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet e të ligjtë nuk do të durojnë dot” (DeB 29:11; shih edhe kapitujt 44 e 45 në këtë libër). Jezusi na ka thënë se disa shenja dhe ngjarje do të na paralajmërojnë se kur do të jetë pranë koha e Ardhjes së Tij të Dytë.

Për mijëra vjet, pasuesit e Jezu Krishtit e kanë pritur me padurim Ardhjen e Dytë si një kohë paqeje dhe gëzimi. Por para se Shpëtimtari të vijë, banorët e tokës do të përjetojnë sprova dhe fatkeqësi të mëdha. Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të përgatitemi për këto kohë të vështira. Ai gjithashtu pret që ne të jemi gati shpirtërisht kur Shpëtimtari të vijë me lavdinë e Tij. Prandaj, Ai na ka dhënë shenja, që janë ngjarje që do ta na tregojnë se kur po afrohet Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit. Gjatë gjithë epokave Perëndia ua ka zbuluar profetëve të Tij këto shenja. Ai ka thënë se të gjithë pasuesit besnikë të Krishtit do ta dinë se cilat janë këto shenja dhe do të vëzhgojnë për to (shih DeB 45:39). Nëse jemi të bindur dhe besnikë, do të studiojmë shkrimet e shenjta dhe do t’i njohim këto shenja.

Disa nga shenjat që paralajmërojnë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit tashmë janë përmbushur ose po përmbushen tani. Të tjerat do të përmbushen në të ardhmen.

Ligësi, Luftëra dhe Trazira

Shumë nga shenjat janë të tmerrshme e të frikshme. Profetët na kanë paralajmëruar se toka do të përjetojë trazirë, ligësi, luftë dhe vuajtje të madhe. Profeti Daniel tha se koha para Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si toka nuk ka njohur kurrë më parë (shih Danieli 12:1). Zoti tha: “Dhe dashuria e njerëzve do të ftohet e paudhësia do të shumohet” (DeB 45:27). “Dhe gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë; dhe, … frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit” (DeB 88:91). Mund të presim tërmete, sëmundje, zi buke, stuhi të mëdha, vetëtima dhe bubullima (shih Mateu 24:7; DeB 88:90). Stuhi breshëri do të shkatërrojnë prodhimet e tokës (shih DeB 29:16).

Jezusi u tha dishepujve të Tij se lufta do të mbulonte tokën: “Do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash. … Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie” (Mateu 24:6–7). Profeti Jozef Smith tha: “Mos e humbni kurajën kur ju tregojmë për kohët e rrezikshme, sepse ato duhet të vijnë së shpejti, sepse shpata, zia e bukës dhe murtaja po afrohen. Do të ketë shkatërrim të madh mbi faqen e kësaj toke, sepse nuk duhet të pandehni që ndonjë pikë ose presje e profecive të të gjithë profetëve të shenjtë nuk do të plotësohet dhe ka ende shumë të tilla që mbeten për t’u përmbushur” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 252).

Shumë nga këto shenja po përmbushen. Ligësia gjendet kudo. Kombet janë vazhdimisht në luftë. Tërmete dhe fatkeqësi të tjera po ndodhin. Shumë njerëz po vuajnë nga stuhi shkatërruese, thatësirë, uri dhe sëmundje. Mund të jemi të sigurt se këto fatkeqësi do të bëhen edhe më të rënda para se të vijë Zoti.

Megjithatë, jo të gjitha ngjarjet që i paraprijnë Ardhjes së Dytë janë të frikshme. Shumë prej tyre i sjellin gëzim botës.

Rivendosja e Ungjillit

Zoti tha: “Një dritë do të agojë mes atyre që dergjen në errësirë dhe ajo do të jetë plotësia e ungjillit tim” (DeB 45:28). Profetët e së kaluarës parashikuan Rivendosjen e ungjillit. Apostulli Gjon pa se ungjilli do të rivendosej nga një engjëll (shih Zbulesa 14:6–7). Në përmbushje të kësaj profecie, engjëlli Moroni dhe vizitorë të tjerë qiellorë i sollën Jozef Smithit ungjillin e Jezu Krishtit.

Ardhja në Dritë e Librit të Mormonit

Zoti u tregoi nefitëve për një shenjë tjetër: Libri i Mormonit do të vinte tek pasardhësit e tyre (shih 3 Nefi 21). Në kohët e Dhiatës së Vjetër profetët Isaia dhe Ezekieli parashikuan ardhjen e Librit të Mormonit (shih Isaia 29:4–18; Ezekieli 37:16–20). Këto profeci tani po përmbushen. Libri i Mormonit ka dalë në dritë dhe po shpërndahet në mbarë botën.

Ungjilli do t’i Predikohet Mbarë Botës

Një tjetër shenjë e ditëve të fundit është se “ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet” (Mateu 24:14; shih gjithashtu Joseph Smith – Mateu 1:31). Të gjithë njerëzit do ta dëgjojnë plotësinë e ungjillit në vetë gjuhën e tyre (shih DeB 90:11). Gjithmonë që nga koha e Rivendosjes së Kishës, misionarët kanë predikuar ungjillin. Përpjekja misionare është rritur dhe tani dhjetëra mijëra misionarë predikojnë në shumë vende të botës dhe në shumë gjuhë. Para Ardhjes së Dytë dhe gjatë Mijëvjeçarit, Zoti do të sigurojë mënyra për t’ua çuar të vërtetën të gjitha kombeve.

Ardhja e Elijas

Profeti Malakia profetizoi se para Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, profeti Elija do të dërgohej në tokë. Elija do të rivendoste fuqitë vulosëse që familjet të mund të vuloseshin së bashku. Ai gjithashtu do të frymëzonte njerëzit të kujdeseshin për paraardhësit dhe pasardhësit e tyre. (Shih Malakia 4:5–6; DeB 2.) Profeti Elija iu shfaq Jozef Smithit në prill 1836. Që nga ajo kohë, është rritur interesimi për gjenealogjinë dhe historinë familjare. Ne gjithashtu mund të kryejmë ordinanca vulosëse në tempuj për të gjallët dhe të vdekurit.

Pasardhësit e Lehit do të Bëhen një Popull i Madh

Zoti tha se kur të afrohej ardhja e Tij, lamanitët do të bëheshin një popull i drejtë dhe i respektuar. Ai tha: “Përpara se dita e madhe e Zotit të vijë, … Lamanitët do të çelin si trëndafili” (DeB 49:24). Një numër i madh prej pasardhësve të Lehit po marrin tani bekimet e ungjillit.

Ndërtimi i Jeruzalemit të Ri

Kur të afrohet koha e ardhjes së Jezu Krishtit, shenjtorët besnikë do të ndërtojnë një qytet të drejtë, një qytet të Perëndisë, të quajtur Jeruzalemi i Ri. Jezu Krishti Vetë do të sundojë në të. (Shih 3 Nefi 21:23–25; Moisiu 7:62–64; Nenet e Besimit 1:10.) Zoti tha se qyteti do të ndërtohej në shtetin e Misurit në Shtetet e Bashkuara (shih DeB 84:2–3).

Këto janë vetëm pak nga shenjat që Zoti na ka dhënë. Shkrimet e shenjta përshkruajnë shumë më tepër.

  • Çfarë provash shihni se shenjat po përmbushen?

Njohja e Shenjave të Kohërave Mund të na Ndihmojë

  • Si mund të mbetemi të qetë dhe në paqe edhe kur disa prej shenjave janë të tmerrshme e të frikshme?

Duke folur për Ardhjen e Tij të Dytë, Zoti tha: “Orën dhe ditën askush s’e di, as engjëjt në qiell” (DeB 49:7). Ai e dha mësim këtë me anë të shëmbëlltyrës së pemës së fikut. Ai tha se kur shikojmë një pemë fiku të lëshojë gjethe, mund të themi se vera do të vijë shpejt. Po kështu, kur të shikojmë shenjat e përshkruara në shkrimet e shenjta, mund ta dimë se ardhja e Tij është pranë. (Shih Mateu 24:32–33.)

Zoti na i jep këto shenja për të na ndihmuar. Ne mund të vëmë rregull në jetën tonë dhe të përgatisim veten dhe familjet tona për gjërat që do të ndodhin.

Ne na është dhënë paralajmërim për fatkeqësitë dhe na është thënë të përgatitemi për to, por mund të presim me padurim ardhjen e Shpëtimtarit dhe të jemi të gëzuar. Zoti tha: “Mos u shqetësoni, sepse, kur gjithë këto gjëra [shenjat] të ndodhin, ju mund të dini se premtimet që ju janë bërë, do të përmbushen” (DeB 45:35). Ai tha se ata që janë të drejtë kur të vijë Ai nuk do të shkatërrohen “por do t’i qëndrojnë ditës. Dhe toka do t’u jepet atyre për trashëgim; … dhe fëmijët e tyre do të rriten pa mëkat. … Sepse Zoti do të jetë mes tyre e lavdia e tij do të jetë mbi ta dhe ai do të jetë mbreti e ligjdhënësi i tyre” (DeB 45:57–59).

Shkrime të Shenjta të Tjera